top of page

Braktisja e të moshuarve, një plagë e re për shoqërinë shqiptare


Dr Nuri Dragoj

Braktisja e të moshuarve, një plagë e re për shoqërinë shqiptare



Dr Nuri Dragoj

Tranzicioni i shoqërisë shqiptare po rëndon në radhë të parë mbi moshën e tretë. Lëvizja e të rinjve drejt emigracionit, tendencat për të krijuar familje bashkëkohore, familje të vogla apo të vetmuara në çifte, pa praninë e vjehrrës apo vjehrrit, kanë vështirësuar jetën e të moshuarve. Burime zyrtare të besueshme bëjnë të ditur se janë mbi 500 të moshuar në vit, ose rreth 40 në çdo muaj, që kërkojnë ndihmën e shtetit, për shkak se kanë mbetur të vetmuar, të braktisur nga fëmijët e tyre, diku për shkak të emigracionit dhe gjetkë, për shkak se fëmija i tyre nuk mund të jetojë bashkë me prindërit. Kjo krizë e dukshme në jetën e të moshuarve, vihet re për herë të parë në vendin tonë, pasi në vitet e shkuara ka dominuar familja patriarkale, ku prindi kishte autoritet të padiskutueshëm ndaj fëmijës. Tani po ndodh e kundërta. Nuk është fjala për t’u kthyer sërish te familja patriarkale, por për një sensibilizim të mundshëm të shoqërisë shqiptare dhe shtetit, me qëllim që të parandalohet një fenomen i tillë, por dhe që të merren masa organizative, me qëllim që jeta e këtyre të moshuarve, të cilët kanë kontribuar për këtë shoqëri, një jetë të tërë, të mos nëpërkëmbet. Kuptohet që marrëdhëniet midis brezave janë produkt historik, ato jo kurdo ndjekin në të njëjtën kurbë dhe asnjëherë nuk janë të ngjashme dhe të pandryshueshme. Kur shoqëria ndryshon, kur kalon nga një sistem në një tjetër, nga një formë organizimi në një tjetër të re, ndryshon familja, organizmi i saj, mënyra e jetesës dhe marrëdhëniet midis brezave. Këtu nuk është fjala thjesht në papajtueshmërinë e të rinjve me të vjetrit në mendime, pasi lufta psikologjike midis brezave nuk është e sotme. Në çdo kohë, brezi i ri është në konflikt me brezin e vjetër, por çështja është që të shmangim përjashtimin e njëri-tjetrit. Familja e re, e quajtur moderne, duhet pranuar se po lëviz në drejtim të kundërt me familjen tradicionale, me normat dhe kriteret e ndërtimit të marrëdhënieve midis brezave. E keqja më e dukshme është mungesa e respektit midis pjesëtarëve në familjen shqiptare, ku është venitur ndjenja e përcjelljes së respektit për të moshuarit, e cila besoj se është një nga normat më të vjetra dhe më të pëlqyeshme në historinë e njerëzimit. Respekti njerëzor, detyrimi i fëmijës ndaj prindit, nuk mund të konsiderohet një normë e vjetruar, por një virtyt moral, i cili jo vetëm nuk duhet të shuhet, por do të ishte mirë të ngjitej në një shkallë më të lartë. Respekti fëmijës ndaj prindit është një borxh moral e shpirtëror që u duhet kthyer atyre, pasi të njëjtën gjë ka bërë dhe prindi ndaj fëmijës së vet. Ai, pas lindjes, e ka mëkuar më gjirin e nënës, e ka larë dhe veshur sa herë ka qenë nevoja, e ka ushqyer dhe mbajtur për dore që të mos rrëzohej. Një punë të tillë e ka bërë vite të tëra, deri sa fëmijë është bërë zot i vetes. Për këtë shkak, edhe fëmija duhet të tregojë kujdes për prindin, ta mbajë për dore të mos rrëzohet, të kujdeset për t’u larë dhe ushqyer, pasi dhe i moshuari ngjason shumë me fëmijën. Edhe ai, vjen një kohë që ka nevojë të mbahet për dore, të lahet dhe ushqehet, deri në momentin që ndahet nga kjo botë. Ashtu si prindi ka ndjerë kënaqësi që ka ndihmuar fëmijën, ashtu dhe fëmija duhet të ndjejë të njëjtën kënaqësi duke i shërbyer fëmijës, ndonëse këtu nuk bëhet fjalë për një paralelizëm të njëjtë. Pak ditë më parë, takova me një moshuar të cilin e kishin nxjerrë jashtë shtëpisë. Ishte me origjinë nga Fieri. Ai kishte tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë, por asnjë prej tyre nuk dëshironte ta mbante në shtëpi. I shkreti plak kishte kërkuar azil, por nuk kishte gjetur. Ishte përplasur te një motër e tij, por motra kishte burrë dhe fëmijë për vete dhe nuk e kishte mundësinë për t’u kujdesur për të, edhe pse e kishte pranuar në shtëpinë e saj për disa ditë deri në një zgjidhje të mundshme.

- Përse të dëbuan nga shtëpia?, - e pyesim të moshuarin. - Ka tre vjet që më ka vdekur gruaja, - tregon ai pa mundur të mbajë lotët që i rrjedhin mbi faqe. Kur një burri i vdes gruaja, ai prêt vetëm të këqija. Nuk thonë kot që “më mirë të vdes burri para gruas”. Burri nuk është i zoti i vetes. Tani pushtetin e ka nusja, ajo e detyron dhe djalin të pajtohet me mendimin e saj. Ajo do të më largojë nga shtëpia me çdo kusht. - Po djali si reagon? - Ul kokën dhe nuk flet fare. - Çfarë kërkon nusja, pse shqetësohet nga prania juaj? Kini shtëpi të mjaftueshme apo jo? - Shtëpi kemi dy dhoma e një kuzhinë, por më quan të tepërt. Do të bëjë jetën time, thotë. Dua të rri zhveshur nëpër shtëpi, sipas qejfit. Dua t’i hedh këmbët mbi karrige… Dua… Po të jesh ti, nuk rri dot siç dua, nuk bëj dot çfarë të dua. Ja kështu më thotë. - A merrni pension? - Po - Sa merrni në muaj? - 12.600 lekë. Nuk janë shumë, por unë nuk bëj shpenzime. Pi vetëm një kafe në ditë. Nuk pi as duhan dhe as raki. - Ke kërkuar azil? - Kam kërkuar, po nuk ka vende…

Ky nuk është rast i vetëm. Kemi dëgjuar raste të tjera, kur të moshuar të vetmuar i kanë gjetur në shtëpi pa jetë ditë më vonë nga ndalimi i frymëmarrjes. Kur era e shkaktuar nga dekompozimi i trupit ka marrë shkallët e pallatit. Dhe kjo vjen si pasojë e mungesës së kujdesit për prindërit nga ana e fëmijëve. Ndihma ndaj tyre nuk konsiston vetëm në mbajtjen e tyre në nja apartament, por dhe duke i telefonuar një herë në ditë, duke u çuar ndonjë ushqim në formë ndihme, duke i çuar për vizitë mjekësore dhe blerë ilaçet e nevojshme, duke i marrë një herë në javë për një kafe, jashtë në lokal, ose duke e pirë kafen bashkë me ta, në shtëpinë e tyre. Pra, që fëmija ta dijë, se edhe sot prindi i tij është gjallë dhe të mos e marrë vesh vdekjen e tyre pas komshiut. Dhe të mos harrojmë se asnjë prej nesh nuk do të ishte i gjallë, nëse dikush do të kishte vendosur të na largonte me dhunë nga kjo botë. Jeta e të gjithë njerëzve, përfshirë këtu shkencëtarët, filozofët, artistët, politikanët, mendjet gjeniale, shpikësit, shenjtërit, bamirësit, simbolet e bukurisë fizike e shpirtërore, ka vijuar në sajë të dashurisë njerëzore, të kujdesit dhe respektit për jetën. Dhe jeta nuk ka vlerë vetëm në fillesat e saj, vetëm në vitet e para, në rininë e saj, por ajo mbart në vetvete të njëjtën vlerë për gjithë vitet që zoti i ka caktuar secilit, nga lindjes deri në momentin e largimit nga bota fizike për në botën shpirtërore. Në vendin tonë, janë pesë institucione për strehim të të moshuarve pa përkrahje, të cilat janë ngritur në qytetet e Tiranës, Kavajës, Shkodrës, Fierit, Gjirokastrës. Në to numri i pjesëtarëve, sa vjen e shtohet, por nuk plotësohen kërkesat për shkak të shtretërve të kufizuar në numër. Sipas zyrës së shërbimit social, janë ngritur dhe disa qendra ditore për të moshuarit, ku ofrohet strehimi, ushqimi, si dhe një farë argëtimi, kundrejt çmimeve, të cilat mund të konsiderohen simbolike. Në këto qendra të moshuarit kalojnë ditën, plotësojnë nevojat e tyre, dhe më pas kthehen përsëri në familjet e tyre. Në Tiranë, është vetëm një shtëpi për të moshuarit, ku janë strehuar rreth 55 vet, pasi kaq është dhe kapaciteti i saj. Në Kamëz është ngritur një tjetër qendër ditore. Në total kapaciteti tani për tani është për rreth 300 të moshuar, kur kërkesat janë mbi një mijë. Për krijimin e qendrave të tilla sociale janë hedhur hapa të mirë dhe nga institucione joqeveritare, siç janë qendrat e ngritura nga motrat e Fondacionit "Nënë Tereza", por ende ato konsiderohen të pamjaftueshme, si në numër, ashtu dhe në kapacitete. Çfarë duhet bërë konkretisht? Së pari, organizatat jo qeveritare, të cilat marrin fonde të shumta për projekte e plane që nuk gjejnë zbatim real asnjëherë, të punojnë më shumë, që me anë të emisioneve televizive, artikujve në shtypin e shkruar, por dhe të seminareve të ndryshme, të sensibilizojnë qytetarët për të kuptuar nevojën e kujdesit ndaj të moshuarve, jo vetëm se të gjithë do të shkojmë në atë rrugë, por sidomos për faktin se sjellja dhe kujdesi ndaj tyre është detyrë njerëzore. Nga ana tjetër, shteti shqiptar, duhet të ngrejë më shumë qendra të kujdesit për të moshuarit me fonde të buxhetit të shtetit, por edhe të nxisë bizneset për ngritjen e qendrave të tilla sociale, të cilat të stimulohen me anë të fondeve të ndryshme, sidomos nga donatorë të huaj, me qëllim që mosha e tretë, e cila ka punuar një jetë dhe merr një pension simbolik, të mos e ndjejë kaq rëndë jetën në vitet e fundit të saj. Duhet të jetë e qartë për të gjithë se dhe kjo shtresë ka nevoja ekonomike dhe shpirtërore, luajnë një rol jot ë vogël social dhe se pleqëria është moment me shumë rëndësi për jetën e individit, por dhe shoqërisë në tërësi. Mosha e pleqërisë apo, siç njihet ndryshe, “mosha e bardhë”, prej nga rrjedh dhe urimi “pleqëri të bardhë” kërkon më shumë nder dhe respekt nga familja, fëmijët, shteti dhe shoqëria.

Një brez që kërcënohet nga vdekshmëria e lartë

Të parandalojmë pasojat e shtrirjes së epidemisë së duhanit te femrat

Bota ka kohë që ka dhënë alarmin për rrezikun që paraqet pirja e cigareve në tërësi nga qytetarët dhe në veçanti nga femrat. Në shumë vende perëndimore, është thelluar zbatimi i ligjit kundër duhanit dhe janë rritur sanksionet ndaj prodhuesve, të cilët abuzojnë lidhur me përqindjen e nikotikës. Përmbajtja e nikotinës dhe katranit e shënuar në paketat e cigareve, nuk korrespondon me realitetin. Një studim i bërë për cigaret e shitura në SHBA dhe Francë, tregon se cigaret e lehta lëshojnë 6 deri në 12 herë më shumë nikotinë dhe katran, se shifrat që shënohen në paketa. Shumë duhanpirës kanë përshtypjen se cigaret i ndihmojnë të përballojnë stresin, kur në fakt, cigarja është në vetvete një faktor stresi, pasi duhani shkakton ankth. Dihet që cilësia e cigareve që tregtohet në vendet e zhvilluara është më e lartë, ndërsa drejt vendeve në zhvillim, delegohen cigare të cilësisë së dyte, tretë dhe jashtë standardit, ku efektet e substancave dëmprurëse është edhe më i madh. Por shkencëtarët kanë arritur në përfundimin, se të gjitha cigaret, përfshi edhe ato më të lehtat, përmbajnë pak a shumë të njëjtën sasi të nikotinës dhe sasia që çlirohet në organizmin e njeriut është shumë më e madhe se ajo që tregon makineria te prodhuesit. Lokalet apo ambientet publike të kryeqytetit tymosen 24 orë, sidomos nga të rinjtë. E veçanta është, se numrin e duhanpirësve po e dominojnë femrat. Numri i femrave duhanpirëse ka ardhur në rritje. Thuhet se femrat e kanë filluar pirjen e duhanit pas viteve ’60, kur pati një farë liberalizmi në dobi të emancipimit femëror dhe ka marrë shtrirje të gjerë pas viteve ’90 të shekullit të kaluar. Ato e fillojnë pirjen e duhanit në moshë të vogël, duke ndezur ndonjë cigare me kafe në grup, apo me të dashurin e tyre dhe gradualisht ai pasohet nga një cigare e dytë, i tretë dhe deri sa detyrohen të kenë paketën me vete, për shkak të varësisë. Edhe pse janë koshiente për pasojat që shkakton duhanpirja, vajzat e sotme janë bërë vartëse të rregullta të cigares. Për pasojë, mungesa e nikotinës u shkakton shqetësime dhe rendin drejt cigareve për ta kërkuar atë. Pra kanë fituar një farë skllavërie. Askush nuk mund të shpjegoj qartë shkaqet e epidemisë së duhanit te femrat. Qarkullojnë teori të ndryshme, të cilat e nxisin pirjen e duhanit në dëm të tyre. Një nga më të rrezikshmet, është ajo që thotë, se duke pirë duhan, femrat do të duken më të dobëta, pra do të kenë një trup më tërheqës. Sipas së njëjtës linje, po u la duhani, do të ketë shëndet të tepërt, një majmje patologjike. Asnjë nga këto nuk është e vërtetë. Trupin nuk e mban duhani, por lëvizjet, aktiviteti fizik dhe respektimi i një farë diete. Zyrtarë të shëndetësisë kanë pranuar, se vajzat duhanpirëse, janë më të shumta në numër se djemtë dhe me kalimin e viteve, do të përballemi me një nivel të lartë të vdekjeve te femrat, për shkak të kancerit të mushkërive dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Përveç kancerit të mushkërive, duhanpirja shton rrezikun e llojeve të tjera të kancerit, si atij të qafës së uterusit apo gjirit. Studimet tregojnë se 34 për qind e femrave, tek të cilat diagnostikohet kanceri i qafës së uterusit, mund të vdesin në pesë vjet. Gjithashtu, cigarja është stimulues edhe për kancerin e gjirit, sidomos për femrat që pinë duhan para menopauzës. Aktualisht, dihet se në botë, për çdo një minutë, humbet jetën një grua për shkak të kancerit të gjirit. Gjithashtu, kanceri i mushkërisë është rritur ndjeshëm, duke u renditur pranë nivelit të vdekshmërisë së sëmundjeve kardiake. Ndërkohë, rreziku i vdekshmërisë foshnjore është tri herë më i lartë, nëse nëna pi duhan gjatë shtatzënisë ose pas lindjes. Duhani ka influencë në jetën hormonale të femrës. Menopauza nuk i shpëton këtij fenomeni. Sipas specialistëve, menopauza tek duhanpirëset vjen 2 deri në 3 vjet më shpejt se tek joduhanpirëset, gjë që rrit rrezikun e osteoporozës, një sëmundje që ka dhimbje dhe fraktura, në nivelin e qafës së femurit, të kyçit të duarve dhe vertebrave. Për shkak të tymit dëmtues, edhe lëkura humbet elasticitetin e saj, plaket më shpejt, rrudhoset më shumë, sepse tymi përkeqëson oksigjenimin dhe qarkullimin e gjakut, shton rrezikun e infertilitetit dhe lindjes së fëmijëve nën peshë dhe me rezistencë të ulët. Për ta pasuruar këtë tablo, duhani zverdh dhëmbët, dhe u jep erë veshjeve trupore më shumë se parfumet. Njerëzit që pinë duhan marrim frymë më pak. Nëse kapaciteti respirator është 100 për qind në moshën 20-vjeçare, ulet në 60 për qind për moshën 70-vjeçare, kur nuk pihet duhan dhe në 40 për qind tek duhanpirësit e kësaj moshe. Po pse nuk frenohet pirja e duhanit në vendin tonë? Përse në të gjitha ambientet e kryeqytetit, si bare, restorante, zyra dhe institucione të ndryshme, kryesisht shkolla, vazhdon me shumë qetësi pirja e duhanit? Përgjigja është e qartë. Nuk jemi mësuar me zbatimin e ligjit. Institucionet që mund të ndikojnë në zbatimin e tij, nuk i lë korrupsioni. Edhe pse ligji është miratuar dhe ka hyrë në fuqi ligji antiduhan, prej kohësh ai nuk është zbatuar. Kompetencat për zbatimin e ligjit, përveç Policisë Bashkiake, kanë detyrat e tyre dhe institucionet e shëndetësisë por dhe organet tatimore. Neni 9 i këtij ligji parashikon ndalimin e shitjes ose furnizimit, për qëllime tregtimi, të produkteve të duhanit personave nën moshën 18-të vjeç dhe neni 10-të parashikon ndalimin e shitjes së produkteve të duhanit në rrugë nga shitësit ambulantë, gjë që nuk është realizuar. Zbatimi në praktikë i këtyre dy neneve është në varësi të Policisë Tatimore, të cilat shihen prej tyre si të pa realizueshme, sepse shumica e tregtarëve të cigareve janë gjithë kohën në lëvizje dhe ndalimi i tyre bëhet i pa mundur. Ligji e shpjegon qartë që, nuk është e lejueshme përdorimi i produkteve të duhanit nën moshën 18-të vjeç dhe kategorikisht e ndaluar tregtimi i këtyre produkteve në rrugë. Sipas tij për mbarëvajtjen e ligjit janë ngarkuar katër institucione, Policia Bashkiake, Administrata Doganore, Policia Tatimore dhe Inspektorati Sanitar. Neni 19-të i ligjit në fjalë parashikon zbatimin e nenit 15-të dhe 16-të, ku ndalohet kategorikisht pirja e duhanit në institucione të ndryshme dhe në mjedise publike. Përgjegjëse për zbatimin e ligjit është Inspektorati Sanitar Shtetëror dhe Policisë Bashkiake ose Komunare, sipas territorit të juridiksionit të tyre. Mirëpo, mungon një koordinim i mirë i punëve. Kur zhvillojnë kontrolle të përbashkëta edhe rezultatet janë të dukshme. DSHP pretendon se Inspektorati Sanitar e ka kryer punën e tij brenda orarit shtetëror, ndaj meqë Policia Bashkiake është në detyrë 24 orë, duhet të ushtrojë funksionet e saj gjatë gjithë këtij orari, gjë që nuk e ka bërë. Në fakt punën nuk e ka kryer asnjë prej këtyre institucioneve, për shkak se duhan vazhdon të pihet në vende publike, si paradite ashtu dhe pasdite. Pra nuk qëndrojnë as pretendimet e Inspektoratit Sanitar. Ndërkohë, Policia Bashkiake ka marrë fonde për trajnimin e efektivave për të zbatuar në mënyrë sa më korrekte ligjin. Ligji parashikon ndalimin e promovimit, reklamave dhe sponsorizimit të produkteve të duhanit, dhe mesa duket kjo është e vetmja pikë ku ky ligj ka gjetur zbatim. Sipas ligjit të miratuar nuk do të mund të pihet dhe reklamohet më duhani në vende publike, si institucione shëndetësore, vende ku shërbehet për të ngrënë, shkolla, emisione televizive, mjete transporti etj. Pronarët duhet të ndajnë lokalet dhe restorantet në dy ambiente: në të duhanpirësve dhe të jo-duhanpirësve. Ligji duket se ka pasur disa efekte si vendosjen e tabelave “Ndalohet Duhani”, në pjesë të dukshme të lokalit. Në bare dhe restorante duket se nuk ka më tavlla cigaresh gjë që parashikohet edhe në ligj. Por kjo zgjati vetëm pak kohë. Sërish tavllat janë mbi çdo tavolinë ose ta sjell kamerieri, sapo t’i thuash “na sill një tavllë”. Edhe mbishkrimi në çdo paketë “Duhani Dëmton Rëndë Shëndetin”, që është i detyrueshëm, përgjithësisht është zbatuar, por kjo nuk mjafton për ndalimin e tij. Hyrja në fuqi e ligjit është diçka shumë e rëndësishme për vendin tonë, por disa mangësi e bëjnë zbatimin e tij të pamundur në disa pika. Ligji duhet të parashikonte ndëshkim, jo vetëm për pronarin e mjedisit ku përdorimi i duhanit është i ndaluar, por edhe ndëshkimin e konsumatorit, në rast shkelje të ligjit. Së dyti, gjoba mos të jetë e njëjtë për të gjitha baret dhe restorantet, por të vendoset në bazë të parametrave të këtyre të fundit, sepse nuk mund të gjobisësh me të njëjtën shumë dy ambiente me sipërfaqe të ndryshme. Së treti, duhet të bëhet një propagandë për luftën kundër duhanit. Për të mbuluar shpenzimet është propozuar që 0.3 për qind e taksës së akcizës mbi duhanin të kalojë pikërisht për programin e kësaj lufte. Me sa duket, problemi nuk është vetëm në institucionet përkatëse që kanë për detyrë zbatimin e ligjit, por ndërgjegjësimi i qytetarëve në të gjithë vendin se ligjet duhen zbatuar është në nivele tepër të ulëta. Vet organizatat e gruas duhet të bëjnë punë të veçantë për të ndalur këtë revansh të rrezikshëm të duhanit mbi organizmin e brishtë të femrës, pasi ndikimi i tyre duhet të jetë më i fuqishëm. Në shkolla ka mundësi të forcohet kontrolli por dhe rregulli, me qëllim që gjatë kohës kur nxënësit janë në shkollë të mos pihet asnjë cigare. Një gjë të tillë ta bëjnë dhe prindërit, pasi jo të gjitha vajzat e pinë cigaren në mënyrë ilegale, ndonëse numri më i madh i tyre i përket kategorisë së vajzave që jetojnë larg kontrollit familjar. Ndërkohë, duhet bërë e qartë se, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 39 për qind e të rriturve në Shqipëri janë duhanpirës të rregullt, shifër kjo shumë më e lartë se vendet e Bashkimit Evropian. Sipas INSTAT-it, statistikat tregojnë se në Shqipëri vdekshmëria nga sëmundjet e që lidhen me duhanin ka tendencë rritjeje. Ndërkohë nga studimet shkencore dhe statistikat konsiderohet se në botë, ka mbi 1.5 miliardë duhanpirës dhe raporti i vdekjeve të atyre që pinë duhan, kundrejt atyre që nuk pinë është 1 me 10.


333 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page