Nga Petrit Malushi
Dashuruam ne !…
Pa vërtitur celularë nëpër duar,
Selfie pa dërguar, figurë e zë,
Pa nisur mesazhe të koduar,
Foto pa përcjellë një pas një …
Dashuruam ne !
Pa mbuluar gushë, gishta me bizhu,
Mbi makina luksoze pa u krekosur,
Pa veshje gjysmëlakuriq, ngjyrë dru,
Flokë e thonj pa i ylberuar e llakosur…
Dashuruam ne !
Pa qenë alkoolistë etjepashuar,
Duhanpirës a drogistë mendje “pa shteg”,
Pa shëtitur qen të çdo rrace rripshtrënguar,
Faqe e gjoks pa i fryrë si ajërbeg …
Dashuruam ne !
Ne, pa vaditur ëndërra qiellore
Të bukurën, pa zbukurime e kërkuam.
Ndjenjaçiltër fjalët zbraznim “në llogore”…
Shpirtkristal, zemërpranverë dashuruam !
„Kundërshti „
Të thjeshtat fjalë nuk u qasën
T’i lidhja në fjali, m‘u shpërhapën.
Të mirat nuk u bindën
T’i bëja vargje, m‘u larguan.
Të bukurat nuk u joshën
T’i thurja strofa, m‘u shëmtuan.
Të ëmblat nuk pranuan
T’ë ndërtoja vjersha, m‘u hidhëruan.
Për bëmat dhe emrat tuaj epidemikë:
Mashtrues, hipokrit, servil, korruptues...
Nuk dëshironin të bëheshin shtrat puplor
Dhe strehëz me dega dafine !
Comentários