Dr Fatmir Terziu
Bota klasike e shkrimit jo në pak raste qëndron e heshtur, e fshehur, e strukur, e lexueshme kaherazi, ose rishtazi, ajo zbërthehet në një botë tjetër. Ajo që lexohet në arste të tilla shkon pikërisht tek fjala, urtia e saj, përcjellja me theksin dhe mesazhin e duhur. Kështu ndodh dhe kur lexon romanin “Don Kishoti në disko”, i cili është botuar në 2008 nga shtëpia botuese Toena, të autores Elisabeta Myftari. E lexon dhe menjëherë kërkon të dish edhe më shumë për këtë shkrim, narrativ dhe për autoren e tij.
Elisabeta Musabelliu (Myftari) ka lindur në Skrapar në vitin 1958 dhe është diplomuar në universitetin e Elbasanit, dega gjuhë-letërsi. Dhe kështu menjëherë mëson nga Migena Kapllani se ajo “është autore e shumë shkrimeve, analizave, eseve e komenteve në fushën e letërsisë e të didaktikës mësimore në organe të ndryshme të shtypit shqiptar”. Pra, kjo qasje të bënë të ndjesh respektin tjetër dhe të shkosh më shumë në thellësi të leximit dhe shkrimit. “Është autore e disa vëllimeve me poezi si “Mall”, “Uji i pusit tim” dhe dy romaneve, “Shenjë dashurie” dhe “Don Kishoti në disko”. Elisabeta, jeton për letërsinë dhe me letërsinë dhe përmes kohës si grua dhe nënë, qëndron dhe koha e “shpenzuar” për krijimtarinë. Poeti bëhet, thotë Elisabeta, përmes punës dhe mendimit të thellë që “si uthulla e fortë,/ kris njeriun e vet/ dhe ky njeri bëhet poet”.
Duke lexuar në këtë pikë Kapplanin, ajo që të bën të ndjehesh mirë është se “Elisabeta shpreson që poezia e saj të lexohet sidomos ndër të rinj, për të cilët me devotshmëri ka punuar me vite si mësuese e letërsisë. Në poezinë “Dua ta dëgjoj emrin tim”, dëgjohet të thotë e habitur: “Emri im/ nuk di në ç’pranga ka rënë,/ nuk di në ç’ndrojtje është zënë peng,/ nuk di në ç’thellësira fle!”, dhe kërkon të na sjellë pikërisht atë mendim të thellë të pasurisë së saj në atë ujë të kulluar e të thellë të shpirtit/pusit të saj që emri të mos bëhet kufomë. Vargjet e saj të ndjera janë tashmë të dala nga ai shpirt /pus i thellë dhe mund të lexohen në vëllimet e botuara (Uji i pusit tim, botimet Toena).
Një qëndresë kritike me romanin e Elisabeta Myftarit
Ndërmes poezisë dhe prozës, do të ndalesha me dëshirë me dëshirë na thotë Migena Kapllani, te romani “Don Kishoti në disko”, i botuar në 2008 nga shtëpia botuese Toena. Tema e romanit është Shqipëria e pas vitit të mbrapshtë ’97; pikërisht viti 1999 që lidhet dhe me eksodin e kosovarëve. Në qendër të tij është jeta e një adoleshenti, Saimirit, një gjimnazisti që studion dhe është siç e themi shpesh “nxënës me nota të mira”, shprehje që ne e barazojmë me atë fëmijën e shkëlqyer në çdo gjë. Sipas Kapllanit “Fëmijë pa probleme, djali i dy intelektualëve, (me një baba artist), por për çudi, Saimiri e gjen veten pas hekurave të burgut. Një ditë në disko me shoqërinë, në ato diskot që ato vite u hapën me shpejtësi si kërpudha, si një gjë e re dhe e përgojuar nga të rriturit, Saimiri luajti një “monolog” të Don Kishotit, që i shkonte për shtat kësaj shoqërie me mjaft vite të çmendura në mes. Kur del nga burgu pas dy ditësh qëndrimi aty, djali nuk ka kurajo të kthehet në shtëpi. Prindërit as që kishin ardhur të pyesnin për të, edhe pse e kishin marrë vesh nga lajmet në televizor se ai ishte arrestuar. E kështu Saimiri zgjedh të ikë në Itali, ku “miq” të çuditshme i japin strehë e “punë” dhe për herë të dytë, Saimiri rishfaqet në ekran, i lidhur me pranga si hajdut, tani në Itali”. Dhe ne natyrshëm e shtojmë vëmendjen tonë në thellësi të romanit…
Një artist me shumë ‘nofka’. Një njeri që mbin që në faqen e parë të romanit “Don Kishoti në Disko” të autores Elisabeta Myftari me portretin e tij të fiksuar ekraneve të televizioneve. Një rrjedhë jete për një njeri me emrin Saimir, por edhe një rrjedhë e çuditshme në tërë kompleksin e jetës së një kohe kur “shumica e familjeve ishin prekur nga fenomeni “fajde” (Faqe, 16). Një tendosje nervash midis realitetit dhe ngjyrave të jetës ku meditimi i karakterit të shpërfolur ngjall mendimin se “jam eksperiment i politikës, i policisë, shkurt, i drejtësisë. Jo. Jo. I mungesës së saj” (Fq, 8). Një frymor që e sheh dhe e parasheh fatin të dyzuar para kamerave, mbllacitjeve publike dhe llashethemeve të qosheve më të errëta ku djegësia e ish NPV-së bie në sy, apo ku rrugicat vijnë në plasticitetin e tyre plot dritëhije mesa tij vështrimi që e ‘zhvigjëron (fq.8) edhe pse në kohën e tij që i dha nofkën e papritur ‘burgaxhi’ ai sjell ndërmend nënën e tij që ‘amalgonte bojërat’ dhe ‘babain t’i hidhet ato në telajo’. Pra një familje artistësh shpesh herë do të lidhej me populloren e urtë se ‘nga trëndafili del ferra’, por si në një kuadraturë tipike të skrukturuar nga gjuha që vjen herë e butë, e herë shpotitëse e herë e vrazhdë për të prodhuar karakterin, situatën, lëndën dhe rrethnajën.
Fjalët ‘karafil’; ‘fytyrëmëlçia’; apo edhe huazimet nga “Syri i tretë” i Moikom Zeqos, se “bota të mos ishte më e mirë se tështima e një dhie...” sipas Imam Aliut te “Nahxhul Balagha”, Ligjërata 3, natyrshëm janë një përzgjedhje tërheqëse e autores që krahas romanit të saj të parë, “Shenjë dashurie” (2004) krijon një hapësirë të ndjeshme filozofike midis aspektit të ndodhur dhe shkakut të vazhdimit të aksionit në roman. Kjo lloj ndjeshmërie filozofike dhe gjuha që ajo përzgjedh krijojnë mesazhin, pasi dihet që mesazhi i një vepre letrare shfaq njëkohësisht edhe një përdorim vetjak të gjuhës.
Myftari këmbëngul në të shprehurit e nuancave më të sakta kuptimore, madje ka raste kur ajo arrin përsosmëri në këtë drejtim. Le të shohim këtë në lidhjen që Saimiri tenton të krijojë me deputetin. Është kjo një tërkuzë që zgjat me ditë dhe në ditën e tretë, autorja përcakton: “përgjigja e deputetit, ardhur atë mëngjes, ishte se kishte folur në telefon me kryetarin e degës dhe se ai i kishte thënë se nuk e njihte këtë rast” (fq.49).
Kjo lloj dileme e fokusuar në këtë pikë është një mjet i rëndësishëm për të treguar derivatin e Foucalt për ‘fuqinë dhe njohurinë’. Të dy bashkë në këtë rast, fuqia politike, deputeti dhe fuqia ligjore, kryetari i degës, janë elementë që autorja i ka përshtatur në mënyrë të mrekullueshme. Por, autorja në fakt nuk trembet nëse vepra e saj nuk kuptohet me një të lexuar, sepse ajo të detyron në fakt që ta lexosh me nge dhe përsëri, madje edhe në një interval kohor. Romani ka një rrjedhë të mirë dhe natyrshëm ka brenda bazën e anës së jashtme të goditur dhe mbi të ka anën e brendshme, temën e kapur mirë, idenë e zhvilluar, qëndrimin asnjanës dhe tonin e kapshëm.
Pra, si një pjesë prozaike e shkurtër, me rreth njëqind faqe kjo sprovë mbetet një arsye më shumë për të inkurajuar më tej këtë autore që ka një përdorim të bollshëm të fjalës artistike dhe figurave letrare. Ajo ushqen karakteret e saj dhe jeta e fabula rreth Saimir Matës mbetet një lidhje tipike. Marjeta pastaj shton një domosdoshmëri dhe kuriozitet, jo thjesht familiar. Të tjerët plotësojnë arsyen për ta lexuar këtë roman.
Comentários