top of page

DIKTATURA NUK VDES...


DIKTATURA NUK VDES NË NJE DITË ME DIKTATORIN


Interviste e shkrimtarit Faruk Myrtaj dhënë gazetarit Ylli Rakipi


Gazeta “Fjala e Lirë”, 11 Mars 1992


“Fjala e Lirë”: Gazeta jonë ju ofron tryezën Fjalës si krijues, si gazetar, si qytetar…?


Faruk Myrtaj: Gazetat tashmë, të gjitha, po venë kushte paraprake! Vini re disa nga titujt e tyre: “Koha Jonë”, vetëm e kujt, pra?!, “Fjala e lirë!”, a vërtetë te gazeta juaj thuhet vetëm e vetëm fjala e lirë?! Përmenda tituj të gazetave të reja, për të mos mbetur te ndonjë si “Zëri…i Popullit” e një populli…socialist!


“Fjala e Lirë”: Libri juaj me poezi “Rroba e fjalëve gjithnjë ngushtë më rri” u radhit i dyti për vitin 1991, (vetëm me një votë më pak se libri i Xhevahir Spahiut, që fitoi çmimin “Migjeni”).


Faruk Myrtaj: Si për gjithë librat e kësaj periudhe... Librin e dorëzova për botim në fillim të vitit 1990, vit të cilin vlen ta konsiderojmë si vitin e parë të Erës së Re, pluraliste.

Trokitej shumë ato kohë, shpresohej në ndryshime, fjala me të vërtetë ndihej ngushtë, se gjërat duheshin thënë me emrin e tyre, të vërtetë. Si gjithë krijuesit, edhe unë shpresoja që nëpërmjet “vjershave të forta” (!) t’i kumtoja diçka lexuesit tim të mundshëm. Por, si gjithnjë, libri po vonohej. Ngjarjet po rrokulliseshin siç donin ato vet, dhe unë…Ah-e-uh, që...diktatura po rrëzohej pa i lexuar populli vjershat e mia kundër saj!

Erdhën e shkuan, korriku i ambasadave të pushtuara nga “huliganët”, vjeshta e pushtimit të Parisit nga “dezertori” azilist Kadare, kryengritja intelektuale e studentëve, Dhjetori i pluhur-alizmit dhe i feniksit Parti Demokratike!

E kush do te donte të inspirohej pas kësaj nga vjershurinat?! “Akoma me diktature ti?! Po ne diktaturën e rrëzuam, nuk ishe ti në çlirimin e sheshit ‘Skënderbej”? Kështu kisha droje se do të më thoshin kur të dilte libri nga shtypi por...


“Fjala e Lirë”: Në të vërtetë...kur doli libri nga shtypi, ç'kishte ndodhur?!


Faruk Myrtaj: Ngjarjet ishin po ato! Rrethi vicioz, përsëritja e fenomeneve të merr frymën. Diktatura nuk vdes në një ditë me diktatorin. Aq më pak vetëm me rrëzimin e busteve apo monumenteve të Tij!


“Fjala e Lirë”: Është ecur ngadalë apo “një hap para, dy hapa mbrapa”?!


Faruk Myrtaj: Padyshim ecet vetëm përpara. Por e kishim fjalën te mënyra e të ecurit, për ku shkohet dhe si zhvendosemi për atje. Një i njohuri im, para 11 prillit 1985, më fliste për një mbledhje të zgjeruar të Byrosë Politike. Enver Hoxha nuk ishte i pranishëm, ishte i sëmurë. Pritej që ai të vdiste, por vendi i Tij në Mbledhje lihej Bosh. Herë pas here, instinktivisht, byroistët kthenin kryet për andej, nga Vendi Bosh!...Të mjerët ata. Ashtu të paaftë dhe duartrokitës siç i kishin zgjedhur, nuk bënin dot as mbledhjen formale pa Atë, të Përjetshmin e Tyre. Sado që e njihnin mirë atë, trillet e kapriçot e tij të befta, fantazitë e pafundme për grupet armiqësorë, në të cilat edhe ata vet mund të gdhiheshin një ditë, papritur. E megjithatë nuk bënin do pa Të. (Siç nuk bën dot letërsia pa subjekte të tillë!) Kam frikë se ai Vendi Bosh ka për të na torturuar edhe për ca kohë, kolektivisht, si popull...Qofsha i gabuar!


“Fjala e Lirë”: E keni fjalën te rreziku i ndonjë diktaturë të re, siç është paralajmëruar nga qarqe të caktuara?


Faruk Myrtaj: Vetëm të tremburit nga ndryshimet e shpejta, që aktualisht te ne janë emergjente, fryjnë sirenat e këtij rreziku imagjinar. “Rruga” mund të pretendojë ligjin e saj, kur nuk zbatohet ligji i tryezës së “rrumbullakët”- ose kur ai qëllimisht nuk zbatohet. Po kush mund ta akuzoj popullin shqiptar për të paduruar, kur ai ka qenë i duruar më shumë se do ta lejonte krenaria e tij?! Grumbullimet janë për t'u respektuar, ato kurrë nuk kanë çuar në veprime të paligjshme. Kur një qytetar në Romën e lashtë, i akuzuar për krime apo padrejtësi, nuk paraqitej vet në gjyq, qytetarët i shkonin me trumbeta te shtëpia e tij qysh në mëngjes dhe e zgjonin. E kujtonin për detyrën e tij qytetare, që të paraqitej vet në gjyqin qytetar! Po cili nga bashkëfajtorët e diktaturës sonë komuniste shkoi ndërmend të paraqitej vet përpara gjyqit të popullit?! Përkundrazi! Prandaj populli grumbullohet dhe bien trumbetat! Dorëheqja, ndërrimi i pushteteve, vështirë se bëhet dot pa trumbetat …e Romës së lashtë!

Unë vet druhem nga një rrezik tjetër. S'di ku kam lexuar një thënie që s'mund ta largoj dot nga kujtesa: Diktaturat zhduken jo vetëm kur zhduken diktatorët, por kur nuk janë më as viktimat e tyres. Sa herë e kemi zënë veten pushtuar nga kjo gjendje paralajmërim, dhe s'kemi ditur të vet çlirohemi, sa herë...Edhe vet, ato çaste e kam ndjerë demokracinë e vërtetë shumë larg, aq larg sa ç'ua tregonte kryetari Mao Ce Dun komunizmin kinezëve: 50 vjet ose 5000 vjet!


“Fjala e Lirë”: Jeni të krahut të pesimistëve kështu?


Faruk Myrtaj: Në ato çaste kur dikush më radhit në kujtesë se Ismaili i parë (Qemali) ngriti flamurin dhe…iku, siç Fan Noli dështoi me Republikën e parë dhe iku e la vendin Bosh dhe iku. La pas ne, të mjerë, të pashpresë se edhe Zogu-mbret...iku, siç edhe Ismaili i dyte (Kadare) iku,..

Ishte sërish ai, Noli, që më 1963 deklaronte se kurrë shqiptarët nuk kanë për t'i zgjidhur punët e veta, përpara se ato t'ua zgjidhin të Tjerët, të huajt, pasi të kenë mbaruar punët e Tyre, kur kujtohemi se i vetmi “prijës” që mbeti në Shqipëri, E. Hoxha, një dite papritur u bë diktator, na bëjnë t’i trembemi këtij fataliteti historik: Kështu ka për të qenë gjithnjë Shqipëria?! O Zot, o Popull?!

Në ato çaste kur dëgjojmë e shohim dhjetëra e qindra shqiptarë që e përdorin pluralizmin dhe ekonominë e tregut për të shitur secili nga një copë Shqipërie, aq sa kanë në dorë, për të futur diçka në xhepin e vet, kur e shohim njeriun e ndershëm që shndërrohet në të muruarin e tranzicionit, kur...ke sy dhe vesh, s'ke si mbetesh veçse në udhëkryq…

Por, të mbetesh pa shpresë, si shtet, si popull, aq më keq si komb, kjo jo vetëm që s'është e udhës, edhe pse është edhe e pamundur.


“Fjala e Lirë”: A ka rrezik të komprometohet demokracia dhe, nga cili drejtim i shihni rreziqet për një gjë të tillë?


Faruk Myrtaj: Demokracia asnjëherë nuk komprometohet. Njerëzit që e shpallin veten bartës apo sjellës të saj, kur s’janë të tillë, po! Padyshim janë dy gjëra krejt të ndryshme, por ne, Të Mësuarit me Diktaturë, mezi i ndajmë:

Sipas asaj logjike “prijësi” duhet të mbetet gjithnjë prijës, ai duhet të jetë më demokrati nga të gjithë pra s’duhet të ketë të drejtën e të gabuarit, ose të qenit Njeri i Zakonshëm. Sapo kërkohet “Jo i Zakonshmi”, modeli i tij, sapo nis e predikohet ky model tjetër, demokracia jonë zë e ndjehet ngushtë, si Fjala!

A nuk e gjejmë shpesh veten të kaplluar nga dëshira të tilla: “Më duhet një njeri të urdhërohet nga Unë, (dhe …viktima e parë është e dashura, më pas gruaja!), më duhen ca vartës që të më binden verbërisht, ose: Më duhet një shef që unë të vihem në punë 24 orë, dua dikë ta kem përpara, të më urdhërojë dikush!”


Diktatura e djeshme ka lënë te secili prej nesh hijëzat e saj të vogla, si nevojë për të! A nuk e shohim, sot e gjithë ditën, krimet që deri dje i bënte ajo, diktatura, i bëjmë vet ne, ish-të shtypurit prej saj?!


Diktatura ka vazhdimësinë e saj instinktive. Atë mund ta mposht veçse Njeriu. Njeriu i pajisur jo veç me dëshirën për demokraci, por edhe me mundësinë potenciale për ta respektuar atë, me kulturë e humanizëm. Pikërisht kësaj diktature, i duhet ruajtur, në këtë periudhë tranzitore.

Diktaturë tjetër unë nuk shoh, aq më shumë që secili prej varianteve të para-lajmëruar, është lehtësisht i thyeshëm dhe jetëshkurtër.


“Fjala e Lirë”: Megjithatë, edhe këto ‘paralajmërime’ kanë vlerat e ty ro apo...Shtypi ynë është mbushur tëri me të kundërtat pluraliste dhe duket…


Faruk Myrtaj: Duket sikur lufta e vërtetë nuk bëhet midis Partive, por midis gazetarëve të tyre! Dhe, në të vërtetë, politikanët janë më pak të hapur se gazetarët. Këta të fundit janë më shumë të vërtetë. Se, kontakti i tyre me të vërtetën është më i madh. Sa herë që grinden gazetarët me njëri-tjetrin...nxjerrin hilet e politikanëve. Hajde njihi shefat e PS, sikur të mos i linte zbuluar pasioni I gazetarëve të “Z.P-së”l Nga kjo humbasin politikanët, por e vërteta fiton më shumë, sepse del në dritë! Prandaj s’është e këshillueshme që politikanët të kenë të bëjnë apo (mos o zot!) të grinden, me gazetarët. Shefat e partive politike japin konferenca shtypi vetëm një herë në muaj, bie fjala, kurse gazetari ka të drejtën konferencës së shtypit...çdo numër gazetë.


Fjala e Lirë: Kush do të humbiste nga vendosja e demokracisë në Shqipëri?


Faruk Myrtaj: Në të vërtetë, nga demokracia ideale, nuk humbet askush. Por demokracia e kompletuar nuk vendoset njëherësh, si parafabrikatet! Ajo fitohet ditë pas dite, pra diçka tjetër humbet, ditë pas dite! Aty ku dikush fiton e dikush humbet, lindet ideja se demokracia është “përmbysje”, ide që s'ka asgjë të vërtetë. Të humbësh privilegjet, të mos kesh më tej dorë të lirë për absolutizmën, të ulesh në një tavolinë me të diskriminuarin tënd të deri-djeshëm, natyrisht s’është antidemokratike. Por, gjithashtu, të vazhdosh ushtrimin e të drejtave të zotërinjve të vjetër në emër të demokracisë, do të thotë që totalitarizmi ende nuk është shembur. Përderisa ende vazhdojnë diskutimet në se diktatura ka pasur apo jo ndonjë të mirë, duket se gjërat pak kanë lëvizur, dhe s'di a do ta realizojë këtë 22 marsi...


“Fjala e Lirë”: Në ç'raporte qëndrojnë demokracia me barazinë?


Faruk Myrtaj: Gjithnjë sipas meje, barazia është veç starti i realizimit të demokracisë. Demokracia është barazia e mundësisë për të mos mbetur të barabartë. Në të kundërt, barazia do ta minonte demokracinë. Një nga “provat” e largimit të ngadaltë nga diktatura, duket se është pikërisht dëshira aventuroze për të shkuar në kapitalizmin e zhviIluar të gjithë bashkë, ashtu siç desh shkuam edhe në komunizëm!


“Fjala e Lirë”: Mendoni se rivlerësimi i veprave letrare të periudhës realizmit socialist do të ndryshojë gjer edhe Panteonin e Fjalës sonë?


Faruk Myrtaj: Vite më parë, në një takim letrarësh në Vlorë, Dritëro Agolli është shprehur: “Kur të vdesin miqtë e poetëve, atëherë do të shihet kush janë poetët e mëdhenj!”

“Miqtë” me pushtet tashmë kanë vdekur dhe poetët do të mbeten sa ç’janë vërtet! Sentenca merr kuptimin se bien pikërisht “politikat e ditës”, bie ndikimi i presidiumeve ku poetët nxirreshin nga diktatura (për t'u bërë ajo vet, diktatura, e besueshme në sy të popullit dhe botës!), në pamundësi t'i nxirrte në gjyqet e saj! Prirem të shprehem kështu se as shkohet ndërmend që një krijues i vërtetë të jetë pro diktaturës, apo kundër demokracisë. Kurrë jo!

Do të ishim të mjerë në se sot, pasi uragani i diktaturës ka shkuar, të akuzojmë krijuesit tanë, të gjitha niveleve (flasim gjithnjë për KRIJUESIT) për kolaboracionizëm me diktatorin.

Diktatura detyron, urdhëron, ndëshkon. Gjatë natës së saj, jo vetëm Fjala por edhe Jeta ndjehet ngushtë!


A do t’i detyrojë, vallë, edhe Demokracia?!


Megjithatë ndjehem përkundër ndonjë logjike që pretendon se, edhe sot, shkrimtari megjithatë mbetet, edhe nëse ai do t'i kundërvihej frymës demokratike të proceseve në të cilat lodhet e shpreson populli i vet! Natyrisht që veprat e këtij shkrimtari shfaqen e mbeten edhe në këtë rast.


Por, a mund të kemi të drejtë të flasim e të respektojmë pavdekësinë letrare të shkrimtarëve, nëse njerëzit përqark tyre torturohen e nëpërkëmben pikërisht nga forcat politike, të cilave këta lloj shkrimtarësh nuk gjejnë kurajën a mençurinë të përballen njëkohësisht me popullin e vet?!


Pikërisht për këtë, bashkë me mirëdashësit e Dritëro Agollit, mbase rrekemi të ushtrojmë të drejtën e qortimit për shkrimtarin Agolli. Kjo natyrisht nuk justifikon të tjerë, që deri dje kthenin gota sistemike me Dritëroin, vinin në Lidhje vetëm për të, kurse sot e akuzojnë për...çka e lëvdonin dje!

Merret vesh, demokracia, para së gjithash është çështje dinjiteti e karakteresh të individëve. dhe popujve.



53 views1 comment

1 Comment


Fatmir Terziu: Brilante e një pene dhe një mendje adekuate. Edhe sikur të mos thuheshin të tjerat kjo do të mjaftonte... "“Koha Jonë”, vetëm e kujt, pra?!, “Fjala e lirë!”, a vërtetë te gazeta juaj thuhet vetëm e vetëm fjala e lirë?! Përmenda tituj të gazetave të reja, për të mos mbetur te ndonjë si “Zëri…i Popullit” e një populli…socialist!...." Po aq sa vetë titulli filozofik, kuotim i pavdekshëm!"

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page