top of page

… dhe ai është Njëshi?!


Dr Fatmir Terziu

… dhe ai është Njëshi?!

A duhen ndriçuar “rrugë të reja” në krijimtarinë shqiptare?

Dr Fatmir Terziu


Rugët në të cilat kalon sot krijimtaria shqiptare kanë lënë mjaft diskutime. Diskutime që shpesh janë “sofër” boshe vetëm për debate. Dhe, natyrisht edhe pse jo të të gjithë debatet janë të tilla dhe të ushqyeshme, dhe pse pos debateve, janë rikthyer në vëmendje Fishta, Konica, Camaj, Koliqi, Trebeshina, Pipa, Pashkue mjaft të tjerë, kanë në thelb përsëri një këndvështrim të diktuar apo të anatemuar, një harresë të derivuar pos faktorëve të shumtë të letërsisë që krijohet pas viteve 90-të në të gjithë hapësirën shqiptare. Të gjitha janë në fakt në “ngritjen” e zërrit për vlerësime të tjera, të reja, të pangurtësuara në disa emra, të pakushtëzuara e “artificiale dhe të stisura, nga nevoja klanore dhe të burokracisë letrare” (Gjoka, 2014) dhe “tek gjuha janë të shkrira të gjitha të tjerat.” (Tufa,2016). Por ajo që është thuajse më e rrëndëshme në këtë pikë, ashtu si mjaft nënpika të tjera, që vijnë dhe rrjedhin nga “artificialiteti i stisur” dhe “gjuha”, është se sot shumica e pranojnë se “Letërsia shqipe ka shënuar progres” dhe po aq mendojnë se letërsia duhet evidentuar rast pas rasti dhe nuk duhet të rrimë pas një emri. (ibid). Gjoka thotë se duhet të kthehemi te “letërsia e sotme që ekziston”. Tufa shprehet se “Letërsia nuk shkruhet duke përplasur kokën pas murit”. Dhe që ekziston dhe nuk shkruhet me përplasjen pas murit, këtë e dimë.

Ashtu sikurse e dimë ne që shkruajmë e lexojmë, ashtu sukurse e dinë dhe ata që debatojnë, ashtu sikurse nuk mund ta mohojnë dhe klanet dhe departamentet universitare që shtrëngojnë fort doktoraturat e atyre që kanë mbetur në krye të tyre si gjeneralët e ushtrisë me kartona të zverdhur (shumica kanë mbrojtur rrugët të cilat i kuptojnë dhe vetë se nuk kanë qenë rrugë, por për hir të kuletës janë sot “mafia” e padukshme dhe më e rrezikshme e letrave shqipe). Por veç kësaj, problemi qëndron edhe gjetkë. Qëndron tek rrugët që ka kaluar, kalon dhe kërkon të kalojë krijimtaria letrare shqiptare e palexuar si faktor, e pareklamuar si e tillë, e pavënë në vendin që meriton. Ndoshta ndryshe?! Le ta pranojmë si debat tjetër të hapur, të sinqertë e të pastër. Atëherë nëse e pranojmë si të tillë, a duhen ndriçuar me dritën e duhur “rrugë të reja” në krijimtarinë shqiptare?

Si shembull në këtë pikë mund të merren vetëm krijuesit e para periudhës moniste, të cilët me ndikimin e shkollave të ndryshme, të lira, arritën të gjejnë rrugë të bollshme dhe të bëjnë emër. Më pas emra të cilët erdhën nga këto shkolla u futën e disa u eleminuan në rrugicat “që kërkonin diell”, duke mbetur tek termi rrugë të reja, por një fakt ishin “rrugica pa pund në krye’. Fakti e tregoi vetë dhe e tregon se edhe sot se mbyllja e rrugëve të lira në krijimtarinë letrare shqiptare solli vetë këtë mori debati. Le ta sjellim në ndihmë një fakt, ndoshta jo nga koha e këtyre rrugëtimeve të “mishëruara”, por nga një kohë që ia vlen të citohet. Duke iu referuar shkrimtarëve paraardhës të Shekullit të XIX-të, shkrimtari anglez G. K. Chesterton është shprehur se “Kur ata flasin se kanë bërë rrugë të reja, ata në fakt janë vetëm duke treguar me shkrimet e tyre se kanë bërë vajtje-ardhje të reja në rrugë të njëjta” (1939:14). Kur Chesterton kritikonte pikërisht “rrugët” e reja dhe fliste se ata ishin thjesht sorrollatje në të njëjtën linjë, nuk kishte parasysh fatin e shkrimtarëve shqiptarë në monizëm, ama, në një pikë këtë fat mund ta shohim tek mjaft prej emrave që duket sikur “letërsia shqipe fillon dhe mbaron me ta”. Shkurt e thënë më qartë, letërsia e sotme shqipe, ka nevojë të kapërcejë pas në kohë, hapësirë dhe vend, ka nevojë të riciklojë rrugën e pashkelur letrare dhe të zanafillë para kohës moniste duke pastruar rrugën e shkrimtarëve të kohës së lirë për të ardhur tek këputja e direktivave që ende vazhdojnë të dëmotojnë dhe mbajnë klanet grushtbashkuar dhe në rrjesht për një. Kjo s’ka të bëjë natyrisht me ndonjë ditë-lindje letrare, as dhe me ndonjë ditë-vdekje të tillë, por me një “pardon” rrugës së lënë mes mykut dhe zverdhjes së detyruar letrare, po aq dhe asaj që fati ia solli jetën në kartonizim.

Në një pasazh tipik për përzierjen e tij me humor dhe të vërtetë, shkrimtari anglez G. K. Chesterton e përshkruan ditëlindjen e tij, pak a shumë kështu: “I përkulur në pabesueshmëri të verbër, siç është zakoni im, para autoritetit të thjeshtësisë dhe traditës së të moshuarve, besoj madhështisht të gëlltisë një histori që unë nuk mund të jem munduar për ta provuar në kohën e duhur me anë të eksperimentit të gjykimit privat, por unë jam në mënyrë të plotë i mendimit se kam lindur në anën e ikjes së errësirës më 29 maj 1874”. Një besim i tillë në virtytet e autoritetit të thjeshtësisë dhe traditës së hershme ishte, në fakt, vetë konteksti që ishte shfaqur për t’u bërë një shenjë se Chesterton ishte i thjeshti dhe vetë shefi i shkrimeve të tij, pasi ai në të gjitha shfaqjet natyrshëm dhe tejet domethënëse, qaset jo vetëm si një filozof, por dhe si një reformator shoqëror. Ndaj mund të shihet jo më kot, se ditëardhja e tij në jetë ka ndodhur në fazën e fundit të krijimtarisë letrare të Shekullit XIX-të, periudhë të cilën vetë Chesterton e quajti “këputjen e marrëveshjeve krijuese dhe letrare të kohës”.

“Këputja e marrëveshjeve krijuese dhe letrare të kohës”?! A ka dhe a ekzistojnë të tilla sot në krijimtarinë letrare shqiptare? Kjo mbetet jo thjesht një pikëpyetje, por është gjithmonë e vështirë që të kufizojë dhe vetë periudhat e letërsisë brenda kufijve të ngurtë e datave dhe rrugëtimeve letrare mes periudhave, është e vështirë me një jostrategji Kombëtare për një lëvizje në letërsi, pasi do të mbetet thjesht si një ushtri me luftëtarë në mars, që ka paravijën e vet në letër, pararojën e saj në utopi, dhe strategët e saj joekzistentë. Por megjithatë duke marë shkas nga ajo që është e njohur me atë që ndodhi në tremujorin e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë me letërsinë Botërore, duket se ka formuar një periudhë të caktuar të karakterizuar nga një opinion individual dhe i gjithi në një shërbim adekuat ndaj letërsisë. Shkrimtari anglez Chesterton e kundërshtoi socializmin e asaj kohe, socializmin e kohës së tij, duke u bërë një mbështetës i fuqishëm i tradicionalizmit, tek i cili ai kishte gjetur rrugën e duhur për të ushqyer letërsinë e kohës. Dhe tradicionalizmi i tij, po aq dhe nga mbështetja e një shkrimtari dhe historiani anglo-francez sikurse ishte Joseph Hilaire Pierre René Belloc, që ishte një nga shkrimtarët më prodhimtarë në Angli gjatë fillimit të shekullit të XX-të, shkoi pas tek e thjeshta e komunitetit me të gëzuarën dhe kënaqësinë e vetëdijshme personale, me besimin e vetvetes dhe në vetvete, e mjaft gjëra që ishin tipike nga duart e të thjeshtës komunitare. Ai bashkë me mjaft mbështetës të tjerë u ngritën thuajse njëzëri kundër majë-majës së problematikave, që kishte koha e letrave me fërkimet dhe kontradiktat e shumta, por mbrojtën sensin jetik dhe instiktin natyral kundër rrezikut të infektimeve nga ngurtësitë e pararendjes krijuese, që kishte ngrirë emra dhe mbiemra krijuesish dhe kështu u mundua të reformojë mendimin se “letërsia e këtij, apo atij është më e mira, e paarritshmja, apo … dhe ai është Njëshi?!”

Duke e këputur pikërisht këtë mendim që sfumon të gjithë krijimtarinë, duke larguar nyjën e zinxhirit që “glorifikon” emrat e fryrë nga leximi i detyruar i orëve letrare me “qëllim edukativ” dhe “qëllim pedagogjik” natyrisht pastrohet dhe vetë rruga që duhet ndriçuar më shumë se kurrë në krijimtarinë letrare shqipe. Është koha që ne duhet të mbajmë mjaft afër letërsinë që është shkruar pas ’90-tës, jo thjesht si nocion kohor, por si kulturë letrare, krijimtari dhe qartësi e një rruge të ndriçuar e të çliruar nga absurdi i kontradiktave të ngurtësuara.


12 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page