top of page

Denoncimi i korrupsionit kusht i nevojshëm por jo i mjaftueshëm për të ardhur në pushtet.


Gëzim Zilja

Nga Gëzim Zilja

Sa herë Shqipëria ka nevojë ose ndodhet në udhëkryq, Zoti i Madh atje në qiell ose ka orar gjumi ose ka punë më të rëndësishme ose është me grip. Ndërkaq udhëheqësit shqiptarë pasi janë shpallur armiq me njeri-tjetrin për të mirën e atdheut, vrapojnë pas SHBA-ve, BE-së, jo rrallë nga komshijtë historikisht të pabesë ose dashamirës dhe sillen rrotull e rrotull, për të gjetur të drejtën që ua kanë rrëmbyer shqiptarët e tjerë. Udhëtojnë me avionë, mbi kontinente, dete e oqeane, bëjnë mijëra kilometra, harxhojnë paratë e fukarasë ose të oligarkëve, të bëjnë një foto me presidentët amerikanë apo të sigurojnë takime me njerëz të rëndësishëm të Europës. Pastaj fotot ngadhënjimtare e filmimet me shtrëngime duarsh njëzet sekondëshe ( akuzojnë njëri-tjetrin se janë paguar me para të dyshimta) kërkojnë tua shesin shqiptarëve si prova të virgjërisë, pastërtisë dhe përkrahjes së tyre nga të mëdhenjtë e Europës dhe ata matanë oqeanit. Ky teatër i pështirë ka plot tridhjetë vjet që luhet nga palaçot e politikës, duke e detyruar Shqipërinë të ecë herë para me hapa breshke, herë të shtriqet si deveja pasi ka mbushur plëndësin e stërmadh me ujë, e herë të bëjë akrepin, duke helmuar vetveten me helmin e bijve të saj.Sot krimi e padrejtësia ka pushtuar rrugët, trotuaret e sheshet, duke i bërë njerëzit të mos jenë të sigurt edhe brenda në shtëpi. Skandalet me kryebashkiakët, ministrat, PPP-të e tenderat korruptivë janë ushqimi i përditshëm. Një kryeministër me një vullnet të mirë, në këto kushte do të kuptonte se duhet të tërhiqej, të jepte dorëheqjen dhe të kërkonte zgjedhje të parakohëshme. Po kryeministri dhe shpura e tij e majmur dhe servile nuk janë të tillë dhe si përherë do t’i shkojnë të keqes deri në fund. Shumë teoricienë, analistë, juristë, politikanë, filozofë pranë PD-së ose të pavarur të keqen e gjejnë jo rrallë te populli shqiptar. Në rolin e të mençurit e të gjithëditurit, lënë të kuptohet herë drejtpërdrejtë e herë tërthorazi se nuk janë ata fajtorë, se populli shqiptar ka prejardhje nga delja e pula, i pëlqen zgjedha e kaut, nuk e do lirinë, nuk e kupton atë, është i politizuar, është i majtë, është spiun etj etj. Citojnë Konicën, Nolin, e shumë të huaj, duke vënë në dukje të metat e shqiptarëve e duke i valëvitur si flamur a thua ata vetë nuk janë shqiptarë e popujt e tjerë anëkend botës janë pa vese e të kulluar. Shumë e turpshme kjo nga ana e tyre, megjithëse butësia që arrin deri në ndrojtje dhe në uljen e kurrizit para të tjerëve nuk është një cilësi e lindur por e fituar ashtu si dhe paturpësia dhe arroganca.Midis këtyre dy cilësive nuk ka ndonjë largesë aq të madhe si mendohet zakonisht. Ata që kanë marrë përsipër të udhëheqin e ta drejtojnë shoqërinë shqiptare drejt rrugës demokratike, duke përmbysur pushtetin abuziv e shkatërrimtar të Rilindjes, nuk e kthejnë kurrë gishtin nga vetja e të mendojnë: 85% e këtij populli (duke u nisur nga zgjedhjet lokale) nuk e duan qeverinë. Atëherë pse ai nuk na përkrah masivisht, nuk beson, nuk është entuziazt, nuk proteston aq fuqishëm sa të detyrojë Edi Ramën të dorëhiqet ose të shpallë zgjedhjet e parakohëshme?Liderët e opozitës nuk kuptojnë ose nuk duan të kuptojnë se edhe ata vetë kanë nevojë të reformohen, të zëvendësohen,(sidomos një pjesë zorraxhinjsh, përtacësh e servilash, që i janë qepur PD-së si këpushat e bagëtive e dalin në mezhliz vetëm kur fiton PD-ja) ta hapin partinë se e kanë kthyer në bunker, të pastrohen, e të dëgjojnë me vëmendje njerëzit e mënçur, që nuk i mungojnë. Shpesh deklaratat e krerëve të PD-së të krijojnë idenë se kjo përpjekje ( luftë) që ata bëjnë me kundërshtarin ka karakter personal dhe bëhet për të ikur “ata” dhe të vijnë “këta” se janë më të fortë apo më të mirë se “ata”.Çdo parti ka një statut (kushtetutën e partisë) që kushtëzon dhe ligjëron të drejtat dhe detyrimet e anëtarëve dhe drejtuesve të partisë. Në nenin 11/3 thuhet: “… Anëtarët e PDSH-së, organet e partisë dhe funksionarët politikë të PDSH-së, i nënshtrohen procesit periodik të vlerësimit të performancës dhe kontributit, nëpërmjet analizës dhe diskutimit të hapur me anëtarët, apo sondazheve të organizuara nga PDSH-ja, sipas organizimit dhe nivelit të pjesëmarrjes apo përfaqësimit.Vlerësimi periodik i performancës dhe kontributit mbahet në konsideratë gjatë ecurisë në karrierë të tyre brenda organeve të partisë apo funksioneve përfaqësuese politike...” Neni 12/2 “… Kandidaturat për zgjedhjet në pushtetin vendor dhe Kuvendin e Shqipërisë përzgjidhen dhe seleksionohen në bashkëpunim dhe konsultim aktiv me anëtarët e PDSH-së. Kryesia e PDSH-së miraton me udhëzim rregullat për realizimin e procedurës së përzgjedhjes, konsultimit dhe seleksionimit të kandidaturave, si dhe për realizimin e këtij procesi. Pas konsultimit me anëtarësinë, me propozimin e Kryetarit të Partisë, Kryesia e PDSH-së vendos listën përfundimtare të kandidaturave elektorale. Kjo listë i paraqitet për miratim Këshillit Kombëtar të PDSH-së.”Po marrim me rradhë disa veprime të lidershipit të PD-së vitet e fundit për të kuptuar pse PD-ja megjithëse “Rilindja” e ka ngrënë me kohë “çairin”, nuk është në gjendje të dalë si forcë bindëse për të marrë pushtetin.

Çështja ”Çadra” ose Republika e Re” dhe marrëveshja me Edi Ramën. Ishte një vendim individual i Kryetarit të Partisë, duke shkelur në mënyrën më banale statutin e PD-së. Pasojat tashmë dihen.

Lista e kandidatëvepër zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, ishte një veprim individual, i fshehtë i hartuar privatisht nga Kryetari. Sërish u shkel statuti. Pasojat dihen dhe “kërpëratat” brenda dhe jashtë parlamentit janë pasojë e asaj liste.

Dorëzimi i mandatevemegjithë paralajmërimet e SHBA-ve dhe BE-së ishte sërish vendim individual i Kryetarit ose i një grupi të vogël rreth tij. A nuk duhej që për këtë veprim të padëgjuar të diskutohej gjërësisht me strukturat e votuesit e pastaj të merrej vendim në KKPD sipas statutit? Pasojat që ka sot ky vendim e shohin jo vetëm militantët por dhe rrypat.

Mosmarrja pjesë në zgjedhje lokalemegjithë mosaprovimin e SHBA-ve dhe BE-së, ishte sërish një veprim emocional i Kryetarit dhe i një grupi të vogël pranë tij. Ne nuk pamë një diskutim të gjerë popullor me anëtarësinë e PD-së dhe një vendim të mëpastajmë të aprovuar në KKPD, sipas statutit.

Reforma zgjedhoreqë po kthehet në një komedi të neveritshme e nuk po kuptohet se çfarë ka ndërmend të bëjë PD-ja dhe çfarë platforme ka. Sepse dy ditë më vonë pas tryezës katërshe, ku i mallkuari dhe kusari i votave Ali Baba i Rilindjes, Damiano Gjiknuri, kërceu plot hare Napolonin, doli zoti Spaho, dhe deklaroi se “…reforma zgjedhore nuk është dhe aq e rëndësishme dhe ne do të hyjmë në zgjedhje vetëm me një qeveri kujdestare…” Nuk është hera e parë që pas një deklarate të ndonjë lideri del një tjetër që thotë të tjera gjëra e pastaj një tjetër që thotë të tjera e komedia vazhdon. Dua të them: Për çështje themelore si këto që përmenda më lart është shkelur rëndë statuti i partisë demokratike. Kryetari i Partisë vendos mbi çështje themelore, duke bërë salto, prapaktheu, ndryshime, kapërxime të çuditëshme, marrëveshje individuale etj e tj. Mos zbatimi i neneve 11 e 12 ( statutit në përgjithësi) dhe injorimi i tij, bën që kryetari i partisë të kthehet në një sundimtar, që e kap partinë nga zverku dhe bën me të si do, duke kthyer vartësit dhe anëtarësinë në një turmë amorfe.

A nuk duhej të mblidhej Kryesia për tryezën dhe në një mbledhje të hapur (edhe për bojkotin e zgjedhjeve lokale) me prani të televizioneve, që anëtarët e simpatizantët e PD-së të mësonin pse do të merrej ky vendim, e do të injorohej ai i pari, kush do të mandatohej për bisedime dhe çfarë do të kërkohej aty? Me f.b. e bisedime shterpë të llojit “ma çorre ta çorra” te Blendi, Eni, Samiu e Kadriu, krerët e PD-së disktutojnë pas pilafit. Sigurisht që Partia Demokratike ka plot gra, burra, djem e vajza të përgatitur e me përvojë, të mençur e trima, por marrja e vendimeve në ambjente të mbyllura, pa konsultime paraprake me strukturat në qendër e rrethe, sjell, që ata të mos shfaqen e të afirmohen si të tillë. Kështu partia kthehet në një parti shokësh e shoqesh, pa frymë, pa shpirt, pa mbështetje. Kur mendimi, fjala dhe vota e anëtarit të PD-së, kur strukturat e madje dhe Kuvendi i KKPD-së, nuk kanë asnjë vlerë dhe janë kthyer në lecka, atëherë nuk ngjallet fryma dhe shpresa vdes. Nëse sot duke qenë në opozitë Kryetari me nja dhjetë petrita e lauresha marrin vendime në kokë të tyre, pse do të besojnë demokratët e jo demokratët se nesër kur të vijnë në pushtet nuk do të veprojnë po njësoj? A nuk kanë vepruar kështu liderët partiakë këto tridhjetë vjet, duke ngritur në kult padrejtësinë dhe servilizmin? A nuk janë sjellë e sillen ata si sundimtarë, duke vënë nën kontroll gjithë pushtetet, duke emëruar pastaj njerëzit e tyre në postet kyçe? Populli ka nevojë për modele të rinj, por jo për sundimtarë. Shqipëria ua ka parë sherrin dhe e ka një të tillë prej gjashtë vitesh. PD-ja ka shancin historik të ndryshojë e ta marrë pushtetin, por jo luksin të sundojë të vetët, duke qenë ende në opozitë. Denoncimi i drejtë, i përhershëm dhe plot kurajo, që bën Partia Demokratike për korrupsionin e frikshëm të Rilindjes, është tepër i nevojshëm por jo i mjaftueshëm për të ngjallur besimin e popullit, vota e të cilit do ta sillte në pushtet.

18 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page