Shire Caka Kasapi, shkruan:
DARKË DASHURIE...!
Ishim 20 vajza të reja lushnjare që përqafuam nismën për të shërbyer në zonat e thella malore të vendit.
Nuk e dinim ç'na priste. Dinim që ishim të reja dhe përballonin çdo vështirësi, sepse në fund të fundit për vështirësi po shkonim, për të dhënë dije dhe përvojë. Njerëz kishte dhe atje, fëmijë kishte dhe atje, që mezi prisnin të mësonin e të shkolloheshin.
Të them të drejtën, fillimi qe i vështirë.
Mua më qëlloi të punoja në Flet të Pukës , në zonën e Fushë-Arrësit,
në këtë fshat të thellë malor, por mjaft romantik, me pishat gjer në re.
Ishim mësues nga mjaft krahina: nga Korça, Lushnja, Vlora, Shkodra dhe nga vetë Puka. Një kolektiv me mosha të ndryshme, por të gjithë rinor nga shpirti.
Nuk mund të harroj shkodranin Burhan Gjylbegu, që me humorin e tij fin shkodran, na e bënte më të bukur ditën, apo Zoto vlonjatin, babaxhan, që nuk mërzitej kurrë, që ne femrat e urdhëronin, si pa të keq.
Ne banonim në shkollë dhe bashkëjetesa kërkonte mjaft gjëra: duhej të lanim, të pastronim dhomat, të gatuanim, etj. etj. Por ama, asnjëherë nuk duhet harruar, se pukjanët e mirë na sillnin çdo ditë bukë gruri nga qyteti me kalë, ndonse vetë hanin bukë kallamboqi të bërë vetë.
Si thoni , a harrohet ky kujdes për ne ...!?
Të mos harrojmë që ishin vitet 66-67, kur akoma atje nuk kishte drita elektrike. Kështu si mjet argëtimi kishim një radio të vogël dore, që punonte me bateri, dhuratë nga shkodranët. Por mbështeteshim dhe ndihmonim njeri-tjetrin. Na rrethonin nxënësit e dashur, që na shikonin në dritë të syrit, bashkë me pukjanët e Fletit, që na bënim çdo javë surpriza të këndshme. Nuk ndodhte kurrë që të kalonin pranë shkollës e të mos ndaleshin për një përshëndetje, për një gotë ujë, për një kafe, apo për të lënë një torbë me gështenja.
- A jeni , o mësues !?
- Hajde , bujrum, - përgjigjeshim ne, me atë të folurin karakteristik të tyre...
Dhe bëhej kafeja mbi sobë, ndërkohë piqeshin gështenjat, që nuk harronin kurrë t'i sillnin, sa herë vinin. Kështu rridhte muhabeti gjym....!
Ishin vitet te bukura rinore. Ishin vitet e para të mësuesisë
E pasionuar me profesionin tim, mezi prisja të binte zilja për mësim. Tingujt e saj jo sikur më ftonin për punë, por për vallëzim .... Jo me kot populli thotë; ''Mosha bren dhe gurin'', por këtë radhë. gjetiu dua të ndalem... ..
Pra atje në Fletin e largët, ku punoja, jetonin njerëz me zemër të madhe. Më besoni! Ata sikur kishin diell në shpirt ...! Kur i kujtoj tani ato vite them me vete; sa e lumtur, që kam punuar e jetuar midis atyre njerëzve. Njerëz sa të thjeshte, po aq dhe fisnik në shpirt, njerëz që të bënin për vete. Dhe ... sa shumë , oh sa shumë kam mësuar prej tyre...! Ata ishin det me dashuri...! Edhe pse jo të pasur ekonomikisht, ata kishin pasuri në shpirt. Po , po , ata ishin me shpirtin det...!
Duke u marrë vesh me njeri-tjetrin, e kishin bërë si traditë që, një herë në javë , sipas radhës , zakonisht të dielave, na ftonin ne mësuesit për darkë. Dhe këtë kurrë nuk harronin ta bënin.
Kështu, ne mësuesit, që ishim nga Korça, Lushnja , Shkodra dhe Puka, asnjëherë nuk refuzuam ftesat e tyre, ftesa këto që të emociononin deri në palcë...!
Ishte radha të shkonim në familjen Bajrami... Te dera na pret një fëmijë 5-6 vjeç. Fëmijë i i bukur, me sy që i lëshonin xixa...!
- Hajde, bujrum! Mirë se ju ka pru zoti !... Zëri i tij i vogël më tingëlloi aq ëmbël, sa e pushtova në krahët e mi dhe lotët më shpërthyen ...
O zot! Edhe sot sikur e kam para syve atë fëmijë aq të ëmbël, me atë shkëlqim në sytë e tij të bukur. Thashë me vete; - ''Ku e gjen këtë dashuri e mirësjellje ky fëmijë kaq i Vogël , ky ''Lul' i vocërr''që na pret kaq ngrohte‼?
U futëm brenda, të shoqëruar nga familjaret dhe nga një zjarr bubulak në oxhakun e madh, por më shumë nga çdo gjë, ne na mbante ngrohtë mirësjellja dhe bujaria e gjithë familjes, e cila vazhdoi gjithë kohën. U shtrua darka, e thjeshtë me fasule, me mish thiu dhe turshi. Turshi aq të mira unë s'kisha ngrënë kurrë në jetën time.
U krijua një mjedis aq i ngrohtë, sa të dukej sikur ishim një familje e madhe..! Dhe biseda vazhdoi gjatë, e ngrohë, e këndshme, për probleme nga më të ndryshmet..., por gjithmonë po aq e afërt, gjithmonë po aq familjare...
Sa ndjesi të bukura, pranova nga ajo darkë dashurie!
Në mendjen time mbeti shprehja e ngrohtë e vogëlushit: “Hajde bujrum! mirë se ju ka pru zoti! Shprehje, të cilën e kujtoj edhe sot e kësaj dite, me shumë mall, ngarkuar me aq shumë emocion ...!
Ja kështu rridhnin ditët në atë fshat të largët të veriut. Ditë kaq të bukura të mbushura plot jetë dhe rini, sa ne harronim mundin dhe lodhjen, mallin për familjet tona, pavarësisht se edhe vështirësitë nuk mungonin.
Shire Caka Kasapi
Shënim: Kjo ngjarje nuk është e sajuar, por është e jetuar nga unë dhe kolegët e mi.
Pershendetje dhe mirenjohje "Fjala Lire", qe publikoni kete tregim te jetuar me ndjenja te holla miresie dhe dashurie. Nje tregim qe fikson kohen dhe jeten. Urime autores, per tregime te tjera.