DJEPI IM
Dheu im i bekuar, ti më bëre poet
Edhe mjalt edhe vrer, m’i afrove në jetë
Djepi im i florinjtë, më përkunde si mbret
Varri im ndanë udhe, e di që më pret
Epizmin e mora nga malet e lartë
Lirizmin e gjeta te shpirtrat e ngratë
Më lidhe me pranga, s’më fale uratë
U grinda me fatin, më dha një shuplakë
Jam dishepulli yt, të kam perëndi
E gdhend emrin tënd, e mbaj hajmali
Duroje, ndriçoje, më thotë një hyjni
Ky tempull të ngroh e të fal dashuri
Shandanin me yje t’a zbrita mbi ballë
Vështroj midis reve, pres hënën të dalë
Kërkoj zërin tim në lumin me valë
Qafohem me erën, që fryn si e marrë
Vendi im kryelart, mbretëria pa mbret
Djepi im i florinjtë, ti më bëre poet!
Comments