DERRI I EGËR
Tregim nga Kozma Gjergji
Artistët shpërthejnë në duartrokitje e brohoritje sapo në dhomë hynë kantautori Korrado. Zonjusha befasohet me pamjen e tij prej kukuvajke tërë sy e sqep, me veshjet prej lëkure dhe flokët shndërruar në gjarpërinj si të Meduzës së Karavaxhos. Gjoksin ia mbulojnë gjithëfarë xhingla-mingla, midis të cilave shquan medalioni me sfinksin egjiptian "Babai i tmerrit ".
Është hera e parë për vajzën të jetë kaq pranë të tillë personazhi, që i duket një shëmti e bukur e mahnitëse, një kryevepër e manierave dhe budallallëkut.
Mëson se kantautori është ndër të larguarit e vetëm që rikthehet herë pas here, siç thotë ai, për të nderuar këmbënguljen idiote e pasionin e pashërueshëm për artin të miqve të tij. Ardhja e Korrados kthehet në festë, se veç banketit, paguan për secilin të kaloi një natë me ndonjë Dylqinjë.
Antikonformist me prirje anarkiste, qyshë herët i kanë vënë nofkën "Derri i egër ", ngaqë e çan pyllin e pengesave, ashtu si kjo egërsirë që s'pyet as për vërshëllimat e plumbave të gjahtarëve, as për lehjet e zagarëve.
Sapo u shfaq si talent demonstroi shpirt kërkues. Ndërmori shumë udhëtime, gjatë të cilave mblodhi e inçizoi arie e simfoni të vjeshtës e lloj-lloj melodi ujëvarash, pyjesh, lumenjsh, detesh, oqeanesh, që për të janë kolona zanore e universit. Besonte vendosmërisht se futja në muzikë e më shumë tingujve të natyrës dhe nga realiteti e pasuron atë cilësisht dhe sjell emocione të reja.
Duke e bërë të vetën devizën e Johannes Bramsit: "Janë aq shumë melodi që enden në ajër për të cilat duhet të bëjmë kujdes mos t'i prishim, por t'i shfrytëzojmë", ia doli të ngjizë në krijime edhe zërat e refuzuar nga harmonia si tingujt çjerrës, hungëritës, ulëritës,
gërrvitsësh, rrapëllues, zhurmues, shushuritës, fishkëllyes, kanosës, goditës, alarmues, shkatërrues, përkundës, rënkues… të gjallesave të ndryshme, metalprerseve, sharrave, bombardimeve, sirenave, këmborëve, bubullimës, breshërit…
Ai arriti të krijoi një fonetikë të re lidhur me botën e zhurmave e tingujve; një lloj muzike krejt të vaçantë, çakërdisëse, sfiduese, me një forcë gati biblike, që zgjon turbullimin njerzor, ndjesinë e revoltës, vrasjes tinzare, çlirimit, triumfit, festës makabre të djajve, shpirtit të lirë dhe rebel të natyrës në gjendje të egër, apokalipsit, të cilën çuditërisht ia pëlqejnë e vlerësojnë.
Në mjaft motive të mirëpritura i bën jehonë konsumizmit pa fre edhe kur mungojnë lekët, përmbysjes së tiranëve, shkatrrimit të mjedisit, rrezikut të emigracionit klandestin, terrorizmit…
Një nga preferencat dhe tërheqjet e mëdha frymëzuese ka uraganin. E konsideron himnin e rebelimit dhe emocioneve të forta. I adhuron energjinë, që shkatërron, krijon e rinon natyrën e sëmurë. Prandaj dhe grupin e tij e ka quajtur "Uragani".
Berti i rrëfen të dashurës për fillimet e kantautorit. Kompozonte e interpretonte ca këngë zuzare, ulëritëse e klithmëçjerrëse, duke e paraqitur gjithçka të zezë, të ndyrë, groteske. I përmblodhi në kolazhin "Disku i ferrit ". Nuk ia mirëpritën, sepse ishin tepër brutale e satanike. Një muzikolog dështak, xheloz e smirëzi e sulmoi me artikullin :"Anarki e orgji tingujsh e zhurmash dhe vizion ferri në muzikën e një amatori të inatosur ".
Këto nuk patën ndonjë efekt çarmatosës te Korradoja. Sikurdoherë i paepur, i panënshtruar ai vazhdoi edhe më intensivisht me kërkime e eksperimentime.
Suksesin e parë ia dhanë ca motive rebele, denoncuese, që rezononin me shqetësime të të rinjëve. Nisën ta quanin "Makinë lufte". Ky vlerësim i dha sigurinë të dilte menjëherë para publikut me një kolazh të gjerë. Për vet tematikën e koreografinë satirike që shoqëronte këngët, koncertin e titulloi "Lugetërit në skenë". Ai përshtati për skenë në mes të sheshit një karroceri të madhe kamioni të emërtuar: "Fortesa e rrok-rrepit".
Koncerti kulmoi me një këngë të zemëruar, që kish një farë banaliteti të egër, përbuzje të hidhur e gjuhë të çliruar nga ligjet e vjetra të harmonisë, e cila habitërisht përcolli te spektatorët diçka haluçinante.
Vargjet therëse me melodinë zhurmërrënuese dhe karnavalet që portretizonin të karikaturizuar në korba, vampirë, krokodilë personazhe realë politik, ua provokuan e ndezën ndjenjat simpatizantëve të tyre. Me fishkëllima, të shara e deri në grushte ata sulmuan kantautorin e grupin e tijë. U bë skandal. Menjëherë zëdhënësit e partive të atyre militantëve fajësuan artistët si shkaktar të nxitjes së dhunës.
Ky incident, ndonse drejtësia i ndëshkoi dhunuesit, bëri që Korradoja me grupin t'iu largohej për ca kohë koncerteve në mjedise të hapura. Disa gjoja fansa të futur nga politika e këshilluan t'i shmangej asaj tematike, që për publikun partiak ishte si pelerina e kuqe e teoradorit për demin. Ti, i thanë, mendon të ndryshosh botën me këngë?!…
-Ne nuk ofendojmë askënd, -ua ktheu ai. -Arti duhet të provokojë. Dëshirojmë vetëm t'u ngacmojmë shpirtin njerzëve, t'u zgjojmë ndjesi, t'i ndihmojmë për ta parë botën në një mënyrë të re, sepse janë bërë si ato shpezët e zbutura, që kanë harruar të fluturojnë…
Kjo këngë, unë besoj më tepër tek incidenti e buja që shkaktoi, e përmblodhi mendimin Berti, i hapën menjëherë rrugën e suksesit kantautorit e grupit të tij me shitjen e mijëra disqeve si, "Klithmat e panterës", "Invazioni i majmunëve", "Planet i plakur e i sëmurë", dhe të videos: "Jashtëtokësorët".
Kozma Gjergji
Me tregimin "DERRI I EGER", ndoshta mbyllet sipari i aktit te pare dhe fillon akti i dyte...
Tregimi eshte emocional dhe ngjall tek lexuesi nje ndjenje te dyfishte: Ate te drejtper -
drejten dhe ndjenjen e "keqardhjes" per fatin artistik te kantautorit Korrado. Me duket,
ka te drejte znj. Anabel Russo kur thote: "Shpesh artistet kane shijuar suksesin fale ve -
mendjes se publikut..."
Nderim dhe suksese autorit.
Myslim Maska
Xing.
Ashtu si në politikë, edhe në art, jo rastësisht dalin mbi sipërfaqe më karrizmatikët (nënkupto: ekstremistët). Korrado, është përfaqësuesi tipik I kësaj "qasje si kantautor." Kozma Gjergji, është thelluar në qëmtimin e tipareve të këtij personazhi që paraqet gjithë shëmtimin e kësaj perfomance turpi.
Për mua autori ( jo vetëm nga dashamirësia) por edhe nga e vërteta e pastër, në këtë tregim, tejet stigmatizues, plotëson triptikun dhe shton bindjen e një risije në prozën e shkurtër siç është tregimi.
Urime të sinqerta.
Xingografia! / Athinë.