BUJAR QESJA: Zhani Salavaçi korçarja që u bë Haveriku
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 10 hours ago
- 4 min read

Nga BUJAR QESJA
Është interesant fakti, që sportet e Durrësit kanë patur bekimin e korçarëve. Mbaj mend në futboll luajtën Raqi Pisku e Blendi Shkëmbi, në volejboll Dhorka Koço, e në këtë rast në basketboll Zhani Salavaçi. Korçarët kanë patur një të mirë, që tentuan ti kalojnë tek durrsakët: grintën dhe karakterin e paepur të garës. Kërkues, të disiplinuar, të qetë dhe dukshëm cilësorë. Vijmë tani tek Zhani Salavaçi.
Është shumë e njohur në Durrës. Është pjesë e basketbollit të femrave të “Skënderbeut” të Korçës, në kohën kur drejtonte Pandi Balli. Pa mbushur të 19-tat, këtë lule të basketbollit, e “këputi” me dashuri dhe e solli në kopështin e lulëzuar të basketbollit durrsak Shpëtim Haveriku. Tjetër fakt interesant, përkon me martesat në sport, veçanërisht kjo në basketbollin e femrave. Tjetër gjyqtar basketbolli Agim Taraku, solli në Durrës dhe lidhi jetën me basketbollisten e njohur Dhurata Xhani. Basketbollisti cilësor Ibrahim Kurtbegovi, hodhi edhe ky dashuri me basketbollisten përmetare Aleksandra Ndreu. Dhe e forcuan basketbollin e “Lokomotivës” për femra me tre lojtare, pjesë të ekipit kombëtar. Dhe këto janë Aleksandra Kurtbegovi, Dhurata Taraku dhe Zhani Haveriku.

Ishte kjo një nga arsyjet, që “Lokomotiva” për femra, nën drejtimin e senatorit të topkoshit Niko Hercek, fitoi për herë të parë Kupën e Shqipërisë. Ishte viti 1975. Për arkivë kujtojmë që ky ekip, në formatin e traditave dhe historisë përbëhej nga motrat Verteniku Zhyli dhe Shpresa, Aleksandra Kurtbegovi, Dhurata Taraku, Zhani Haveriku, Hanxa Shytaj, Donika Belliu, Klaudia Dragoti dhe Engjellushe Arapi.
Po lexoja diçka, në oborrin e shtëpisë time natyrore. Dhe më terheq vëmëndjen kalimi disi në heshtje i një portreti të njohur, i një emri po të tillë në basketbollin e femrave, por edhe si specialiste në klasat sportive të këtij profili. Nuk mund të rrija pa e takuar. Dhe malli na i bashkoi duart dhe reflektoi me shpejtësi kohën e shkuar, kur ky portret së bashku me shoqet e saja, ngrinin në këmbë pallatin e sportit të qytetit.
Thirrjet Zhani! Zhani! erdhën dhe m’u ulën, tek ky bashkim duarsh dhe tek kjo përshëndetje, duke ma çfaqur të re, të bukur, duke demostruar basketboll të avancuar, këtë zonjë të plakur paksa nga hallet e rëna mbi krye. Me 23 maj 2024 shkruajta për ndarjen nga jeta të Shpëtim Haverikut, këtij njeriu të mirë, të urtë, që miqve dhe shokëve, u la si kujtim mekanikun profesionist dhe gjyqtarin me emër në basketboll.

Kisha kohë, mbase edhe me vite, që këtë Zhani plot forcë dhe energji në rininë e saj, kur “çanta” rrjetat e koshave me gjuajtjet e sakta dhe nga distanca, nuk e kisha parë dhe takuar. Shumë e njomë, filloi basketbollin në qytetin e lindjes në Korçën e bukur dhe të traditave në basketbollin e femrave. Trajnerët si Pandi Balli ishin edhe në rolin e prindërve. “Skëndërbeu” kishte basketbolliste të tilla me emër si Bardhylka Mytellari, Lejla Tuxhari, Natasha Dhimitri etj. Dhe këtë vajzë të “Parisit të Vogël”, erdhi dhe e solli në Durrës, Shpëtim Haveriku, gjyqtari i basketbollit.
Thuhet që dashuria çan malet. Dy zemra të bashkuara krijuan familjen Haveriku. Zhani erdhi në Durrës 19-të vjeçare. Por kjo dashuri, u shoqërua edhe me një dashuri tjetër, atë të sportëdashësve durrsakë, të cilët arritën në delir nga kënaqësia, që në Durrës vinte një basketbolliste me emër, cilësore si Zhani Haveriku.

Familja Haveriku, u shtua me dy djem Kleves dhe Enis. Djali i madh provoi të luaj basketboll, pasi shtatlartësia e favorizonte. Ndërsa Enisi pasi mbaroi studimet e larta, drejtoi edhe energjitikën në Durrës. Shpëtimi u sëmur dhe u largua shpejt nga jeta, duke lënë në pikëllim Zhanin, dy djemtë dhe trashigimtarët e tyre. Gjyshi i lumtur, një ditë u la lamtumirën dhe bekimin.
Minutata që qendruam, u orjentova jo pak për jetën e Zhanit. Prej vitesh ka dalë në pension. Është e vitlindjes 1953 dhe i gëzohet djemve dhe pasardhësve të tyre. Kujtuam vitet 70-të, arritjet e “Lokomotivës” së atyre viteve. Kujtuam Aleksandrën, bashkshorten e Bebit (Ibrahim Kurtbegovit), e ndarë edhe ajo nga jeta vitin e kaluar. Që të dy këto familje të njohura, me dhimbje, dhimbje që e përjetojmë edhe ne bashkqytetarët e tyre.
-Po shikoj që po ecën me nxitim.

-Ashtu është. Po shkoj të shikoj Hysen Tafën e “Mediterranit”. Është i sëmurë.
Zhani më tregoi, se një grup durrsakësh të një moshe, e kanë ruajtur miqësinë. Kujtoi vetëm disa prej tyre, pasi të tetë nuk i mbante mend. Janë Shpëtim Haveriku, Fatos Klosi, Bardhyl Sela, Hysen Tafa, Serxho Margariti, Agim Popa etj. Të një moshe dhe ruanin miqësinë e hershme. Edhe kur u sëmur Shpëtimi, shokët nuk e harruan dhe i qendronin tek koka. Eh durrsakët! Sa të mirë dhe sa të gjindshëm janë në këtë tregues! Modestë, por shumë ta dashur dhe të sinqertë me njëri tjetrin.
I kërkova Zhanit të bëjmë një foto, jo vetëm si kujtim, por edhe për dëshirë të sportëdashësve të cilët deri në vitin 1981, kohë kur u largua nga basketbolli, e duartrokisnin dhe i thërrisnin papushim emrin.

Korçarët janë njerëz të qetë, flasin butë dhe kanë natyrë origjinale. Kështu edhe e folura e Zhani Salavaçit, korçares që erdhi në Durrës dhe u bë Haveriku. Durrësin dhe durrsakët nuk i heq nga goja. Është e lumtur që ndodhet në mes tyre.
Kalofsh mirë Zhani Haveriku, mjeshtra e njohur e basketbollit dhe zonja e nderuar e Durrësit!
Comentários