top of page

Bilall Maliqi: NJË MINI LEKSIKON PËR SHKRIMTARËT E LUGINËS SË PRESHEVËS



Vështrim

NJË MINI LEKSIKON PËR SHKRIMTARËT E LUGINËS SË PRESHEVËS.

(Hysen Këqiku, “Shkrimtari për shkrimtarë” sh.b. “Kurora” Gjilan, 2024, fq. 140.)

Bilall Maliqi, shkrimtar

Ta duash shpirtërisht një krahinë, e një vend, nuk do të thotë të jetosh në ato hapësira, apo të kesh jetuar një kohë të shkurtër, por të japësh kontribut qoftë modest, për ta treguar dashurinë ndaj atij vendi, kuptohet në forma të ndryshme, qoftë patriotike, humane apo edhe krijuese.

Kur e them këtë, thirrem në një njeri, i cili ka kontribuar shumë në planin krijues dhe afirmativ për Luginën e Preshevës, siç i themi ne, Kosova Lindore, jo pse ka qenë gjimnazist i Preshevës dhe ka jetuar një kohë në Preshevë, por dashuria e tij për këtë pjesë është zgjeruar edhe jashtë Preshevës, duke përshkuar edhe Bujanocin, Medvegjën, madje edhe Vrajën me krijimet dhe me angazhimin e tij krijues për këtë Krahinë të populluar me shumicë shqiptare, e ky është shkrimtari i njohur, Hysen Këqiku.

Shkrimtari, Këqiku, i ka dhënë kësaj pjese dy Panorama Poetike: “Psherëtimë për tokënI dhe II, mandej edhe dy vëllime panoramike për krijueset femra të këtij nënqielli që flet shqip, me titull: “Romancë e përflakur “ I dhe II.

Përveç kësaj, shkrimtari Hysen Këqiku, ka qenë redaktor apo recensent i një numri të konsiderueshëm të veprave të autorëve të kësaj ane, duke u munduar që ta sensibilizojë letërsinë e kësaj pjese të ndarë.

Ai, tanimë së fundmi, përgatiti edhe një libër të veçantë, po për këtë pjesë gjeografike me titull “Shkrimtari për shkrimtarë” në të cilën i ka përmbledhur të gjitha librat dhe shkrimet e tij në këtë botim, e që kanë të bëjnë kryekëput për letërsinë imagjinative të shkrimtarëve të kësaj etnie, e që lexuesit tanimë do t’i kenë të kompletuara në një libër dhe shumë lehtë do t’i gjejnë titujt e librave, përmbajtjet e tyre dhe kopertinat e librave të botuara nga autori, dedikuar shkrimtarëve luginas e luginase.

Shkrimtari, librin e ka ndarë në dy cikle: “Për shkrimtarët e Luginës së Preshevës” dhe “Shkrimtari për shkrimtarë”, në të cilën ka shpërndarë lëndën krijuese të tij, e cila është dhe do të jetë e dobishme për lexuesit e kësaj ane dhe për studiuesit që të dinë më tepër për shkrimtarët e Luginës dhe për krijimtaritë e tyre letrare, për të bërë mandej ndonjë studim eventual.

Libri në fjalë e ka vlerën e padiskutueshme, siç e kanë vlerën edhe librat paraprakë të shkrimtarit Këqiku, dhe ky libër lirisht mund të quhet një mini leksikon i shkrimtarëve të Luginës, sepse në të janë të dhënat e të gjithë shkrimtarëve të kësaj ane, të cilët nuk janë të pakët, porse e mbajnë gjallë jetën kulturore e letrare në këtë territor të populluar me shqiptarë.

Ky libër do të jetë pronë e bibliotekave të Luginës dhe të rajonit, dhe me këtë do të pasurohet letërsia edhe me një botim të veçantë të këtij lloji, prandaj, librit udhë të mbarë deri te lexuesit, ndërsa shkrimtarit, Hysen Këqiku, suksese të mëtutjeshme në krijimtari letrare.

9 views0 comments

Comments

Couldn’t Load Comments
It looks like there was a technical problem. Try reconnecting or refreshing the page.

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page