top of page

Dashuria - pengu i kinemasë shqiptare*


Vangjush Saro

Nga Vangjush Saro


Dashuria - pengu i kinemasë shqiptare*


Ndër momentet ku kinemaja shqiptare dhe gjithë krijuesit e saj heshtin e meditojnë trishtueshëm, mbase edhe pendohen e vuajnë, është edhe mungesa koherente e jetës intime, e dashurisë në përgjithësi. Kjo temë e, përkitazi, skenat intime, në të gjitha veprat filmike, në art përgjithësisht, përdoren për të ‘vizatuar’ çaste të rëndësishme, në akord me zhvillimin dramaturgjik të veprës, në akord me tregimin a përvojën që kjo përcjell në publik. Për vetë rrethanat, në kinemanë shqiptare këto episode janë kaluar me ndonjë shikim, buzëqeshje, e shumta me ndonjë përkëdhelje. Këtë ‘peng’ e kam cekur disi edhe në shënimin e mëparshëm për kinemanë, atë me titull “Kinemaja shqiptare në një stad të ri”, por në këto radhë, kjo mangësi vështrohet më në gjerësi, me ndikimet e saj profesionale, në brendi dhe në formën artistike të filmit.

Natyrisht, nuk heq asnjë presje nga ai shënim dhe nga një sërë shkrime, ku përpiqem të vlerësoj çka ishte pozitive dhe me vlerë, sadopak vlerë, në gjithë krijimtarinë e trashëguar. Ndërkaq, le të themi me thjeshtësi e drejtësi se në filmat shqiptarë të rendit ‘tjetër’, por edhe këtej në tranzicion, dashuria nuk është aq një dimension njerëzor, një arsye për të jetuar e luftuar, se sa një shtojcë e jetës dhe problemeve të tjera sociale. Të kohës.


‘Të shoh në sy’ (N. Lera, M. Shanaj) në role: E. Diamanti, A. Imami,

Për hir të së vërtetës, në fillimet e veta, sado që gjithnjë nën censurë dhe - për keq a për mirë, nuk jam i sigurt - nën ndikimin e kinemasë sovjetike, filmat shqiptarë, si “Tana”, “Vitet e para” etj., i kishin më me tepri skenat intime; së paku kërkimin për to. Në filmin e hershëm “Tana” (F. Gjata, K. Dhamo) shohim N. Frashërin e T. Kurtin në rolin e dy të rinjve që e realizojnë dashurinë e tyre, por përmes një sërë pengesash. Në film nuk mungojnë çastet idilike - me njëlloj ndikimi, siç u tha edhe më lart, nga kinemaja sovjetike - skena e përqafime që më vonë nuk do të shiheshin shpesh në filmat artistikë shqiptarë. “Vitet e para”. Pavarësisht vështrimit krejt ndryshe sot të ngjarjeve që vijnë në këtë film (bëhet fjalë për tharjen e Kënetës së Maliqit) ka disa skena të tilla, me një qasje intime. Janë në fillim të një lidhjeje të rinjtë vullnetarë Vera dhe Dalip (nga rolet e para të aktorit të paharruar të karaktereve J. Riza). Por në brendinë e asaj që po themi, ka ledhe e flirte edhe në raportin midis Zyraka Mingës (në rol M. Xhepa) e Stavri Larës (në rol P. Mani).

Më pas, duke u larguar edhe nga ‘shoqëria’ e vendeve të Evropës Qendrore e Lindore - gjithsesi, ishin vende e komunitete më të emancipuara se ne - ashtu si çdo produkt artistik a fushë e jetës, edhe kinemaja filloi të binte edhe më tej në skematizëm; kurse termi ‘dashuri’ u bë pothuaj njëlloj mëkati, së paku deri në fillim të viteve ‘80, kur diçka pak filloi të ndryshonte në përkthime, në teatër e film.

Është e dhimbshme, por në pasurinë e madhe filmike të disa dekadave, ka aq pak dashuri. Gjeste. Flirte. Puthje e skena intime jo që jo. Nuk është fjala për t’i parë intimitetet apo shtratin si qëllim në vetvete, por në funksion të zhvillimit të dramaturgjisë së filmit dhe, njëherazi, si një mbështetje për anën spektakolare të tij. Në shumë filma, aktorët vetëm sa shikohen në sy e ndonjëherë kapen për duarsh. (“Si gjithë të tjerët”, “Zonja nga qyteti”, “Yje mbi Drin”, etj.) Në filmat e K. Mitros dhe I. Muçajt, ndër kineastët që iu qasën temës së dashurisë me shumë sukses, ka kërkime në këtë temë, por në mënyrë të limituar, kryesisht si pjesë ilustruese të temave sociale që ata kanë trajtuar. Janë aq shumë kuadro filmi që kanë pasur nevojë për skena intime; dhe ato kanë munguar: “Apasionata” e “Njeriu i mirë” (sipas novelave të D. Agollit) dhe “Duaje emrin tënd” (skenari N. Lera). Skenat e dashurisë (së munguar) mund të kishin

‘Duaje emrin tënd’ (N. Lera. I. Muçaj, K. Mitro) në role: N. Xhepa, R. Bulku

formuluar më shumë ‘fat’ edhe për filmat “Dhe vjen një ditë” e “Flutura në kabinën time” (T. Laço, V. Prifti) apo “Hije që mbeten pas” (D. Çuli, E. Musliu) ku me gjithë gjetjet dhe mizasenat e punuara mirë, dashuria është gjithnjë pjesë a shtojcë e një konflikti tjetër social. Te ‘Në çdo stinë” (B. Hoxha, V. Gjika) edhe pse ka skena të bukura, pengu politik rëndon mbi pengun e dashurisë. Filmi “Shirat e vjeshtës” (N. Tafa, S. Pecani) gjithashtu e vë dashurinë në një provë sa vetiake, aq edhe sociale.

Në filmin “Familja ime” të kinoregjisorit A. Xholi (skenari R. Theohari) të dashuruarit bëjnë një hap më shumë, së paku sa iu takon ‘kushteve të dashurisë’; ata kërkojnë ‘kohë’ për t’u njohur dhe kjo vërtet që ishte… e parakohshme. Regjisori në fjalë gjithnjë ka synuar të sjellë tema sociale sa më pranë së vërtetës; ai i bën shumë vend pjesës njerëzore të dashurisë, që mbulon shumicën e skenave të filmit, bie fjala te “Fillim i vështirë”; kurse te “Shkëlqim i përkohshëm” ai realizoi për të parën herë në kinemanë shqiptare një puthje të vërtetë (e thënë ndryshe ‘puthje sagllam’, siç u shpreh një moderatore e njohur në TV, gjatë bisedës me aktorin protagonist të filmit).

Një përpjekje të vlerësueshme në këtë temë, bëjnë Dh. Anagnosti në filmin “Në shtëpinë tonë” (skenari K. Blushi); P. Milkani në filmin “Në prag të jetës” (Skenari V. Koreshi), si dhe kinoregjisori S. Pecani në filmin “Vetmia”. Po ashtu, kinoregjisori E. Makri në filmin “Shpresa”, me skenar të Dh. Xhuvanit, film ku dashuria e Piros (një inxhinier i ri, të cilin e luan vetë E. Makri) dhe Shpresës (një vajzë e përgojuar, luajtur plot hijeshi nga aktorja M. Makoçi) shpesh vendoset në një sfond lirik dhe në peizazhe herë të çelura e herë gri, sipas zhvillimit të ngjarjeve. Në disa filma televizivë, dashuria gjithashtu ka qenë e përfshirë dukshëm në dramaturgji; ka ardhur disi në mënyrë poetike, ashtu në shenjtërinë e vet, shpesh me patetizëm; megjithatë, përgjithësisht, pa shumë lidhje me zhvillime të brendshme të jetës së personazheve dhe pa skena intime. “Unë e dua Erën” (B. Myftiu, A. Minga) “Të shoh në sy” (N. Lera, M. Shanaj)

Pra, tema nuk mungoi, si e tillë, në asnjë art të asaj kohe; por ishte pak për çfarë duhej kërkuar e realizuar dhe për çfarë po flasim. Dashuria nuk ishte pjesë koherente e veprës artistike, në kuptimin më të gjerë të fjalës, si subjekt, si ndjenjë, si mundësi shprehjeje, si pistë ku drama dhe personazhet zbërthehen dhe ‘vizatohen’ plotësisht e pa brutalitetin e ndikimit ideologjik apo të moralit të kohës, që i çonte autorët në skena ku bashkëshortët apo të dashuruarit ngjanin më tepër si shokë... Arsyet pse ka ndodhur kështu, mund të gjenden lehtë në kufizimet e kohës, në ndërhyrjen e komisioneve dhe të censurës, që në disa raste kanë coptuar skenaret dhe kanë prerë aktet e skenat e xhiruara. Por nuk mund të mos ndalemi edhe te efektet e autocensurës; në një kuptim, ftohtësia e vetë autorëve ndaj kësaj teme. Nuk besoj se gaboj shumë nëse them që duke e ditur se mund të kishin telashe e, fundja, nuk lejohej puthja e intimiteti, autorët vetë i shmangeshin këtij dimensioni; jo thesht temës së dashurisë, por sidomos skenave intime, duke mos kërkuar shumë nga aktorët, duke mos guxuar për mizansena e vizatime të përafërta; me pak fjalë, duke i rënë shkurt… Po ashtu, pak mund të flitet në lidhje me atë se sa e përgatitur ishte për këtë ‘sakrilegj’ vetë familja shqiptare, si palë shikuese, por edhe ajo e vetë interpretuesve.


‘Amnistia’ (B. Alimani) në rol L. Bitri.

Për fat të keq, kjo ‘shkollë’ me prirje frenuese u shfaq për një kohë të gjatë edhe në filmat e xhiruar pas viteve ‘90; tradita të merr përpara dhe, nga ana tjetër, autorëve iu mungonte përvoja dhe sensi realizues në këtë temë. Filmi “Vdekja e kalit” e kinoregjisorit S. Kumbaro, skenari N. Tafa (filmi u realizua me kontributin edhe të kinoregjisorit A. Xholi) theu për së pari tabunë e jetës intime, të seksualitetit madje, si episodi më i nxehtë dhe ndonjëherë më domethënës i dashurisë, si akt e marrëdhënie jetike, që pasuron dhe shtyn më tej subjektin, i jep tonalitete të ndryshme ngjarjes. Më tej, u panë të tjera skena aso e kërkime në këtë temë edhe në filmat “Trishtimi i zonjës Shnajder (P. Milkani) e “Parrullat” (Y. Aliçkaj, Gj. Xhuvani) për të vazhduar me “Maya” (L. Lleshanaku, P. Vasi) “Amnistia” (B. Alimani) etj.

Sot filmi përballet me kërkesa të tjera; dimensioni bashkëkohor është një sfidë e madhe, që ndonjëherë të tremb dhe e reshton temën në fjalë (dashurinë) krahas gjithë vështirësive dhe pamundësive të tjera.

Duke u përpjekur që në këto radhë të jem sa më i drejtpërdrejtë, por edhe mirëkuptues, vij në një riqasje me çfarë është shprehur në shënimin tim të mëparshëm, atë me titullin “Kinemaja shqiptare në një stad të ri”. Duhet të përsëris që kinemaja shqiptare, e së shkuarës, por edhe ajo e së tashmes, kanë shumë pengje. Bie fjala, ato kishin një qytet, ja nuk po e zmadhojmë, një qytezë të tyre; nuk e kanë më. Ato janë zhvilluar në një rrugë me mundime dhe sakrifica, kanë provuar ç’është arritja, por edhe ç’është skarciteti e mërzia nga një (gjoja) vepër arti; më në fund, ato kanë provuar e provojnë edhe ç’është përbuzja. Ka pasur dhe ka filma, që për shumë arsye, përfshi edhe atë të mungesës së dashurisë dhe intimitetit, janë larg vëmendjes së shikuesve dhe mendimit artistik.

Megjithatë, filmi dhe autorët e tij janë duke luftuar për më shumë. (Mbase ‘luftuar’ tingëllon pak e tepruar, por le të mbetet termi.) Edhe pse në kushte të vështira, kinemaja shqiptare po i kapërcen shumë nga ngërçet e trashëguara, mes tyre edhe mungesën e jetës intime dhe të dashurisë, paçka se është vetëm njëri nga episodet e shumta ku lipset vëmendje; e ardhmja e këtij arti duhet ndërtuar më mirë, me më shumë profesionalizëm, me më shumë investim.

……………………………………………………………………………………

107 views0 comments

ความคิดเห็น


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page