top of page

(DISA NGA) EMRAT E NJË TREVE


Vangjush Saro


(DISA NGA) EMRAT E NJË TREVE TË NDJESHME NDAJ ARTIT…


Bisedë*


Dikur institucionet dhe kritika letrare zyrtare fshiheshin dhe fshihnin problemet letrare dhe estetike të kohës pas grupimesh krijuesish sipas trevave apo profesioneve. Duke ikur dekadash nga ajo përvojë - por pa mohuar përkujdesjen e atëhershme (që s’gjendet më) ndaj letrave dhe artit - mund të shikoj sot një sërë arritje dhe emra e profile letrare, krejt të ndryshëm nga njëri tjetri, në treva ku tash nuk lançohet më ‘masiviteti’. E pashë me vend të qëndroj këto ditë në një aso, që është Gramshi. Ndalem këtu e në këtë shënim, sepse kam njohje për atë trevë dhe përfaqësuesit letrarë të saj. Natyra, trashëgimia kulturore, vallja, vargu, kënga, instrumentet, humori, rrotullat, kjo e gjitha është një botë që krahas historisë dhe disiplinave të tjera, tregon komunitet, pasione, ëndrra, emra.

Në këtë ajër, inspirohet një prej poetëve të njohur aktualisht, POZAET QOSE. Ashtu siç kam pasur rastin të shkruaj edhe më parë, ai cilësohet sot për thjeshtësinë dhe sinqeritetin e pazakontë, për mjeshtërinë në meditim dhe në hartimin e rimave; vargu i tij është klasik, i përkorë, i tillë që nuk i kthehesh dot pas për ta ribërë. Poezia më e mirë e tij vjen si një dëshmi e njeriut fjalëpak, të drejtë e të paanë, vjen si një ligjërim gojor i mbushur me përvojë e kolorit fjalësh, si një bisedë ku autori ka vënë ndjesitë, dijet, përceptimet për botën, bindjet, por sidomos shpirtin dhe cilësitë e tij, mes të cilave kokëçarjen e lodhshme dhe çiltërsinë e pakthyeshme; si çdo krijues i mirë.

Ai asnjëherë nuk mësoi të pozojë e të shtiret, të bërtasë apo të dredhojë. Atij i shkon aq shumë fjalia e parë e këtij dyvargëshi të A. Ahmatovës: “Dikush shkon rrugës pa tërthore/një tjetër rrotull vjen...” Në vargjet e tij ka shqetësim, ka brengë, ka përkushtim, ka shumë ndjenjë e përgjegjshmëri qytetari, ndjeshmëri prej poeti; ai ka një vision aq të qartë për misionin e tij: “Qiri i shenjtë i kësaj zemre,/ ti mos m’u shuaj asnjëherë,/ se dua të ndriçoj pa dhembje/ një terr, që më thërret paprerë.” Mendimi dhe figura janë shumë të lidhura në vargun e tij. Shpesh edhe detajin më të imët, ai e bën stilistikë, përjetimit më modest i jep një hijeshi të përkorë. Me më të shkurtrën dhe më të përshtashmen fjali, është një poet i lindur.

E ndryshme nga ai, LEIDI SHQIPONJA është më e hapur në poezi dhe në tekstet e saj, shumica tash këngë; ajo është më e drejtpërdrejtë, ndonjëherë e rëmben patetizmi. Por në vjershat më të bukura, shfaqet bota e madhe e një vajze të thjeshtë, që ka në deje aq shumë kolorit nga vendi i saj i dashur, një autore që ia kushtoi veten qytetit, trevës ku e duan aq shumë arsimin dhe kulturën. Vjershat më të bukura të Leidit, siç kam shkruar edhe më parë, janë të njelmëta, të mbushura me meditim dhe mendim e, njëherësh, të këndueshme; prandaj edhe bëhen shpejt të afërta për lexuesit e publikun.

Nga libri në libër, poetesha e lidhur fort me truallin e vet, erdhi duke e forcuar ‘zërin’ poetik, ndërkohë që shpirti i saj bëhet përherë e më i ndjeshëm. Tekstet e këngëve - disa prej të cilave fituese në evente kombëtare të rëndësishme - e kanë ndihur atë të krijojë profilin e vet letrar, poetik; në këtë profil, ndjenja e dashurisë për jetën dhe prekja e realitetit me besim, janë aq të dukshme dhe të qenësishme. Edhe pse nuk i mungojnë notat e trishta, ndonjëherë edhe dyzimet (“Ku janë engjëjt?”) përgjithësisht poetesha mëton të na qetësojë duke u dhënë metaforave kumbim shprese.

PIRO VERUSHI është një tjetër krijues, prozator e gazetar i njohur, që ndjek ‘vijën’ e vet në të shkruar, si një realist i pakthyeshëm, me gjetje interesante dhe të vendosura shpesh në mjedise të provincës, ku ndonjëherë ka aq shumë mediokritet e dëshpërim. Proza e tij e shkurtër, në gjetjet më të mira, sjell një vërtetësi të frikshme, alarmin e tatëpjetës së vetëdijes njerëzore, motive të një jete pa kopertinë, karaktere interesantë, rrëfim pa zbukurime, fjalor të pasur.

Në një nga tregimet e tij më të njohura (“Kërcuri”) personazhi, një burrë i pafat, i varfër, i pakët në të gjitha kuptimet, përpiqet të çajë dru në të hyrë të ndërtesës, por s’ia del dot me një kërcu të praptë fare, sepse nuk e ka fuqinë e duhur, ndërkohë që, për më keq, aty pari, ka çuna që zgërdhihen dhe ngacmojnë atë dhe të shoqen, e cila krihet majë ballkonit… Autori është kaq i veçantë në këto skena e detaje!

Ndërkaq, me këmbëngulje dhe duke iu qëndruar besnik parimeve të publicistikës si zhanër, ai vazhdon të sjellë mesazhe serioziteti e besimi edhe përmes gazetarisë profesionale, që kulmon në faqet e gazetës “Shpresa”; është e rëndësishme të mësohemi që art, letërsi, gazetari, bëhet kudo; varet çfarë ti shikon e do të shikosh.

Një portret më vete në peizazhin letrar të kësaj treve, është edhe BEXHET BRAHO, emigrant, shkrimtar i ri i natyrës së naracionit, ardhur disa kohë më parë krejt befasisht, në një histori sa individuale aq edhe përgjithësuse. U shfaq për publikun si një prozator i pabujë, por kaq i vërtetë, u ul në ‘sofër’ me një rrëfim plot emocione dhe ngjyra, përmes romanit të tij të një stili të veçantë. Ky libër, për lexues e studjues, titulluar “Il Titanic dell’ Adriatico”, i shkruar në italisht, është histori dhe letërsi, është një sprovë ku e zakonshmja dhe e çuditshmja kryqëzohen në një mënyrë kaq të natyrshme. Shkruar me sinqeritet e thjeshtësi, me një stil miks - edhe letërsi, edhe publicistikë, edhe përgjithësim, edhe përvojë e një jete - kjo prozë interesante është një shembull i mirë i arritjeve të shqiptarëve në vende të tjera.

Në “Il Titanic dell’ Adriatico” autori tregon me korrektësi dhe realizëm; ai është koherent në ‘vizatimin’ e eksodit që tronditi Shqipërinë dhe rajonin, por edhe në qasjen e mijërave me problemet dhe ëndrrat e tyre në një vend të (pa)njohur e të ‘piketuar’ kohërash.

Poeti HEKURAN MIRAKA - edhe ai një emigrant që jeton e punon në SHBA - ka një vështrim krejt tjetër mbi botën dhe fenomenet. Në krijimtarinë e tij, siç kam shkruar edhe më parë, ka një gërshetim interesant të kujtimeve, jetës dhe vlerave nga ai vjen, me hapësirat dhe pikëpyetjet e rënda përtej Atlantikut. Në poezitë e tij, reflektohet ndjeshëm bota e emigrantëve, të përfaqësuar te heroi lirik që shfaqet si një qenie e ndjeshme, e sfiduar nga jeta, por që tash e ka pranuar sfidën; ky hero lirik mbart mbi vete të shkuarën dhe të tashmen, Lindjen dhe Perëndimin e, për më tepër, pamjen reale të asaj që miliona njerëz panë dhe gjetën në kontinentin aq të ëndërruar.

Edhe në librin e tij të fundit me poezi “Burri i bukur” mund të lexohen me kënaqësi motivet e njohura, ku gjithnjë ndërthuren notat realiste me njëlloj zhgënjimi, që shpesh pothuaj ‘falet’ te absurdi. Në poezinë e këtij autori ndjehet ndikimi i letërsisë avangardiste, por edhe i poetëve amerikanë dorëzuar pesimizmit, dukuri këto që përpiqen t’i ngrenë kurthe atij, por që, në fakt, nuk e denatyrojnë dot, atë dhe poezinë e tij, në mos e inspirojnë më tej. Në poezitë e tij shfaqet dukshëm prirja për të kërkuar në përvojën dhe tragën e shkollave moderne, le të themi veças në surealizëm, çka është një ndër ‘qiejt’ ku ai ngre sytë më shpesh. Autori bën bashkë, me shumë mjeshtëri, gëzimin dhe hidhërimin, të rëndomtën dhe të jashtëzakonshmen, mediokritetin dhe çudinë.

Poeti, që shpesh shfaqet si një rebel, por ndonjëherë edhe cinik, komunikon me lexuesin përmes vargjesh të shkruar në një liri pa cak dhe ku ai kumton informacion, tema, hollësi, ndijime nga më të çuditshmet, a thua jeton në një ‘dimension’ tjetër. (“Poezia është si një zog, ajo i shpërfill të gjithë kufijtë.” E. Jevtushenko) Ka çaste kur ai të jep përshtypjen se tallet, qesh dhe llastohet, përmes një poezie që tregon dhe, njëherësh, shfaqet mjaft lirike. Paradoksi (një ndër figurat stilistike të shprehjes) është mjeti me të cilin poeti mbërrin te loja tematike. Por ca më shpesh, drama e jetës hyn në poezinë e tij me terma e ndjesi të tilla që e dridhin shpirtin: Pasiguria e kohës, pamjet pothuaj dyshuese, stresi nga shumëçka e papritur, ikja nga gjithfarë frikërash e tensionesh, justifikimi i vetes dhe falja e mëkateve të të tjerëve… “Jam i sigurt që do ta lus gjumin/ të fsheh çfarë pashë.”

Po aty dhe për çka do të them më poshtë, le të shtoj - në trajtën e një nënshënimi - se ndjesia e krijimtarisë së mirë dhe liria për të interpretuar, pavarësisht presionit të leximeve e ndikimeve, e sfidojnë hapësirën e mbushur me dyzime e pikëpyetje. Pikërisht, një autore tjetër e kësaj treve, e cila e lë pas fotografimin dhe të rëndomtën, pëlqen kërkimin, luan me absurdin dhe me të pazakontën e tash po bën emër në prozën e shkurtër, është ESMERALDA SHPATA. Libri i saj i parë me tregime titullohet (çuditshëm, siç edhe synon të shkruajë) “Tregimet e një personazhi”. Është vërtet krejt e ndryshme nga kolegët e saj në trevë dhe gjithandej. Mbase një sërë krijues/e - ndodh shpesh kur vijnë në ‘panel’ autore femra - e teprojnë me komplimente dhe, sipas meje, e qofsha i gabuar, shfaqin pothuaj njëlloj patetizmi, bëjnë sikur nuk kanë lexuar atë apo këtë autor të ‘kodit’ më të veçantë, që do të thotë se në këtë ‘histori’ nuk se mungon imitimi, ndoshta dhe ngjashmëritë…

Por ani, ne kemi përpara një botë të rikrijuar në një dimension që po shfaqet përherë e më bindës; autorja është vërtet këmbëngulëse në kompozimin e një tregimi ‘tjetër’: fryma, gjetjet, gjuha, fantazia, detajet që sjell në prozën e saj në ngjizje e sipër, vizatojnë një realitet që nuk shkërbehet me vështrimin e parë, rrëfimet e saj të çuditshme janë tejet premtuese, çka vërtet përbën lajm në jetën letrare të vendit dhe në atë që mund ta formulonim si përfshirjen e gjinisë së brishtë në art. Herë nën një stres që më shumë duhet përjetuar sesa lexuar, herë përmes një grotesku therës, herë në nota të lehta që shkojnë deri te humori i zi e herë në përceptime duale, ajo seriozisht po krijon profil letrar. (“Dy udhë u ndanë në pyll/ dhe unë mora atë që s’ish rrahur shumë. Dhe ajo solli gjithë ndryshimin.” R. Frost)

Duke operuar me kurajo letrare përmes figurash stilistike delikate, si shkallëzimi apo elipsi, ajo vizaton pamje të çuditshme, ku realiteti trazohet simbolesh e gjysmëpersonazhesh që e çojnë në meditim lexuesin. Në gjithçka përpiqet të përçojë njëlloj veçanësie; e papërfytyrueshmja papritur bëhet për të figurë artistike ose, më e pakta, detaj. Shikoni se si e ‘vetëson’ edhe një peizazh të thjeshtë: “Dielli sapo ka feksur dhe majat e maleve shkëlqejnë për këdo që di ta hedhë shikimin mbi to.”

(Kur cilësova më lart ‘e brishtë’, me sinqeritet bashkoj admirimin tim në kontributin e disa prej vajzave më të talentuara sot, nga Luljeta Leshanaku te Irma Kurti, e të tjera gjithaq të talentuara, ndër të cilat Leidi dhe Esmeralda janë ‘të përkëdhelurat’ e autorit të këtyre radhëve.)

Dhe prapë krejt ndryshe nga të gjithë ata që u përmendën më sipër, shkrimtari SHYQYRI FEJZO - vendosa më parë më të rinjtë, se ata janë më të paduruar e më të etur - ky koleg dhe mik i vyer për mua, ka hyrë në këtë atmosferë me buzëqeshjen e tij karakteristike, me humorin që buron nga histori të vërteta dhe që tregohet me struktura të thjeshta, por bindëse dhe, njëherësh, me një gjuhë të pasur dhe të pasuruar me fjalorin dhe shprehjet e qëlluara të trevës në fjalë. (Do t’i shkonte aq shumë fjalia-lapidar e skulptores amerikane A. Truitt: “Jemi artistë, sepse jemi vetvetja...”) Duke e njohur dhe ngjëruar mirë atë gjuhë, gjer në detaje, ai e pasuron rrëfimin në një mënyrë që mbetet ‘e tija’.

Shkrimtari vjen nga një karrierë e suksesshme si ekonomist, ka njohje të gjerë për jetën e dukuritë dhe ky qiell i trazuar përvojash e ndihmon dukshëm ndërkohë që letërsia është bërë pasioni i tij më i madh. Terreni në të cilin ai shkel, është i njohur për të, një karakteristikë kjo e shkrimtarëve seriozë. Tregimet e tij më të arrira, shkrimet dhe librat e zhanrit të monografisë, ndonjëherë edhe vjershat e sinqerta, përcjellin shumë jetë, pastaj edhe këshilla, dashuri e thjeshtësi; stili i tij është ai i një rrëfimtari që e di mirë vendin e vet pranë vatrës ku prushëron fjala e mirë dhe e ngrohtë.


Aktivitet i QKF inspiruar nga L. Shqiponja

Është kaq e dukshme, kaq e vlertë dhe e rëndësishme në të njëjtën kohë: ata janë të ndryshëm nga njëri tjetri, ata janë duke krijuar profile letrare; ky ‘objektiv’, tekefundit, është arti si ai duhet konceptuar nga krijuesit profesionistë, është vetë letërsia.

Natyrisht, këto radhë nuk ishin aspak një përkryerje; pra, nga njëra anë ka edhe krijues të tjerë në një lidhje kohe apo përjetimesh me trevën, por që unë ende s’i kam lexuar. (“Nëse lista e shkrimtarëve i ndihmon lexuesit, unë jam mbrojtës i saj. Por siç dihet, çdo listë është e mangët…” H. Blum) Nga ana tjetër, kjo qasje ‘vertikalisht’ nuk është më e mira dhe më e plota që mund të ishte projektuar në këtë temë, ku megjithatë duhet ta themi fjalën.

Shpresoj të gjej edhe më tej inspirimin e duhur për t’iu kthyer sërish protagonistëve në një shënim tjetër, me më shumë argumente dhe vlerësime, posaçërisht në nëntemën e veçanësisë, që, në çdo vështrim, është tregues dhe shkallë arritjeje.



…………………………………………………………………………………


*Në foto: Sh. Fejzo në një kolazh të librave, Esmeralda Shpata, Pozaet Qose, Aktivitet i QKF inspiruar nga L. Shqiponja, Hekuran Miraka, numër i gaz. “Shpresa”, kopertina e librit te B. Braho.

399 views3 comments

3 Comments


Vangjush Saro
Vangjush Saro
Nov 04, 2021

Hajri, Minush, lexova gjithashtu me nderim shenimet tuaja plot dashamiresi e vleresime dhe jam i obliguar t'ju falenderoj e te uroj mbaresi e suksese edhe per ju. Fakti eshte qe kjo reviste, qe njehere e kam quajtur AKADEMI - per shpalosjen ne vijemesi te shume vlerave - eshte kujdesur ne kete rast per ta pozuar, shkrimin dhe fotot qe e shoqerojne, ne nje profesionalizem qe meriton fjalet me te mira. Suksese botuesit te 'Fjala e lire', kolegut dhe mikut te cmuar Fatmir Terziu, aktualisht nje nga zerat me bindes ne poezine, prozen dhe kritiken e sotme letrare.

Like

Minush Hoxha
Minush Hoxha
Nov 04, 2021

Lexova me një ndjesi të veçantë këte shkrim të z.Vangjush dhe më jipet ngulmërisht ta them se u ka bërë një avokim të lartësuar opusit krijues të atyre që-realisht, me vlerat e artit të tyre meritojnë jo vetem këte avokim por edhe hapjen e rruges së gjerë për ecje me nguti tek lexuesit. Me një gjuhë eseiste subtile, me një spikamë të vlerave, ua paraqiti lexuesve kartëidentitetin letrar dhe në një kohë i thirri butësisht por ngultas, ,,këta janë ata që janë e që u duhen dhe duke i lexuar, edhe begatoni mendjen-shpirtin edhe përfeksiononi të të menduarit". Shëndet autorit, pranim i vlerave dhe pritje për prurje të reja.

Like

fahri dahri
fahri dahri
Nov 04, 2021

E lexova shkrimin e z. Vangjush dhe përmbajtja më ngacmoi për ti uruar shëndet dhe vullnet për krijimtari të tjera. Z. Vangjush nga ky shkrim, krahas konsideratave të merituara për autorët gramshiakë, ju na kujtoni artistikisht se së pari duhet respektuar e jotja. Me e "jotja" kuptohet dashuria dhe respekti ndaj njerëzve që kemi më afër, në këtë rast ju respektoni dhe nderoni, me të drejtë autorët gramshiakë. Nëse nuk duam veten, njerëzit tanë, nuk mundet të jemi të sinqertë me të tjerët. Ju, mjaft i jujdesshëm, keni ruajtur radhën e respektimit dhe nderimit. Ndër rrjeshtat përshkrues të autorëve gramshiakë keni sjellë edhe shprehje të autorëve të tjerë. Pra një gërshetim plot llogjikë dhe i drejtë.

Së fundi le të…

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page