![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_a65fe27c4ec3461a8492392b63c3095d~mv2.png/v1/fill/w_980,h_1225,al_c,q_90,usm_0.66_1.00_0.01,enc_auto/a48dbc_a65fe27c4ec3461a8492392b63c3095d~mv2.png)
In memoriam
Lamtumirë Esat Ypi, kolosi i mënçurisë durrsake
“Të paktën vdekja të na gjej gjallë”
“Do të pijmë qumështin nga gjinjtë e dijes”
Sapo është dhënë njoftimi nga familja, se kolosi i mënçurisë durrsake, senatori i dijes dhe i kulturës, kalorësi i fisnikërisë dhe mirësisë, intelektuali potencial dhe i përmalluar në çdo qelizë për Durrësin Esat Ypi, mbylli sytë përgjithnjë. Lajmi vjen i rëndë si plumbi dhe na godet m’u në këtë, që quhet shpirti ynë. Harku kohor i jetës së tij nisi më 21 shtator 1936 dhe u sos më 10 shkurt 2025.
Në dheun e huaj, në Trevizo të Italisë, do të kemi të strehuar përjetësisht një pjesë të Durrësit, shijuesin e madh të muzikës së dallgëve të detit, ai që përbetohej për Durrësin dhe durrsakët, nga të rrallët që e manifestonte me tërë fuqinë e shpirtit etjen e pashuar të mallit për vendlindjen Esat Ypin, Esatin tonë të mënçur, Esatin tonë që nuk do të mund ta besojmë, se komunikimi me të nuk do të ekzistoj më.
Eh ditë, që e sose fundin me shumë dhimbje! Trishtimi na ka mbuluar plotësisht. Lajmi që vjen nga larg bëhet edhe më i rëndë, duke na këputur një pjesë të shpirtit dhe bërë pjesë të këtij trishtimi. Komunikonim gati për ditë. I shkruanim njëri tjetrit. Dëgjoja se si i kërcitnin lotët në fytyrë nga malli, nga kujtimi për shokët, për miqtë, nga Zana, bashkshortja që u nda para disa vitesh nga jeta, nga dashuria për mbesat.
-Më puth tokën e Durrësit për mua Bujar, më thonte vazhdimisht. Hidhi një grusht ujë syve, nga deti ynë i kripur që na rreshku lëkurën. Ec mbi atë rërë përvëluese, që na forcoi këmbët. Theku pak në atë diell, që na temperoj trupin. Eh Durrës, o Durrësi im që nuk do të shikoj më! Jam plakur Bujar dhe më duket se jeta po fiket ngadalë. Jam bërë shumë i pamundur. Por më mbajnë të fortë malli dhe kujtimet për atë Durrës. Do ta kem peng në zemër, që nuk do ta shikoj.
![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_1867972f71a840958acbf9ed67c10d01~mv2.png/v1/fill/w_980,h_653,al_c,q_90,usm_0.66_1.00_0.01,enc_auto/a48dbc_1867972f71a840958acbf9ed67c10d01~mv2.png)
Esat Ypi ynë! I miri ynë! I dhëmbshuri ynë! Vije rrallë në Durrës dhe mallin për të nuk mund ta mbaje dot. Ishe dhe mbete i përvëluar. Të lidhi jeta me detin. 40 vite ekonomist i rangut të lartë në portin detar. Projektove dhe ndërtove konteinerin e parë shqiptar. Arrite të botoje edhe një libër me kujtime. Kam shkruar shumë për ty Esat im i shtrenjtë, shumë. Dhe më dukej se përsëri, kisha lënë gjëra mangut dhe mund t’i plotësoja në shkrimet e rradhës.
Zëri yt i pastër, si deti i kthjellët i mëngjesit. Fytyra jote shprehte shumë fisnikëri, madhështi, thjeshtësi, durim, sakrificë, qendresë, falje ndaj paudhësive që të janë bërë, jo hakmarrje, dëshirë për të jetuar, por me dinjitet dhe personalitet. Nuk u lute për favore, por dhe shembullin se si punohet, se si studiohet, se si sakrifikohet, duke ruajtur nderin, personalitetin dhe traditat e shkëlqyera familjare.
Esat sdo të shikojmë më. Nuk do të flasim më. Nuk do ta dëgjoj më zërin. Nuk do ta ndjej më lotin tënd, që të kërciste në faqe. Nuk do të prek drithërimat e mallit të jashtëzakonshëm për Durrësin tonë të bukur. Fuqia yte intelektuale, nuk ka të krahasuar. Kultura yte ishte e rrallë dhe zor se mund të gjej të dytë. Ti na bërë nder me punën tënde titanike, me dashurinë që rrezatoje, me përkushtimin e rrallë të një kuadri dhe intelektuali, me fuqinë e lapsit magjik, të lyer me energjinë dhe potencën e jashtëzakonshme.
Deti, dallgët, era, zgalemi, horizonti përmbi ujët e kripur, kur dielli zgjohet dhe përgjumet, leshterikët me erën e jodit, që e kanë të humbur betejën me valët, mbeten ëndërruese për ty.
Esat baraz punë. Porti baraz fuqi gjeneruese. Deti baraz frymëzim. Ti nuk ishe thjesht një ekonomist. Ti e bëre këtë profesion, të këndoj me zërin e profesionistit të pacak, ku vendose të provosh sfida të vështira në kohë delikate. Ti më shumë Esat Ypi, duke qenë pranë detit, e dije se çfarë janë stuhitë, që kur i kujton mat sipërisht mbijetesën tënde.
Asnjëherë nuk e trajtove veten rrogtar, por testues i shkallës më të lartë të vështirësisë së profesionit. Kërkim dhe shkencë. Studim dhe hulumtim. Thellim në përvojën e përkryer të punëtorëve, teknikëve, inxhinjerëve, kuadrove të portit detar. Dhe vlerën e punës, e mate me devizën: sa jep dhe jo sa merr.
I mbajte të shenjta deri në minutën e fundit, fjalët e babait tënd Asllanit, i lauruar në Stamboll për mësuesi: "puno bir me maksimumin e punës dhe maksimumin e ndershmërisë", t'u bënë si refren i triumfit të këngëve dhe melodive të fitores.
Dhe shumë. Meritoje shumë. Titull dhe vlerësim zyrtar nuk more, por gëzove në tepri atë respekt dhe mirnjohje, që të mbuloi një popull i tëri. Aristokrati i ekonomisë shqiptare. Mister konteineri. Aftësitë e tua ia dhe 100 përqind punës dhe puna të nderoi, të veçoi duke të vendosur në lartësinë e asaj bukurie shpirtërore.
Jeta e Esat Ypit ngjasoi me fabrikë gjigande, ku u prodhua dhe prodhohet statura e familjes së tij, mirësia e pafund dhe fisnikëria lyer me ngjyrat e një shpirti të dlirtë dhe fort njerëzore.
Jetoi në Trevizo dhe me sytë e mëndjes, shikonte qytetin e lindjes, Durrësin e bukur, i cili feks me ngjyrat më të ndezura, ku malli për të cilin lëvizte në deje, duke u bashkuar me gjakun që i mbante gjallë jetën.
Dëgjoje muzikën e jashtëzakonshme të Bet’hovenit. Por muzika që ta godiste trurin si çekan, e cila të dukej se ia kalonte maestros së famshëm, ishte muzika e bukur dhe e ëmbël, ku bashkonte sentimentet e mallit të pashuar për Durrësin, me ato të një pleqërie, që sa vinte bëhej më e thellë. Ishte muzika e dallgëve të detit.
Jeta e Esat Ypit ngjasoi me një anije stërmadhe, ku eci në detin e pakufishëm të halleve, derteve dhe sukseseve, duke kryer udhëtime famoze e i ruajtur nga erërat shqetësuese si maistra, shiroku, tresto, ponent dhe tramontan, duke mbajtur në kuvertë të ikurit që mbetën të gjallë, të gjallët aktivë, e patur bindjen se frymëmarrja e tij është plotësisht e justifikueshme që mbeti kështu.
Indrit dhe Evisa, Benereta dhe ju mbesat e bukura të gjyshit tuaj, merrni ngushëllimet nga Durrësi ynë, për atë durrsak madhështor që na la, duke i bashkuar lotët tanë me lotët tuaj, e për ti kthyer në lumenj dhimbje dhe trishtimi sa një det i pambarimtë.
Krenar për Esatin tuaj! Krenar për Esatin tonë! Përjetësisht i mbuluar me lavdinë dhe krenarinë që na le!
I lehtë dheu për ty, Esati ynë i dashur! Na le në dhimbje. Parajsa t’u bëftë e florinjtë i shtrenjti ynë!
Comments