top of page

DAUTI HOXHA MËSUESI DHE SHKIMTARI I NDERUAR I QYTETIT TONË


SHPENDI TOPOLLAJ




Në qoftë e vërtetë se miku ynë Daut Hoxha është 85 vjeç, atëherë edhe neve na lind e drejta që të mendojmë se nuk kishte aspak të drejtë skenaristi dhe shkrimtari amerikan Truman Kapot, kur thosh se “Jeta është një vepër relativisht e mirë me një akt të tretë të shkruar keq”. E them këtë, pasi përveç një shkopi që e mban këto kohët e fundit, për të mos e marrë më sysh, ai në asgjë nuk të kujton plakjen, të cilën, sipas dikujt, njeriu e kupton nga çasti kur qirinjtë kushtojnë më shumë se torta. Duke arsyetuar kështu, nuk sjell si argument vetëm energjitë fizike të këtij qytetari dhe mësuesi të nderuar durrsak, që përherë do ta gjesh duke diskutuar me zjarr e mirësi mes shokëve dhe miqve të shumtë, por së pari, duke e gjykuar atë nga veprat e shumta që ka shkruar e botuar pareshtur. Pastaj, duhet theksuar se shkrimtari Daut Hoxha ka nisur të merret seriozisht me letërsi, në kohën kur demokracia fitoi terren në vendin tonë. Deri aso kohe, ai kishte bërë ca prova me shumë rrezik, duke mbajtur fshehtazi një ditar (botuar në vitin 2015), më shumë nga mospajtimi djaloshar me të keqen, sesa me synimin që të bëhej shkrimtar i mirëfilltë. Ishte një kohë e ndërtuar mbrapsht, që kishte akord të plotë me komediografin latino - kartagjenas Terenci, i cili fare thjeshtë pati thënë “Obsequium amicos veritas odium parit”, pra “Përgëzimi siguron miq, e vërteta siguron urrejtje”. Dhe te ne, karakteri i fortë apo guximi për të qortuar, jo vetëm shkaktonte urrejtje, por sillte dhe ndëshkime, deri në shkatërrimin e jetës. Kuptohet, se formimi rebelues i Dautit, është formësuar sidomos atje në Kampin e Valshukut, ku ai teksa punonte, shihte sesi vuanin padrejtësisht vite të gjata burgimi dhe tortura cfilitëse shpirtëre dhe trupore, djem të pafajshëm, që e donin atdheun e tyre pa flamën komuniste. Po ta shohësh krijimtarinë letrare të Daut Hoxhës, do konstatosh se ai në poezitë, tregimet, tre romanet, por edhe në studimet dhe publicistikën e tij, priret nga ideologjia social demokrate, idetë liberal - borgjeze të së cilës, filluan aty nga fundi i shekullit të XIX - të, dhe në Shqipëri, u përfaqësuan nga figura të shquara atdhetare. Daut Hoxha, asnjëherë nuk e ka lënë jashtë vëmendjes problemin kombëtar. Për të Kosova dhe Çamëria mbeten plagë të mëdha. Në një poezi të tij, të vitit 1957, ai e quan Kosovën martire zemra e kombit, pushka e burrit, lule e mençurisë, shqiponjë në fluturim, tokë e ndaluar që ka ndarë me tel me gjemba vëllanë nga motra, si rrjedhojë e shpatës së poshtër të historisë. Nga viti 2018, Dauti ju përvesh punës jo të lehtë për ta sistemuar krijimtarinë e tij, duke e botuar atë në disa vëllime, si vepra të zgjedhura, te shtëpia botuese ADA e mikut tonë Roland Lushi, ku tre janë realizuar dhe e katërta është në proçes. Por Daut Hoxha me zemërmadhësinë e tij, është i respektuar në qytetin tonë si nga ish nxënësit e tij, tani të rritur, ashtu dhe nga kushdo që e ka njohur edhe për vlerat e tij njerëzore dhe familjare. Diku, te një poezi, ai shpreh dhe shqetësimin se ka qëndruar në mes të rrugës dhe nuk e di se ku do të shkojë. Dhe unë do t`i kujtoja se përgjigjen e pati dhënë Pushkini i madh kur thosh: “ Ah, sikur vetëm një çast, / Për ju zbavitje dhe gëzim, / S`do desha tjetër shpërblim. / Do isha i lumtur dhe plot gaz, / Që në këtë botë pa mbarim, / Diçka dhe unë lashë pas. / Oh jo! Lira ime jo më kot, / Këndoi dhe erdhi në këtë botë.” Dhe e siguroj se edhe ne do t`i mbetemi përherë miq të sinqertë atij, duke i dhënë gëzim. Se fundja, Dauti duhet ta dijë se ai poeti nga Megara, i para 24 shekujve, Teognidi, kur tha se “Miq e shokë gjen shumë në gosti gjithnjë / Po kur ke ndonjë hall, nuk gjen dot asnjë”, nuk e kishte fjalën për ne. Prandaj kështu si sot, të na ftosh në gosti edhe pas pesëmbëdhjetë vjetësh. Se edhe Anakreonti, nga Teosi i Azisë së vogël, kur mbushi 85 vjeç, shkroi: “Larg meje shkopin! Nuk e dua, / Sinbolin e plakut, ma largoni, / Mbushur plot kupën nëm`ni mua, / Më shtini verë, mos më harroni”. Dhe me krijimtari, verë e gosti, del se edhe akti i tretë është shkruar mjaft bukur.



42 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page