DADË XHEMOS ME 7 VAJZA DHE NAZOS
Nga Albert HABAZAJ
Në Tërbaç, ku kemi rrënjët…
Në kujtim të heroinës së heshtur tërbaçiote Xhemo Dautaj, nënës së 7 vajzave të rritura bonjake, sepse babain e tyre e goditi vetëtima tek punonte në fushë të Bramyshnjës, Tërbaç, më 24 korrik 1964. Dhe nënë Xhemua si sorkadhe, që s’e njihte fjalën lodhje, me ditë pune në kooperativën e asaj kohe, i rriti me sakrifica të mëdha, pa iu ankuar kujt dhe i nxorri në dritë Të Shtata si 7 drita…
Aromë e gjenezës sime
Tërbaçi me shumë kujtime,
Tërbaçi im, ku kam rrënjët
Ku kam Babën, Nënën, këngët.
Vij te shtëpia, te varret
U flas, po s’më bëjnë o,
7 male në shpinë me halle
Qysh i mbajte, moj nëno?!
Shoh fotografitë dhe hesht
Pres ndonjërin të më vijë,
Do vini, a të vij vetë
Plakur unë, qaj si fëmijë…
Iku baba shpejt, s’pa gjë
Ne të vogla - pa baba,
7 vajza dhe shtëpinë
O nën’, vetëm ty t’i la...
Rriteshim ne, ti si flutur
Fluturoje, s’njihje moshë
Natë e ditë, duke u lutur:
“Kokat tuaja shëndoshë!”
O nëno, me mall ngarkuar
Vijmë me shpirt të përvëluar.
Në Tërbaç, ku kemi rrënjët
Frymën, gjakun, nderin, këngët…
Nis këngë, loti pa tharë!...
Tek guri, tej këndit të shtëpisë,
Ku ulej shpesh pas pune imatë,
Ku kam nënën, tek hojet e mirësisë
Mbush me urime për shëndet e fat.
Dhe gëzon si e vogël, fluturon si flutur,
Tek shtëpia jonë, sipër në fshat,
Kur i vemi, si ajo s’ka më të lumtur,
Na vështron si të vegjël, ka mall e merak.
Unë ulem tek ai gur, si fat perëndie,
Se shikoj pak metra më tutje, tek nis e zbret,
Ku iku babai me gërshërë të hardhive,
Tek krasiste rrushin, që atë vit bëri det...
Ulem në gur dhe ngrihem në këmbë,
Pres marsin të çelë kumbulla e ftoi,
Hedh sytë nga malet ta nis atë këngë,
Bujare Çika dhe Tranajoi...
Ta nisim, o Nazo bashkë këngën
Me Pesën, si gjysmë shekulli më parë,
Ti, Trime, s’e ke as babën, as nënën,
Merrja këngës me lotin pa tharë!...
Comentários