top of page

Delo Isufi: Etnologu dhe studiuesi ynë


Delo Isufi

Poet

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, etnologu dhe studiuesi ynë

Që të flasësh për Prof. Dr. Bardhosh Gaçen është disi e vështirë, pasi krijimtaria e tij është e gjerë dhe e larmishme. Gjithsesi unë do të ndalem shkurt e me pak fjalë për punën e tij të vyer në lidhje me folklorin dhe etnologjinë.

Bardhoshi, që në moshë të re, në vitet e rinisë e më pas si: mësues, pedagog e profesor, ka hulumtuar e gërmuar në të fshehtat e historisë, folklorit, letërsisë dhe në tërësi në Albanologji. Ai, krahas punimeve të tjera shkencore ka qëmtuar me kujdes e sqimë në zbulimin e trashëgimisë kulturore, të muzikës, këngëve e valleve, etnologjisë e folklorit të trevave të Labërisë e më gjerë, në Nikaj-Mërtur, Lumë të Kukësit, Zadrimë, Malësi e Madhe, Lunxhëri etj.

Bardhoshi, me studimet e tij na çon larg në vite, njerëz e ngjarje që diku ishin mbuluar nga hiri i harresës.

Dhe, të gjitha këto, krejt natyrshëm, na i sjell me një varg studimesh e botimesh sa më afër. Na duket sikur bisedojmë me rapsodët e gjendemi mes këngëve e valleve të tyre. Studimet e profesor Bardhoshit për folklorin dhe etnologjinë shtrihen jo vetëm në vite e thellësinë e tyre, por edhe në gjerësi, në trojet shqipfolëse e më tutje ku shqiptarët kanë bërë emër, në Kosovë, Serbi, Malin e Zi, Itali, Rumani, Turqi, Egjipt, Ukrainë etj.

Bardhoshi, në veprat e tij, na sjell këtu folklorin, këngët e vallet, legjendat, zakonet dhe traditat e arbëreshëve e arvanitasve e, nëpërmjet Bardhoshit, na duket sikur bisedojmë me ta. Në të njëjtën kohë gjendemi në Stamboll, në rrethinat e Athinës, në Kalabri, në Sofje, në Kajro, në Vatikan e Izmir.

Puna këmbëngulëse e Bardhoshit është e paepur. Në studimet e tij folklorike e etnologjike, ai ka qëmtuar, gërmuar e hulumtuar në arkivat e shumë vendeve, në Kozencë, Napoli, Venecie, Romë, Stamboll, Vjenë, Selanik, ku ka zbuluar thesare të etnokulturës shqiptare. Ai, ka shfrytëzuar jo vetëm materialet e nxjerra nga arkivat, por edhe historiografinë, gjurmimet popullore të shkruara e pashkruara dhe me mjeshtëri, siç di vetë, i krahason me njëra-tjetrën, i kalon në sitën e mendimit e na i jep në një origjinalitet të saktë.

Një varg veprash historiografike për figura të shquara të Lëvizjes Kombëtare në Jug të Shqipërisë si: Osman Haxhiu, Spiro J. Koleka, Sali Hallkokondi, Halim Xhelo, Ibrahim Abdullai, Hamza Isai, Beqir Velo Kanina, Ibrahim Kushta “Mësues i Popullit”, Muço Delo, “Mësues i Merituar”, Arshi Selfo Dalani etj., së bashku me studimet kritike e letrare për letërsinë arbëreshe, letërsinë bashkëkohore shqipe, identitetin kulturor të shqiptarëve, letërsinë shqipe për fëmijë, kanë nxitur edhe mjaft studiues të tjerë t’i referohen gjerësisht kësaj krijimtarie të begatë të tij.

Profesor Bardhoshi, ndryshe nga shumë të tjerë, nuk është thjeshtë një mbledhës i folklorit, (pa diskutuar vlerat e tyre), por është studiues i folklorit në tërësinë dhe veçoritë e tij me fakte e ngjarje reale burimore.

Duke anuar pak edhe nga treva të cilës unë i përkas, profesori ka bërë më shumë se askush tjetër për Vlorën, Himarën, Lumin e Vlorës dhe për fshatin tim të lindjes, Brataj. Studimet e tij monografike për Artistin e Popullit – Selim Hasani, monografinë për Memo Mete Bratin “Nderi i Kombit”, bashkëpunëtorin e Ismail Qemalit, apo shkollën shqipe të Bratajt, qendër e krahinës së Mesaplikut, kanë nxjerrë në dritë një pasuri të rrallë artistike, historike e arsimore.

Si eksplorator i këngës polifonike labe, i valleve, zakoneve e traditave, ai na ka sjellë në origjinalitetin e tyre rapsodët Selim e Mato Hasani, Xhebro Gjikën, Xhemil V. Duka, Arshi Xhelili, si dhe një visar të rrallë të këngëve popullore të Kurveleshit, Himarës, Lumit të Vlorës, të cilat përfshihen edhe në botimet e Akademisë së Shkencave.

Veçoria e Bardhoshit në këtë fushë është se ai, nëpërmjet studimeve të shumta që ka botuar, nuk ka përsëritje dhe mendimet e tij u qëndrojnë kohëve.

Për personalitetin krijues e shkencor të këtij studiuesi bashkëkohor që kohët e fundit u nderua edhe me titullin akademik “Profesor Emeritus”, kanë shkruar në shtypin e kohës mjaft studiues të njohur si: Alfred Uçi, Jorgo Bulo, Rexhep Qose, Dhimitër Shuteriqi, Bedri Dede, Odhise Grillo, Francesko Altimari, Qemal Haxhihasani, Beniamin Kruta, Sadri Fetiu, Anton Çeta, Ali Xhiku, Afërdita Onuzi, Hamit Xhaferi, Faik Shkodra, e mjaft të tjerë, duke e cilësuar një studiues, etnolog dhe pedagog të përmasave kombëtare.

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page