Dy emra të njohur të letrave shqipe, por dhe miq të „Fjala e Lirë“ në Londër, natyrisht nuk mund të mos ripërsëriteshin nga Yjet, nga aty ku janë të shkëlqejnë dhe një herë ashtu sikurse duhet dhe në këtë fillim viti. Dhe në raste të tilla vetëm yjet bëjnë atë që duhet, shkëlqejnë në errësirën e arkivës sonë dhe sjedhin atë që lexuesi e kërkon, atë që meriton… (Redaksia: Fjala e Lirë - Londër)
QIPARIS I PAPËRLYER I POEZISË
By Dionis Qirzidhi
Dialog me poetin e shquar Fatos Arapin
Fatos Arapi ka lindur në Vlorë më 1929. Pasi ndoqi studimet e larta në Bullgari për Matematkë dhe Ekonomi, punon fillimisht ekonomist, mësues edhe pedagog në Fakultetin Histori Filologji të Tiranës. Vepra e tij është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që lëvroi. Nga përplasja e poetit: (imagjinata, emocioni, filozofia) me realitetin, reflektohet synimi drejt
pësosjes së njeriut.
Për poetët e brezit tim Fatos Arapi është një udhëheqës i dhembshëm shpirtëror. Rikthimi tek poezia e tij më emocionon duke zbuluar ndjesi e impresiono të reja. Se vet rikthimi tek poezia që të ka entuziazmuar vite më parë, pas evoluimit që kanë pësuar shijet e ndjesitë e tua estetike, jo rrallë herë të çon në zhgënjime. Kur lexoj pas shumë vitesh larg, shumë larg detit e Vlorës poezitë e Fatosit apo kur shoh akuarelet e Nestor Jonuzit, çmallem duke e sjell pranë vëndlindjen. Fjala e bukur poetike gjysmë shekullore me freskinë, limfën e frymëzimit dhe mënçurinë e mposhti kohën . Poezia e Fatos Arapit i rezistoi kohës dhe të emocionon më mirë se cilado tjetër, përfshirë këtu edhe “treshen” e famshme të viteve 60-të, që solli si figurë bazë metaforën, që të çonte tek simboli, si në përsosmërinë artitektonikë s së poezisë. Me disa përjashtime, edhe ajo e brezave të më vonshëm, pas viteve 90-të jam i mendimit se nuk i ka dimensionet që rimori poezia surrealiste e tragjike e Fatos Arapit. Në se poezia e Fatos Arapit mbeti e freskët, ashtu si Valbona apo Shushica, e vrullshme, e kaltër, duke sjellë nga burimi fare pak llumra e shture me vete, në poezitë e të tjerëve të duhet që të largosh llumrat e kuckat e shumta që të qëmtosh vlerat e vërteta në hapësirë dhe kohë. Ndjeshmëria për ndryshim atë që poeti amerikan Charles Olson (1910-1970) e shpreh tek poezia “The King fishers”: Ajo që nuk ndryshon/ është dëshira për ndryshim, bëhet veti e poezisë lirike, fisnike me ndjeshmëri kryeneçe mirësie.
Poezia ka hurbën e vet pas “Shtigjeve poetike”, ku dallohet se qumështi i krijimit është trembur, kur është vrarë guximi krijues,sidomos pas cilësimit të poezive revizioniste e të dërguar për karton. Autopsinë e oscilacioneve te krijimtarisë të asaj kohe te frikshme e ka bërë me kurajë vet poeti.
Në vitin 1970 shkruan poezin në 40 vjetorin e lindjes, ku i flakërijnë në tru 40 qirinjtë si 40 pikëpyetje. Më vonë vizioni tragjik tonohet dhe veten e përfytyron si një varr që fsheh brenda të vërteta të tmerrshme, e me imazhe tronditëse na pohon se “Me arkivolin tim në kurriz eci…”
Poezia shqipe e pas viteve 90-të nuk ka ende kulme. Mjaft nga poetët kur duhej që të shpërthenin pas censurës mizore, nuk dhanë të reja që të na habisnin. Disave ora u mbeti në vitin 90-të . Poezia e Fatos Arapit përkundrazi në këto vite universalizon dimensionin e brengës kolektive shqiptare, projekton koordinata hapësira-kohore të reja. Nga metafora surrealiste e koloristike gjithë dritë joniane, kalon në metaforat e vizioneve tragjike dhe ekzistencialiste. Kërkon pak qetësi në kohë të turbullta, parapëlqen fisniken, njerëzoren, por pyetjet e përjetshme për fatet njerëzore e torturojnë. Kryepyetja e ditës këlthet, bëhet gulç dëshpërues i një rilindjeje të së pamundshmes: “ku të shkoj tani?”. Me dritën e trishtimit në sy përjeton sindromën e ikjes të rinisë, fëmijët qe shesin pëllumbat e tyre për te blerë një abetare, tragjedinë e Otrantos dhe sensi i revoltës theksohet, metaforat ngrihen mbi imazhe surrealiste tronditëse, elegji për mungesën e shpirtërores ku errësirat rreken të shuajnë kujtesën e njeriut mes dilemave në humbëtirë.. .
Kurba estetike e poezive të kësaj kohe është në ngjitje drejtë limiteve të reja ku me mjeshtëri ndërthuret mitologjia, historia, socialja dhe intimja. Në vitet post-komuniste ku njeriu është reduktuar në një objekt i privuar nga vlerat etike dhe estetike, poezia e Fatosit ndihmon që të mos shitet shpirti, ndihmon të kapërcejmë verbërinë e botës përkrah kulturës, dinjitetit, emancipimit te një shoqërie ne demokracinë e qytetareve te lire,duke e ruajtur magjinë e dhimbjen e fjalës prej së cilës kullon dritë.
I rreshtuar mes humbësve të mëdhenj, krenar e ëndërrues,njeriu që ka parë më shumë llahtaria se gëzime në jetë, sfidë ndaj së ligës, me pezmin e revoltës në kohëra kur e vërteta shëtit me maskë, ”shpirti me maskë”, e ku maska të duket “më e vërtetë se fytyra e mjerë”,në këtë konfuzion çoroditës të përdhosur nga përditësimi poeti gjen forcën të shpresoj tek “kjo ëndërr kristalore e dritës”. Njeriu ashtu si kombi s’ka vetëm detyra për të mbushur, kur nuk ka të drejta për të gëzuar. Mes vargjeve përshkëndit mesazhi për poetët e vërtetë se “ka vetëm një liri/ mos e tradhtoni atë.”
Fatosi është piktor i fjalës e ndjen bukurin e ngjyrës mesdhetare, artiktekturën diellore, botën koloristike të stërkalave, ndaj dhe krijon peizazhe që nuk të largohen nga kujtesa. Një poezi model mesdhetare ku gjallojnë figurat e njohura mitologjike greko-romake: Penelopa, Akili, Hektori, Zeusi, treshja mitike e tri fateve, mandej, Pirrua, Skënderbeu, Lekë Dukagjini, eposi shqiptar e ballkanas si dhe meditimet filozofike… Prirja filozofike e poezisë së Fatos Arapit vlerësohet si emancipimi më i madh i poezisë shqipe. Shpirti i tij poetic: guguftu e pakapshme në Panteonin e fjalës. Mes gjelbërimit të poezisë shqipe, poezia e tij kulmon si ai qiparisi i
bukur e i papërlyer. Duke perifrazuar vlerësimin që ka bërë poeti për Lazgush Poradecin them se Fatos Arapi është i sojit të atyre poetëve, të cilët janë të ndërgjegjshëm për artin e vlerat që ata i kanë dhënë poezisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi…Ai i është falur njëherë e përgjithmonë artit, dhe prej atij altari kërkon perëndinë e vet, përjetësinë.
Commentaires