top of page

Dedin Suli koreograf, shkrimtar dhe studiues i artit koreografik


Intervista/ Flet koreografi DEDIN SULI

-Si konkurrova për valltar përpara Georgi Perkun (rus), Panajot Kanaçit, Mustafa Krantjas

- Në konkurim do shkoja së bashku me Serafin Fankon por, për çudi, Serafin Fanko nuk u paraqit

- Faruk Koka, Ylli Bebeziqi, Ramazan Bogdani dhe Engjëll Tërshana u bënë mbështetësit e mi

-Nuk harroj këngëtarët; Luçie Miloti, Fitnete Rexha, Hafsa Zyberi që i jepnin madhështi Filarmonisë

-Në Shkodër, ku më 3 gusht 1954 dhashë spektaklin e parë me balerinën Sekine Sharofin kërcyem me dy pjesë solistike

Albert Z. ZHOLI

Dedin Suli është koreograf, shkrimtar dhe studiues i artit koreografik. Është lindur në qytetin e Shkodrës në një familje shqiptaro - italiane me tradita në fushën e artit. Në vitin 1951filloi aktivitetin si valltar profesionist pranë Filarmonisë Shqiptare. Mbas një aktivizimi të pandërprerë mësoi repertorin e vitit 1950-’51, “Vëllazërimi i popujve” dhe “Shatërvani Bahçisarajt”. Në vitin 1951 ka marrë pjesë në “Flamuri i Paqes”, “Koncert Koreografik”, “Mbrëmje Baleti”. Është autor i librave:”Artistë të shquar të interpretimit koreografik shqiptar 1950-2012”, “Besim Zekthi, korife i vallëzimit shqiptar”, ”Agron Aliaj, artisti që thuri legjendë”, si dhe ka në shtyp një libër për Rexhep Çelikun. Dedin Suli prej vitesh banon në Itali, por ai kurrë nuk e harron ardhjen në Shqipëri si dhe lidhjen e kahershme me TOB-in, ndonëse ka kohë që është larguar. Ai është autor i dhjetëra shkrimeve të tjera ku promovon vlera të artistëve dhe të artit koreografik të botuar në shtypin shqiptar dhe atë italian. Libri i tij për Agron Aliajn është shoqëruar me një parathënie të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, ndërsa për studimet e tij nuk janë kursyer të bëjnë vlerësime edhe kritikë të tjerë me zë, ndër ta Adriatik Kallulli e Josif Papagjoni.

Si lindi dëshira për koreografinë, cila ishte shtysa?

Kur isha në shkollë 7-vjeçare frekuentoja Shtëpinë e Kulturës Shkodër si në sektorin e tekstit ashtu edhe në grupin e valleve me koreograf Filip Gjergjin, i cili ishte edhe koreograf. Një ditë, mbas provave, prof. Filipi na mori mua dhe Serafin Fankon, duke na thënë se në shtator do organizohej një konkurs për pranimin e valltarëve të rinj pranë Filarmonisë Shqiptare, institucion profesionist ky për kohën. Kështu, mbas disa provash, shkuam në Tiranë për të konkurruar. Komisioni i atëhershëm përbëhej nga koreografi rus, Georgi Perkun, Panajot Kanaçi, Mustafa Krantja dhe Kostandin Trako. Do t’i nënshtroheshim njohjes së ritmit muzikor si dhe shumë lëvizjeve plastike të baletit klasik. Për çudi, Serafin Fanko nuk u paraqit. Më pas ai mori drejtimin e aktrimit. Në përfundim të konkursit na thanë se shpejt do të na bënin me dije për rezultatin e arritur. Në Shkodër u ktheva me emocionet e një adoleshenti. Të parën që takova sapo hapa derën, ishte nëna ime, Serafina. Pyetjet e saj ishin pa mbarim. Për një çast i ndërpreu pyetjet, më vështroi në sy duke më thënë: “Biri im, rruga e artistit është shumë e vështirë. Sa kënaqësi kam ndier në adoleshencën time kur babai dhe nëna ime e dashur na morën, ne fëmijëve, me makinë, nga Bari për në Napoli. Aty, për herë të parë në jetën time, ndoqa nga afër shfaqjen e operës “Madam Baterflaj” të Puçinit. Jam mrekulluar me interpretimin mahnitës të artistëve. Prandaj, biri im, për të arritur deri në shfaqje, duhet mund, përkushtim, por... edhe fat”. Nuk vonoi shumë dhe, në muajin nëntor 1951, teksa ndodhesha në Shtëpinë e Kulturës të qytetit tim, ku shkoja vazhdimisht, më vunë në dijeni se kisha fituar konkursin për valltar pranë Filarmonisë Shqiptare. Të mos harrojmë – isha veçse 16 vjeç. Gjithkush e vlerëson atë çka i ndodh në jetë në këtë moshë. Atë natë gjumin e bëra copa-copa dhe ishte veçse një gëzim i papërshkrueshëm në zemrën time që më diktoi një gjë të tillë. Çfarë nuk më vinte në mendje: Grupi i valleve të fëmijëve të qytetit të Kukësit, të Fierit e vallet e njëpasnjëshme në Shtëpinë e Kulturës të qytetit tim. Me atë gëzim që më kishte pushtuar të tërin, të nesërmen në mëngjes takova koreografin Filip Gjergji e, po ashtu, edhe të madhin Prenk Jakova. Nga gëzimi që tashmë më kishte kapluar të tërin, kërceja valle aty ku isha, në oborrin e Shtëpisë së Kulturës. Më shihnin njerëzit e, mendoja me vete se me siguri thoshin për mua: “Ky qenka i çmendur!” Por unë, i përfshirë i gjithi në botën time, e ushqeja veten me kurajë teksa flisja nën zë: “Kjo nuk është çmenduri, por një shpërthim i shpirtit tim prej adoleshenti, që ëndërron për një të ardhme drejt rrugës së bukur të artit muzikor”.

-Si vazhdoi rruga juaj në Filarmoni, kush u bënë shokët e tuaj?

Më 20 nëntor 1951 u paraqita në zyrën e kuadrit pranë Filarmonisë Shqiptare ku më njohën me sallën e provave në praninë e koreografit Perkun dhe asistentit të tij, Panajot Kanaçi. Në ato momente m’u afruan Faruk Koka, Ylli Bebeziqi, Ramazan Bogdani dhe Engjëll Tërshana duke më hedhur duart në krahët e supet e mi e duke më folur me shumë përzemërsi. Shoqëria me këta katër shokët që m’u afruan me fjalë të ngrohta e plot kurajë mbeti një shoqëri e përjetshme 60-vjeçare. Grupi i valleve ku unë do inkuadrohesha nuk kishte as edhe 1 muaj që ishte kthyer nga Festivali i Rinisë Botërore, organizuar në Berlin. Ne atë valë gëzimi, po atë ditë shkova te halla ime, Katrina Stamolla. Porsa hyra në derën e shtëpisë, ajo që më ra në sy se ishte mbledhur e gjithë familja e sikur po më pritnin mua. Më rrethuan e më përqafuan me mjaft dashamirësi vetë halla me djemtë e saj – Virgjili, Rudolfi dhe Nikolini. Në këtë shtëpi të nderuar ndenja gati një javë, derisa u sistemova në konviktin e Liceut Artistik, ku edhe vazhdova vitin e parë të arsimit të mesëm. Atëherë shkolla dhe konvikti ishin në një ndërtesë të madhe në Rrugën e Durrësit e, përkarshi ishte fusha e aerodromit. Ne si valltarë, vazhdonim mësimin deri në orën 11 paradite. Pastaj i drejtoheshim qendrës së Tiranës e, më saktë Teatrit Popullor ku kishte ambientet e saj Filarmonia Shqiptare, e përbërë nga orkestra simfonike, këngëtarët lirikë, orkestra popullore me këngëtarët e saj Luçie Miloti, Fitnete Rexha, Hafsa Zyberi e tjerë. Që nga Liceu Artistik ishte goxha rrugë, të cilën e përshkonim për çdo ditë në këmbë. Ajo që më mundonte ishte largësia me prindërit e mi, të cilët atëkohë jetonin në Shkodër. Ata katër shokë, që më ofruan dorën e një miqësie të ngrohtë më hapën edhe dyert e shtëpive të tyre. Si mund ta harroj shtëpinë e fisme të Faruk Kokës në të dalë të Liceut Artistik, ku banonte me të atin, Nazimin dhe motrën, Emelin?! Të atin, Nazim Koka, dikur njeri shumë i nderuar dhe i respektuar si zyrtar në kohën e Monarkisë deri në vitin 1945, lufta e klasave e kishte syrgjynosur magazinier në hidrocentralin Vaut të Dejës. Vetëm një herë në javë vinte pranë fëmijëve të tij të dashur. Emeli, atëherë 11 vjeçe, ushqente një dashuri të paskajshme ndaj vëllait e, po ashtu edhe ndaj meje. Në të shumtën e rasteve ajo gatuante teksa edhe në shkollë ishte nxënëse e shkëlqyer. Kurrë nuk i harroj përqafimet e saj, e cila më thoshte: “Ti je vëllai im i dytë”.

-E mbani mend se si filluat të intepretoni apo rolin e parë si vallëtar apo në balet?

Në vitet e para të Filarmonisë Shqiptare u organizua një aktivitet me një performancë të zgjeruar me baletin “Shatërvani i Bahçisarait”, “Esmeralda”, me spektaklin me valle të përpunuara nga mjeshtri Panajot Kanaçi, titulluar “Flamuri i paqes”. Ne, si trupë baleti patëm fatin të kishim pranë baletmaestrin rus Georgi Perkun e, po ashtu, të madhin Panajot Kanaçi. Trupa e baletit interpretonte mjaft pjesë, të vëna në skenë nga Perkun, si kërcimet e shkëputura në iperat “Rusalka”, “Ivan Susanin”, “Nusja e shitur” etj., balete këto të përshkruara me detaje në librin me autorësinë time “Historiografia e Artit Koreografik Shqiptar”, botuar në vitin 2011. Në vitin 1954, koreografi P. Kanaçi përgatiti koncertin “Mbrëmje baleti”, spektakël ky i suksesshëm për kohën. Mbas disa shfaqjesh në kryeqytet, trupa e baletit u nis për në Shkodër, ku më 3 gusht 1954 dha spektaklin e parë në kinemanë verore, në qendër të qytetit. Për mua nuk kishte gëzim më të madh që në këtë koncert unë, së bashku me balerinën Sekine Sharofin kërcyem dy pjesë solistike. Pjesa e parë titullohej “Pranvera” e kompozitorit Grig, ndërsa e dyta “Vals rinor”, titulluar “Takimi”, kompozuar nga dirigjenti ynë Mustafa Krantja (motivet e këtij numri koreografik ishin frymëzim nga kënga popullore shkodrane “Karajfilat që ka Shkodra”. Ndër spektatorët e shumtë, në këtë koncert ishin të pranishëm edhe prindërit e mi, pa përjashtuar edhe shoqërinë time me të cilën kisha kaluar një pjesë të jetës sime. Dhe ishin karafilat e trëndafilat e shumtë që kurorëzuan mbylljen e këtij koncerti, dhuruar me plot dashuri nga spektatorët e këtij qyteti, që me bindje është quajtur “djepi i kulturës”. Për koincidencë, atë ditë kisha edhe ditën e emrit, kështu nëna ime e mirë, së bashku me të mrekullueshmen motrën time, Luçianën, kishin përgatitur një darkë modeste.

Po cilët ishin të ftuarit e familjes Suli në atë mbrëmje?

Ata ishin Gëzim Kaceli, Faruk Koka, Engjëll Tërshana, Tonin Harapi dhe kushëriri im, Aleksandër Gargjola. Mbas koncertit, me atë gëzimin tim rinor, me buqetën e luleve në dorë vrapova drejt shtëpisë ku banonte vajza që unë admiroja në adoleshencën time të hershme. Vendosa buqetën mbas derës së hyrjes, ku dukej oborri i rrethuar gjithandej me lule nga më të ndryshmet. Në çast mora vrapin për në shtëpinë time ku ishte mbledhur e gjithë shoqëria. Në fakt, edhe isha vonuar paksa, por nëna ime u mjaftua vetëm me një vërejtje, që më tepër ishte këshillë: “Pse mor bir u vonove?” Nënës nuk i dhashë asnjë përgjigje, por, ashtu siç isha në hyrje të korridori, e përqafova me dashuri e mall të pashtershëm. Darka kaloi me një temp gazmor. Nga mesi i natës shokët u larguan; unë mbajta, për të fjetur në shtëpinë time Gëzim Kacelin. Në mëngjes më doli gjumi aty nga ora 800. Për çudi, shtrati ku atë natë fjeti Gëzimi, ishte bosh. Unë, ashtu siç isha, i shqetësuar, hapa dritaren dhe hodha vështrimin drejt oborri, si përherë, i mbushur me lule bore. Vështrimi më kapi Gëzimin, i cili ishte zgjuar herët dhe po ujiste lulet. Bisedova me nënën italisht, në mënyrë që Gëzimi të mos e merrte vesh, se për çfarë bëhej fjalë dhe nëna më tha, se kishte mbetur e habitur nga Gëzimi që po ujiste lulet dhe më foli veç me miradije për të, duke e lëvduar edhe si kërcimtar në fushën e baletit. Para se të dilnim nga shtëpia, nëna i dhuroi Gëzimit një buqetë me lule, e për këtë, ai e falënderoi nënën time me mjaft dashamirësi. Bashkë morëm drejtimin për te kinemaja verore e qytetit, ku do takoheshim me grupin e baletit. Kur mbërritëm, Gëzimi u shkëput prej meje e shkoi drejt një balerine, që ai dashuronte dhe, teksa e përqafoi me mall, i dhuroi edhe buqetën e luleve. Teksa pashë këtë skenë, m’u krijua ideja që dashuria e parë mbetet e paharrueshme sa të jetë jeta. Kjo skenë më zhyti në melankoli e sakaq i bëra pyetje vetes: “Po A. S. a i ka marrë lulet që një natë përpara unë i vura mbas pragut të derës shtëpisë?” Më interesantja qëndron në atë, që vajzën e dikurshme e kam takuar mbas 55 vjetësh të njohjes sime me të. E përshëndeta me nostalgji e, po me nostalgji e pyeta: “A të ra në dorë një tufë lulesh te pragu i derës natën e 3 gushtit të vitit 1954, mbas koncertit tonë?” M’u përgjigj me një “po” të shkurtër dhe i dhamë dorën njëri-tjetrit si dy miq të dikurshëm të adoleshencës sonë të lumtur.

Nesër do lexoni:

-Si takova në Shirokë Tonin Harapin, Tonin Dajinë dhe Rikard Ljarjan

-Në kamp më habiti talenti i Roza Xhuxhës (Anagnosti)

- Tonin Harapin e përjashtuan nga shkolla, sepse të dielave i binte organos në kishën katolike

-Rikard Ljarja tek filmi “Radiostacioni” angazhoi babanë tim Ndoc Suli në një rol episodik

-Në Gjirokastër realizova tablonë koreografike “Luftëtarët” ku protagonist isha unë, kompozuar nga Çesk Zadeja, dirigjent ishte Roland Çene

Deri Këtu

-Dy momente të pashlyera, që kam nga artistja GjyzeKosturi

-Si vahdoi rruga jote drejt artit?

Mbas koncertit të vitit 1954, pushimet verore i kalova pranë familjes. Dhe po në atë vit e në atë periudhë u emërova drejtues baleti në kampin e pionierëve në Shirokë. Aty takova miqtë e mi shkodranë e, njëherësh edhe artistë e drejtues, sikurse unë. Dhe ata ishin Tonin Harapi, Tonin Daija dhe Rikard Ljarja. Kampi i pionierëve ishte ngritur përmbi një kodrinë të ulët prej ku shihej i gjithë liqeni i Shkodrës me atë ujë kristalor e i rrethuar gjithandej nga barkat e peshkatarëve.

Më çuditi talenti i këtyre artistëve, aq më tepër të shoqëruar nga kolegët e kampit si Roza Xhuxha (Anagnosti), motra e saj, Anxhe e të tjerë. Tonin Harapit i bëri përshtypje puna ime me valltaret e vogla, ndërkohë që Rikardi më shoqëronte me fizarmonikë.

Pak ditë para se të mbaronin pushimet, Tonin Harapi më takoi në veçanti e më tha: “Dedin, së shpejti do fillojmë provat me përrallën muzikore “Mësimi i pyllit” dhe do dëshiroja që pjesët koreografike t’i montoje ti”. Me shumë kënaqësi e prita propozimin e tij. Nuk kaloi shumë kohë dhe unë u ndodha sërish në Shkodër për të krijuar pjesët koreografike të shfaqjes “Mësimi i pyllit”. Në piano më shoqëronin Ndok Pistulli dhe Nino Saraçi. Ndërsa valltarë ishin Kolec Thani, Roza Xhuxha, Nikolin Ujka, Neta Shllaku e të tjerë, që për momentin nuk më kujtohen emrat. Premiera u shfaq më 20 shtator 1954. Dirigjenti i orkestrës së madhe të Shtëpisë së kulturës ishte vetë T. Harapi, autor i kësaj vepre muzikore.

-Pse u lidhët kaq shumë me Tonin Harapin?

Pasi ishte profesionist i shkëlqyer. Mbas premierës së kësaj shfaqjeje fëmijësh, e cila pati mjaft sukses, Tonini më ftoi për kafe e, njëkohësisht, të bisedonim për pjesën muzikore që sapo e kishte ulur siparin. Më përgëzoi për debutim tim të parë e që u pëlqye shumë edhe nga publiku shkodran. Gjatë bisedës, Tonini iu përgjigj pyetjes sime lidhur me profesionalizmin e tij drejt instrumentit piano. Tonini më tha se studimet për piano i kishte vazhduar në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe aty e ndërpreu bisedën Tonini e më tha: “Më mirë të mos e bisedojmë më këtë temë”. E kuptova se diçka e shqetësonte, ndaj ndërrova muhabet, sepse nuk doja ta shqetësoja më tej kompozitorin e talentuar. Në Tiranë e mora vesh se çfarë i kishte ndodhur Toninit. Një makth i vërtetë për artistin sa njerëzor aq edhe profesional. Në kohën që Tonini studionte për piano në lice, me pedagogun Tonin Guraziun, themeluesin e pianistikës shqiptare, e kishin përjashtuar nga shkolla sepse të dielave i binte organos në kishën katolike, që edhe sot e kësaj dite ndodhet në Rrugën e Kavajës. Por më tragjikja ishte se, mbasi ia kishin komunikuar përjashtimin në një sallë të mbushur me nxënës, e kishin nxjerrë jashtë shkollës duke përdorur dhunë fizike ndaj tij. E kush? Komunistët e asaj kohe, anëtarë të “Komitetit të paqes”. Megjithatë, qyteti i tij i lindjes, Shkodra, e përkrahu duke e emëruar shef të muzikës pranë Shtëpisë së pionierit.

Mbas shumë kohësh kompozitori u rehabilitua derisa arriti të shkojë me studime në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës. Nuk vonoi dhe Tonin Harapi u emërua pedagog në Konservatorin e Tiranës. Shoqërinë me T. Harapin, këtë kompozitor brilant, e vazhdova derisa ai, nga një sëmundje e rëndë, mbylli sytë në vitin 1992. Ky ishte muzikanti erudicionin e të cilit mund ta përmbledh me dy fjalë: “Njeriu dhe artisti”.

-Si vazhdoi miqësia e babait tuaj me Rikard Larjan?

Baba ynë, Ndoci, kishte dëshirë të shihte qoftë pjesë teatrale si dhe filma.

Një ditë prej ditësh rastësisht takon aktorin regjisor Rikard Ljarjen. Në muhabet e sipër, aq më tepër që Ndoci dikur, në kohën e rinisë, kishte pasur miqësi me të atin e Rikardit, biseda u përqendrua në një nga temat e ditës dhe baba i thotë Rikardit: “Në rininë time kam pasur dëshirë të bëhesha aktor”. Pa mbaruar fjalën, Rikardi i thotë: “Shpejt do të realizoj filmin “Radiostacioni” dhe ka shumë mundësi të të angazhoj në një rol episodik”. Nuk kaloi shumë dhe baba e interpretoi këtë rol me aktoren Drita Pelinku. Por çudia më e madhe ishte se ky film u xhirua në shtëpinë e baxhanakut tim, Agim Tartari.

Sa herë që takohem me shokun tim të hershëm Rikard Ljarjen, e falënderoj me shumë përzemërsi për atë mirësi që bëri për babën tonë të dashur që prej vitesh nuk jeton më. Por, sa herë që shfaqej filmi, ne fëmijët e shihnim me mjaft nostalgji portretin e tij.

Në janar të vitit 1962 më thirrën për të kryer shërbimin ushtarak.

Për mua nuk ishte e lehtë, që, në moshën 27-vjeçare të shkëputesha nga familja ime. Teatri i Operës dhe Baletit nga nevoja që kishte në repertorin artistik, kërkoi të shtyhej shërbimi ushtarak, por pa dobi. Kështu që u detyrova të shkoja ushtar dhe pranova ta bëja ushtrinë në Gjirokastër për hir të kohës dyvjeçare të ushtrisë (po të isha në Ansamblin e Ushtrisë ushtria do zgjaste 3 vjet). Në Gjirokastër u sistemova në Gërhot si përgjegjës artistik i repartit ushtarak. Gjatë kohës së shërbimit ushtarak angazhohesha në Shtëpinë e kulturës dhe në Pallatin e Pionierit të rrethit. Në këtë qytet realizova tablonë koreografike “Luftëtarët” ku protagonist isha unë. Muzika ishte kompozuar nga Çesk Zadeja, ndërsa dirigjent ishte Roland Çene. Po atë vit, me pjesëmarrësit e tablosë koreografike shkuam në Tiranë ku organizohej një konkurs ushtarak. Aty fituam edhe çmimin e parë, gjë që për atë kohë për ne ishte një sadisfaksion. Në Gjirokastër krijova shoqërinë time me poetin Agim Shehu, poet, Viktor Kolën, oficer i repartit ushtarak e ndonjë tjetër, të cilët me mjaft dashuri më hapën portat e shtëpive të tyre. Nga ushtria më liruan në shkurt të vitit 1963.

Në përfundim të shërbimit ushtarak vazhdova sërish me aktivitetin tim artistik në Teatrin e Operës dhe Baletit. Ajo që më gëzoi pa masë ishte pjesëmarrja ime në baletin kombëtar “Halili dhe Hajrija”, pa përjashtuar aktivitetin tim si krijues pjesësh koreografike në Tiranë e në qytete të tjera të vendit. Për këtë do flas më vonë.

Vajza jonë, Laura, po rritej përditë me atë buzëqeshjen e ëmbël, me dashurinë e saj për ne si prindër, por edhe për njerëzit tanë që e rrethonin me plot dashuri e plot kujdesí. Dashuria e saj për rrethin familjar ka qenë dhe është edhe sot e kësaj dite, kur tash që po shkruaj për të, është 53 vjeçe, e pandarë nga prindërit e saj të dashur.

Dy momente të pashlyera, që kam nga artistja GjyzeKosturi

Episodi 1

Në përfundim të premierës së parë “Madam Baterflai” (nata e parë, dt. 29.03.1961), mbasi dalin të gjithë debutuesit e operës në avanskenë, i vjen radha edhe protagonistes së kësaj opere, Baterflait, mishëruar te Gjyze Kosturi. Stuhia e duartrokitjeve të publikut në sallë qe elektrizuese dhe s’kishte të mbaruar (ngrin në skenë duke e drejtuar shikimin nga qielli për atë që mendonte dhe lutej artistja e që e ndante kubeja e sallës. Gjyzja po bënte lutjen dhe falënderonte të madhin Zot, siç kishte bërë gjatë gjithë jetës së saj. Kur drejtoi shikimin nga publiku i entuziazmuar, lotët e gëzimit nuk kishin të sosur në sytë e saj të bukur dhe të lëngshëm; artistja jonë e madhe po qante me lot gëzimi. Mbasi u përshëndet me publikun, ulet perdja dhe ajo gjen një karrige, ku qëndron rreth 20 minuta për të marrë veten. Nuk donte të komunikonte me asnjeri, as me kolegët, partnerët dhe miqtë e saj, aq e dërrmuar dhe njëherësh e lumturuar ishte...

Derisa hapi derën e shtëpisë, ishte pranë Zotit dhe kuvendonte me të. Në kontaktet e para me familjen e saj qëndronte e heshtur, e habitur dhe, njëkohësisht, shumë e lumturuar. Sipas dëshmisë së djemve të saj, Valterit, Vilit dhe Volfit, ajo u ndry në dhomën e saj për të vazhduar lutjen përpara figurës së Shën Mërisë, që e mbante të fshehur në reliktet e saj më të çmuara!

Kjo ishte Gjyzepina Kosturi!

Episodi 2

Një ditë vere, s’më kujtohet viti, as muaji, në plazhin e Durrësi ku po kalonte pushimet verore familjarisht, takova zonjën Gjyze rastësisht pranë çezmës, duke mbajtur radhën si gjithë të tjerët, për të mbushur bidonët me ujë, që pastaj djemtë e saj t’i çonin te “çadra e famshme”, e vetmja strehë e tyre përgjatë dy javëve rresht. Artistja e madhe po pushonte nën një çadër sajuar me çarçaf! Çfarë ironie! Besoj se nuk do koment. I afrohem, duke i puthur dorën me shumë respekt e drojë e i drejtohem me këto fjalë: “Ju zonja Gjyzepina jeni një artiste e madhe e skenës së operës sonë. E di që jeni shumë e tronditur dhe e sfilitur nga burgosja e djalit të madh, Valterit, që besoj se njëqind për qind është i pafajshëm. Sa bukur ua shpërbleu pushteti popullor mundin, sakrificat!” Ajo m’u drejtua, duke më shikuar thellë në sy dhe më tha: “Zoti është i madh dhe mëshirëplotë. Edhe Jezu Krishtin e kryqëzuan, por ai iu drejtua atit të tij me këto fjalë: “Fali ti Zot, se s’dinë çfarë bëjnë”.

Mbasi u përshëndeta me artisten e madhe, kolegen tonë të punës, Gjyzepina Kosturin, vështrimi im së largu mbeti tek ajo, tek ai njeri i madh që me duart e saj delikate po mbushte bidonët me ujë për familjen e saj (që regjimi diktatorial djalin e madh ia burgosi me nenin famëkeq për agjitacion e propagandë), e që afrohej te një çadër ordinere për të kaluar dyjavëshin “e famshëm” të pushimeve verore. Mbeta i mpirë, por jo i habitur, se edhe unë në këtë realitet të hidhur jetoja.

-Po jashtw shtetit nuk keni dalw para se tw vinte demokracia?

Viti 1987 ishte një vit me një të papritur tejet të këndshme – vizita ime e parë në Itali, më konkretisht në Milano, ku do takoja njerëzit e mi të dashur si hallë Angjelinën dhe vajzat e saj e, po ashtu edhe hallë Xhorgjinë. Për fat të keq im atë, sa ishte gjallë nuk arriti t’i shihte motrat për 40 vjet rresht.

Ishte marsi i këtij viti kur u nisa për në Milano. Udhëtimi u bë me traget nga porti i Durrësit drejt qytetit të Triestes. Atë natë e kalova pothuajse pa vënë gjumë në sy. Ishin emocionet ato që më kishin pushtuar të tërin – do takohesha me dy motrat e tim eti. E, po ashtu, do takohesha edhe me dy motrat e nënës time, Albën dhe Lidian. Ndërkohë ime më kishte ndërruar jetë dhe nuk arriti të takohej qoftë edhe një herë me të motrat, të lindura e të rritura në Itali. Në 45 vitet e monizmit e kishim të ndaluar të takoheshim me njerëzit tanë që ishin të një gjaku me ne. Dhe jo vetëm ne. Nuk dua t’i hyj këtyre ndodhive, por dua të them që hidhësinë e këtyre kujtimeve e përkujtimeve i ka përshkruar mjaft bukur i nderuari Atë Zef Pllumi në librin e tij “Rrno për me kujtue”. Ndaj, edhe unë po vazhdoj me ditarin e rrugëtimit tim ndër vite.

Në stacionin qendror të Milanos më pritën dy vajzat e hallës, Karmelina dhe Dolorezi. Me makinën e tyre shkuam në shtëpinë e hallë Angjelinës. Sa emocione pata kur u takova me hallën time dhe me bashkëshortin, Vinçencon. Halla më përqafonte përmes rigave të lotëve nga gëzimi e malli që ajo mbartte në shpirt.

Me rastin e vizitës time, familja e hallës shtroi një drekë, ku ndodheshin edhe dy dhëndurët, Pino dhe Silvio. Kur dreka mbaroi, kaluam te dhoma e pritjes. Të parën dhuratë që unë i ofrova kësaj familjeje ishte një album fotografik familjar ku kishim renditur me qindra fotografi. Një pjesë e fotove kishte stampën e fototekës “Marubi” në Shkodër. Fotot nisnin që nga fëmijëria e hallës e që ndiqnin një vazhdë pamore derisa ajo mori rrugën për në Itali. I shihte halla fotot dhe një mall tejet melankolik shquhej në fytyrën e saj fisnike. Kujtonte jetën e vet e të prindërve të saj ku nuk mungonte, farefisi deri në detaje. Për këtij çasti do t’i lë vend përshkrimi edhe më poshtë.

Të nesërmen dolëm të gjithë bashkë në qendër të Milanos ku ishte kisha e Duomos. Kjo kishë më mahniti me bukurinë e saj arkitektonike që nga lashtësia e saj monumentale.

Mirëpo ditët e bukura kalojnë shpejt. E vizitova Milanon që nga rrugët e sheshet e saj e deri në teatrin madhështor, “Scala”-n e famshme, ku pata fatin të ndiqja nga afër baletin “Zhizel”, nën interpretimin e artistëve të mëdhenj si Ana Raci dhe Rafaele Paganini.

25 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page