Bujar Qesja: Melita Shehu e bukura e këngës dhe e vuajtura e skenës
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 days ago
- 7 min read

-La “Korabin” dhe përqafoi “Adriatikun”, duke zbritur nga mali në det
-Asnjë si ajo: këndonte, recitonte, valltare, prezantuese, aktore, luante në xhez, në çifteli dhe në kitarë
-Fama dhe emri, vinë po aq fuqishëm edhe sot në moshën 82 vjeçare
-Dibra dhe Durrësi dhe jo vetëm, krenohen me zërin dhe interpretimin e Shehut
-Shkrim që nxit qendresën në kushtet e rënda shëndetësore
Vendimi misterioz e nxorri nga skena në vitin 1981
BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

19 prilli i vitit 2025, është ditë e zakonshme shtrirë në kalendarin vjetor. Por për Melita Shehun, është i veçantë. Në këtë ditë, ajo është në 82 vjetorin e lindjes, bekim që ja dha Zoti dhe familja. Dibrania e bukur, dibrania e hijshme si vetë “Korabi” i lartë dhe tërheqës, nuk i ka humbur konturet e rralla, për të na sjellë në kujtesë nga këngëtaret më të preferuara të viteve 60-të dhe 70-të.
Ndonëse e vendosur në Durrës nga viti 1971, aroma tërheqese e vendlindjes Peshkopia, nuk zbehet. Në se do ta vendosnim në finalen e jetës, kjo vjen shumë e sikletshme për Melita Shehun, duke e mbajtur brenda saj si gjënë më të shenjtë: identitetin dhe mburrjen e të qenurit vajzë dibrane. Edi, mbesa e saj, përkujdeset që Melita të ndjehet sa më e lehtësuar, nga ajo gjendje e vështirë shendetësore.
Vajza e Vehapit dhe Mevludes, nuk e pati fatin e prindërve të saj që lindën dhe rritën 6 fëmijë. Martesa me aktorin amator të teatrit “A. Moisiu”, durrsakun aq pasionant Agim Liço, i larguar nga jeta 15 vite të shkuara, nuk i dha trashigimtarë. Dhe këtë fund jete e shtyn e vetme, duke i mbetur mbi krye, një grua humane si Edlira.
Nga përvjetori i lindjes, nxitem të hedh rradhë për një këngëtare shumë me emër, e ngjizur me talent që në barkun e nënës, duke qenë dhe ruajtur profilin tërheqës të artistes dibrane, e cila me zërin dhe performancën, i dha nder jo vetëm vetes, por krejt kësaj treve plot trimëri dhe kulturë.
Por fati nuk shkoi paralel me zërin, kulturëm, pasionin dhe talentin e saj. Dhe e ndjejmë këtë, e prekim këtë, na vjen keq për këtë, por ja që kështu është. Vajza e bukur e familjes Shehu, u rrit e varfër, me kushte të vështira ekonomike, por shumë e pasur në zërin e florinjtë që ia kishte dhuruar Perëndia, në aftësitë aktoriale, në kërcimet plot sharm të valleve dhe në tronditjen melodioze të telave të kitares.
Zor se mund të ketë një të dytë si Melita Shehu, që këndon, vallzon, interpreton në teatër dhe estradë, luan në kitarë, i bie xhezit dhe çiftelisë, prezantuese, duke qenë dhe mbetur mbretëresha e artit dhe kulturës dibrane. Nxënësja e shkollës “Demir Gashi”, kishte afër qendrën e kulturës së qytetit dhe me rrobat e shtëpisë, veçse kur vraponte drejt provave. Zëri iu dëgjua që 12 vjeçare. Prindërit gëzoheshin për ecurinë e vajzës së tyre, që siç do të vinin punët dhe jeta, do të kujdesej shumë për ta. Motrat Myzejeni, Lulja, Liliana, vëllezërit Reufi dhe Gëzimi dolën shpejt në jetë dhe krijuan familje, e Melita e njomë vendosi mbi shpatulla edhe kujdesin për prindërve.
Melita ishte me fat, se në nisje të rrugëtimit të saj artistik, këndonte së bashku me shoqet Sadete Miftari dhe Afërdita Graceni, duke u përgatitur me orë dhe ditë të tëra për koncertet nga mësuesi Kiço Kalami dhe udhëheqësi artistik i shkollës Mynyr Shehu. Ishin shumë të aftë dhe me emër të mirë në të gjithë Dibrën e Vogël.
Vogëlushja Melita Shehu, e investoi zërin e saj krahas qytetit të Peshkopisë edhe në fshatrat Maqellarë, Shupenzë, Kastriot, Fushë Alie, Sllovë, Gollobordë, Ostren, Tuçek, Trebisht, në zona shumë të thella, ku jepnin koncerte. E bukura Melitë, me të bukurin zë, ishin në binomin plot ngjyra të Dibrës së kulturës dhe artit, të traditave dhe zakoneve të besës dhe u jepnin kënaqësi dibranëve.
Këndon, por edhe punon. 15 vjeçare nisi të punoj si edukatore kopështi dhe me rrogën 3600 lekëshe, zbut sadopak ekonominë e acartë të familjes Shehu. Zoti ia kishte falur zërin, por fati e ngarkoi me shumë halle të bukurën, të mirën, artisten e lindur Melita Shehun. Vullneti i saj çante malet. Pasioni i tunde ato. Në maj të vitit 1959, sapo estrada e Peshkopisë u bë profesioniste, Melita ishte e para ndër 12-të e historisë së varjetesë të kësaj treve.
Drejtori i estradës Adil Shehu, në listën e miratur kishte vendosur këngëtarët Melita Shehu dhe Skënder Cala, drejtues muzike Tonin Rrota, regjisor Tef Kroqi, instrumentistë Xhemal Lusi, Lahim Kola dhe në xhez ishte përsëri një emër Melita Shehu, rapsodi Azis Ndreu, Ferihal Cala, Inajet Shehu, Hyqmet Elezi, Stefan Roçi. Por Melita shkëlqente si meteor, pasi ishte universale. Kryente punën e disa vetave dhe ishte e rrallë. Do në çifteli, do në kitare, do në xhez, do si aktore, do si valltare, do si recituese, e jo më si këngëtare që mahniste skenat.
Çfarë repertori? Çfarë këngësh? Çfarë arti tregonte kjo bukuroshe dibrane! Jo, jo nuk mund të harrohet! Jo kaq vite, por edhe njëmijë herë më shumë të kalojnë, ajo çka bëri Melita Shehu me artin tundues të saj mbeten histori. Dhe kjo nuk mund ti mohohet, por duhet folur me zë të lartë, për këtë qendresë artistike cilësore. Këngët “Jepma mollën”, “Ma ke gishtin për unazë”, “Shkoi djali termale”, “ Këngë Kurbeti”, “Moj e mira syrin larush”, “Çom nishanin djalo”, “ Seç e mora rrugën”, “Moj e bija Runit”, “Ti këndej e unë andej” janë repertor i palëkundur, janë vlerë, janë histori, janë vetë e gjalla me ngjyrat më të ndezura të artit të Melita Shehut.
Dibra u bë e famshme edhe nga zëri i Melita Shehut. Këtë nuk është se dua të shpreh vetëm unë, por e gjej si të vërtetë të pakundërshtueshme, që kjo këngëtare e madhe e bëri me gjakun dhe mishin e fizikut të saj, të shpirtit dhe zemrës së saj, duke ia dhuruar përjetësisht zërin e rrallë historisë së artit, mbushur me mirësi dibrane.
Brenda dhe jashtë Dibrës, brenda dhe jashtë Atdheut, Melita Shehu mbeti po ajo performancë e mrekullueshme, duke zbukuruar skenat dhe duke i dhënë shikuesve adrenalinë tejet të veçantë, krijuar me mund dhe mbajtur me thonj nga talenti dhe pasioni për artin, kulturën dhe të bukurën. Me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe të Valleve, është pjesë e turneut në Egjipt në shkurt të vitit 1964. Vetëm 21 vjeçare. Mahnitëse. Egjiptianët e Kajros dhe të Aleksandrisë luajtën vendit. Mbi 10 mijë shikues ndiqnin çdo çfaqje edhe në këmbë, duke shqiptuar në gjuhën e tyre emrin e dibranes tonë, gruas zonjë Melita Shehu. Melita performoi karahas perlave të muzikës popullore kombëtare si Naile Hoxha, Fitnete Rexha, Avni Mula, Ibrahim Tukiçi, Luçije Miloti, Qemal Kërtusha, Meliha Doda e të tjerë emra.
Po kështu tronditi skenat e Maqedonisë me ansamblin “Dibra” në vitin 1970. Edhe sot në sallat koncertale të Strugës, Ohrit, Dibrës së Madhe, Tetovës ndjehet jehona e timbrit të zërit të saj të veçantë. Melita ruan me fanatizëm origjinalitetin e këngës dibrane, por edhe të pasuruar me repertor të muzikës së huaj arabe, turke, madje edhe kineze.
Historia e festivaleve të muzikës së lehtë shqipare, ka në arkivë edhe zërin e Melita Shehut. Në Festivalin e dytë të këngës në Radio Televizion, Melita renditet në vendin e dytë me këngën e Avni Mulës “Natë feste”, ndërsa një vit më pas klasifikohet e treta më këngën e Tasim Oshafit “Urim për ditëlindje”. Kulm tjetër në ecurinë e saj artistike, mbetet viti 1975, ku në një festval të këngës popullorë organizuar në Tiranë, Melita Shehu meriton vendin e parë me këngën “Zani n’bjeshkë” me muzikë të Vangjel Petushit, duke rritur konkurencën edhe me emrin e njohur të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore Drita Papajani.
Melita Shehu ishte dhe mbeti, këngëtare e suksesesve të merituara. Kur erdhi në Durrës në vitin 1971, gjeti frymë inkuajuese, pasi në këtë varjete ishte regjisor Gjergj Vlashi dhe aktivizoheshin emra të tillë si Skënder Myshketa, Qemal Kërtusha, Agron Xhunga, Zija Saraçi, Ylli Çifti, Engjellushe Laze, Petraq Dhamo, Enver Qerimi, Vera Urumi, Aishe Stari, Nikolin dhe Meropi Xhoja, Sandër Pepa dhe Spiro Strati, Lume Dashi dhe Fadil Hasa etj.
Melita Shehu ishte pjesë aktive e Estradës së Durrësit. Fama e saj ishte e madhe. Ajo interpretoi këngë të ndryshme, duke mbetur shumë e preferuar. Artdashësit durrsakë linin “kokën” pas zërit dhe interepretimit të rrallë të Melita Shehut. Ende kujtohet kënga e Skënder Myshketës “Unë, ti dhe kitara”, e prezantuar nga i mirnjohuri Vangjel Heba dhe që u këndua mrekullisht dhe shoqëruar me kitarë nga Melita Shehu.
Vjen i pakuptimtë, disi i errët, ndëshkimi misterioz që i është dhënë Melita Shehut, nga e ashtëquajtura organizata bazë e Partisë së teatrit “A. Moisiu”. Ishte vitit 1981. Në kulmin e ecurisë artistike, ku shikuesit durrsakë po se po, por edhe artëdashësit nga i gjithë vendi, e preferonin dhe duartrokitnin pa ndërprerje këngët e dala nga shpirti artist i Shehut, vjen si rrufe në qiell të hapët ndëshkimi fatal. Zërit të saj iu vendos “thika”, duke i therur shpirtin dhe zemrën, jetën thuaj ia dogjën, ia përcëlluan pasionin dhe i vendosën flakën talentit.
Nga ngarkesat e mëdha artistike, nga skenat e qytetit në ato të fshatrave dhe qendrave të punës dhe të prodhimit, dibrania e këngës, mrekullia e bukurisë skenike kalon ftohje të rëndë. Dhe kur rikthehet në punë, i japin haberin orgurzi: që duhet të shkosh në prodhim për të forcuar jetën artistike të klasës punëtore. Në fakt ishte një pushim i mirfilltë nga puna, duke lënë gojë hapur dhe të habitur të madh e të vogël në Durrës. Nuk marrim përsipër të analizojmë këtë vendim absurd pas 44 vitesh, por kjo gijotinë ia sharroi karrierën kësaj të lindure të skenës.
Uli kokën dhe shkoi të punoj në fabrikën e Gomës. Si për ironi i dhanë një presë, si për të kujtuar presën që i asgjesuan dhe i përvëluan jetën artistike. Melita Shehu ishte 38 vjeçare. Qau me lotët e shpirtit. Iu nënshtrua fatit të mbrapshtë. Iu kujtuan fillimet e vështira, ëndërrat që thuri në fëmijërinë e hershme dhe iu duk se gjithçka shkoi drejt zeros. Por jo. Njerëzit e kujtojnë Melitën e bukur të këngës, këtë vajzë që lindi në lartësitë e Korabit dhe erdhi të shtrij jetën në Durrësin e Adriatikut tërheqës.
Ajo nuk u kthye më tek kënga, por këndoi tërë kohën mbase edhe tani me zërin e zemrës së pastër, duke e përdorur këtë melodi shpirtërore, në mjekimin e plagëve dhe të pamundësisë në këë moshë 82 vjeçare.
Arti e kërkoi Melitën. Populli gjithashtu. Populli e kërkon edhe tani Melitën e pashme, duke sjellur në Durrës një copë Dibre, të cilën e nderoi me sa mundi dhe si mundi.
Melita Shehu ka lënë një trashëgimi të pasur muzikore, duke ndihmuar në ruajtjen dhe promovimin e muzikës qytetare, veçanërisht atë dibrane. Ajo nuk shuhet. Dhe gjithnjë do të kujtohet. Vjen ky 19 prill i vitit 2025. Është pranvera e dytë, por që shënon 82 vite jete të këngëtares dibrane, që u bë po kaq edhe durrsake e bindur dhe tërheqëse.
Vuan nga sëmundja. Edi, mbesa mbi krye. Ne të tjerët veç e kujtojmë dhe lutemi për të patur ditë më të lehta nga drobitja. Por hijeshia e dikurshme, mbetet ende e vizatuar, apo e skalitur në fytyrën e saj. E bukura e dheut, dibrania adhuruese e këngës, melodia e këngës popullore, hijeshia e skenës, zëri i veçantë i vendosur në arkivën e kujtesës qytetare dhe të historisë së artit, është në 82 vjetorin e lindjes.
Gëzuar Melita Shehu!
Comentarios