top of page

Diskursi i bukurisë së dhimbjes në tregimtarinë e Uran Butkës


Dr. Fatmir Terziu

Diskursi i bukurisë së dhimbjes është i pranishëm në tregimet, rrëfimet, memoriet dhe gjithë punën krijuese të shkrimtarit Uran Butka. Mjaft kritikë dhe analistë të veprave të Butkës kanë bërë qasje të rëndësishme në trajtimin dhe vlerësimin e veprës së autorit. Butka konsiderohet si mjeshtër në punën e rivendosjes dhe ritrajtimit artistik të bukurisë mes dhimbjes në një kënd të rëndësishëm të letërsisë shqiptare.

Shkrimtari dhe poeti, Visar Zhiti ka theksuar: “Karakteristikë e tregimeve të shkrimtarit Uran Butka është dëshmia e bukur. Tregime të vuajtjes së bukur. Vdekje e bardhë. Stil i qartë, i rrjedhshëm, rrëfim i mirëfilltë letrar, ku shpërthen pathosi, njohja e thellë e jetës, imazhet piktoreske dhe fisnikëria, dukuri e brendshme e Uranit, kaq bujarisht e trashëguar. Ishim mësuar ta shihnim në letërsinë e dokumentit, duke rindërtuar panteonin e mohuar të kombit, por me dy librat e fundit me rrëfime, nuk zgjedh dokumentet, por shkruan për shpirtin. Në tregimet e tij ka natyralizëm deri në mrekulli. Ai ja le jetës të fantazojë gjithçka. Tregimi “Bibla” është një mrekulli. Në tregimet e Uranit vërehet një thjeshtësi fraze. Ai di të heshtë, di të bëjë, por edhe di të thotë…”

Për pasojë, Butka lexohet mes thjeshtësisë së tij, kuptohet pastër, ndjehet apriori se ai ka vuajtur, por vetëkuptohet mjaft mirë se nuk është thyer, sikurse ai shprehet: “edhe vuajtja e dhimbja, më janë kthyer në një përvojë njerëzore të bukur, në një pasuri të madhe shpirtërore, por edhe në një qëndresë. Rrëfimet i kam nxjerrë nga shpirti dhe i kam hedhur në letër lirshëm, pa qortime, pa këqyrje mendjeje”.

Vetë titulli i përmbledhjes së për më tregime “Vdekja e bardhë” paracakton motivin e vuajtjes së bukur, që përshkon gjithë veprën e shkrimtarit Uran Butka.

Ky shkëlqim, më së shumti i formës, rrëfen mes leximit se thelbi i bukurisë shkëlqen në një shumëllojshmëri të pafund mënyrash. Një herë është shkëlqimi i ndjeshëm i ngjyrës ose i tonit, një ritëm ose një ekuilibër harmonik, ose përsëri reflektimi mbi gjërat e një mendimi njerëzor apo hyjnor, por mbi të gjitha shkëlqimi i thellë i shpirtit që ndriçon. Bukuria e dhimbjes është në një mënyrë relative riqasjeje shpirtdhimbëse .

Arti i vërtetë në tregimet e Butkës na vërteton se vetëm një art i tillë mund të prekë bukurinë e dhimbjes. Le të qëndrojmë paksa te tregimi “Sytë e xhirafës”, për ta shtjelluar konkretisht, pasi ridimensionimi që është tipik, shfaqet dhe për shpalosjen e filozofisë së bukurisë së vuajtjes mes diskursit adekuat.  Janë dy të rinj të sapodashuruar në kampin e internimit, Arbëri, bir një intelektuali që kishte studiuar në Strasburg, por i pushkatuar në vitin 1945 dhe tjetra, Vjollca, vajza e një persekutori komunist, që i kishte vrarë Arbërit babanë dhe i kishte përvetësuar edhe bibliotekën, por që në luftën për pushtet brenda llojit, ishte internuar më vonë në atë kamp bashkë me familjen e tij. Nëpërmes shënimeve në një libër, që ajo i dhuroi, i dashuri zbuloi të vërtetën tragjike. “Vuri duart te tëmthat, që i  rrihnin si goditje daulleje. Në gjoks iu mblodh një lëmsh, që po i merrte frymën. Ra përmbys dhe shpërtheu në një dënesë gulçuese. Përmes lotëve, i doli përpara syve fantazma e të atit. Më fal, baba! belbëzoi. Ndoshta po t’i trazoj kockat, që nuk di ku i ke. Jo vetëm që të vranë pa faj, por t’i morën edhe librat, që i kishe aq shumë për zemër. Ai, pikërisht ai, babai i saj! E tmerrshme! Ç’është ky mallkim, që po më ndjek?…

Kur u kthye në barakë, e ëma nuk e njohu.

– Ç’ka bërë vaki? e pyeti e drithëruar.

– Asgjë.

Ajo këqyri fytyrën e tij të gërryer nga dëshpërimi.

-Bir i nënës, më thuaj!

Ai heshti. Ishte bërë i huaj.

-Ke rënë në dashuri?

-Po , me vdekjen.

Ai e përfytyroi veten të magjepsur, si një somnambul, që ecte drejt vdekjes së bukur. Ndjeu dashuri dhe urrejtje bashkë…”

Në prozën dhe tërësinë e krijimtarisë së Uran Butkës ne gjejmë dëshmi të bollshme të faktit se ai sheh bukuri edhe në respektimin e ligjësisë dhe të detajit. Kjo qasje në të gjithë diskursin e saj është një fuqi e mrekullueshme intelektuale e saktësisë.

Pra, Butka është i rreptë në jetë, si dhe në art, ai praktikon abstenimin veçanërisht në bukurinë e shtirrur. Arti, në shkrimin e tij tregon qartazi se duhet të prodhojë kënaqësi tronditëse estetike, jo kënaqësi të thjeshtë apo epërsi të këndshme.

Në punën e Butkës, mes leximit të mirëfilltë, natyrisht gjejmë delikatesën e zejtarisë së shkrimtarit të mirëfilltë, përsosjen e formës, qartësinë, thjeshtësinë, qetësinë dhe vetëpërmbajtjen e plotë. Megjithëse enigma dhe qasja e shkrimit të tij ndryshon me vite, në thelb mbetet dhe rimbetet bukuria e tejdukshme. Bukuria, që  i përket mbretërisë së shpirtit.

Kritiku Adriatik Kallulli shkruan: “Shkrimtari Uran Butka tashmë zotëron mirë mjeshtërinë e tregimtarit. Tregimet e tij të shkurtra janë letërsi fiktioni. Tipik është tregimi  antologjik “Arna”, ku autori jep mjeshtërisht me fare pak rreshta gjendjen shpirtërore në zgrip të një çifti, tek i cili varfëria gradualisht rrënon ndjenjat e tyre, magjinë e dashurisë, kënaqsinë e saj. Kjo rënie e shkarrëzuar jepet metaforikisht nëpërmes dy simboleve: arnës dhe dorës. Dora, aq e ndjeshme në komunikimin njerëzor, fillimisht rrëshqet lirshëm mbi këmishën e mëndafshtë fëshfëritëse   të gruas, më vonë mbi këmishën e saj fanellate dhe në fund mbi këmishën e saj prej bezeje ku ishte qepur një arnë, si një dregëz kanceri. “Atij iu duk sikur ajo kishte veshur një arnishtë. Ndjeu një rrënim të brendshëm. I iku pa kthim gjithë dëshira e kënaqsia, i ngriu pathosi i shpirtit. Dora iu këput dhe i mbeti si një gjethe e thatë mbi trupin e saj të dridhshëm”.

Tek tregimi “Peisazh vjeshte”, Butka duket se sjell pikërisht këtë magji të detajuar impresioniste, ku “Vjeshta hynte nga dritaret e hapura me të gjitha hiret e saj… Thithja thellë afshin e tokës dhe prekja me sytë e gishtave format e ngjyrat e vjeshtës së tretë. Derdheshin të gjitha ngjyrat aty. Po e zeza, ku është e zeza? Pa të zezën asgjë nuk ekziston, as vjeshta e artë. Me sytë gjithnjë të mbyllur, çuditërisht, nuk e dalloja ngjyrën e zezë. Po si do ta pikturoj unë vjeshtën?!

Kjo memorje për autorin është një bekim i dyfishtë, jo vetëm që përvojat e tij ekzistencialiste u rritën,

në rrethanat e internimit në rrethana të pakuptimshme, marramendëse dhe jo-serioze, por edhe pse mendimet e ndjesitë e tij, që herët u ndanë me ata që kishin fuqinë, për të këmbyer dhimbjen me ndjenjën e bukurisë së brendshme.

Visar Zhiti thotë: “Tregimet e shkurtra, me nje buzëqeshje çehoviane, janë të dhimbshme, por jo të hidhura, nuk janë cinike, por janë të trishtuara, tek shpalosin një mirësi, një mirësi të madhe, që mungon aq shumë në kohën tonë”.

Tek tregimi “Dashuria” gjejmë “klithma të një shpirti të plagosur dhe bukurivrasës”. Diskursi i fjalëve të tilla shkon pikërisht tek thelbi i “mendimit të vështirë” me të cilin autori delegon në tërësinë e tij forcën e mesazhit për lexuesin.

Ndoshta cilësia e këtij diskursi bukurivrasës shfaqet më mirë në tregimin “S’ka më Starovë”. Këtu, ritmet e kontrolluara, sugjerojnë ngërçin dhe ngërçin e këmbanave propagandistike të kohës së luftës, nxitjen e

qëllimtë të drejtimit të pushkës vëlla-vëllait, sikurse ndodh me rrotullimin e një vorbulle reje me erën

e kësaj propagande, me të cilën autori di të finalizojë “mendimin e vështirë” për të dhënë mesazhin e qartë të mynxyrës së luftës civile mes shqiptarëve, me nxitjen e tjetërkujt.

Shkromtari Teodor Laço, thekson se ai ka gjetur një thesar të bukurisë në prozën e Uranit, e cila ngjitet me kaq stil në një afërsi dhe transparencë me trupin valëzues të mendimit të lirë e të lëvizshëm. Butka “shkruan një prozë që është e dallueshme nga proza e shkrimtarëve të tjerë. Shkruan me thjeshtësi, por me zemër. Ai është pjesëtar në gjithë ngjarjet që jep, por një pjesëtar që si autor qëndron i fshehur dhe, si të thuash, nuk don të të çudisë me imagjinatën e fantazinë e tij”.

Vlerësimi i dhënë kohë më parë nga shkrimtari Teodor Laço do të thotë një marrëdhënie e re  në  krijimtarinë e Uran Butkës, që Laço e konsideron shumë quintesence të bukurisë shkrimore. Pra, për T.Laçon “Urani është një uranium i pasuruar. Është  një shkrimtar i lindur. Figuracionet që ai përdor në tregimet e tij e rendisin ndër tregimtarët më të mirë në letërsinë shqipe”.

Dhe ne e kuptojmë pse është i tillë. Ai delegon krijimin e tij në Ritmin e Jetës dhe dedikon mesazhin e “hijeshisë e plotësisë, shkurtësisë, origjinalitetit, depërtimit shpirtëror dhe bukurisë unike të stilit”.

E shëmtuara dhe e bukura, pabesia dhe shpresa, regresivja dhe progresivja, qëndrojnë përballë njëra-tjetrës.

Në tregimet për botën e kafshëve ”Rrëfime për arinjtë”, jepet mjeshtërisht bukuria e ashpër e jetës së tyre, mbijetesa e rrezikuar.

Gjuha e duhur e rrëfimit zgjeron shpirtin, pasi atë nuk mund ta bëjë asnjë pushtet apo ndikim tjetër,

“Në të vërtetë, i thërriste nevoja e papërballueshme për të folur. Atëbotë fjala qe bërë e kërkuar, e rrallë.”shkruan autori. E vërteta e pashtershme pasqyrohet në mendimet e thella, që shpreh aq lirshëm me anë të fjalës, për vetë lirinë e fjalës, për arsyen e lirisë së saj, për vetë dhimbjen e bukur të fjalës së kërkuar edhe në kushte të tilla, ku fjala ajo është më e kërkuara. Fjalët e zgjedhjes,  fjalë me përsosmëri lirie, janë fjalë të thjeshta të çdo ditësie, duke marrë bukurinë dhe domethënien e re vetëm për shkak të mendimeve që shprehin, ku e vërteta prek admirimin e shumë njerëzve me përdorimin e saktë të gjuhës. E admirueshme është thjeshtësia e fjalës. Dëshirat e ndërmarra dhe ato të strukura, pothuajse në mënyrë të rastësishme zbulojnë me fjalët më të thjeshta mënyrën e tij të shquar të qasjes së mesazhit.

“Ai e dinte që po të ikte. Ndjeu një shtrëngim në gjoks. Ndoshta ky ishte çasti i ndarjes me njerëzit e dashur. I mbylli qepallat, si për të ruajtur këtë imazh të papërsëritshëm. U përpoq që t’i çelte sërish, po s’mundi. U mundua të thoshte një fjalë. Fjalën  e fundit… S’e tha dot. I ishte qasur vdekjes së vet, por edhe shkëputjes prej saj. Provoi gëzimin e rrallë, kur njeriu ndihet mirë për të shkuarën e tij dhe e pranon qetësisht vdekjen”.(Tregimi “Ikja”)

Lazër Stani shprehet se mendimet dhe fjalët e autorit “jepen lirshëm, pa bojra gjuhësore, pa formalizëm. Edhe dialogu përdoret mirë, duke e shpëtuar nga rëndomtësia”.

Ndërsa Kallulli thekson: “ Trillimi artistik, lirizmi e tragjizmi i mpleksur, dialogjet e shkathët e kuptimplotë, gjuha e pasur, figuracioni i i ngjeshur, fraza e shkurtër e gjithë nënteks dhe stili original, i bëjnë tregimet e Butkës të lexohen me një frymë, por edhe të ndjehen thellësisht. Personazhet e tregimeve të tij janë karaktere të spikatur, të pangjashëm dhe të shumllojshëm, siç është edhe vetë jeta”.

Fare pak intelektualë shqiptarë kanë arritur të kenë arritur në këto njëzet vite të zhvillimit demokratik një individualitet aq fuqishëm, të kristalizuar dhe pjellor, sa shkrimtari, historiani, qytetari aktiv Uran Butka. Një intensitet botimesh shumë të rëndësishme, ku shkëlqen historiani, studiuesi, sociologu dhe, në dhjetë vitet e fundit, edhe shkrimtari i mirëfilltë, që ka prurjet e tij tejet origjinale në lëmin e tregimit e të romanit.

Natyrisht si i tillë, ka vendin e tij në majat e të sotmes.


#Fatmir #Terziu

20 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page