top of page

Dashuri në errësirë




Vullnet Mato


TALENTI POETIK I KATËR MALEVE TË GOLLOBORDËS

Dua të shprehem që në frazën e parë, se talenti i lindur, është mundësia dominante, për të arritur me punë krijuese, suksesin e një krijimtarie cilësore në poezi. Poeti i ekspozuar me vonesë në poezinë shqiptare, Zeqir Hysa, më ka lënë të mahnitur, me sistemin e tij metaforik, në pothuaj të gjitha poezitë e këtij libri. Me gjithë prezantimin e prejardhjes së tij, ende nuk e kuptoj, se si një mësues fshati, në zonat e thella të Dibrës, të ketë një aftësi shprehëse poetike, të këtij niveli, me një fjalor artistik, kaq të spikatur, sa rrallë herë e ndesh edhe në poetë të formuar nëpër katedra letërsie të kryeqytetit. Sepse ai nuk merr ndonjë model të gatshëm poetik, por ka intuitën e vet krijuese. Pra, siç përmenda më sipër, janë talenti, intuita dhe puna ngulmuese me vargun, ata faktorë ndihmëtarë, që kanë mundësuar daljen në dritë të këtij libri dinjitoz. Me të cilin, ky poet dëshmon se është unikal në ligjërimin e vet, ku bukuria magjike, është një veçori tipike, që e bën poezinë e tij të bukur, fisnike, e dinjitoze.

Ajo që të bën përshtypje, në arkitekturën ndërtimore të poezive të këtij autori, është se të gjitha mendimet dhe idetë e tij, ai i thur, duke flatruar me krahë të fuqishëm metaforash origjinale, në shtrirjen kohore aktuale, dhe në hapësirë territoresh periferike.

Për të krijuar një ide paraprake, se si i thur lidhjet metaforike ky autor, po rendis disa strofa, nga lirika e poezi të ndryshme, ku dashuria, ëndrra dhe malli, ndërthuren shpesh herë në vargun e lire, të çliruar nga metrika dhe ritmi, por me peshë të posaçme, në idenë artistike që kumton me timbrin e zërit të tij:

“Ah, shiu, nostalgji e bukur,

hakërrimi ndaj meje, skish të mjaftuar,

se me një atom dashuri më kish gëzuar.

A thua, rastësisht jam në kohë e vend të gabuar?

Por jam tmerrësisht i dashuruar,

E pres, siç pret dielli të largohet mjegulla,

se në dashuri ka disa rregulla.

E s’ma ka fajin dielli dhe shiu,

zemrën time, ajo zemërgurja ma ngriu...”

   *      *      *

“Mos qofsha poet dhe të më shqyejnë arinjtë,

që gosti të tyre të parë, kanë kavaleta misri në arë,

po unë jam merimangë, që di bukur të thur,

rrjetë të hollë poetike, me laps të mprehtë,

për botën ekzotike...”

  *       *      *

Sipas gjykimit tim, në sferën e mendimit kritik për jetën,  kemi të bëjmë me një poet të natyrës migjeniane, kurse në rrafshin e ndjesive njerëzore, Zeqir Hysa është një lirik i ëmbël, që e shkrin pasionin e vet, në dashurinë e ngrohtë  femërore, në përshkrimin e bukur imagjinar të figurës së saj  

gati përrallore:

“Sytë e mi të etur e të unshëm për ty,

të dallojnë, të pikasin,e të rrokin

mes turmave mizëri,

sytë e mi, që ty të mbajnë,

e të duan si perëndi.

Ata sy të bekuar,

që zëvendësojnë

Niagarën e shkumëzuar,

me valëza përrallore,

të lëshuara nga lart,

të qëndisura me lule e ujë të artë...”

Zeqir Hysa, ka një mënyrë përshkruese shpesh herë metaforike të portretit njerëzor dhe gati mistike të perspektivës së tij, si banor i jetës së ashpër të zonave malore të vendit tonë. Ai na prek dhe na merr për dore nëpër honet e trishtimit të poetit, aty ku dhimbja ndërton serat e vuajtjes, ku rriten brezat e ardhshëm në fshatrat e thella.

“Ti linde si një këngë epike,

se i duhesh kohës pa kohë,

për trimëri platonike.

Një pushkë gjithë natën,

kur linde ti këndoi,

jehonën e lindjes tende,

në male e dërgoi.”

Ky autor bart brenda vetes sekretin magjik të skalitjes së fjalës dhe vargut poetik, ndërton ligjërimin e vet, pa zhurmë, por me një dashuri njerëzore e dhimbje të ndjerë thellë brenda qenies se vet. Edhe për misionin e tij poetik, si zëdhënës i kësaj kohe të turbullt, ai shprehet me shqetësimin e natyrshëm për ardhmërinë shqiptare:

“Kur i pamësuari mëson,

mjeshtërinë e të qenit,

papagall i instinktit,

arti venitet ngado,

po jo brenda vetes së servilit;

Ku qorrollisen poetet e vendit tim,

që shumohen si bletët

ne horizontin e krijimit.

Muza, pronë e titanëve.

Ajri e natyra, pronë e oligarkëve,

e jeta natë errësire,

ku dita gdhihet pa ditë.

Poetët si hije dishepujsh,

skalisin në letër perënditë.”

Ai të magjeps me mirësinë e tij dhe me dashurinë nostalgjike për vendlindjen, Gollobordën e paharruar dhe malet e saj me histori epike.

“Zyli, Krioshia, Raduci e Koritniku,

male të vendlindjes,

nga jugu feksin që në mëngjes, “   

 *      *     *

Një frymë jete, diku në bjeshkë,

plot me stane, e lehje qensh,

natyrë të virgjër do të gjesh.

  *      *        *

“Të kam në mendje kudo që vete,

vendlindja ime je, Golloborda historike,

e mrekullueshme je,

Poezi për ty do thur me endje.

Në poezinë e këtij autori, nuk mungon mendimi filozofik, i formuar nga përvoja e tij jetësore, në kushte e përplasjes shpirtërore me vështirësitë ekonomiko shoqërore dhe shkaqet e keqësimit të tyre.

“Jam si i verbuar,

se sytë kanë harruar diellin

dhe edukata njeriun.

Furtuna rrëzon, pemët e kalbura,

ku mendimet qorre, bien,

si fletë gjethesh vjeshtë të hedhura.”

Në shumicën e rasteve autori vjen direkt nga thellësitë dibrane, me sy zhbirues, për të sjellë te lexuesi pasqyrimin e kthjellët të krahinës se tij me kontraste të mëdha jetësore. Nga qëndresa njerëzore me zemër të ndjeshme dhe durim stoik para  horizonteve, ku bardhësia e borës se akullt dhe vërshëllimat e murrlanit dimëror të mekin brenda banesave fshatare. Për të cilat ai shpërthen zemërimin e tij poetik, për ata që kanë krijuar këtë gjendje të rëndë:

“Shtrëngoj dritaret, nga kjo erë e marrë,

që sillte dimrin e egër afër sa më parë.

Murrlani me sy të zgurdulluar uturinte nga larg,

dallgët e stuhisë i sillte varg e varg.

Po fshatari këtu qëndron i fortë si shkëmb,

me ta lufton dhëmbë për dhembë.

I vendosur i pa kërrusur,

natyrën mes këtyre maleve shtrënguar,

jetën mes tyre fort e ka ndërtuar.

    *      *     *

 “E këtu më shesin mend maskarenjtë,

me orgji fjalësh,

që çdo gjë kane vjedhur e shitur,

 edhe ajrin po e japin me PPP,

këta bastardë e oligarkë,

si statuja të akullta,

kambanat i bien rrëmujës,

me njerëz e milet të vdekur. “

Pra siç shihet, kemi të bëjmë me një poet mjaft premtues, në universin e lirikës shqiptare, një zë të veçantë, plot dritëhije, komunikues, plot pasion, dinamik, i ëmbël, e magjik, që e shndërron fjalën në një gjymtyrë të veçantë të shpirtit të tij, të mbushur me frymëzim dibran, me frymë të të ngjeshur nga çekanët e mjeshtërisë ndërtimtare  gollobordase. 

Për t’ia lënë me tej në gjykim lexuesit, talentin dhe natyrën komplekse të krijimtarisë poetike të autorit Zeqir Hysa, kam mendimin shpresëdhënës, se me poezitë e këtij libri dhe me librin tjetër që ka gati, ky poet, shumë shpejt ka për t’u bërë i njohur në faqet e vlerësuara të letërsisë artistike shqiptare, mes emrave krijues të brezit të vet.  

#Vullnet #Mato - Shkrimtar, “Personalitet i shquar”

35 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page