top of page

DESHA TË DI


CIKËL ME POEZI

1. DESHA TË DI

Desha të di A mos vallë koha është Ajo lejlaja e ëmbël që bie diellit Si petale të vesuara jasemini...

Apo ato retë e holla Që i preu përmes një helikopter i kuq Dhe dy dallëndyshe të fundit Harkuar qiellit si dy vijëza...

Për pak Më mori frymën një manjolë Tek shkundi petalet nën erë, Më thuaj të lutem: Mos vallë Kjo është koha?

Një burrë Me një buqetë trëndafilash, Shtrënguar me kaq përkujdesje. Një grua flakëbardhë Tek përkëdhel qenin si bir; Thua, Kjo të jetë koha?

Apo jeta, Që rrjedh në gishtat e mi Malli që pikon zemrën time Rrahjet ritmike dhe fryma Dashuria që më flet Fshehtë...

Desha ta di, Kjo është koha??

2. ËSHTË RIVIERA

Është ëndërr që shkon Është Riviera!...

Duke kaluar adhuroj I përulem secilës shtëpi të rrënuar Të braktisur, Çdo peme të tharë...

Harroj detin, qiellin Harroj veten kredhur Në ujin që fundin tregon...

Pastaj qesh me vete, Më kujtohet Se si dëshiroja të vallëzoja Buzë detit Me një burrë të panjohur, Por nuk ndodhi...

Siç u rrënuan këto shtëpi, Si u dogjën këto pemë, Nga ndezja e pyjeve Pa e ditur si Pa u turpëruar, pse?!

Është riviera Që më josh duke e parë Të ikë prej syve të mi Këtë të dielë vjeshte, Si ëndërr...

3. VJESHTËS I FLAS

Po kthehem, Zogjtë e vjeshtës Më lanë ca pendë të lehta Të vishem me fluturimet e tyre Harenë t'ia rikthej shpirtit Buzëqeshje syve...

Po kthehem, Pemët e vjeshtës Rrëzuan ca gjethe të verdha Supeve nuk ndjeva më peshën e fajit Sepse faji nuk ekziston, E keni sajuar ju njerëzit; Më thanë...

Po kthehem, Puth dallgën e kripur E lejoj të më lëmojë faqen Të më përkëdhelë lëkurën, Si një "më fal", e burrit që dëshiron Me zjarrin që djeg pyje....

Po kthehem, Rruga shkurtohet pa u ndjerë Mendimet lëmohen si shkëmbi Buzë detit, Në lojën mijëvjeçare Me valëzat ledhatare Plot gënjeshtra të bardha...

Po kthehem Po kthehem dashuri...

4. VETËM

I kishin marrë Të gjitha lulet, rrezet Edhe zogjtë i kishin ndaluar Të lodronin në hapësirat E ëndrrave të fëmijës Që ende beson Brenda trupit Të rritur...

Me mbeti jeta Pa poezinë që më thurte Çdo ditë secili moment Me ndjesi të fshehta Nga gjithë bota....

Mbeta bosh, Pa vend në të mirët Të pagabueshmit Përjashtuar isha:

U ula mbi gabimet e mia Dhe u ndjeva E vërtetë E bukur Si natyra!

5. FLUTURA DHE ZJARRI

Po luante me zjarrin Trazuar krenie e inati të marrë Kërkonte të shuante dhimbjen në flakë Shkrumb e bëri nje ëndërr të bardhë...

Ish vetëm një flutur Kish lindur e lirë, vinte nga pyjet Ish betuar se do ta donte gjersa të plaken yjet...

25 views0 comments

Comments

Couldn’t Load Comments
It looks like there was a technical problem. Try reconnecting or refreshing the page.

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page