Nga Gladiola Jorbus
Zdravka Evtimova - Distanca më e shkurtër midis zemrave njerëzore është letërsia
Në panoramën marramendëse të shekullit XXI spikat dhe letërsia fiction, si një zhanër letrar me potencial subversiv dhe imagjinatë të shfrenuar. Letërsia fiction ndjek struktura jokonvencionale, ndërsa përmban simbolikë e alegori të ngulitur. Në Bullgari përfaqësohet nga e mirënjohura Zdravka Evtimova.
Ajo lindi më 24 korrik 1959 në Pernik, rreth 30 kilometra në jugperëndim të Sofjes. Ajo studioi filologji angleze në Universitetin e Veliko Tarnovo-s dhe më vonë u specializua në ‘’Përkthim letrar’’ në St. Louis, Misuri, SH.B.A.
Z. Evtimova ka sjellë në gjuhën bullgare mbi 25 romane nga autorë britanikë, amerikanë e kanadezë. Gjithashtu ajo është autore e dhjetëra tregimeve të shkurtra dhe disa romaneve, botuar në shumë vende të botës dhe anëtare e Unionit të Shkrimtarëve Bullgarë e Lidhjes së Shkrimtarëve në Mbretërinë e Bashkuar, rajoni Yorkshire-Humberside. Evtimova është fituese e çmimeve të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ndër titujt e saj më të njohur janë: ‘’Simfoni’’, ‘’I njëjti lumë’’, ‘’Gjaku’’ etj.
Tregimi "Gjaku" jo vetëm që është përkthyer në anglisht, por është përfshirë dhe në një libër letërsie të klasës së tetë në Shtetet e Bashkuara, i cili përmban tregime të autorëve: Ray Bradbury, Isaac Asimov, Edgar Allan Poe dhe H. P. Lovecraft.
Tregimet dhe romanet e saj janë botuar dhe vlerësuar në vende të ndryshme të botës si Amerikë, Britani e Madhe, Kanada, Francë, Greqi, Izrael apo Kinë.
Me shaka, Zdravka e përcakton veten si një "shkrimtare shëtitëse" pasi shumë nga historitë e saj janë ngjizur në trenat që udhëtojnë midis Pernikut dhe Sofjes, qytetet ku ndodhen shtëpia dhe puna si përkthyese.
Veprat e saj të rrëmbejnë për shkak të tri elementeve të pandryshueshme si mirësia, ndjeshmëria dhe dashuria.
Edhe pse subjektet e autores bashkëkohore bullgare, në dukje duken frymëzuese dhe të bukura, ato zhyten e pluskojnë në moçale fjalësh të ngatërruara. Në tregimet e Zdravka Evtimovës, shtresëzimet e shpirtit treten një e nga një dhe fryma eterike ndryshon gjendjet shpirtërore e emocionet, duke zgjuar kujtime apo duke pëshpëritur ëndrra. Rrëfimet e saj përqendrohen te personazhet, ku vihet re ambiguiteti i pikave të komplotit.
Gjuha romantike dhe e heshtur e prozës së Evtimovës, shpesh krahasohet me atë të Franz Kafkës apo Milan Kunderës. Ajo konsiderohet si rrëfimtarja me shpirt poetik.
Sipas autores me famë botërore, mirësia është brenda nesh, dhe nëse u kthehesh të tjerëve, me anën tënde të mirë, mund të evidentosh pozitiven tek ata. Ndërsa përsa i përket ndjeshmërisë dhe dashurisë, ato mbeten themelet përmes së cilave raca njerëzore ka mbijetuar dhe vazhdon të zhvillohet, pavarësisht lakmisë, së keqes apo ndjesive të tjera negative.
Të gjitha këto pasqyrohen nga letërsia, si fati i përbashkët plot dyshime, dhembje e shpresë; në kërkim të lirisë që ndajnë shkrimtari me lexuesin.
Comments