„Cockta“ dhe memorja
Fatmir Terziu
Ishte viti 1983. Para turizmit „Skampa“ të Elbasanit kishin ndaluar dy makina të vogla të mbyllura, tip furgoni, me një mbishkrim në të dy anët e tyre „Libërbus“. Në vendet e para ishin bosh. Ishin vetëm dy drejtuesit e tyre me një shishe në dorë dhe që shikimin e kishin andej nga „Rrapi i Bezistanit“ dhe ish Tregu i Vjetër i qytetit, pikërisht në këndin ku ndodhej byrektorja dhe në atë pikë ku përgatitej të xhirrohej filmi që në atë kohë u quajt „Sytë e Hasimesë“. Shishet në duart e tyre shkruanin „Cockta“… E sytë tanë kalimtarë të brezit tim natyrisht ndoqën me kujdes veshjen e tyre ndryshe, dhe shishen me këtë mbishkrim në të. Ishte kohë ndryshe për ne. Nuk kishim parë shishe tjetër lloj përveçse arançatave me shijen e zakonshme. „Cockta“ natyrshëm u kuptua menjëherë se nga vinte dhe dihej se atë e kishim parë në duart e Bekim Fehmiut, ndërsa luante në disa filma, apo dhe në Festivalin Eurovision ku një këngëtar i ish Jugosllavisë së atëhershme, malazezi Daniel Popović këndoi këngën në Eurovision Song Contest 1983, "Džuli“. Kënga që u interpretua në 12 natën, pas Bernadetës së Holandës me "Këndo më një këngë" dhe para Stavros & Constantina të Qipros me "I Agapi Akoma Zi". Në mbyllje të votimit, ajo mori 125 pikë dhe doli e katërta me 20 pikë, ndërsa ne e ndiqnim fshehurazi me ndihmën e një kanaçe që afronte stacionin televiziv të Titogradit të asaj kohe.
Dy drejtuesit e atyre dy mikrobuzëve tipikë bënë sikur nuk kishin vëmëndjen tonë dhe vazhduan të shikonin në drejtimin që kishin fiksuar sytë, ndërsa shishet me pijen „Cockta“ ende bënin rrokadë lidhjesh në sytë tanë. E në atë pikë gjithkush e thoshte një fjalë. Një nga shokët mbaj mend se tha se ishte pije e rrezikshme, një tjetër diçka tjetër dhe një… Fundja ishin imagjinata që hapeshin e mbylleshin me kërshërinë që prodhonte thjesht një shishe, një pije që nuk ishte lejuar dhe që ishte e ndaluar për ne shqiptarët.
Ndërsa kjo pije me emrin „Cockta“ kishte një udhë në shtetin fqinj të asaj kohe, që në fillim të viteve 1950-të, në vendin tonë, sidomos për brezin tim as që bëhej fjalë të kishte ndonjë mundësi ta shijoje. Dhe që nga ajo kohë ajo udhëtoi thjesht si një perceptim, si një memorje, derisa para ca ditësh, shijova një variant të ri të saj, sigurisht jo origjinalin e viteve 50-të, por në një emërtim të njëjtë në Londër.
Dhe aty mësoj se „Cockta“ originale ishte përgjigja e Jugosllavisë ndaj Coca Cola-s. E shijoj dhe ndjej tashmë se pija është jo-alkoolike dhe pa kafeinë. E lexoj etiketën dhe ndjej se përbërësi kryesor i saj vjen nga trëndafili i qenve dhe është një përzierje e 11 barishteve të ndryshme, limoni dhe portokalli. Pastaj shkoj në kërkimin e historisë së saj. Fillimisht u prodhua në Slloveni në vitet 1950-të dhe ishte sikurse u shpreha, një alternativë jugosllave ndaj Coca-Cola-s, e cila nuk ishte e disponueshme në Jugosllavi në atë kohë.
Në vitin 1952, Ivan Deu, drejtori i korporatës shtetërore Slovenijavino, doli me idenë e prodhimit të një pije origjinale, freskuese sllovene, e cila do të ishte në gjendje të konkurronte kundër pijeve joalkoolike nga jashtë (që do të thotë, Shtetet e Bashkuara; d.m.th. Coca-Cola dhe filialet e saj të pijeve), të cilat ende nuk shiteshin në Jugosllavi. Inxhinieri kimik, Emerik Zelinka, një punonjës i laboratorëve kërkimor tek Slovenijavino, krijoi pijen me një shije të re, të ndryshme, që rrjedh nga një përzierje e njëmbëdhjetë barishteve dhe erëzave të ndryshme; duke përfshirë dhe trëndafilin e qenit, një aromë e spikatur brenda përzierjes së Cockta-s. Pija u prezantua në treg për herë të parë më 8 mars 1953 në një garë kërcimi me ski në Planicë. „Cockta“ (shqiptohet [ˈkòːkta) është një pije freskuese nga ish-Jugosllavia (sot nga Sllovenia dhe Kroacia). Varianti origjinal nuk përmban as kafeinë dhe as acid ortofosforik.
„Cockta“ tashmë është dhe në Londër. E bashkë me të ka dhe menu të plotë në vendin ku ajo tregëtohet. Restoranti i vogël në West London është dhe me komente pothuajse perfekte pasi që shërben ushqim që nuk mund ta gjeni askund tjetër. „Chicken & Cevapi“ (Pulë dhe Kebaba) në Ealing është një nga vendet e pakta në Londër ku mund të gjesh ushqime ballkanike. Kushdo që është i njohur me ushqimin ballkanik do të dinte për Cevapi, një lloj sallami pikant viçi që hahet gjerësisht në vendet e Evropës Juglindore, veçanërisht në Shqipëri dhe ish-republikat jugosllave të Bosnjë-Hercegovinës, (ish-krahina autonome) sot Republika e Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Kroacisë dhe Sllovenia.
Për shkak të faktit se nuk ka një diasporë shumë të madhe nga ish-republikat jugosllave që jeton në Londër, kuzhina ballkanike nuk ka pasur të njëjtin ndikim në Mbretërinë e Bashkuar që ka bërë në pjesë të tjera të Evropës, si Gjermania, Austria, Zvicra, Belgjika dhe Suedia. Megjithatë, pas kërkimit të gjerë, një restorant i veçantë spikat mes një rrethi të vogël konkurrentësh në Londër - Chicken & Cevapi në Ealing, Londra Perëndimore.
Përshtypjet e para për restorantin mund të jenë paksa ndryshe, pasi dyshemeja e dyqanit është mjaft e madhe për të vendosur tre tavolina, me dy tavolina të vogla të vendosura jashtë. Është e qartë se restoranti është i specializuar në ushqime me dorë dhe dërgesa, por stafi miqësor i restorantit do të shkojë përtej dhe më tej për t'i bërë klientët që dëshirojnë të hanë darkë të ndihen të mirëpritur si në shtëpi. Një shikim në menu do të mjaftojë për të treguar se restoranti është i specializuar në një gjë dhe vetëm një gjë - Cevapi. Madje ka të gjithë seksionin e vet me zgjedhje të shumta se si shërbehet.
Ndërsa ka një gamë kaq të gjerë për të zgjedhur, rekomandohet që kur shkoni në Chicken & Cevapi për herë të parë, të filloni me porositjen e pjatës Famous Chicken dhe Cevapi. Vakti është pikërisht ai, copa të copëtuara gjoks pule të marinuar në skarë me katër copa Cevapi brenda një buke të veçantë ballkanike Lepina, të servirur me patate të skuqura dhe sallatë. Pjata vjen me një salcë hudhre dhe ajvar, e cila është një salcë tradicionale ballkanike e bërë nga speca të ëmbël dhe patëllxhanë. Është një salcë e freskët dhe e ëmbël e bërë ekskluzivisht në restorantin e tyre, që përmban majonezë, kopër dhe një sërë barishtesh të tjera. Kështu „Cockta“ dhe memorja e viteve tetëdhjetë u ndalën në realitet. Një realitet me shijen e viteve tetëdhjetë.
Comentarios