top of page

Bilall Maliqi: NË POEZINË E ABDULLA BLAKÇORIT



 

Bilall Maliqi - shkrimtar, kritik letrar

RITMI I VARGUT NË POEZINË E ABDULLA BLAKÇORIT

(Vështrim i shkurtër për poezinë e tij)

Kohët e fundit po botohen libra të shumtë, të autorëve të ndryshëm, të cilët paraqesin botën e tyre imagjinative, të shkrirë nëpër vargje poetike, të cilat japin ngjyrimet e tyre, nëpër gjetjet motivuese, me nuanse vlerash, po ashtu të ndryshme artistike, të cilat u servohen lexuesve, disa poezi të strukturuara e të rimuara, duke ia nxjerrë kështu edhe muzikalitetin e tyre, ndërsa disa të tjerë me vargje të bardha, por prapëseprapë ato e kanë rimën e brendshme, të shoqëruara edhe me porositë e tyre, drejtuar botës së lexuesve.

Ndryshe nga çfarë shkruhet e botohet sot në lëmin e poezisë, me prirje izmash e eksperimentesh, poeti Abdullah Blakçori i rri besnik formës tradicionale, të mjaftueshme për shtjella përmbajtjesh të reja. Ai e kultivon organizimin e vargut në strofa (katrenë, tercinë e distik); e begaton me larmi rimash (nga e puthitur deri tek e alternuara), pa harruar as tipat e poezisë trioleta, rondel e të tjera. Rima dhe ritmi i vargut i japin muzikë më vete poezisë së tij.

Nganjëherë vargu a poezia e tij të vjen si një recital dhe të bëhet se në prapavijë dëgjohen tingujt e prajshëm të një kitare andaluziane. Pozicioni prej ku e shkruan vargun Abdullah Blakçori, pra hapësirat nga ku mediton e shkruan në Besianën e Llapit të tij, ku ai gjëllin, është krejtësisht frymëzues për muzën e tij krijuese. Ndjenja a impulsi poetik i vjen atij vetëm nga vendlindja, domethënë nga plangtoni “ku i ka rënë koka” – siç do të thoshte Çajupi. Dashuria, dhembja e dhimbja, malli e nostalgjia përbëjnë kompozicionin e ndjenjave më universale njerëzore.


Në poetikën e Abdullahut subjekti lirik, mënjanë emrave të përveçëm, ngrihet e thuret mbi fenomenin, bëmën e tij që vjen e bëhet gurë themeli në godinën madhore të lirisë së atdheut. Në botën e poezisë ai dëshmon konsistencë e qëndrueshmëri. Nuk gjej lëkundje e amplituda rëniesh e ngritjesh, nuk gjej ngutje e ekzaltime vetëkënaqësie. Ai “këndon” në varg, ai është kantautori që magjeps çastin, atë çastin e vetmisë që nga boshi bëhet mbushullues duke i shndërruar strofat në refren. Sintaksa poetike e Abdullah Blakçorit, tropet dhe figurat, madje edhe në rastet kur ka ndonjë shpërthim ironik, vijnë të ekuilibruara dhe mençurisht të gjetura.

Poeti, Blakçori me poezitë e këtij libri, “Aromë lulëkuqesh” hapë një rrugë të kalueshme, pa ndonjë pengesë drejt librave të tjerë në poezi, apo në zhanre të tjera letrare, drejt krijimit dhe forcimit të individualitetit të tij krijues.



20 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page