Deluzional*
Fatmir Terziu
I bashkuar? Se si më ndodhi të isha në atë rast. Ndërsa ashtu, buzë e sy, e gjymtyrësha të tjerë të shtrënguar, bënin atë që shkruhej në mendjen time. Shkruhej fals. Shkruhej pa laps. Vërtet isha i bashkuar? Në krahët tuaja ndjeja rrahjet e zemrës delikate. Tik-taket sfiliteshin, duke më siguruar që jeni gjallë.
I gjithë trishtimi, gjithë krenaria ime, e gjithë egoja ime dhe çdo mashtrim rrezatoheshin larg. Bëheshin kristal. Xham dhe qelq bashkë. Margaritar, nga prekja juaj e butë me fjalë. Fjalë që sillnin komente, që më bënin të vija në vete. E më kapërcehej e tepërta, madje dhe me britma të gjelbërta. Në sy më ikte dhe më vinte një plazmë, tingulli i frymëmarrjes suaj ishte jashtë zyre tashmë.
Në këtë ditë, unë do të doja t’ju jap atë që ju gjithmonë merrni e nuk e ktheni tek unë: pafjalën e dashurisë. E pastaj heshta. Heshta se kështu e ka kjo Botë, pastërtinë e saj e bën në të pistë „rrezatuese“, sidoqoftë.
Isha i sfiduar?
I bashkuar?
Pashë se trupi ishte duke u tkurrur, ishte në të mpakët. E thashë me vete… „Qenkam bërë topth i rrumbullakët“. I rrumbullakësisë që më ndesh ta ndjej në të ftohtë. Po aq në të ngrohtë. Topthi dhe vetëm topthi i bashkuar. I bashkuar?
Pastërtia e Dashurisë.
Pastërtia e ftohtë.
Pastërtia e fortë.
Pastërtia e bashkuar në rrumbullakësinë e topthtë?
Por, pak e vjetër… Pak e re për mua, më duket shumë e frikshme, të them se unë jam tashmë i bashkuar. Tepër po bluaj, në një fjalë të huaj “deluzional” (i mashtruar) për të pranuar realitetin e ngrohtësisë që më dhuron me çdo moment në rrotullimën e topthtë tej e tej.
I bashkuar?
As që dyshoj, që mund të ndaj dhe kënaqem së bashku me ty, dorë për dore. Jam ai dhe s’jam më i pari si tani.
I bashkuar?
Troshtë. I troshtë në një bosht. Ngjashëm si qoshkë, ku rikthej fëmijërinë e trollaksur për të qëlluar e lënduar zogj. Më shumë si një ëndërr. Të shpëtosh nga çdo pikëllim dhe dhimbje për shkak të termit “mes jush” për të ndryshuar.
Dhe çfarë keni bërë për të më ndryshuar?
Dhe çfarë keni bërë për të më bashkuar?
Asnjë këngë, asnjë poezi, asnjë fjalë dhe emocion nuk do të jetë në gjendje t’ju tregojë se sa shumë borxh keni për mua.
I bashkuar?
Ama, të paktën do të përpiqem! Kështu që unë, mund të këndojë pa zë dhe me zë një dëshirë të egoizmit sot:
„Qëndroni me mua, mos më lini,
drita e fundit që do të shoh,
e dashura ime, e mrekullueshme …
jashtë topthit po të njoh…“
I bashkuar? Por jo i ndarë sikurse sonte. Nuk mjafton vetëm që je në garë…, në garë për të ndarë risqet e fitores dhe të humbjes suaj, … e pse dashka duke qarë?! Ju e kishit projektuar vetë që më parë, ndaj keni shkuar në këtë shkallë.
___________________________________________________________________
* një besim, ose përshtypje idiosinkratike e ruajtur pavarësisht se kundërshtohet nga realiteti, ose argumenti racional, zakonisht si një simptomë e çrregullimit mendor.
Comments