top of page

Brahim (Ibish) AVDYLI: Recension për veprën e parë poetike të Prend Buzhalës



 

THIRRJET ESTETIKE TË AMËS SONË DHE DIOPTRIA E VEPRIMTARISË SË TIJ

 

-Recension për veprën e parë poetike të Prend Buzhalës,

të botuar nga Klubi Letrar „Vorea Ujko“, Klinë, 1995

 

Të shkruash për Prend Ndue Buzhalën, i lindur më 1 nëntor 1951, në fshatin Çabiq të Klinës, me të vërtetë një intelektual i pavarur prej të gjithë intelektualëve dhe arsimtarëve të tjerë në atdheun e tij, jo vetëm nga partitë, që janë të ngjyrosura me ngjyra të poli-a-tikës[1] ditore, por edhe nga fetë dhe pikëpamjet e tjera, që nuk janë të sakta dhe notojnë vetëm nëpër filozofitë dhe politikat e shpërfilljes kombëtare, duhet të themi se ai është tërësisht në një lëvizje të denjë intelektuale, kombëtare dhe letrare.

Praktikisht, ai është pedagog i denjë, i cili përpiqet t’i edukojë të gjithë sa flasin shqip, me edukatën e thellë njerëzore e shoqërore, si nuk e do shoqëria e ngritur e politike, prandaj e burgosin në vitin 1982, për shkaqe të lëvizjes së re politike, pas vrasjes së vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka, humbja e të cilëve do të më godiste edhe mua, me burg shtëpiak, por edhe të gjithë intelektualët që vepronin politikisht. Ai vepronte etikisht dhe estetikisht.

Përveç se të gjithave sa do të thuhen në veprën e çmuar të Prend Ndue Buzhallës, si shqiptar i guximshëm dhe i mirëfilltë, si autor e shkrimtar i palodhur në letrat shqipe, sado që ndonjëherë përpiqen disa të caktuar ta „kthejnë“ lëvizjen e tyre të përgjithshme nëpër poli-a-tikat aktuale shoqërore, do të mbetet shkrimtar i papajtuar me asnjë politikë, të cilat shkruhen në historinë e gjatë, madje qoftë disa antikombëtare, në radhë të parë të forcave armike të kombit shqiptar, na mbetet në kujtesë autori edhe si edukator.

Në të vërtetë, atij i qe ndaluar puna intelektuale dhe pedagogjike apo edukative me rininë e denjë kombëtare gjatë viteve ’80 deri më 1990.

Nuk ka dyshim se të gjithë shkrimtarët janë elitë kombëtare e popullit të tyre, dikush më shumë e dikush më pak, të inkorporuar politikisht apo edhe aspak të inkorporuar partiakisht, dhe intelektualizmi i tyre theksohet më tepër tek ata që nuk janë të identifikuar me poli-a-tikat ditore, por filozofia e vërtetë njerëzore dhe kombëtare identifikohet me këta krijues.

Jo rastësisht etika njerëzore e letrare është parasegjithash edukative dhe fillon prej fjalës iliro-pellazgishte, e jo „greke“, „ethos“, që është nga një etni, te autori ynë i njërit etnicitet, gegë (dhe i dyti është toskë!), të cilën dy etni e përbëjnë kombin shqiptar (thuhet gabimisht një etnie, e kemi mbetur që prej kohës parahistorike me dy etni të kombit shqiptar!), dhe në fakt lidhet me vendin e tij, me atdheun, në të cilën i pushon zemra që prej kur se ka lindur, në të gjitha lidhjet e lëvizjet jetësore, edhe dashuria për femrën jetësore dhe të gjitha lëmitë e kësaj jete, që e rrethojnë ate, derisa t‘a dorëzoj shpirtin.

“Etika si shkenca e etosit është e bindur se krahas koncepteve të ndryshme morale divergjente ka diçka përfundimtare, universale të vlefshme, të pakushtëzuar që duhet të zbatohet njëlloj në çdo kohë dhe në çdo vend. Përmbajtja e etikës nuk është një përshkrim ("Kështu është"), por një kërkesë ("Kështu duhet të jetë!").[2]

Me gjithë krijimtarinë letrare të tij është i prirur për një jetë më të mirë, për një rilindje të re të kombit të vet, se sa kjo jetë që po e përjetonte nën robëritë e pandalura shekullore; të jetë një jetë normale, si duhet të jetojmë përgjithësisht, të kyqur në një shoqëri më të mirë se sa kjo që e kishim.

E tërë veprimtaria jetësore dhe artistike e këtij autori është edukative e kombëtare dhe ndërkombëtare, si mësimet e vlershme e pozitive të kësaj jete, të cilat priren edhe nga feja shqiptare, feja katolike, e cila është mbi të gjitha besimet e tjera e të njëanshme apo të thëna në gjuhë të huaja, si fé normale edukative apo gjithënjerëzore, që prej fëmijërisë së tij, vetëm se veprimtaria e përgjithshme e tij është edukative gjithëshqiptare dhe mbarënjerëzore.

Vepra që e kemi në studim është „O Amë, O Amë“, vepra e parë e botuar nga Klubi Letrar „Vorea Ujko“, në Klinë, dhe e përmbledh veprimtarinë e tij që prej viteve 1982 e deri në vitin 1995, në të cilën botohet. Dihet se kjo është e botuar në vitin 1995, ani pse nuk është fillimi i krijimtarisë së mirëfilltë të tij politiko-kombëtare, ndonëse poezia e parë është botuar në vitin 1967. Këtu e përfshin tërë krijimtarinë letrare edhe në estetikë.

Por, po e themi më së pari çka është estetika, sepse këto poezi të lira në këtë vepër mund të lexohen edhe si një poemë recitative, që është më së pari edukative për këtë pjesë të shndërruar krejtësisht nën dhunën e vjetër e të paparë, të ligë kombëtare, me thekse mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare.

Po e citojmë sipas veprës së Durim Taços, „Fjalor i kritikës moderne“, i cili e vlerëson lartë studimin e të bukurës, dhe e cila u lë rrugë të hapur të gjitha shqyrtimeve për këtë çështje, e në pjesën perëndimore të shqyrtimeve kritike ua mundëson edhe si degë në krye të filozofisë dhe e pranon më shumë përdorimin e estetikës. Na duket sikur më tepër i japin asaj një rëndësi tepër të veçantë në ngritjen e vetëdijes së krijimeve letrare, e sidomos në letërsinë botërore e perëndimore. Vepra letrare zgjon për disa lexues të mirëfilltë më së pari kënaqësinë estetike, por për të tjerë ajo ka një rëndësi indirekte të përjetimit të dhembjes stilistike-artistike.

„Të vëzhgosh atë do të thotë të vëresh „bukurinë“ e saj (nëse ajo duket se ka). Një bukuri e paraqitur dyfish, për përdorim ose qëllim, e cila varet nga përmbajtja dhe duhet të lulëzojë prej cilësive formale, ashtu si edhe kënaqësitë e veçanta duhet të japin përceptimet e tyre, në të njëjten kohë.“ [3]

Bukuria e saj është shumëfish e paraqitur. Secila vepër letrare, prozë apo poezi, tregime të shkurta apo roman e kanë këtë veti parësore. Ajo është edhe vlerësim estetik i një gjëje apo dukurie ose çështje e artit të shkruar, i cili në vetvete i posedon këto karakteristikat e veçanta të së bukurës dhe na ka zgjuar një vëmendje të posaçme estetike.

Vepra jonë në shqyrtim i ka parësisht këto vlera estetike për Amën tonë simbolike, Zotin e vogël të tokës, krahas Zotin tjetër të Madh, Atit të Shenjtë, Hyjiut, që kthehet edhe njëherë në tokë, me babën tonë. Numri tre është numri i Zotave të parë; dy janë prindërit tanë, të vegjël, si njerëzit e tjerë, që tërë jetën janë në prova të jetës, e njërin e ndjejmë vetëm me zemër; nuk e shohim me sy, pos e fantazojnë përmes mendjes sonë.

Hyjniu është i gjallë me Ndërgjegjen tonë, e cila na thërret para çdo gjëje që mund t’a bëjmë; nga një gjë që nuk na bie në mend dhe duhet të ruhemi prej saj; i një gjëje që nuk na bie ndërmend; apo i ndonjë sjellje të pa mirë në vevete, por që na cysin t’a bëjmë demonët dhe shpirtrat e zinj.


Normalisht thirrjen e artistit tonë të madh Prend Ndue Buzhala, „O Amë, O Amë“, parësisht e perceptojnë dhembjen e tij estetike për nënën e madhe e simbolike, mëmën në dialektin toskërisht apo nanën në dialektin gegërisht, e cila na mbledhë rreth vetes si kloçkë e vetëdijshme për pjellën e saj, aq sa mund t‘ia lejojnë rrethanat jetësore, e për te mjaft të vështirësuara të jetës së saj, të robëruar nga serbo-jugosllavët, më të praptë e më të rrebtë ndaj nesh; si thirrje të fëmijës së vogël kur rrëzohet e vrahet; si kukamë artistike të njeriut të sakatuar, e kjo madje shkruhet dy herë me shkronja të mëdha, si zë i thirrjes estetike të nënëlokes sonë para Zotit të Madh, t’i shikojë djemtë e saj që janë katandisur pa asnjë të drejtë nga kundërshtarët e Hyjit, nga të dërguarit e Kryedemonit, të demonëve të tij; por edhe para të vërtetës.

Kjo vepër e Prend Ndue Buzhallës na ndahet në tri pjesë: „Estetike I“, „Estetike II“ dhe „Estetike III“. Tri janë pjesët, të cilat na ndahen këtu; numri tre është numri i Zotave; numrat tek janë të mirë për ne; tri herë e më tepër duhet që ta vërtetojmë një gjë, etj. Pra, numrat tek, 1, 3, 5, 7, 9, etj., janë numrat tanë, të tjerët ua lëmë të të ligjëve, të padëshirueshmive, demonëve e Kryedemonit. Tri versione i ka këtu estetika, e 157 emra të nënës sonë janë nëpër pjesët e tjera të kësaj vepre, emra të lartë e artistike, që përmbyllin sado që të dijmë ne për këtë vepër, e cila është filozofia e jetës sonë.

Shkrimtarët janë mendimtarë të mirëfilltë. Këto mendime janë të lidhura me filozofinë artistike dhe jetësore, të përjetimeve të veçanta të tij. Poezitë e mbledhura në këtë vepër janë vargje të shkruara si poemë recitative. Ato i mbledhin poezitë apo poemën recitative të shkruara në mes viteve 1982 deri më 1995. Është koha më e rëndë e Prend Ndue Buzhallës, jo vetëm i privuar nga arsimi, nga edukimi i brezave, por edhe nga botimi i veprave të tij. Ai ishte në radhë të parë të një përcjellje të rreptë të ushtruesit e pushtetit, të dhunës së “kultivuar” nga ata, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të zhdërvjelltë. Ia ndërprenë studimet e pasdiplomës. Prandaj, autori i filloi të shkruajë diçka tjetër prej shkrimeve tradicionale, poemën recitative e estetistike për Amën, atdhesinë, truallin amtar, frymën tonë etnike e shpirtërore; nëna e jonë e madhe, Zot i kësaj jete, që është multidimensionale, dhe që është dërguar në këtë botë nga dashuria e pafund e Hyjit, ta rilindë me breza e të krijojë hapësirën e kësaj jete, në atë mjedis, që nga Yllorët, Ilirët e parë dhe në veçanti shqiptarët, në këtë tokë, në këtë gjuhë: gjuhën shqipe.

Se çka është arti, ne e dimë. Këtu na vjen estetika, shkencë e veçantë dhe drejtim i filozofisë, e poema është estetike dhe recitative. Nuk i kishte format e tjera të shkrimit të mundshëm apo “të lejuara”, por do që të shkruante pikërisht një temë të mirëfilltë e kombëtare, përkundrazi atyre që po na servoheshin, edhe me dhunë, mbi këtë komb, e përpiqej ekskluzivisht të na denatyrojë shpirtërisht, sa të mos jemi të vjetër në spektrin e kombeve, të parat e krijimit të botës, që jemi një komb i parë e jo skllavë (sllavë), si “jugo-sllavë”, pra të mos quhemi shqiptarë.

Poeti e zgjodhi këtë formë speciale e të recitativit, të shkruar si poemë apo si poezi, si një tërësi, si mjet i riedukimit të brezit të ri, jashtë shkollës, por publikisht dhe masivisht, me dy thirrje të fuqishme, ndër njëqind e pesëdhjetë e shtatë thirrje artistike të amës sonë të lartë, që t’i lutet Zotit të Madh apo Hyjniut të botës shpirtërore, që t’i kthejë sytë e të shohë se çka është bërë me këtë popull e me këtë pjesë të kombit, të zhytur nëpër katrahurat demoniane.

Më së pari zgjidhet mënyra e shkrimit të kësaj poeme recitative me cilësitë e larta të shprehjes; fjalët janë të zgjedhura artistikisht dhe të qarta nëpër të gjitha përplasjet e pedatjet e saja jetësore, si ama e jonë e madhe. Spikatja e tij e shkrimit nëpër të gjitha krajatat e veçanta e multiaplikimit të amës, me bijtë e bijat e veta, si kloçka, që nëpër dhembjet e goditjet e shkatërrimit të madh përpiqet të vërë njëfarë rregulli të veçantë e të dashurisë. Prend Ndue Buzhala arrin të japë një platformë të riedukimit në këtë formë artistike të krijimit dhe t’i drejtohet me të gjithë format artistike nënës sonë.

“...Është e lartë dhe largohet nga stili i rëndomtë, kur përdorë shprehje të rralla dhe jo të zakonshme. Me frazën <<shprehje jo të zakonshme>> dua të them për glosen, metaforën, për fjalët e zgjatura e për çdo tjetër që është kundër përdorimit të rëndomtë... duke thënë gjëra që ekzistojnë, lidhje në mes tyre, gjëra të pamundura, po vetëm me anë të metaforash.”[4]

Siç na thotë Aristoteli për poezinë dhe artin në përgjithësi, dhe për këtë do të kthehemi në tekstin e tij të shekujve përpara, dhe pak do ta përpunojmë, se “arti i poetit është puna e atij njeriu që ka mendje gjeniale, ose është me temperament... të ekstazës” [5], apo si thuhet në të njëjtën faqe, në fusnotë, e cila është “entuziazëm i frymëzuar”. Poeti ynë është më se i frymëzuar, kur thotë me të gjithë qenien e tij:

 

“Ta dëgjosh: qetësinë madhështore të Tokës Nanë...

Guximin ta kesh një zbukurim të Ndërgjegjes.

Freskinë e qëndresën: përmasa të bukurisë se idealit.

Mësoje atë estetikë të formës që nxjerr në shesh jetën.”

 

(Në fund të “Estetike I”, Faqe 5.)

 

Në faqen vijuese, 6, ka një fjalë të përbërë në katër pjesë, siç është demoni (Numër tre është Kryezoti, ndërsa numër katër është Kryedemoni!):

 

“Po na rikthen në Amën e Idealeve,

në thellësi të errëta gji/detesh/

jetë/terratisjesh (këtu, këtë fjalë të bashkangjitur, e kemi ndarë!).

Ti, Amë e Vatrës së Ngrohtë.

Ti gjën shteg shpirtit nëpër labirinthet e Fatit...

të shoh si bëhesh Një me njeriun

pa asnjë mbështetje në jetën-bosh.

Është njeriu që vuan kur veten e ndijen edhe nga vetja e huaj,

zhgënjehesh thellë dhe heq dorë edhe nga emri i vet.

Njeriu që nuk e sheh as shtëpinë e vet,

nuk e njeh gruan, nuk njeh fëmijë,

s’e njeh as veten në pasqyrë-

dhe ndriçon pa pritmas në errësirën e Fatit.

Bëhesh Frymë e Ringjallur,

duke zbuluar shtigje në ngushticat e jetës.

Bëhesh si Njeriu fatprerë që ia rikthen lëngun e Jetës.”

 

Pra, këtu shihet e vërteta për njeriun tonë, për bijtë e Amës së Ngrohtë. Në vazhdimësi na vijnë të njëqindin e pesëdhjetë e shtatë shprehjet artistike apo thëniet e saj në fraza simbolike dhe lidhje të metaforave të emrit “AMË”:

“Amë e Jetës”; “Amë e Vatrës së Ngrohtë”; “Amë e Jetës së Përvuajtur” (faqe 6.); “Amë e Kallëzimeve”; “Amë e Përtëritjes”; “Amë e Rritjes”; “Amë e Paqësimit”; “Amë e Qetësisë”; “Amë e Zërit”; “Amë e Ligjërimeve”; “Amë e Kujtesës”; “Amë e Buzëqeshjes” (faqe 7); “Amë e Klithmës së Jetës”; “Amë e Kujtimit”; “Amë e Mallit”; “Amë e Gjamës së Kohës”; “Amë e Shpirtit të Robit”; “Amë e Krenarisë”; “Amë e Ngushëllimit”; “Amë e Bukës së Kripës dhe Zemrës” (faqe 8); “Amë e Bukurisë”; “Amë e Përjetimit të së Bukurës së Një Çasti” (faqe 9); “Amë Dritëshpërndarëse” (faqe 10); “Amë e Gjethes më të vështirë të Lirisë”; “Amë shpirttrazuar e Lirisë”; (faqe 11); “Amë e Frymëlindjeve”; “Amë e Zërit të Vendlindjes”; “Amë e Shëmbëllimit të Motit”; “Amë e Njohjes” (faqe 12); “Amë e Vajit”; “Amë e Uturimës”; “Amë e Llahtarisë”; “Amë e Mllefeve”; “Amë e Gjëmimeve”; “Amë e hesperëve të moçëm”; “Amë e Durimit të Moteve”; “Amë e Tramvajave të Jetës”; “Amë e Dheut” (faqe 13); “Amë e Njeriut të Lirë”; “Amë e Mospërkuljes”; “Amë e Guximit”; “Amë e Zërit të Ngritur”; “Amë e Vuajtjekalitjes së Ndritshme” (faqe 14); “Amë e Lirisë”; “Amë e Lulegurit”; “Amë e Lulekujtimit”; “Amë e Fjalës së Blasfemuar”; “Amë e Fjalës së Përndjekur” (faqe 15); “Amë e Varrprehjes”; “Amë e Fatdheut, Fatmëkatit dhe Fatkobit”; “Amë e Zjarreve të Moçme”; “Amë e Zjarrit të Ri”; “Amë e Shpirtit Kryengritës”; “Amë e Fjalës Kryeneçe” (faqe 16); “Amë e Buzëdritës, Buzëverës dhe Shpirtlojës”; (faqe 17); “Amë e Muzave të Jetës”, e cila është shënuar 57a, ndërsa tjerat janë 57b dhe 57c, “Amë e Muzave të Kohës” dhe “Amë e Muzave të Pajtimit”, pa u vendosur përsëri në fillim të saj fjala “Amë”; “Amë e Urtisë e Vetëpërmbajtjes” (faqe 18); “Amë e Shpresës së Plagosur”; “Amë e Jetës së Vrerosur” (faqe 19); “Amë e Përgjëratës së Dashurisë”; e cila është përsëri 62a, ndërsa 62b është “ (Amë) e Pëshpëritjeve të Zemrës”; “Amë e Rrëfimeve diellore të dashurisë”; “Amë e Pafajësisë së Jetës” (faqe 20); “Amë e Flijimeve”; “Amë e Mikpritjes së Jetës” (faqe 21); “Amë e Lindjes të Frymës Njerëzore”; “Amë Lindjes së Këngës” (faqe 22); “Amë e Mëshirës së Plotë Njerëzore” (faqe 23); “Amë e Arratisjeve dhe e Ikjeve”; “Amë e Mitrës së Plagëve”, prej të cilës ndahet 70b “Amë e Mitrës së Plagëve të Fshehura”; “Amë e Arratisjve dhe Ikjeve, e Ecjes së Plagosur” (faqe 24); “Amë e Fjalës së Pathënë”, prej të cilës ndahet 72b, “Amë e Fjalës së Pathënë, e Mendimit të Pashprehur” (faqe 25)...

 

Amë është figura që bart një njohuri të thellë për vdekjen dhe dhimbjen, për dëshmimin e padrejtësive, por gjithashtu është ajo që përfaqëson ciklin e jetës dhe lidhjen mes gjeneratave të kaluara dhe atyre që do të vijnë. Poezia përdor shumë figura letrare për të treguar se udhëtimi i njeriut është i lidhur ngushtë me dëshmitë e dhimbjes dhe sakrificës, duke e bërë figurën e Amës një simbol të njohjes dhe të vuajtjes, si dhe të përpjekjes për të ruajtur një kujtesë të përjetshme për njerëzimin.

Në këtë poezi, kryefigura amë kuptohet si simbol i shpirtit të natyrës dhe të jetës vetë, që e bart në vetvete pasurinë dhe dhimbjen e historisë, me të gjitha ato vuajtje, sakrifica dhe vdekje që lidhen me shtegtimin e njerëzimit. Ajo është një entitet që, megjithëse njihet me vdekjen dhe dhimbjen, është gjithashtu një burim i dritës dhe i njohjes shpirtërore. Ngërthen jo vetëm ciklin e jetës dhe vdekjes, por gjithashtu është një shtegtim i brendshëm që shpalos pasuri të thella shpirtërore dhe një kuptim më të gjerë të ekzistencës. Në këtë kontekst, amë është figurë që shpërfaq më shumë se një nënë biologjike – ajo është simbol i përjetësisë dhe i njohjes së thellë për natyrën e vërtetë të jetës, ku vdekjet dhe çdo sakrificat ka një kuptim të thellë që shkon tej kohës dhe hapësirës. Amë është ajo që na mbledh dhe na lidh me të kaluarën dhe të ardhmen, duke na ofruar një lidhje shpirtërore që është e paçmuar dhe e përhershme.

Amë në këtë kontekst shihet si simbol i FUQISË KRIJUESE DHE FRYMËZUESE që është e lidhur ngushtë me natyrën, jetën dhe pasionin për të krijuar. Figura e amës është ajo që dhuron jetën, që i jep fillim gjithçkaje, që është burimi i çdo gjëje që ekziston. Ajo është një forcë që gjeneron dhe ushqen, por gjithashtu një forcë që ka njohuri të thella mbi ciklin e jetës dhe vdekjes – një mësuese që frymëzon dhe që përcjell energji për të vazhduar përpara, për të krijuar dhe ripërtërirë. Në këtë kuptim, amë është simbol i frymëzimit dhe i krijimit të vazhdueshëm. Si burim i jetës dhe i njohurive, ajo është e aftë të krijojë dhe të risjellë në jetë energji dhe ide të reja, duke shpalosur potencialin për ta formuar dhe transformuar botën dhe njerëzit. Ky simbolizëm i fuqisë krijuese është i pranishëm nëpër tërë poezitë, ku ama është një qenësi që nuk është vetëm pasive, por aktive – ajo është forca që ushqen, që shpalos dhe që krijon lidhje dhe pasuri shpirtërore. Poezia na tregon se amë është gjithashtu e lidhur me historinë dhe me ndihmën që ofrojmë për të krijuar një botë më të mirë, përmes njohurive dhe frymëzimit që ajo na jep.

Shumë nga këto shprehje artistike të lidhura me figurën e Amës në poezi, ofrojnë një pamje  të pasur dhe të thellë të aspekteve të ndryshme të jetës, shpirtit dhe të natyrës njerëzore. Ato krijojnë një imazh të Amës si një forcë shenjtëruese dhe krijuese, që është pjesë e çdo aspekti të jetës, qoftë atij të lumtur, të dhimbshëm, shpirtëror, apo natyror. Për shembull, kur thuhet Amë e Jetës, kjo e lidh Amën me burimin dhe origjinën e ekzistencës, duke theksuar se ajo është ajo që dhuron jetë dhe energji. Kur përdoret "Amë e Vatrës së Ngrohtë", kjo shënjon një amë që ofron siguri, mbështetje dhe ngrohtësi për ata që janë të rrethuar nga gjithçka që ndodhet në sferën e jetës dhe që ka nevojë për kujdes dhe përkujdesje. "Amë e Shpirtit Kryengritës" nënvizon atë dimensionin që Ama mund ta ketë si forcë që frymëzon dhe drejton, përmes një shpirtërimi të guximshëm dhe të pakompromis.

Në shumë raste, shprehjet përfshijnë një dualitet të natyrshëm dhe shpirtëror, duke shfaqur Amën si figurë që është pjesë e dyshimeve dhe vuajtjeve ("Amë e Jetës së Përvuajtur", "Amë e Lirisë së Plagosur") dhe njëkohësisht simbol i ndihmës dhe përkrahjes përmes rritjes dhe transformimit ("Amë e Rritjes", "Amë e Përtëritjes"). Togfjalëshat poetikë të shprehjeve si “Amë e Shpirtit të Robit” dhe “Amë e Lirisë” paraqet figurën e Amës si forcë që ofron mundësi dhe shpresë, pavarësisht sfidave dhe kufizimeve që mund të hasen në jetën e individëve. Ndërkaq, shprehjet poetike si "Amë e Fjalës së Pathënë" dhe "Amë e Fjalës së Përndjekur" sugjerojnë lidhjen e Amës me dimensionet e shprehjes dhe komunikimit – si një forcë që mban dhe ruan të vërtetat dhe mesazhet që janë të shtypura, të nënvlerësuara, apo të harruara. Kjo shumëllojshmëri e thënieve artistike krijon një identitet të pasur dhe të larmishëm të Amës, e cila përfshin ngrohtësinë dhe dashurinë, dhimbjen, lirinë, vuajtjet dhe përpjekjet për drejtësi dhe për të vërtetën. Në këtë mënyrë, Ama është simbol i fuqishëm i krijimtarisë dhe shpresës që vazhdon të jetë e pranishme në të gjitha aspektet e jetës dhe përpjekjeve njerëzore.

Poezia gjithashtu përdor shumë simbole të errësirës dhe dritës për ta treguar dualitetin e jetës dhe përvojës njerëzore; dhe ky dualitet është thelbësor për kuptimin e kësaj "amë" shpirtërore që përshkruhet. Ajo është një udhëtare që kalon përmes hapësirave të errëta dhe të ndritura të jetës, që na udhëheq përmes dhimbjes dhe lavdisë së ekzistencës, duke na mësuar rreth vlerës dhe kuptimit të jetës, vdekjes dhe gjithçkaje që lidh këto dy.

Tani kalojmë në pjesën e dytë, “Estetike II”, faqe 27, dhe është një kthesë artistike prej pjesës së parë, sikur shënohej “Akti i dytë” i një drame të vetme me kthesa të vetëdijes, për të zhvilluar më tutje zhvillimin artistik, këtu edhe recitimin e poezisë së lirë e metaforike. Po e marrim një pjesë, që nuk është aq e lehtë për marrë detalisht, mesazhin e Prend Ndue Buzhalës:

“Të marrësh në shënjeshtër Mollën e Eridës, të fshehur te vetja, sikur do të shënjestërosh grimcën më të largët të Kosmosit. Të duhet Thika (simbol i urrejtjes dhe gjakut[6]) për ta latuar drurin, për ta prerë kërthizën e lindjes. Të duhet zjarri (simbol i zhdukjes[7]) të farkohet e të ngrohet nga vatra, hekuri, të piqet Buka. Të duhet çekani (simbol i shtypjes së rëndë) për t’u latuar guri, themeli, shtëpia e çeliku. Të duhet helmi (i rrjedhur nga goja e gjarpërit e nga bimët helmuese) për të bërë ilaçe e për ta bërë simbol të Hipokralit. Prore diçka ruajnë diçka të pathënë... Mos thur burg prej fjalësh për mendimet, as mos përfytyro kafazin e kohës për jetën, sepse jeta është jashtë Fjalës, Kohës e Hapësirës.” ( Faqe 27.)

Mbani në mendje fjalët shkruara me germa të zeza, të nënvizuar si kyqe, për vetë domethënien. Molla e Eridës nga është nyje e gjuajtës së kozmosit shqiptar, që në mitologji i thonë se është “greke”, e s’është e tillë ajo, por e yllirëve apo iliro-pellazgjike, dhe jo e okupatorëve greko-afrikano-europianë.

Ndërsa “jeta jashtë Fjalës” është jetë e pa përfshirë në listën e gjërave kryesore të politokracisë botërore, që sundon kudo, por sundimi është në bazë të dhunës fashizo-socialo-kulturore, e në perëndim quhet edhe “dhuna demokratike”, pak më e vogël se dhuna fashizoide lindore, që quhej “sistem komunist” apo një “sistem socialist”, e kundërt me sistemin social-demokrat e liberalist. Dhuna Lindore është jashtë Fjalës, Kohës e Hapësirës. Autori i ka përjuar ndjekjet, dënimet, ndalimet e profesionit të tij vendimtar arsimor e edukative për këtë kohë, prandaj di se çka thotë.

Po e veçojmë vetëm një prej këtij asenali metaforik të kësaj vepre artistike, e ky është Hipokrali, në vend të Hipokratit, babait të medicinës antike, me helmet e prodhuara për shërim të sëmundjeve. Hipokrali na është dhënë si thënie kryesisht ironike e satirike. Ai e shpërndan helmin në popullatat e vogla, që quhen minoritete, e që nuk janë “serb” (nga serpente, me “p”-në e rrotulluar në “b”, pa “komb” aspak!) e sllavë. Shqiptarët, albanët, ar-banët, e thënë prej të folmës së vjetër e gegërishte, ishin komb i madh, por i ndarë në copa-copa, nga llava e ujqërve të tërbuar, që i kishtë vënë “jashta Fjalës, Kohës e Hapësirës”, pra të destinuar në helmin e antishqiptarizmit.

Krajlat na kanë sunduar rreptë dhe kjo gjë është e njohur nëpër histori. Ai na është kthyer prej emrit të marrur me antitezë nga antika të cilët punonin me këto helme, njëri për të shpëtuar të sëmurët e tjetri duke i sëmurë të shëndoshët me helmin e dhunës së tij. Krajlat mbi ne janë ngritur mbi çdo gjë jetësore, ato që janë të lejuar për pushtetarët, janë të ndaluara për të gjithë kundërshtarët, për ata që ushqenin ndjenjat e lirisë.

Sot nuk quhet kështu në botën posmoderne, e krajlnitë e dhunës janë në fazë të përfundimit, por me dhunë demokratike. Ajo tek ne ende po ushqehet me përsëritje moderne dhe indirekte. Ndonëse e urrejmë shpirtërisht, nuk e kuptojnë se si ngritet përsëri në jetën tonë në një formë tjetër, me mbretëritë e reja të poli-a-tikës sonë, që vlla e quan serbin, e shqiptarët e tjerë i fundos.

Ne, po i kthehemi prap shprehjeve simbolike e metaforike për Amën, që autori ynë e thërret me shkronjë të madhe dhe me “O”, që thotë shumëçka, e parasëgjithash është thirrje e përsëritur dy herë për Hyjin dhe për njerëzit që zgjohem nga kjo katrahurë e të stërmundishme të dhunës asimiluse.

Në faqe 28 vazhdon me “Amë të Udhërrëfimeve”, që na e dëfton udhën që duhet të ndjekim për dalur nga skllavëria shpirtërore, trupore e të të gjitha të mirave materiale, të cilat vazhdon që t’i bëjë edhe sot, me stërpjellën e saj, veçanërisht në aspektin shpirtëror e religjioz; “Amë e pikëllimit Njerëzor”; “Amë e Përvuajtërimit Njerëzor”, në këtë faqe; “Amë e Lutjeve Njerëzore” (faqe 29); “Amë e Lutjes së Mëngjesit” (faqe 30); “Amë e Hirit Njerëzor” dhe “Amë e Udhëve të Kryqeve” (faqe 31); “Amë e Mbijetimit të Plagëve” (faqe 32); “Amë e Shkëndijës së Jetës” dhe “Amë e Shpirtmadhërishme” (faqe 33); “Amë e Ninëzës së Vetëtimave”; “Amë e Lotit mbi varr” dhe “Amë e Ninëzës së Qiellit të rimtë” (faqe 34); “Amë e Trihunitpopullor”; “Amë e Zemrës Furtunë” dhe “Amë e Shpëtimit të Shpirtit” (faqe 36); “Amë e Ndores”; “Amë e Rojes dhe Mburojes”; “Amë Dashurimbrojtëse” dhe “Amë e Mburojës së Dashurisë” (faqe 37); “Amë e Lotit të Dheut” (faqe 38); “Amë e Pezmit të Fshehtë” dhe “Amë e Pezmit të Motit” (faqe 39); “Amë e Kuvendvrerimeve”; “Amë e Flakërimeve”; “Amë e Fjalëvajtore” dhe “Amë e Fjalëve Zjarrmore” (këtu shkruhet faqe -10, ndërsa faqja paraprake është e thatë, sikurse faqja 40. Ne do të flasim më vonë për faqet e tilla dhe disa çështje të tjera, që e mbështetin idenë kryesore të veprës!); “Amë e Fjalëve Zjarrmore”; “Amë e Zemrës së Varrur” (faqe 41); “Amë e Shqipdheut”; “Amë e Flamurit në Gji”; “Amë e Zërit të Lashtë”; “Amë e Idamurit në Njerëz” (faqe 42); “Amë e jetës së Përkorë”; “Amë e Kokës theror në një gur” dhe “Amë e Gjuhashtërimit” (faqe 43); “Amë e Kokrrës së Fatit”; “Amë e Gjëmës së Motit” (faqe 44); “Amë e Historisë me Qirin e Ndezur”, e cila ndahet me tjetrën, 113b, “Amë e Historisë së Ndezur pranë Pergamenës” dhe “Amë (mamë) e Jetës me Gërshërë” (faqe 45); “Amë e Gjuhës Atërishte”; “Amë e Gjuhërrëmetit” (faqe 46); “Amë e Farëz Hyjnore të Ekzistencës” (faqe 47). Na fillon “Estetike III”, që është fundi i leximit apo pjesa e tretë e recitimit; de facto, akti i fundit apo i zgjidhjes së kësaj lemeritje poetike.

Edhe pse nuk thuhet në dy pjesët e para, I e II, në pjesë III theksohet “Bleni i tretë”, si duket, redaksia i ka humbur “Blenin e parë” dhe “Blenin e dytë”, sepse nuk ishin “njerëz të përkryer”, por autori përpiqej t’i ngrinte lartë në atë klub, që po shndërrohej në shoqatë të denjë të mesit të Kosovës, të Klinës, që po qëndronte në mes të Prizrenit e Rahovecit, Gjakovës e Pejës, Drenicës, Vushtirës e Mitrovicës dhe vetë Prishtinës.

Në fillim të Blenit të tretë, “Estetike III”, ai e fillon përsëri me vetveten, d.m.th., se i kthehet përsëri autorit me pyetje të zhdërvjelltë: “A mbete ai që ishe, o poet i harruar nga bota, kur gotën e pehlinit dikush ta derdhi në shpirtin tënd e gazin e jetës ta shkundulloi?” (faqe 49.) Në këtë kontekst, përsëri i këndon me dhembje poetit, si pjesë e pandarë e krijimtarisë, sepse kur shkuhet për jetën e tij, do t’a nxjerrësh nga tërësia e veprave, në të cilat direkt apo indirekt na flitet edhe për vetveten. Ai i thotë këto vargje:

 

“Shkruaje një poezi të paqartë

që vë në gjumë pikëllimin e brengën, botën e vuajtjepasosur. Shkruaj për yje e për diell për të vënë lulerose mbi hidhërimin...

... për Fjalën e Bukur që e largon helmin e natës së lodhur...

Këndoje në qetësi një poezi të paqartë.

Këndoje zësësh: në një zë e njëqind zëra...

Një këngë që zemërimin e botës e bën poezi të jetës...” 

 

( Po aty, e njëjta faqe. )

 

Pra, edhe poeti është i përzier në këtë vepër të parë e të pazakonshme, si p.sh. rragatat e tija nëpër jetën tokësore, sepse në këtë jetë, si jeta e ëmës sate, për nënën e tij, ATDHEUN E GJUHËN, Amën, armiku ynë i pashpirt e zonoi që prej viteve. Poeti e dashuronte patjersueshmërisht popullin e vet, lirinë e pavarësinë e tij, patjetërsisht kombin e atdheun.

Vazhdojmë me shënimin e Amës së pazakonshme të tij, respektivisht të nënës sonë të patjetërsueshme, të nënës qiellore e tokësore:

“Amë e Kujtimit”; “Amë e Pikëllimit Therës” (faqe 50); “Amë e Natës së Yjepërkuljeve”; “Amë e Këngëve të Trimërisë”; “Amë Fjalës së Dhënë” (faqe 51); “Amë e Grishjeve dhe e Acarimeve të Moshës” (faqe 52); “Amë e Lehtësimit të Shpirtit”; “Amë e Çlirimit të Varreve” (faqe 53); “Amë Thurjes së Ëndrrave”; “Amë e Pritjes së Gjatë” (faqe 54); “Amë e Krenarisë”; “Amë e Rrëfamës së Plagosur”; “Amë e Rrëfanës së Këputur të Dheut” (faqe 55); “Amë, me ballin e ndezur me kokrra gruri” (faqe 56); “Amë e Ligjërimeve të Shtrirjes së Dorës së Pajtimit” (faqe 57); “Amë e Sprovave të Rënda të Shpirtit” (faqe 58); “Amë e Mundit dhe Djersës” (faqe 59); “Amë e Rrëfimeve arbërishte, e Kallëzimeve TejiUrike” (faqe 60); “Amë e Fjalës së Plagosur me Kokë” (faqe 61); “Amë e Rizgjimeve”; “Amë e Vullkaneve të Fashitura” (faqe 62); “Amë e Zjarreve të Moçme”; “Amë e Shembëlltyrës së Flakës” (faqe 63); “Amë e Të Bukurës së Jetës” (faqe 64); “Amë e Thesareve Yjore” (faqe 65); “Amë e Ujërave”; “Amë të gjitha amave”; “Amë e Retortës së Gurgullimave” dhe “Amë e Ninëzës së Stërkalave” (faqe 66); “Amë Pajtimtare e Mburojë e Udhëtimeve” (faqe 67); “Amë e Dhimbjeve të Shtatit”; “Amë e Dhembjeve të Lindjes”; “Amë e Brengës së Njeriut pa sy”; “Amë e Vdekjes së Luftëtarit për bukurinë e Atdheut”; “Amë e Zisë së Popullit që e humb më të dashurit”; “Amë e Krenarisë për njeriun e përbuzur”; “Amë e Buzëqeshjes që i këndell të trishtuarit, që gjarpërin e nxjerr nga vrima”; “Amë e Përvojës” dhe “Amë e Dritës” (faqe 68); “Amë e Brinjës së Plagosshme të Dashurisë”; “Amë e Zhvirgjërimit të Shenjtë” (faqe 69). Ky është fundi i atributeve të shenjta dhe poetike të të gjitha nënave tona dhe të Amës qiellore yllore e shqiptare.

Ka ndoshta edhe emra të tjerë, të cilat na kanë rrëshqitur. Prend Ndue Buzhala, në këtë poemë estetike, që ka humbur krenarinë e mësimit të gjeneratave të kombit të vetëm Yllor, ar-ban (bën ari, me punën e tij!), latinisht “alban” e sot shqiptar, për disa vite me radhë, bënë provën estetike e shembëllore, dhe e ka gjetur këto forma të amës sonë, t’i thotë artistikisht asaj, gjatë vuajtjeve të nënës sonë simbolike.

Ndër veçantitë e veprës janë disa fragmente të kësaj vepre të shkruar, “O Amë, O Amë”, të Prend Ndue Buzhalës, me të cilat, me 11 pjesët e caktuara do të ndërlidhemi, e që kanë domethënien e vet të veçantë, por në radhë të parë janë faqet e thata, të zbrazëta, të cilat, në pamje të parë, nuk kanë ndonjë domethënie, p.sh., faqe 35, e cila është e zbrazët, por zbraztësia e tyre vie pikërisht nga pushtuesi i tokave tona, i cili dëshiron të na lë pa shkrim, pa thënie, pa gjurmë. Ndonjëra vjen pa numër, pas faqes 39, e faqja vijuese na shkruhet -10, që ka po ashtu domethënie të veçantë, sepse është ftohtësia e dhunës policore, është jeta jashtë normales, jashtë të së vërtetës, si minus, kundër çdo vërejtje, pra jeta ishte aksidentale, ndërsa do të ishte këtu e shënuar faqja 40. Faqja vijuese është edhe ajo pa numër e del si e tillë. Na ndërlidhet vetëm fleta e bardhë, pa numër e pa asgjë, pas faqes minus dhjetë. Pse vjen aty pas faqes minus dhjetë? Natyrisht, do të duhej të jetë “FLETA E BARDHË”, “Tabulla Rasa”. Sikur të janë marrë sytë e nuk shikohet asgjë. Ajo është “faqe pa numër” dhe është në libër. Këtu, humbin menjëherë lidhjet e jetës! Jeta aksidentale ka pasoja. Dikujt, i zhduket jeta. Diçka e brendshme zhduket e fluturon. Shpirtin nuk e sheh askush se ku ka shkruar, është në jetën paralele apo në arenën e shpirtave, në ferr apo në parajsë. Ky është vetëm mendimi ynë për faqet e zbrazta.

Në faqen 10 (jo minus dhjetë), na dalin fjalë të reja, të përbëra, që sjellin sinonime apo kuptime të veçanta të Amës-Nënë, të nënës sonë:

 

“... Homeri yt i jep shenjë

Ag Gishttrëndafillit që ta shpërdajë Dritën.

Amë Dritëshpërndarëse, që depërton në gjak, në urti

Amë Dritëshpërndarëse: ndriçon shtigje drejt vetes, drejt njëri tjetrit.

Shkëqim dhe kuptim i jep asaj jete të pagjumë e të pacak:

Të humbur në gjurmime pas Të Bukurës së Dheut”

 

Dy Amat e tjera, Ama e Zërit të Vendlindjes dhe Ama e Shëmbëllimit të Motit, na i përmenden dishepujt që po likuidoheshin nga armiku ynë e më rrebtë i përlindjes sonë, madje edhe në Unterguppenbach të Stuttgartit, e janë Vëllezërit Gëvalla (Jusuf e Bardhosh Gërvalla) dhe Kadri Zeka, e të tjerë:

 

“... njeh vrasjen pas një pusie në rrugën për Janinë.

e njeh vrasjen pas një qoshjeje të errët diku në Bari, e

njeh vrasjen e Njeriut që s’don të lidhet, diku në Shpellë, i

njeh vdekjet në Albulenë, në Berat, në Lezhë, e

njeh fytyrën e Vrasjes, si një prerje cezarike, në Unterguppenbach, i

njeh vdekjet në Pollatë, në Prishtinë, në Klinë, e

njeh Nënën që lëshon Klithmen e Amësisë për Të Posalindurin.

Në udhëtim të shoqëron Dielli...”

 

( Faqe 12. )

 

Ama e Frymëlindjeve na i përcjell me dhembje këto humbje të mëdha. Ai është i madhi Hasan Prishtina apo i paharruari Luigj Gurakuqi, autor i parë i poezisë “Qëndresa”. Në këtë udhëtim të dhembjeve, “të shoqëron Dielli” – thotë poeti. Janë humbjet e trimave të rrallë të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut nëpër sa beteja të pashembullta për të shpëtuar At-dheun nga pushtuesit e pashpirtë të osmanëve, që të mund të flisnim shqip; në Pollatë e gjetiu...

Ndërsa në faqen 21, ndër të tjera Prend Ndue Buzhala thotë:

 

“E pamë qëndrimin tënd të drejtë:

Sikur pate kaluar nëpër sa e sa burgje- nga ato të Turkut e deri te këto të sotmet, sikur pate kaluar këmbë sa e sa kufi shtetesh, sikur pate kaluar nëpër vërshëllima kamxhikësh e dreshërima plumbash- nëpër të dy luftat botërore.

Tërë jetën je përgaditur për këtë Mikpritje,

aty për t’ia sjellë të gjitha dhuratat Mysafirrit të Rrallë: Enën e Pikave të Gjakut në ditët e mëditjeve.

Enën e Kënaqësive e të Dhembjeve...

I vetmi çast që i këmben Pamjet e Jetës me Amshimin.”

 

Janë Amat e Lotit të Dheut, të dhembjes njerëzore, e cila jo vetëm se i numëron “Fletët e Tërfillit” (faqe 38), e cila është “Tre foglio”, tërfojna, “duke u strukur prapa namëve të qoftëlargëtit, në dërrasën e kalbët të jetës” (po aty).

Na denatyrohet njeriu ynë, pra populli:

 

“Populli pren dru në mal, merr bukën në shami, bisedon me hijen e nuses në qiell.

Merr rrugën e gjatë për në qytet.

Pi raki. Dehet e zhgënjehet,

pi çaj. Dëgjon këngë turke. Shikon filma indasë,

sheh ëndrra të trishtueshme. Lutet për shi.

Viziton barnatoret, sportelet e pushtetit, spitalet.

Fillonj të luajë bixhoz e të hedhë zarin, të kalojë një jetë në kotësira e mashtrime...” (Faqe 39.)

 

Nuk ka më poshtë se ku shkon ky popull i tij. Në faqen minus dhjetë (-10), po e marrim edhe një pjesë nga të tjerat, që ne i kemi thënë më parë dhe po e matim këtë shkallë më të ultë, në të cilën ndodhet Prend Ndue Buzhala dhe populli i tij, e i drejtohet Amës së Shenjtë, dhe ia qanë këtë fat të prerë:

 

“Amë e Fjalëvajtoreve, del jashtë mureve ku të kanë rrethuar,

Amë e Fjalëve Zjarrmore: rrjeshtrohesh në Murat e Padukshme, njeh

protagonistët e çuditshëm të lumpën-jetës, lumpen-rrëfimet: vrasësit e paguar, qëruesit e përgjakshëm të hesapeve, rrugaçët me shumë prirje e bandillët djellakohët;

njerëzit pa biografi, që futen në Lojën e Vrasjes;

vëtëvrasësit që humbin lojën në kumar; të rinj

që e braktisin shkollën, që e çojnë jetën në kotësira; bjerraditësit që rrahen e dehen, që e shqiptojnë fjalën më të ndyrë; endacakët që bredhin pa busollë në jetë: tërë ditën

imitojnë artistët e filmave me xhaketa të rrypta, me të ecurit me duar në

xhepa, me jaka të ngritura, me cigare në cep të buzëve;

çapkënë që gërgasin të moshuarit, të çalët e të marrët, - në Botën e rrethuar me Muret enigmatike të Hijeve të Absurdit.”

 

Kjo gjendje e zymtë dhe tejet e ngarkuar, me shprehje të tilla e ndonjëherë simbolike, shkon më tutje nëpër këto faqe, që bartin secila nga një histori më vete, dhe rediten drejt ciklit të vet, të kësaj drame të thellë, nëpër diakroni. Secila është shumë më e thellë se sa dhembjet, të cilat mund të thuhen nëpër fjalë. Zhytesh nëpër tragjedi dhe britja “O Amë, O Amë” është pikërisht e thënë me zjarmi e me thënie që të vardisin në këtë humnerë të pafund, siç është jeta e shqiptarëve tragjiko-komike, e piketuar në këtë vepër letrare:

 

“Me një Kosovë gjendjesh të jashtëzakonshme në hejbe

Kosovë të lidhur në zingjirë superçjerrë e lakuriq-

Arratisesh si shqiponjë, në Mal të Thate...

Qerrja e Xhangernautit përcilet me fanfaronadë.

Suita përcillet me autoblinda, pizgauerë e cisterna uji.

Temjani dhe Arma bekohen e shenjtërohen në Thertore

dhe Krishtin e stolisin me kurorë gjembash e me Kryq ari të përgjakur

si para njëzet shekujsh në Golgotë.”

 

( Faqe 42 )

 

Ama na jepet në të gjitha llojet jetësore të asaj që është e shenjtë, por këtu e fundosur në njëqind e pesëdhjetë e shtatë forma e kësaj tragjedie. Ajo është Ama e Kokrrës së Fatit; është kryesorja e (pa) fatit tonë. Prandaj edhe autori e sheh si të këtillë dhe ne e përjetojmë e ripërjetojmë si të atillë, si të pazëvendësuar nëpër betejat e fituara apo të humbura të saj, të fatit e pafatit tonë të përgjithshëm. Autori i thotë këto gjëra që nuk kemi pritur se do t’i thotë; nuk e kemi ditur se mund t’i shprehë simbolikisht e aq qartë, me aq dhembje, në britmat e tij artistike. Nga faqja 44 po i vardisim këto thënie:

 

“E pse nuk the: cilët janë njerëzit që pësojnë disfatë.

E pse nuk kallëzon: ç’janë këto turma të mjegullta e të hirta

që ia mësyjnë qyteteve, metropoleve për të gjetur punë, strehim e bukë?...

Një baladë-psherëtimë: ky është shitësi i cigareve, ky tjetri është fëmija i minatorit, i njerrur me dhunë nga banesa. Ai atje është Qytetari Anonim: ja bileta e ikjes përtej shtëpisë, detit, bjeshkës; ja, letërthirrjet për ushtri, për polici, për gjyqe, për gjyqet me be e pa be. Ja, Deklarata dhe Viza, Çertifikata e Lindjes për të dëshmuar se je Njeri që gjallon e bën hije nën Diell, - për të kaluar pikat kufitare, pikat kritike,

pikat e vlimit të jetës me tri pika e Retiçencë.

Ky është Qytetari i dënuar pse në pashaportë mban vulë shqiptare...

Asgjë, që të kesh fatin e të jesh Feniks. O Apoteozë e ikjes nga Shtëpia!”

 

Dikur, na ikë autori nga thëniet e tija reale dhe kalojnë në ato irreale. Na i qanë hallet e tokës e të Kosmosit apo e drejton syrin sinjifikues kah Qielli e kah Yjet, prej ralitetit të hidhur të jetës. Kjo ikje është e pazakontë, por na del prej tharmit të jetës së hidhur, si p.sh., në faqe 47:

 

“Në Kosmos e në Kaos populli vendos legjendat dhe vërtetësinë.

Në qiell u bën çerdhe miteve. Në një miliard yje

u bën konak Botës së Gjallë, Bimës dhe Shpirtit...

Populli bëhet Urtak Yjor e Hyjnor dhe i rregullon hapësirat, i lidh në Rrëfanën Tejhapësinore.

Në një Degë Qiellore vjel frytet e Frymëzimit të Njohjes, një epope

e thurë për Diellin e një për Hënën, një për Unitetin Yjor që e krijon e lëviz gjithçka...”

 

Askush nuk na e thotë aq bujshëm e aq me vuajtje të tij nga dhuna e gjatë e serbomëdhenjëve demonë. Populli mbushej me plagë. Autori ynë bie ndër ta, por rreshtohej me Amën e Natës së Përkuljeve në shenjë të Hyjit, plagët ishin të panumërta, siç na i numëron ai në faqe 51:

 

“Në udhëtim një plagë në shpatull ta kesh, tri në shpinë, pesë

në kakaror, një në lule të ballit: aty ato të kanë hije. Rojtarët e

Shtetit e ruajnë Natën: në errësirë u mungon fytyra, identiteti u është tretur në naziromantikë.”

 

Naziromantika është kthyer pa kohë. Ata që e bartin në vete jetojnë jashtë kohës së tanishme, por veprojnë si kaherë më përpara dhe janë të ringjallura tërësisht naziromatikët e Serbo-jugosllavisë. Pra janë kthyer prapa në kohë, e lëvizin nëpër kohërat bashkëkohore. Plagosin e vrasin pa ndonjë argument, sepse nuk janë sllavë e serbë, por shqiptar dhe duhet të të zhdukin. Është fashi-naziste e tërë “romantika” e tyre. Do të vazhdojnë “jeta” të tjera, që janë vepra të shëmtisë shoqërore. Po e marrim edhe një numrim të tillë:

 

“Ti do të ecësh: s’ka rëndësi se ku, s’ka rëndësi se kah. Horizontet ajgtohen.

Caku shquhet. Frymëmarrja shpejtohet.

Itaka e Atdheu.

Zulma e gjurma. Krejt njësoj.

Çuditërisht: diçka gjithmonë mbetet të flas për të gjitha.”

 

( Faqe 53. )

 

Këto janë natyrisht “Librat e Jetës” (faqe 55); “Amë e Të Bukurës së Jetës” (faqe 64). E veçanta është këtu. Amë është edhe dashuria ndaj polit tjetër (Amë-Grua), por ajo nuk mundet askund të përkundë në shpirtin e saj brezin e ri dhe dashurinë pa plagët e mëdha të vendlindjes:

 

“Sikur ishe te një gur prapa shkrepit

duke i lidhë plagën e trupit (oh, plagë e dashurisë!), duke përkundë

plagën e vendlindjes, duke i përkundë fatkeqësinë,

dhembjet duke i mashtruar me ninula.

Nuk është dashuri ajo që i mungon plaga: vendlindja e dashuria u

bënë gjëmë të shpirtit.

E unë prapë të përgjoja. Përgjoja.

Dashurinë tënde që nuk gjente ngushllim, plagën që nuk gjënte ilaç.”

 

Ne, po e përmbyllim këtu. Një miku im është edhe ky shkrimtar i veçantë kombëtar e ndërkombëtar, i cili i ka skalitur disa vepra të mitrëfillta e të ndryshme të letërsisë kombëtare e ndërkombëtare. Disa nga këto vepra, do t’i gjeni në vazhdim, me karakteristikat e veçanta të tyre.

Një gjë duhet të theksoj: në këtë titull punimi, e kam përdorur një fjalë iliro-shqiptare. Shumë të ashtuquajtur “shkencëtar” i lakojnë ato sipas interesave të tyre. Kjo fjalë, sikurse të tjerat, nuk u ngjallin atyre ndjenjat e origjinës së vet. Fjala “dioptria” është iliro-pellazge dhe e shprehë tërësinë e të pamurit të njeriut me sy, përpara vetes. Optikët e përdorin në punën e tyre të përditshme “dioptrinë” , pa i kushtuar rëndësi origjinës së fjalës.

Dioptria e shkimtarit të madh Prend Ndue Buzhala i përfshinë të gjitha gjërat kryesore gjatë punës letrare në të gjitha veprat, e veçanërisht në këto vepra që po i shqyrtojnë. Krahas ideve të tjera të kësaj vepre janë edhe vlerat estetike të saj...


[1] Po e shpegoj se kjo fjalë e ka origjinën prej iliro-pellazgishtes, që është krijuar prej dy fjalëve të përngjitura, „poli“=shumë dhe „atika“=insekt apo gjarpër më helmues, që rri në mes, e rreth e rrotull sillen grupet shoqërore, me ngjyra nga e djathta, qendra dhe e majta. Fjalët i kanë të „bukura“ e të goditshme, por masën e gjërë e të pangitur e mbushin me gënjeshtra të kohës së tyre…

[2] Kjo thënie e përkthyer nga unë prej veprës së Jürgen Schwarz, „Leichter lernen Ethik“, OMNIBUS Taschenbuch, Ausburg, 1999, faqe 13.

[3] „Fjalor i kritikës moderne“, i përgaditur nga Durim Taçe, Botimet Toena, Tiranë, 2000, faqe 77.

[4] Shkëputje nga Aristoteli, “Poetika”, Ndërmarrja Botuese “GJON BUZUKU”, Prishtinë, 1998, faqe 109-110.

[5]E njëjta vepër, pak me përpunim, nga faqja 95.

[6] Jo rastërisht është emëruar me thikën, edhe si simbol i tillë i gjakut, që rrjedhë vazhdimisht nga thikat e tilla e të padukshme, në përmbledhjen poetike „Thikat e mllefit“, e cila përmban këtë metaforë botërore, në vetvete.

[7] Zjarri është në shumë krijime tona artistike e veçanërisht në poezimë postmoderne, si simbol i zhdukjes, e nuk vërehet shumë nga përcjellësit e krijimeve tona artistike.

5 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page