
FASLLI HALITI
(Fier-Sheganit, fshatit të konvaleshencës ideologjike)
Qenkan mbushur kanalet që hapa dikur këtu me bel
Kanalet i paska veshur bari pothuaj të gjithë.
Parcelat qenkan rrethuar me tel
Arat qenkan thurur me drizë
Fshati Fier-Shegan,
Fshati socialist,
Mjeku
I konvaleshencës sime ideologjike,
Shëruesi i virusit tim borgjez, revizionist.
***
Të prita te ara e Sheqit, buzë Semanit Ali,
Shok i brigadës së arave,
Shok i vaditjeve!
S´më erdhe.

S´e di pse s’më erdhe
S’e di pse ?
Ç´u bëre shok i prashitjes së misrit,
Shok i kavalleve të orizit
Ku je?!
Të prita ty Durim, shoku im i vijave kulluese
Dhe ty Qani Bali, bir i kulakut të prita,
S´u takova dot me ju
Ju kishit ikur.
Nuk dihej
Ku…
Të kërkova
Dhe ty Vjollca,

Sa pambuk e pjepra kemi vjelë bashkë.
Të prita
Si s´më erdhe, si ?
Je martuar, më thanë !
Ka kohë që ke ikur nga fshati.
Ka kohë që je bërë edhe nënë.
Të kërkova
Dhe ty Agim Murati,
Kemi hapur kanale bashkë,
Edhe ti paske ikur nga fshati ?
Ti «traktori» i brigadës paske emigruar,
Kjo është e pabesueshme, Agim
Ti të shkoje në Kanada?
Po kjo është shembje,
Kjo është hata…
Po të pres te Arra
Buzë Vjosës
Besnik,
Te arra e Madhe,
Ku kalonim vapën pas prashitjes atje, të dy...
Edhe ti Besnik paske emigruar?!
Ku ?
Në Francë
Në Angli ?!,
Edhe ti Besnik
Paske ''tradhtuar,,
Fshatin tënd socialist,
Edhe ti Besnik u tregove i '' pabesë ,,
Duke ikur me gomone, çave deteve tinëzisht?
Si s’erdhët
Si s’u takuat me mua Izet, Ramazan, Kadri
Shokë të ngarkimi-shkarkimit të qerres

Të paharruarit e mi,
Pa u ndarë
Me
Mua,
Emigruat vërtetë
Pa u ndarë me shokun tuaj të arave
Pa u ndarë me shokun tuaj të belit, shatit shkuat në kurbet !
Po ata që ishin fëmijë të vegjël fare atëherë
Kur unë «shërohesha» mes jush
Ideologjikisht:
Ariani për shembull,
Altini, Indrit, Arbeni, Ermali,
Ku janë?
Kanë ikur për studime
Në Londër, Paris, botës tejembanë ?!
***
Klarinetisti Dane ka kohë që ka ikur në Had ?!
Padrejtësi të merrje muzikantin para meje
Padrejtësi Zot, padrejtësi
Padrejtësi e madhe
Perëndi!
Më mbeti
Pa muzikuar poezia,
Gardh pa purteka tingujsh, melodish
Gardh i pa thurur më mbeti!
Ç’e gjeti, klarinetisti Dane
Ç’të gjeti poezia ime
Ç’e gjeti...!
***
Qenkësh shpërbërë, pothuaj plotësisht
Fshati i konvaleshencës sime ideologjike
Qenka boshatisur dhembshurisht
Fshati i viteve të mia të rinisë…
Fshati i dikurshëm
Socialist.
Pleqtë paskan vdekur pothuaj të gjithë,
Të rinjtë paskan emigruar,
Të rinjtë
S’i njohim më,
S´na njohin më as ata,
Kjo është e dhimbshme për mua,
Kjo është shkretinë e shkretëtirës, hata…
***
Esenin
Edhe mua
Po më ndodh
Siç të ndodhi dikur edhe ty…
Edhe mua sot këtu s´m’i hedh sytë askush…
Edhe unë s’njohkam më këtu asnjeri…

Po ju përqafoj, pra
Ju plepat buzë kanaleve
Ju shelgjishte buzë pellgjeve,
Ju kumbulla,
Ju pjeshkë, ju qershi në lulëzim.
Po shtrihem mbi ty, pra, bar i blertë…
Po shtrihem mbi ty blerim i ri i vendit tim.
2010
Ja përsëri me tjetër krijim interesant, ( përjetim kur ishte në "karantinë morale "), një ndër poetët e mi më të preferuar, z.Faslli Haliti. I falenderohemi që vijon të krijoi e shqipëroi me intensitet djaloshar.
Kam pasur fatin e rrallë të bashkëpunoi me të para njëzetë e pesë vjetësh, kur më qe ngarkuar detyra si kryeredaktor i gazetës "Myzeqeja ", organ i shoqatës së krahinës me të njëjtin emër. Z.Haliti, personalitet i shquar i letrave shqipe, kurdoherë i ndjekur si një shenjt nga krijues e adhurues të shumtë, unë i besova filtrin artistik të botimit të dy -tre faqeve me krijimtari letrare, angazhim të cilin e përmbushi me korrektesë e nivel sipëror. Përveç kësaj, me mjaft shkrime cilësore dh…