top of page

BUJAR QESJA: I miri, durrsaku ynë



Vangjush Nastasi, i arti neuroradiologu shqiptar, i miri durrsaku ynë!

-Me rastin e 80-të vjetorit të lindjes


BUJAR QESJA

 

Ia njoh natyrën dhe as do të kërkonte, apo më pak të lutej për të shkruajtur për të. Momenti është shumë ngacmues. Në këtë 7 shkurt 2025, Vangjush Nastasi është në 80-të vjetorin e lindjes. Nuk ka ndryshuar. Është i njëjti, ndonëse në kurriz pesha e jetës i ka vendosur plot 80 vite, apo 960 muaj, apo 3840 javë, apo 29.200 ditë.

Është djalë heroi, por nuk është mburrur kurrë me këtë fakt. Është në udhën e tij të jetës, duke lundruar me anijen më të qendrueshme, duke u përballur me shumë dallgë, e motorri i trupit të tij, që është zemra e tij, gjithnjë shpresplotë, e drejton me shumë siguri drejt stacioneve të tjera.

Ishte viti 1968, kur mbaroi fakultetin e mjekësisë me rezultate mahnitëse. Dhe e fitoi vendin e punës, m’u në bash të vendit. Në atë qytet, në atë vend, ku konkurenca të nxjerr sytë xixa, e që do shpatulla për t’u përballuar, veçanërisht sfidat profesionale. E caktojnë të punoj në Qendrën e Fuqishme Radiologjike Shqiptare (QFR), pasi zanati i tij është neuroradiolog. Dhe me kë do të punonte? Me kolosin e radiologjisë shqiptare, të mrekullueshmin mjeshtër dhe njeri njëkohësisht, me emrin elektrizues PETRIT SELENICA.


Vangjush Anastasi! Por mbiemri i tij u sfumua nga A-ja e fillimit, për shkak të gabimeve të zakonshme që ndodhin në pikën e rregjistrimeve, apo siç thuhet ndesh gjendja civile. E pyes për këtë, shokun tim të fëmijërisë, të mirin Dhosi, vëllai i fundit nga 6 fëmijët e Maqo Dhosit.

-Gabim pa dashje në letra. Për të mos i hapur punë vetes, a –ja e parë ka “fluturuar” dhe Vangjushi vazhdoi jetën, me dy a-të e vetme të mbiemrit prej tri rrokjesh.

23 vjeçari Nastasi, hyri në rrethin e çeliktë të punës mahnitëse të Petrit Selenicës, krenaria e mjekësisë shqiptare dhe bëhet ndihmësi i parë i tij. Kanë kaluar 57 vite nga fillimi i punës dhe po ua shpreh pa mëdyshje, që nami i të riut nga Durrësi po prekte “qiellin”. Ky neuroradiolog nisi start të fuqishëm në spitalin numur 2, për të përfunduar po kaq fuqishëm, në spitalin numur 5 të Qendrës së Fuqishme Radiologjike (QFR), që mban emrin e profesorit të madh Petrit Selenica.

Neuroradiologjia është degë e radiologjisë, e përqendruar në diagnostikimin e anomalive të sistemit nervor qendror dhe periferik, shtyllës kurrizore, kokës dhe qafës, duke përdorur teknikat neuroimazherike. Më kryesoret prej tyre janë: skaneri (CT) dhe rezonanca magnetike (MRI).

Në këtë qendër radiologjike, lexova diku, u realizuan ekzaminimet diagnostike dhe intervencionuese nga profesorët Hysen Karaj, Krenar Preza, Vangjush Golloshi, Tahir Hysa, Astrit Hoxhaj, Vangjush Nastas dhe Maksim Çela, arritjet mjekësore të të cilëve, janë vlerë për mjekësinë shqiptare dhe ndihmesë për mjekësinë e huaj.

La Durrësin me lot në sy, për t’u vendosur në Tiranën e karrierës së vështirë, por nderuese. Punoi shumë ky Nastasi ynë. Studioi, lexoi, iu nështrua specializimeve të mirfillta në Francë dhe bëri emër fort të nderuar. E diskutoja me shumë durrsakë ecurinë e Vangjushit dhe na bëhej zemra mal për progresin e tij.

Vangjushi veçse ndihmësi i profesor Selenicës, është edhe djali i Heroit të parë të Punës Maqo Dhosi, i cili me buldozerin e tij mbylli pusin 542 të naftës në Marinëz, duke kryer akt heroik të pashembullt. Dhe vetë bëri emër dhe mbiemër.

Por vlerat njerëzore i ruajti të shenjta. Nuk i preku asnjë fije floku ato. Nuk u lavdërua dhe nuk përplasi pëllëmbën në gjoks, për të treguar se cili ishte. Jo ky Vangjushi ynë i Nastasëve, ishte dhe mbeti i thjeshtë. Shok dhe mik i përkryer. Flet lehtë, me ton të ulët, me kulturë tërheqëse, duke mbetur erudit pikant jo vetëm i mjekësisë, por edhe i njohurive të përgjithshme.


Ecuria jetësore e çoi në krijimin e familjes, duke qenë bashkshort i respektuar i koleges së tij mjeke, tashmë profesoresha e njohur Eleni Thoma. Familja e tyre e shenjtë, u zgjerua me dy vajza si zanat. Që të dyja mbaruan Universitetin në Rumani. Eva punon në Ambasadën Shqiptare në Bruksel –Belgjikë dhe ka mbaruar për diplomaci. Ndërsa vajza e dytë Linda, jeton dhe punon në Gjermani. Bashkshorti i saj është inxhinjeri elektronik Kristi. Kanë djalin Aronin dhe vajzën Larën. Nipi dhe mbesa, janë qershije mbi tortë i çiftit Eleni dhe Vangjush Nastas.

Në familjen e origjinës, nuk jetojnë motra Luiza dhe vëllezërit Niko që punoi si inxhinjer në bonifikim, pas mbarimit të universitetit në Bullgari dhe mësuesi i ndërtimit Roberti. Janë me frymë motra Shpresa, sigurisht Vangjushi dhe Dhosi, që ka mbaruar studimet për oficer marine. Ka gradën major. Kryen tani edhe detyrën e kapitenit të anijes.

Ditë e enjte, 7 shkurt 2025. Vangjush Nastasi, është në 80-të vjetorin e lindjes. Kat i lartë i kësaj ndërtese të qendrueshme. Gëzon shendet të plotë dhe miqtë i thonë me shaka:

-Mos të marrin msysh Vangjush, mbaj një hurdhë me vete!

Ajo që më preku dhe që meriton të nënvizohet, është poezia që Dhosi Detari, ia ka kushtuar vëllait të tij aq të dashur Vangjushit. Me siguri i ka krijuar këto vargje, pa vënë gjumë në sy dhe herët në mëngjes i bëri të njohura. Janë 20 vargje prekëse, por për ta ilustruar, gjykova të perifrazoj në këtë shkrim, vetëm katër vargjet e strofës së fundit.

Brenda Meje Vangjo!

... Të dua shumë i miri im,

Nuk di të them, se këto nuk i meritoje,

Nuk di të them, se të mungon kjo;

Di të them: je i përkryer, je brënda meje...

Maqo Dhosi, preferoi të udhëtoj në jetë, me mbiemër emrin e babait. Dhe këtë mbiemër, ia dha për emër djalit të katërt dhe të fundit, Dhosit, shokut tim, që nuk ngopemi teksa flasim për ditë për Durrësin dhe durrsakët. Familja Anastasi, apo Nastasi është prerje ekselence në Durrës. Dhe padyshim ky Vangjush, ky doktor së pari i zemrave njerëzore, pastaj i neuroradiologjisë mbetet nga të artët.

Jo vetëm kjo familje e madhe dhe bujare, por edhe ne shokët, miqtë, por edhe durrsakët veçanërisht, e kanë krenari që të mburren me punën gjigande dhe emrin e mrekullueshëm që ka vënë ky Vangjush i Nastasëve. Na ka nderuar shumë. Durrsakët e kanë idhull mjekun e tyre, pasi kurrë nuk ua mbylli derën, e kundërta ndodhi. I aftë, i dashur, me 100 përqind respekt dhe mirnjohje ndaj cilitdo, kaloi në katet e jetës ky Vangjush, duke kapërcyer i sigurtë plot 80-të shkallë.

Më tërhoqi vëmëndjen, fotoja e bërë me kampionin e Lojrave Olimpike Speciale “Berlin 2003”, për personat me Sindromën Down Gersi Troka. Mori medalje ari në 200 metra stil i lirë. Vitin e kaluar në kampionatin europian zhvilluar në Çeki, meritoi vendin e parë në 50 dhe 100 metra stil i lirë. Ky Gersi Troka doli i pari edhe në maratonën e Tiranës, për vitin 2024 në vrapimin prej 10 kilometrash.

Kurioziteti më shtyu që të pyesja. Dhe e gjeta. Gersi Troka, është djali i motrës së bashkshortes së Vangjushit. Dhe Nastasi ynë e ka shumë xhan dhe kalon minuta me këtë djalë, që vazhdon edhe universitetin dhe kërkon të sfidojë në jetë si një kapedan i madh.

Shumica e shkrimeve të mia, është surprizë dhe Vangjush Nastasi, as nuk mund ta dijë, por mbase edhe ta përfytyroj këtë të papritur që po i bëj. Isha me fat, që e mësova ditën e 80-të vjetorin të lindjes së këtij të arti neuroradiolog. Por edhe detyrimi shpejt zbriti dhe trokiti m’u në këtë shpirtin tim të ndjeshëm, për të lënë çdo gjë, para kësaj dukurije pikante të këtij 7 shkurti të vitit 2025.

Një durrsak, një bir Heroi i Punës, një ndihmës i një heroi tjetër por i mjekësisë, një mik dhe shok i yni aq i dashur dhe i respektuar, është në ditën e madhe të lindjes, të ditës së bekur nga Zoti. Dhe mëndja ime, do ta detyronte këtë që quhet lapsi im, t’i përkushtohej kësaj të cilën e trajtoj ngjarje.

Gëzuar 80-të vjetorin e lindjes Vangjush Nastasi, i arti neuroradiologu shqiptar, i miri durrsaku ynë!

17 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page