BUJAR QESJA: In memoriam: Kostandin Korreta burri i nderuar i Durrësit
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 hours ago
- 3 min read

Nga BUJAR QESJA
Në këtë të hënë, të 21 prillit 2025 mbylli sytë përgjithnjë në Tiranë, intelektuali dhe drejtuesi i njohur në Durrës Kostandin Korreta. Përkimi është fat për të edhe kur mbylli sytë. Në këtë ditë është larguar nga jeta në Romë edhe Papa Françesku, kreu i Vatikanit. Përkimi vazhdon të jetë edhe në dy tregues. Në moshë dhe në profesion. Argjentinasi Jorge Mario Bergoglio jetoi 88 vite, e Korreta ynë 88. Profesioni mbetet i njëjtë: diplomuar për kimi. Koçi nuk arriti të krijoj familje, por ai nuk u ndje asnjëherë i vetëm. U lind dhe jetoi tërë kohën në Durrës, duke përjashtuar dy vitet e fundit, që u strehua në të afërmit e tij në Tiranë. Koçi Korreta, është historia qytetare i një intelektuali të mirfilltë. Mbaroi studimet e larta për inxhinjeri kimike në Bratislavë të Sllovakisë dhe vjen në Durrës, duke kryer detyra të rëndësishme drejtuese.
Lindi me 15 qershor të vitit 1937.

Vjen nga Sllovakia në vitin 1961 dhe e nis jetën e profesionit si kryeinxhinjer në ndërmrrjen ushqimore në Berat dhe Skrapar. 24 vjeçar durrsaku Korreta, filloi një karrierë të mbarë. Mbas pesë vitesh, tërhiqet me shpejtësi në Durrës, pasi zhvillimi ekonomik i qytetit, kishte shumë nevojë për profile spikatëse si të Kostandin Korretës.
Nis nga puna në Ndërmarrjen Industriale Lokale të Prodhimeve (NILP), ekonomi e cila më pas emërtohet Ndërmarrja Shtetërore Ushqimore. U emërua si shef i laboratorit dhe më pas kalon në detyrën e rëndësishme të kryeinxhinjerit. Kjo ndërmarrje ndahet në katër degëzime: UEM, URT, NISH Kimike dhe N. Ushqimore. Koçi nuk lëvizi nga puna e mëparshme, pasi emri dhe veprimaria e tij ishin bërë shumë të njohura.
Me fillimin e viteve 90-të, nuk lëviz nga detyra e kryeinxhinjerit. Punon në fabrikën e duhan cigareve “Telat Noga”. Në vitin 1994 , fabrika e bukës në Durrës ka për drejtor Koçi Korretën. Në vitin 1997-2000, ky kuadër i lartë tërhiqet në Bashkinë e Durrësit dhe kryen detyrën e këshilltarit të Kryetarit të Bashkisë për kohën Arqile Gorrea. Krahas kësaj detyre, në Bashki krijohet edhe zyra e zhvillimit teknik me drejtues këtë intelektual aktiv.
Para se të na ikte nga Durrësi
Para se të na ikte nga Durrësi e takova, mesa duket ishte i fundit. Mbetesh plot mall dhe me kujtime të paharruara për Durrësin. Bëri çmos, falë aftësive profesionale dhe intelektit të zhvilluar, të jepte ndihmesë aktive në zhvillimin e sektorit ushqimor. Dhe ky zhvillim, lidhet pazgjidhmërisht me emrin e njërit prej krijuesve të tij Kostandin Korreta. Ai mbaroi studimet e larta jashtë shtetit dhe merr përsipër detyra delikate, që kanë të bëjnë me zhvillimin dhe progresin. Shqipëria dhe Durrësi kishin shumë nevojë për kuadro dhe potencë intelektuale të nivelit të Korretës. Dhe ai e kreu me shumë sukses këtë ngarkesë.
Nuk kishte shumë dëshirë të fliste për veten dhe falë modestisë dhe thjeshtësië që aq shumë i shkontë natyrës së tij, nuk e harroj teksa më bëri një sygjerim:
-Po të bëj një propozim, për të shkruar për nga kuadrot më të përkushtuar të Ndërmarrrjes Ushqimore që në krijimin e saj Hysen Ballhysën. I donte shumë durrsakët dhe ato lenin kokën për të. Nuk harroj kur më thonte një ditë:
-Koçi duhet të vrasim mëndjen, se si të hapim vende të reje pune dhe të sistemojmë fëmijët e durrsakëve tanë. Ne i duam ato dhe ato shpresojnë shumë tek ne. Edhe kur doli në pension veprimtaria e Koçi Korretë, u bë pikante në anën shoqërore. Ai mbetet nga më aktivët e Shoqatës së madhe qytetare “Durrësi” që në krijimin e saj. Ndër emrat e njohur të kësaj shoqate dhe qytetarisë durrsake si: Dhimitraq Goga, Salvator Sotiri, Spiro Urumi, Koçi Moisiu, Raq Manushi, Halil Myderrizi, Ali Sula, Danish Bebeziqi, Matish Gjeluci, Nikolla Jorgoni, Ilia Toçi, Osman Kalaja, Agim Shehu, Refik Kajsiu, Dilaver Cara, Polikseni Dushnikun (Koçi), Ferid Korrë, Selami Dakoli etj. qendron me një stekë të ngritur lart edhe Kostandin Korreta.
Dashuria e madhe për Durrësin dhe dursakët
Mendimet e tij, përvoja e tij, dashuria e madhe për Durrësin dhe dursakët e kthyen Kostandinin Korretën, në një portret shumë të dashur për banorët e qytetit. Gjithnjë aktivi, i palodhur, ndonëse në vitetet e fundit lëvizte mbi një patericë, por asnjëhre nuk ankohej.
Durrësi sot ka humbur një bir të denjë, një qytetar nga më aktivët. Është larguar një personalitetet i zhvillimit ekonomik, një kuadër nga të rëndësishmit, veçanërisht në vitet 70-të-80-të, ku dha më të mirën e tij.
Dhimbje për humbjen e Kostandinës Korretës! Thuajse është nga brezi idealist dhe nga të fundit që po ndahet nga jeta. Është shuar një zë i njohur, jehonën dhe mungesën e të cilit do ta ndjejmë tërë kohën. Lamtumirë biri i Durrësit, i miri ynë i gjithkohshëm Kostandin Korreta!
Bujar Qesja
Durrës: 21 prill 2025
Kommentarer