top of page

Britani e Madhe interes në rritje për atë çka Shqipëria ofron


Ambasadori Qirko duke ndarë librat shqip për fëmijët shqiptarë

Britani e Madhe interes në rritje për atë çka Shqipëria ofron


1. Thirrje për të aplikuar për tu bërë pjesë e “ekipit të ëndrrave

2. Një impakt i rendësishëm social për zonën e Dibrës dhe më gjerë

3. shtetasit shqiptar, që jetojnë jashtë duhet t'i drejtohen platformës E-Albania

4. 15 korrik fillojnë fluturimet nga Kukësi në drejtim të Turqisë dhe Zvicrës

5. mjaft shpejt do të kemi lajme të mira në këtë drejtim edhe për Londrën



Udhëtimi në Shqipëri tashmë ka një hapësirë tjetër, atë që vjen si shkak dhe fakt i ndërtimit të Aeroportit të Kukësit. Shqiptarët janë në pritje të një ëndërre të tillë që është tashmë realitet. Fakte të tjera të reja afrojnë akoma më shumë Shqipërinë me Britaninë e Madhe. Pandemia krijoi mjaft probleme dhe mes kësaj problematike Ambasada shqiptare ndjehet mjaft e angazhuar që të ndërtojë procedura më të lehta për kërkesat komunitare. Gjithashtu ka dhe të reja të tjera, angazhime, dhe mbi të gjitha respekt në rritje… Këto e mjaft të tjera duan një hapësirë për lexuesin tonë. Ndaj, jo thjesht në shenjë angazhimi, por me respektin angazhues Diplomatik që gëzon stafi i Ambasadës shqiptare në Londër, iu drejtuam Shkëlqesisë së Tij, Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Britani të Madhe dhe në Republikën e Irlandës, z. Qirjako Qirko, për të marë më shumë informacion në lidhje me aktualitetet dhe angazhimet e trupit diplomatik të kësaj ambasade në këtë kohë të vështirë pandemike. Gjithashtu me këtë intervistë, sikurse e cituam, synuam të bëjmë më të lehtë disa njohje ligjore dhe mjaft angazhime të tjera që lehtësojnë mjaft nga kërkesat e shqiptarëve, që kanë nevojë për shërbimet që afron Ambasada e Shqipërisë dhe shërbimi saj konsullor.


Pyetje: Zoti Ambasador, Qirkjako Qirko, si u përballua situata e vështirë pandemike në një vit e gjysëm dhe çfarë angazhimesh keni patur në këtë periudhë në drejtim të prezantimit të potencialeve ekonomike të vendit tonë?


Përgjigje: Ashtu siç ju me të drejtë e përmendët periudha e goditjes nga pandemia ka qenë një periudhë e vështirë dhe me një impakt negativ global në shumë aspekte të jetës ekonomike, politike e sociale. Megjithatë, sikurse njeriu si një qënie që “është i dënuar” të përshtatet në çdo situatë, jemi përpjekur që duke iu adoptuar kushteve të krijuara, që të përpiqemi të bëjmë më të mirën në funksion të detyrës. Dhe në përgjigje të pyetjes tuaj unë do ta konsideroja një zhvillim pozitiv pjesëmarrjen e një konsorciumi britanik në tenderin për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Pavarësisht rezultatit pjesëmarrja për herë të parë e një grupi kompanish nga Mbretëria e Bashkuar, në një konkurim të tillë, është padyshim tregues i interesit në rritje për atë çka Shqipëria ofron.

Do të ishte me interes të tregoja dhe për një takim që kam zhvilluar pak ditë më parë me Presidentin për Europën, Afrikën dhe Lindjen e Mesme të Kompanisë Bechtel, Ambasadorin Justin Siberell. Ambasadori Siberell, një personalitet i jashtëzakonshëm, me një karrierë 27 vjeçare në Shërbimin e Jashtëm të SHBA prej një viti është edhe President i kompanisë së mirënjohur Bechtel për rajonet e sipërpërmendura. Sikurse e dini pak kohë më parë Qeveria shqiptare dhe Kompania Bechtel njoftuan se ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës do të bëhet me fondet e qeverisë së SHBA dhe se për ndërtimin e tij do të angazhohet kompania Bechtel e cila ka nje experiencë disa dhjetëra vjeçare në këtë fushë.

Nga biseda që zhvillova me Ambasadorin Siberell mësova se ndërtimi i këtij hidrocentarali do të ketë impakt shumë pozitiv në disa fusha, sikurse është në radhë të parë shfryqëzimi tërësor i fuqisë energjitike të lumit Drin. Me ndërtimin e këtij hidrocentrali ekonomizohet shfrytëzimi i ujërave të Drinit edhe në raport me hidrocentralet e tjerë në këtë lumë si Komani, Fierza dhe Vau i Dejës, si dhe ajo që është shumë e rendësishme për një pjesë të konsiderueshme të banorëve të nën-Shkodrës do të shmangë përmbytjet për këtë zonë. Përveç kësaj, ndërtimi i këtij hodrocentrali do të ketë një impakt të rendësishëm social për zonën e Dibrës dhe më gjerë, pasi për ndërtimin e tij do të angazhohen disa mijëra punëtorë dhe një numër shumë i konsiderueshëm specialistësh të fushave të ndryshme. Nga ana tjetër ndërtimi i këtij hidrocentrali do të bëjë një “revolucion“ të vërtetë në fushën infrastrukturore të rajonit duke e kthyer atë jo vetëm në një zonë me infrastrukturë moderne, por edhe një zonë që do të njohë një rritje të paparë të turizmit.


Pyetje: Me një staf të reduktuar në numër keni mundur të përballoni një ngarkesë të jashtëzakonshme pune. A mund të na thoni diçka më shumë për këtë angazhim si dhe për procedurat që duhet të ndjekin shtetasit tanë kur ju nevojiten shërbimet konsullore të ambasadës sonë?


Përgjigje: Ju falënderoj për pyetjen pasi më jepet mundësia që në këtë mënyrë ti përgjigjem edhe shumë paqartësive që kanë shtetasit tanë për ofrimin e shërbimeve konsullore nga ana e Ambasadës. Do ta quaja pa ekzagjerim një “revolucion”, atë që qeveria shqiptare, ka bërë në drejtim të ofrimit të shërbimeve online për shtetasit tanë. Sot janë mbi 150 shërbime të cilat ofrohen online pa pasur nevojë të paraqitesh fizikisht pranë zyrave të gjendjes civile dhe zyrave konsullore pranë ambasadave, apo zyrave të tjera të shtetit shqiptar.

Konkretisht pë çdo shërbim konsullor, që kanë nevojë shtetasit shqiptar, që jetojnë jashtë duhet t'i drejtohen platformës E-Albania. Pasi të gjejnë shërbimin për të cilin kanë nevojë do t'ju duhet të ndjekin hapat të cilat i dikton platforma. Pasi kryejnë edhe pagesën online në adresën bankare të ambasadës që të përcjell platforma, shkohet në ambasadë për të tërhequr fizikisht lejen e kalimit, prokurën, pasaportën biometrike, apo kartën e identitetit.

Për këto dy dokumente të fundit do të ishte e nevojshme paraqitja dy herë në ambasadë. Herën e parë, pasi ke aplikuar online dhe platforma E-Albania të ka percjellë datën dhe orën e takimit, prezenca e shtetasit është e nevojshme për të kryer procedurën e lënies së gjurmëve të gishtave dhe kryerjes së fotografisë. Herën e dytë do të vihet në Ambasadë për të tërhequr pasaportën dhe kartën e identitetit, mbi bazën e njoftimit që shtetasi do të marrë në këtë rast nga Ambasada.

Nga kontaktet që kemi me bashkëatdhetarët tanë kemi konstatuar se ka edhe raste kur individë spekullantë, që unë nuk do të hezitoja ti quaja edhe kriminelë, duke shfrytëzuar mosdijen apo hezitimin që jo rrallë shtetasit kanë për të aplikuar në plaftformë, kërkojnë shuma që shkojnë deri në 400 stërlina për kryerjen e një aplikimi. Do ti bëja thirrje gjithë lexuesve të gazetës tuaj që në asnjë rast të mos i drejtohen këtyre individëve “për ndihmë”. Të përpiqen të aplikojnë vetë në platformë, pasi aplikimi është i thjeshtë dhe i ndërtuar në atë formë, që çdo shtetas mund ta kryejë vetë dhe nëse nuk ja del dot punonjësit konsullorë në Ambasadë do ti ndihmojnë.

Nga ana tjetër duke ju përgjigjur dhe interesit tuaj dua t'ju them se volumi i punës në sektorin konsullor është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme. Për këtë do të ju jap vetëm një fakt. Javën e kaluar nga zyra konsullore e kësaj ambasade janë kryer 1773 veprime konsullore (kryesisht pasaporta dhe karta identiteti). Kjo punë e realizuar në një javë është më shume se veprimet konsullore që kjo ambasadë ka kryer gjate 5 muajve të pare të vitit 2016. Me këtë rast do të desha të falenderoja konsullin z. Golli dhe stafin konsullor (dy operatorët) për angazhimin dhe përgjegjësinë që kanë patur në plotësimin e detyrave.

Gjithashtu besoj se shumë shpejt do të përfundojmë dhe përmirësimin e ambienteve ku kryhet shërbimi konsullor duke rritur cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimit.


Pyetje. Kur mendoni se do të fillojë nga puna linja Londër-Kukës dhe a ka ndonjë mundësi që Shqipëria të konsiderohet Green nga shteti britanik?


Përgjigje. Sikurse e dini ka qenë një angazhim personal nga ana e Kryeministrit Edi Rama për ndërtimin dhe bërjen funksional të aeroportit të Kukësit. Shumëkush ka qenë skeptik për këtë premtim, por sot ky aeroport është realitet. Siç jeni në dijeni në 15 korrik fillojnë fluturimet nga Kukësi në drejtim të Turqisë dhe Zvicrës. Kjo do të thotë se ky aeroport i ka kaluar të gjitha testet që kërkojnë rregullat ndërkombëtare të aviacionit civil për lejimin e fluturimeve. Padyshim që masat kufizuese për përhapjen e Covid-19 pengojnë edhe në këtë drejtim. E them këtë pasi edhe personalisht jam përpjekur për të lehtësuat ardhjen në Londër të administratorit të aeroportit të Kukësit për të zhvilluar bisedime me homologët e tij, por rregullat britanike janë hermetike për sa i përket karantinimit 10 ditor dhe kjo padyshim përbën një vështirësi jo të vogël për dikë të angazhuar në biznes. Megjithatë jam në dijeni dhe të kontakteve në nivele të tjera më të larta dhe besoj se mjaft shpejt do të kemi lajme të mira në këtë drejtim.

Për sa i përket pjesës së dytë të pyetjes tuaj dua të ju them se tashmë lidhur me numrin e të infektuarve për 100 mijë banorë Shqipëria faktikisht është Green, por këtë realitetet duhet ta njohin autoritetet ndërkombëtare, që monitorojnë rritmet e uljes, apo rritjes së përhapjen të sëmundjes.Ajo që duhet thënë në këtë rast është manexhimi fantastik që Qeveria shqiptare i bëri kësaj pandemie. Sikurse e dini tashmë spitalet Covid 2, 3 dhe 4 janë të mbyllur, ndërsa në spitalin Covid 1, apo tek infektivi ndodhen të shtruar më pak pacientë se gishtat e duarve. Ndërkohë vaksinimi ka zbritur nën moshën 50 vjeç dhe deri në fund të muajit qershor besoj do të kapi shifrën e 1 milionë të vaksinuarve. Pavarësisht moshës janë vaksinuar edhe punonjësit e spitaleve dhe qëndrave shëndetësore (mjekë, inferimierë, laborantë), mësuesit, punonjësit e policisë, punonjësit e shërbimeve turistike, punonjësit e trasportit etj.


Pyetje. Si po punohet me brezin e dytë dhe të tretë të cilët kanë lindur në Britani për të mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën shqiptare? Ka ndonjë iniciativë të re nga ana e Qeverisë shqiptare për të tërhequr kontributin e intelektualëve të rinj në botë, apo dhe të emigrantëve të cilët duan të kontribuojnë për vendin e tyre?


Përgjigje. Për mua është viti i pestë që shërbej si ambasador këtu në Britani dhe një nga aktivitetet e përvitëshme që e kam shumë për zemër është pjesëmarrja në përfundimin e vitit shkollor të shkollave shqipe. Nuk e fsheh, që për mua është një moment shumë emocionues, kur dëgjon fëmijë të lindur e të rritur këtu në Britani të Madhe të cilët flasin dhe recitojnë aq bukur shqip, ndaj mirënjohja e pafund në këtë drejtim i përket mësuesve dhe mesueseve tona të mrekullueshme të cilat punojnë me aq shumë dashuri për mësimin e gjuhës shqipe. Kontributi i tyre në këtë drejtim është i pallogaritshëm, pasi mësimi i gjuhës amtare i mban njerëzit të lidhur me kombin, me historinë dhe kulturën e tij. Mësimi i gjuhës i mban të lidhur vogëlushët me njerëzit e tyre të dashur që kanë në Shqipëri, Kosovë e kudo ku ka shqiptarë. Mësimi i gjuhës shqipe është elementi i parë që na identifikon si komb ndaj për ruajtjen mbrojtjen dhe mësimin e saj çdo sacrifice ja vlen.

Gjithashtu këto katër vitet e fundit një punë e mirë është bërë në këtë drejtim edhe nga ana e Ministrisë së Diasporës dhe Ambasadës së Republikës së Shqipërisë këtu në Londër. Tashmë nga të gjitha shkollat e gjuhës shqipe në Britani ne kemi mbledhur kërkesat për tekstet shkollorë për vitin e ardhëshëm dhe brenda muajit korrik do të bëjmë shpërndarjen e këtyre teksteve.

Dhe sa herë flasim për këtë temë nuk është e tepërt ti shprehim gjithë mirënjohjen tonë Qeverisë së Madhërisë së Saj Mbretëreshës Elizabeth II, për mundësinë dhe mbështetjen që i jepet komunitetit shqiptar si dhe komuniteteve të tjera këtu në Britani të Madhe për të rruajtur e zhvilluar gjuhën dhe kulturën kombëtare.


....intervista e plotë në numrin e radhës së Revistës "Albanian Post" ...

86 views0 comments

Komentar


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page