top of page

DARDANËT E HUTËS DHE TË LAHUTËS


Mihal Gjergji

Mihal GJERGJI

DARDANËT E HUTËS DHE TË LAHUTËS

Dardanisë ja morën  pjesën veriperëndimore, sepse i duhej Maqedonisë. Në veri (mbi krye) zgjatën kthetrat serbët, një pjesë të Sanxhakut ja çvatën. Në kushtet e mbretërimit të saj përfshinte edhe Shkupin. Dardania kishte një pozitë të lakmueshme gjeografike. Lumenjtë që rridhnin në këtë teritor krijuan luginat pjellore rreth vetes; Vardari, Drini, Morava, Ibri dhe Stinica. Dardania kushtëzonte daljen në Detin e Zi, në Egje dhe në Adriatik. Po sot? Endet mes cerberëve të vetëshpallur gjyqtarë, mes pabesisë të atyre që u ka afruar bukën dhe besën, mes ndëshkimit dhe mallkimit nga kryqi dhe gjysmëhëna. Po me njerëzit e saj, çfarë bëhet? Edhe Kostandinin ja morën, sepse i duhej Romës një perandor. Edhe Niketë Dardanin ja morën, sepse i duhej krishtërimit për të shkruar himnin e tij. Kjo tokë mbretërore, plagën më të madhe ka bijtë e saj, shpërngulur në çdo skaj të planetit, si pelegrinë. Ata që s’i thyente shpata, e që dhimbjes i bënin vend brenda baladave, pra dardanët e Hutës dhe të Lahutës, i theu e përndoqi pabesia osmane, më vonë ajo sllave, pastaj ua skuqi faqen mallkimi brenda gjakut. Janë rrëfyer këto plagë nga bijat dhe bijtë më të mirë të kësaj toke. Shqiptarët pak e njohin historinë e vëllezërve të tyre në veriun e Arbërisë, rinia studentore shumë pak. Sa keq! Unë s’mund ta përfytyroj Isa Boletinin veçse me buzën te flamuri kombëtar, krah Ismail Qemalit. Kam lexuar disa publicistë dardanë, poetë dhe studiues. Kam bërë objekt analize veprën e Rexhep Qoses, kryesisht “Popull i Ndaluar”. Studiuesi Nuri Dragoj para disa ditësh më afroi një libër. E lexova thuajse me një frymë dhe pikërisht për atë po afroj disa mendime. Është një autor, të cilin s’e kam lexuar më parë. Më ka befasuar shëndeti i tij kulturor, mw ka entuziazmuar me mjeshtërinë e rrëfimit, me rizgjimin e asaj tradite bujarie, tashmë mbetur në kujtimin e largët të brezave. Çdo fjalë e psherëtimë, rrëfenjë e krenari e lënduar, por edhe kumt domethënës, pra gjithçka është shqiptare. Sigurisht që s’iu referova imagologjisë në punimet përcaktuese për atë që është kombëtare dhe atë që cilësohet e huaj. Ajo që është jotja, më shumë sesa thuhet, ndjehet. Sapo dola nga “Sofra e Përmbysur”, një roman modern, vetëm 200 faqe, por sjellë mjeshtërisht nga autori, H.F.Gurguri.

T’U RRITË NDERI, BACA HAMIT!

Mërgata shqiptare në vendet e Skandinavisë është e konsiderueshme. Jam ndalur në Suedi, atje ku jeton dhe shkruan Hamiti. Tetë nga librat e këtij autori janë përkthyer në gjuhën suedeze, ndërsa ky autor ka përkthyer librat e shkrimtarëve suedezë: J. Vasenius, A. Strindberg dhe të V. Muberg, pra është një personalitet i njohur dhe i spikatur. Nuk di sa njihet nga lexuesi shqiptar. E them këtë sepse ata që prodhojnë vlera s’bëjnë reklama, ndërsa ata që reklamojnë “sukseset” s’afrojnë gjë tjetër veç kujtesës imponuese: “jemi gjallë!”. Kam shfletuar një të ashtuquajtur antologji me pjesmarrjen e rreth 30 vjershëtorëve.

S’guxoj ti quaj poetë, sepse këtë kurorë hyjnore s’mund ta meritojë kushdo. S’besoj se është pasqyruar niveli më i mirë i lartësisë së mendimit poetik (i krijuesve vërtetë të talentuar të mërgatës shqiptare, por jo vetëm). Mjafton një pyetje:si qendrojnë këto krijime përballë poezisë suedeze, po asaj evropiane? Nëse s’janë të denja, atëherë çfarë vlere publikimi kanë ato? Kohë më parë kam lexuar poezi të disa autorëve kosovarë, sikurse kam lexuar krijime interesante edhe nga Sokol Demaku, pjestar i mërgatës shqiptare në Suedi. “Magjia e zemrës” është njëri nga vëllimet e tij poetik. Pretendoj gjithashtu se njoh kontribute edhe të z. Hysen Ibrahimi. Nëse këta janë të kënaqur me këtë përmbledhje poetike, e nëse të gjitha antologjitë janë të tilla, atëherë edhe unë do bind veten të mos shkruaj më poezi. Nuk e njoh interesimin e Mbretërisë suedeze për kulturën, mbështetjen apo vlerësimin e saj. Në Shqipëri të vret indiferenca e shtetit, shpërfillja e tij. Do dëshiroja shumë që veprën e plotë të Hamit F Gurgurit ta bëja objekt analize, mirëpo më shumë sesa koha fizike më pengon largësia. Me autorin duhet të bisedosh, t’i lexosh brendinë, t’i prekësh “telat” që bëjnë muzikë, ndjesitë shpirtërore, ato të pathëna që i ruan në thellësi, si diamantet. Lisit duhet t’i afrohesh, sepse aq sa ka lartësuar kurorën ka shtrirë edhe rrënjët. Po nejse, le t’ia lëmë kohës. Ndoshta një gjë e tillë është realizuar në përmbledhjen; “Thesari Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”. Ndoshta! Të kthehemi te “Sofra e përmbysur”. Po çfarë është romani? Vepër artistike tregimtare, zakonisht në prozë,që pasqyron një rreth të gjerë ngjarjesh e dukurish nga jeta, në rastin konkret një roman historik. Në dukje, gjuha e përdorur është larg standarteve të njehsuara. Por është pikërisht kjo gjuhë që na kthen prapa në kohë, tek ajo traditë e ato plagë që kullojnë gjak. Është gjuha e popollit kosovar. “Letërsinë oborrtare le ta zëvëndësojmë me letërsinë popullore. Kujt tjeër i përket gjenialiteti në mos ty, o popull”. Është gjykimi i Viktor Hygoit. Brenda këtij romani gërshetohen ngjarjet me elementin njerëzor, heronjtë e tyre. Unë i ndjej personazhet tek ngjitin shtigjet e thepisura, pra lartësitë. Ndoshta autori ka dashur të futë elementë arkitekture (drite) brenda kësaj vepre. Pastaj loja me kësulat e bardha (plisat) pas buke, shoqëruar me këngë, nga djemtë dhe nipat. Në dukje–misticizëm, por artet plasike (muzika, kërcimi, loja) bëhen pjesë e kësaj jete të trazuar që gëlon brenda romanit. Ja pra, nje veçantësi e këtij autori, ndryshe arti do e humbiste lirinë e tij, misionin për të cilin është krijuar. Ahmet Dema është në qendër të kësaj vepre, më saktë veprimtaria e tij atdhetare, aq sa dhe njerëzore. Përherë në lëvizje; nga Mavriqi në Prishtinë, nga Toplica në Podujevë, nga Vushtria tek Shala e Bajgorës, nga konaku i mikut te kasollja e fatkeqit, në gëzime e në mort mes njerëzve të gjakut dhe rracës. Një personazh i krijuar me aftësinë e një magjistari, i lartësuar pas çdo hapi që hedh e i vlerësuar pas çdo fjale që nxjerr nga goja. Atë e nderojnë të gjithë, për zemrën dhe besën. Edhe gurët e udhës i bëjnë vend për të hedhur këmbën. Kjo mënyrë rrëfimi bën pjesë te letërsitë që i kapërcejnë kufijtë kohorë.

DËGJOJENI RËNKIMIN E VARREVE

Barbaritë osmane mbi trojet e Dardanisë dhe banorët e saj, janë nga më gjakataret. Arrnautët apo kosovalinjtë u duheshin turqve, kësaj fare të ndyrë njerëzore, vetëm atëherë kur kërcënoheshin nga moskovi (rusët), mandej shqiptarëve u grabiteshin tokat, pasuritë, i bënin objekt gjykimi e ndëshkimi. Krajli ndante tokat e shqiptarëve vllahëve dhe karavllahëve. Edhe ata që shqiptarët i kishin mbajtur me bukë, u kishin afruar bujari, bashkëpunuan me pushtuesin osmanë e pastaj me shkjaun. “Qitma fëmiun në sokak, të tregoj i kujt është”. E mua më lëvizin si para syve hordhitë pushtuese tek masakrojnë Drenicën e Pashës dhe Drenicën e Kuqe, Gallapin, Rekën dhe Llapin, Shalën e Bajgorës, Vushtrinë dhe Mitrovicën. Askush prej studiuesve apo historianëve tanë s’kanë bërë objekt analize: -Sa ka ndikuar politika osmane në armiqësimin e serbëve me shqiptarët, në kultivimin e urrejtjes dhe nxitjen e luftës mes grekëve dhe shqiptarëve? Pse pikërisht Perandoria osmane ka mbështetur shpërnguljet masive të kosovarëve në teritore turke, të shqiptarëve të Çamërisë etj? Mbas rrënimit të Perandorisë osmane filluan politikat sllave të kolonizimit të Kosovës, dëbimin e shqiptarëve nga atdheu i tyre. Për këtë qëllim ishin angazhuar akademikë serbë, politikanë, shkrimtarë, nobelistë, historianë, pedagogë, diplomatë të karrierës, të cilët hartuan projekte, mbajtën tribuna të fshehta e të hapura, u tubuan në konferenca e simpoziume “shkencore”, organizuan tryeza në emër të “Serbisë së Vjetër”, çuan mesha drejt qiellit, shenjtëruan ose mallkuan luftëtarët serbë e shqiptarë, shkruan libra e histori të trilluara, krijuan mite dhe heronj të paqënë. Eshtrat e nënave, grave dhe vajzave shqiptare të përdhunuara rënkojnë. Varret e martirëve tanë vrarë në prita pabesie kërkojnë shpagim. Vazhdoj të eci pas heroit të këtij romani, shqiptarit Ahmet Dema. Ai furrnizon me armë rrebelët e Toplicës dhe Nishit, sepse dhuna turke s’mund të durohet më. Mirëpo, jo vetëm zaptiet e turkut, por edhe shqiptarë të shitur e kanë spiunuar këtë burrë fisnik. Autori bën shpalljen si trupi gjykues para publikut: “E varën Ahmet Demën bashkë me tre burra të tjerë”. E vari turku, urrejtja e tyre ndaj shqiptarëve. Edhe trupin e këtij atdhetari, miqtë e tij të shumtë ia blenë një dervishi për ta varrosur me nderime në varrezat e Mavriqit. Ashtu u bë. Fjalët e tij qendrojnë në gojën e burrave të vendlindjes, ndërsa kali i shalës nuk di ku e pikon pikëllimin. “Thonë se për të vdekurit edhe kali mban zi”

34 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page