top of page

BURSAT E MBRETËRVE TË SHQIPËRISË


Pëllumb Kulla

Intervistë imagjinare dhënë Rudina Xhungës, në Dritaren*… (time!)


UNË: Urdhëro Rudina, hyrë në Dritare! Sqaroj ty dhe gjithë lexuesit e mij që edhe kjo është një intervistë e fundit, që trajtoj ty dhe zonjën Nexhmije. Po e fundit fare, ama! Kam reaguar në intervistat, kopje besnike të njëra tjetrës, që i bëre asaj kur mbushi 85 e pastaj 95 vjet. Dhe uroj që askush të mos të të ngacmojë më në 105 vjetorin e saj, kur t’i marrësh intervistën identike të radhës! Kurse sot, të falenderoj që më dhe rastin...

RUDINA: Rastin?! Kjo është intervistë imagjinare, zotëri! Ku e sheh ti rastin?!... Nga gërma e parë tek e fundit. E shkruar nga ty! Unë ty nuk do të të afrohesha kurrë për të të intervistuar. E kuptojnë lexuesit këtë?

Lexuesit e mi, po. Të tutë… Nuk ve dorën në zjarr. Urdhëro! Pyetmë çfarë të duash!

Nuk do të më japësh pyetje të përgatitura nga ty vetë?! Siç më akuzoje sikur m’i jepte ajo, që intervistova?

Ai qortim ishte një figurë satirike, Rudina. Kërkoj ndjesë. Ti, në këtë intervistën e fundit, e dije vetë se çfarë i pëlqente Nexhmijes ta pyesje.

Do të jemi seriozë?

Unë e kam vështirë, por do të përpiqem. Shakatë dalin të shpifura po nuk qenë mbështetur mbi gjëra serioze dhe të vërteta. Të garantoj vetëm që do të jem i vërtetë. Ti do të më besosh?

Të shohim. Nuk e di.

Ti para dy-tri ditësh, ballë zonjës Nexhmije, e dije shumë mirë që po dëgjoje një mal me gënjeshtra dhe besove. Mua, që nuk kam dërguar asnjë shoqe, apo shok shkolle, në botën tjetër, nuk më beson?! Mirë pra, si të duash.

Kur je lindur?

Mbreti Zog qe arratisur. Mbreti Enver nuk kishte nisur as jetën me parti dhe as atë me dashuri.

Zogu, në arratisje e sipër, para se të kalonte kufirin pat ndaluar në shtëpinë tuaj?

Afërsisht. Në shtëpinë përkrah. Por edhe ata njerëzit tanë ishin. Mua nuk më pyetën a ta pranonin, apo jo, në shtëpi mbretin. Sepse, siç të thashë, nuk më pyesnin dot mua, që nuk isha lindur ende. Por nuk do t’i kundërshtoja dot. Ata ishin zogistë. Pastaj mbreti i një vendi ndalon ku të dojë. Më vonë edhe presidentë, përshembull, Sali Berisha dhe Bamir Topi kanë ndaluar në shtëpinë time. Edhe Enveri, po të vinte puna…

Çfarë lidhje kishte gjyshi yt me mbretin?

Kanë qenë friends në fejsbuk!.. Hajde, mos zgjatemi tani! Gjyshi pat qenë shefi i rojeve të parlamentit të atëhershëm. Për atë ndalesë të shkurtër të mbretit, gjyshin e pushkatuan.

Ti, pra, konsideroheshe me prejardhje reaksionare. Biografi e keqe.

Si urdhëron! Shumë.

Kush ta hapi portën e Universitetit?

Nuk më pyete më parë, se kush ma pat mbyllur! Apo…

Jo, unë pyes: kush të lejoi?

Enver Hoxha! Dhe për këtë i jam shumë mirënjohës.

Fillove të tallesh tani?!

Aspak! Unë edhe tani e falenderoj. Edhe sot, pesëdhjetegjashtë vjet më vonë, e përsëris këtë. Falë atij unë po të jap sot këtë intervistë. Falë atij unë u bëra i njohur dhe me një farë rëndësie. Falë atij unë bëra një jetë mjaft interesante dhe të bukur mes artistësh të mrekullueshëm, kolegësh shkrimtarë, gazetarësh të talentuar. Falë atij, dyzet e ca vjet më vonë, edhe Berisha, më emëroi…

Nuk rri dot dy minuta pa bërë shaka?!

Nuk bëj aspak. Sikur të mos kishte ndaluar Enver Hoxha pranë tornos sime në repartin mekanik të uzinës “Enver” në atë 10 prill të vitit 1960… Po të mos më kishte vënë re kur i ngrita dorën, unë nuk do të isha kulturuar kështu si jam sot, nuk do të kisha shfaqur fytyrën në ekranin e TV shqiptar, ku pa lejen e tij nuk fluturonte dot as miza dhe nuk do të numëroja sot ata njëzet e ca libra të botuar! Me emrin që bëra, i nevojitesha dhe Berishës që ato ditë pat marrë përsipër të tregonte se komunizmi qe përmbysur dhe gjërat ishin krejt ndryshe tani…

Pse a nuk është ashtu? Nuk është përmbysur komunizmi?

Do të vijmë dhe aty, po lemë të të ritheksoj falënderjen ndaj fatit dhe ndaj atij që ndaloi tek tornoja ime në uzinë. Falenderimi im është një shfaqje kortezie, pa shumë interpretime përmbajtësore. Nuk është një poemë madhore për të, as një skulpturë monumentale, apo qoftë edhe këngë për udhëheqësin. Zotin Berisha, bile edhe mua, për ca vite na kanë thirrur “shkëlqesi”. Thjesht kortezi është! Nuk është se unë dhe Berisha shkëlqenim!

Por ti nuk je për Enverin aq mirënjohës sa thua me gojë. Me vepra ti ke nxirë gjithëçka… Ke shkruar 1001 të zeza për të, dhe për të shoqen. Atij, ti i detyrohesh…

Prit, prit! Mirënjohja ime është e sinqertë, por mbaron këtu. Tani, çfarë bëri ai duke më dhënë shkollën? Heroizëm? U hodh në lumë dhe më nxori në breg?

Pothuaj! Rregulli ishte që fëmijët e armiqve…

Fëmijët e pafajshëm të shqiptarëve, thuaj! Kush e pat vendosur atë rregull? Stalini? Apo vetë ai? Ai theu rregullin për mua, por nuk e theu kurrëmë për mijëra dhe mijëra fatkeqë të tjerë, që nuk i lejonte të drejtën e shkollimit, përfshi vëllezërit e mi. Pastaj, Rudina, koha e tregoi se unë e meritoja. Dhe në fushën që studjova, bëra paaaaakëz vend, apo jo?

Ja, pra! Vendimi i tij për të të ndihmuar doli që…

Zotëronte nuhatje gjeniale, thua?! Ato çaste, më 10 prill 1960, ai me gjenialitetin e tij nuhati se ky djali njëzet vjeçar me kominoshe, e meritonte?!.. Phë! Pastaj, atë që ti dhe Nexhmija, në intervistën e saj, e quajtët bursë… Thatë që Enveri më dha bursë. E pra, mua, bursë nuk më dhanë kurrë! Asnjë qindarkë! Thjesht një lejë që të studjoja! Për atë kohë të zezë, nuk ishte pak! E pranoj. Por realisht, një qytetari të pafajshëm, të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, iu lejua të shkonte në auditore universiteti! Pa mbështetje financiare! Ama, për atë barrë të familjes në katër vitet studentore unë punoja me pagesë që nga kanalet deri te përkthimet e Gogolit, Pirandelos, Sartrit, Çehovit, Kuprinit. Dhe rusishten time nuk e pata sjellë nga ndonjë bursë në Leningrad! Ishin katër vite të bukur shkolle, të mbushur me nostalgji tani. Edhe pse pa bërë kurrë pushime verore të një studenti. Por po ta dinit, ti dhe një shoqja jote 95 vjeçe, kuptimin e fjalës bursë, këto që listova nuk janë bursë. Ishte punë, punë pa ndërprerje e muajve të verës! Në Bistricë, Kurbnesh, në kantjeret e ndërmarrjes Rruga-Ura. Familja, e babait tim me shumë fëmijë, ishte në gjendje të mjeruar financiare. Me këtë kriter meritoja kategorikisht bursë, por ja, nuk m’u akordua!

Babai yt ka qenë me Ballin Kombëtar?

Asedhenjë sekondëzë të vetme! Ti, Rudina, i nxjerr pyetjet nga shporta e plehrave, plot me komentatorë gazetash frikacakë, me nga 3-4 emra të rremë dhe të ndryshëm sejcili… Pra unë nuk kam patur bursë, siç të ka thënë zonja e vjetër. Në dokumentat e këtyre ditëve është përmendur, ama, bursa që i ka dhënë tre vjet rresht mbreti Zog vetë atij, mbretit Enver. Dhe ministri i Arsimit, Ivanaj, ia preu atë bursë, ngaqë mbreti Enver, gjatë tre vjetëve nuk dha dot asnjë provim. Me të ardhur në pushtet, pastaj, mbreti Enver ministrin Ivanaj e vendosi para skuadrës së pushkatarëve. Tre vjet në Francë! Asaj i thonë bursë! Unë i dhashë të gjitha provimet. Shoku Komandant nuk pati mirënjohje dhe nuk pushoi së anatemuari Zogun tërë jetën e duke ia vrarë edhe kuzhinjerët e tij! Dhe duke e dënuar atë vetë me vdekje në mungesë! Ato që tani në liri shkruaj unë e lexon ti, kundër mirëbërsit tim nuk janë asgjë në krahasim me ato të tiat kundër mirëbërësit të vet. Unë nuk hodha në erë me dinamit varrin e ndonjë Nëne Mbretëreshë! Dhe më beso, Rudina, asnjëherë netëve, gjatë gjumit nuk pata ndonjë ëndërr për ta vrarë mbretin Enver! As edhe “në mungesë”! As atë, as të shoqen!

Atëherë si shpjegohet antienverizmi yt i egër? Mos ndofta për shkak të gjyshit të ekzekutuar?

Gjyshin unë nuk e kam njohur dhe, thellë-thellë, ndjenjat ndaj tij janë të një dashurie ashtu-kështu… Gjyshi pat zgjedhur kundërshtarin e tij politik. Fati i tij! Kundërshtari doli më i zoti, fitoi dhe e pushkatoi. Unë pas shkollës që m’u dha, u rrita, u ndërgjegjësova, u pajisa me parime të shëndosha e të patundura. Dëmi i madh moral në historinë e kombit nuk ishte ngase Enveri pushkatoi gjyshin tim, të cilin e desha, por sepse pushkatoi shokun e tij, Beqir Ballukun, të cilin unë nuk e desha aspak!

Por ti gjatë gjithë jetës i ke shërbyer atij me besnikëri në detyrën e “edukimit komunist të masave.”

Unë u angazhova në atë edukim, por me qëllime sabotimi.

Sabotimi?!

Ti e ke parë edukimin enverian se çfarë rezultate dha pas sabotimit tim? A i sheh në ç‘gjëndje të mjeruar janë masat tona sot? Të ze të qarët. Pranojnë të mblidhen ende ushtarakisht nëpër manifestime. Mes tyre bën kërdinë pabesia, hajdutëria, shitja e shokut, shitja e shoqes, shitja e vajzës, servilizmi, mungesa e llahtarshme e guximit për të thënë të vërtetën, paaftësia për të zgjedhur dhe mbështetur njerëzit që meritojnë. Kjo e gjitha ka ndodhur sepse sabotova unë në edukimin e njerëzve!

Ti u ktheve te shakatë! Ti, more zotëri, ishe shërbëtor në sektorin ideologjik, ku i thurrnit himne udhëheqësit, i bënit dhithirambe partisë…

Lere tani, Rudina! E zgjate përsëri dorën në shportën e plehrave! Në atë shkretëtirë, unë dhe shokët e mi mbajtëm gjallë të qeshurën. Ishte një lumturi e madhe kur njerëzit halleshumë, që ju i quani masa, dilnin të çelur nga salla ku ne jepnim komeditë, gazin e ditës, karakteret qesharakë të burokratëve, servilave, demagogëve. Edhe partia enveriste kishte nevojë për artin tonë e për stigmatizimin e veseve dhe burokracisë. Ishte kjo pikë ku takoheshim ne me atë parti. E ne angazhoheshim sinqerisht atje, bile duke qenë krenarë për ato suksese profesionale që arrinim. Unë, moj zonjë, bëj pjesë në ata shkrimtarë dhe artistë të paktë, që nuk kanë mohuar asgjë nga ato që kanë bërë dhe shkruar. Jo vetëm nuk kam zhdukur asnjë vepër, por asedhenjë rresht nuk u kam ndryshuar atyre.

Po ato inskenimet komike me ballistë dhe partizanë?

Ju i shihni që unë nuk kam kërkuar ndalimin e tyre, siç kanë bërë disa… Për ballistët kam të njëjtin mendim. Edhe për partizanët po atë. Ju digjeni nga dëshira të kem ndryshuar mendje tani.

Po për kuadrot e atëhershëm të partisë?

Natyrisht, kam po atë vlerësim që kisha. Edhe për të zinjtë edhe për të bardhët. Vetëm atëherë nuk e shfaqja se nuk isha as i marrë dhe as Don Kishot, siç më quan ti. Me shumë nga kuadrot e atëhershëm kam patur marrëdhënie të drejta dhe të sinqerta. Nuk është mirë kur i fusim tërë në një kosh. Ekziston një film, “Listat e Shindlerit” titullohet. Në të një gjerman i fuqishëm shpëtonte hebrenjtë. Kjo nuk ishte tipike në Gjermaninë naziste, por egërsia e nazizmit mund të evidentohej edhe duke nxjerrë në dritën e artit, një gjerman jo tipik. Kështu edhe tek ne, unë mendoj se diktaturën e egër komuniste ne mund ta pasqyrojmë edhe duke nxjerrë në pah funksionarë komunistë me ndjenja humane, mes egërsisë të përgjithëshme.

Të kanë dërguar në një gurore për ndëshkim…

Po. Tre vjet pasi mbarova shkollën e aktorëve, në Vlorë më degdisën pa shpjegim, pa motiv zyrtar që, bile, nuk e di as sot! Por, pa kurrëfarë hipokrizie dhe shtirje, ruaj kujtime të bukura edhe nga ata njerëz aty. Edhe nga qendrimi im. Unë nuk jam shprehur ndonjë herë, tani në këto kohë, se dominant ishte persekutimi mbi mua. Jam lodhur shumë, por edhe kam fituar shumë. Fitoret e mia, të arritura mes shumë përpjekjesh e armiqësish, ndrisin! Dhe unë jo një herë kam deklaruar dhe po deklaroj edhe sot, se jeta ime ka qenë shumë e bukur. Ka qenë një jetë, që do ta shoh me kokën lart për pastërtinë dhe mosndotjen e saj. Më fal që po e them edhe ndryshe të njëjtën fjalë. Por, ama, edhe jam përkrahur nga njerëz të mirë që Shqipëria ka ende plot.

Le të flasim për marrëdhëniet e tua me postkomunizmin… Berisha?

Kam folur shumë për atë njeri e nuk dua të flas më.

Kur i ktheve kurrizin Saliut?

Mot i mirë sot, eh Rudina?… Pak ftohtë por dimri ende…

Lere motin! Ti ke qenë në marrëdhënie të mira me të.

Dhe jam krenar që i shërbeva me besim dhe devocion kur ai udhëhiqte punët e shtetit. Ministrat, dhe diplomatët që kanë punuar me të i shërbenin shtetit, jo atij. Sikurse mendohej, se i shërbente dhe ai. Në detyrat që më dha nuk i kundërshtova asnjërën sepse nuk më dha asnjë detyrë për t’u kundërshtuar.

Përse u armiqësuat?

Ja… Zhyt dorën në shportën e komentatorëve dhe zgjidh aty një përgjigje siç e mendojnë ata! Një arsye:“sepse nuk më dha atë, apo këtë!”Arsyeja është se çerekshekulli i tij mund të quhet periudha e mashtrimit të shqiptarëve. Dhe më mirë të jesh i mashtruari se sa mashtruesi. Ai sundoi dhe e katandisi Shqipërinë në mënyrë të tillë që të nderonte Enverin. Sinqerisht nuk u ve faj qindramijëra shqiptarëve që tani e qajnë Enverin. Sa për mua, gjeni atje një poezi që t’ia kem kushtuar Berishës, apo, më mirë, një letër himnizuese.

Po Hoxhës i ke drejtuar ndonjë letër të tillë?

Pyete atë shoqen tënde të moshuar. Ajo ka arkiv, thua ti. Dhe ka vërtet. Një herë u dha gazetave një letër që i pat shkruar asaj Kadareja. Dhe prit të të citoj dy a tri fraza nga letra e Ismailit: “Shoqja Nexhmije… Ju kërkoj ndjesë që po ju shqetësoj… Është fjala përsëri për apartamentin e ri... Në vend që t'ju drejtohesha për probleme më të rëndësishme, detyrohem t'ju shkruaj për një çështje strehimi.... Me respekt, Ismail Kadare” E nxorri për gazetat! Një gjest i turpshëm që zonja vejushë, shpresonte se do ta vinte në dritë të keqe Kadarenë.

Nuk e vuri?

Aspak! Vuri veten. Unë kam besuar se kjo grua ka aq të zeza në karakter, por që të ketë qenë aq budallaqe, sa të kujtojnte se me këtë letër nuk dëmtonte fare veten dhe të shoqin, nuk e besoja! Si mundet ajo t’u kujtojë edhe një herë shqiptarëve, se edhe për të marrë një apartament duhet t’i luteshe me ballë në tokë Enverit dhe Nexhmijes?! Ç‘është kjo shefe e madhe e strehimit që ruan ende në arkivin e saj, letrat hallexhinjve?! Po a ka pikturë më të madhe mjerimi, se sa të dëshmosh që shkrimtari më i mirë i Shqipërisë, i Ballkanit e ndoshta i Europës, i lutet gruas më pa vlerë të Shqipërisë, të Ballkanit dhe ndoshta Europës, për një shtëpi të futë kokën?! Dhe mendon se poshtëron Ismailin duke i rikujtuar atij se ai i paska “kërkuar falje për shqetësimin” dhe se nderonte atë zonjë me frazën mbyllëse “me respekt, Ismail Kadare”?!

E ka botuar këtë ajo?!

Po, shoqe, po! Të gjithë u gëzuan, ngaqë kujtuan se filloi hapja e dosjeve. Por qe e pjesëshme. Dosjet deri më sot i ka hapur vetëm Nexhmija. Ato dosje që i duhen. A thua ajo mban dhe arkivin e Komitetit Qendror? Se atëherë duhet të ketë ankesat që unë i kam dërguar Ramizit, Paçramit, Pali Miskës, Kadri Hazbiut... Por ato janë ankesa, shoqe! Ankesa! Nuk janë urime ditlindjeje! Ju thashë më lart se më kanë dëbuar nga skenat dhe kam djersitur pesë vjet në gurore dhe në kantjere ndërtimi pa asnjë motivacion zyrtar! Thyeja gurë dhe nuk më linin t’i thyeja të paktën në guroren e Tiranës, të qytetit ku isha rritur dhe kisha familjen. Jo! Duhet t’i thyeja në guroren e Kaninës së Vlorës dhe të flija …në hotel! Në pamje të jashtme dukesha si një kuadër i lartë, dërguar në Kaninë me dieta, si specialist i thyerjes së gurëve me metoda bashkëkohore! Nëse ajo ka ruajtur ndonjë nga ato letrat e mia, gjë që është thellësisht e turpshme, se nuk i janë drejtuar asaj, - le t’i nxjerrë por le të japë tërë tekstin, jo vetëm atë rreshtin hyrës, ku shkruhet “I nderuar … kërkoj ndjesë që po ju shqetesoj” dhe atë tjetrin mbyllës, “me respekt…”

Mirë, mirë… Ju mbani bindjet tuaja. Do ta mbyll me një frazë tipike intervistuesish: çfarë do t’i uronit lexuesve?

Do t’i uroja të kuptojnë se lufta e klasave nuk ka pushuar kurrë në Shqipëri. Se enverizmi po përmbyt këtë vend të vuajtur. Se Rudina me shoqet dhe shokët e saj, nga pozita qiellore, edhe sot përdorin fjalën “të kemi dhënë bursë” duke lënë të kuptohet se mbreti i gjysmës së dytë të shekullit njëzet i jepte këto nga rroga e tij gjashtëmbëdhjetë mijë lekshe. Se nuk mjafton që pronat nuk u janë kthyer atyre që iu rrëmbyen. Se nuk mjafton që të burgosurve pa faj, me vite të gjata pas hekurave dhe telave, nuk u janë dhënë dëmshpërblimet e premtuara. Por miliarderët dhe milionerët që kaluan nga njëra parajsë, në një parajsë më të mirë, këta hallemëdhenj, po i shohin ende me përbuzje. Dhe ata, - ne, dua të them, - e meritojmë atë përbuzje, Rudinë! ……………………………………………………………………… * DRITARE – është emri i faqes publike online që menaxhon gazetarja e talentuar Rudina Xhunga, së cilës në një farë mënyre, i kërkoj ndjese për ribotimin e këtij shkrimi.

DITA, 14 shkurt 2016.

36 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page