top of page

Bilall MALIQI: LIBRI ENCIKLOPEDIK KATËRVËLLIMSH “PORTRETE SHKRIMTARËSH”


LIBRI ENCIKLOPEDIK KATËRVËLLIMSH “PORTRETE SHKRIMTARËSH”

Bilall MALIQI, shkrimtar

Në vëllimin e dytë dhe të tretin, njëjtë edhe si në të parin, të librit voluminoz, tanimë enciklopedik “Portrete shkrimtarësh”, botues, shb Prokult Press, shkrimtari dhe teologu i njohur Zekerija Idrizi, e vazhdoi me ngulm punën e tij në sistemimin e shkrimtarëve , të cilët kanë lënë, po lënë dhe do të lënë gjurmë të thella në letërsinë tonë kombëtare dhe ndërkombëtare. Si një punëtor i palodhshëm letrar e fetar, është munduar që lexuesve, të interesuarve dhe letërsisë sonë t’ja lë një thesar të çmuar, duke i futur nëpër këta libra të veçantë shkrimtarët, të cilët janë vula e letërsisë sonë.

Edhe në librin e parë edhe në të dytin, por edhe në librin e tretë, Zeka ka futur ata që vërtetë e meritojnë të jenë në shoqëri me penat e ndritshme të kombit. Zatën autorët e mëdhenj, bëjnë seleksionimin e krijuesve, të vlerave ndaj pseudovlerave, gjë që është shumë normale dhe morale.

Po ashtu, vëllimet II dhe III, të të njëjtit titull, japin një tabllo reale të gjithpërfshirjes së autorëve, të tërë gjeografisë shqiptare, por edhe disa të tjerë, duke na dhënë një pasqyrë të biografive dhe të bibliogafive të shkrimtarëve të prezantuar. Përzgjedhja me kritere bazë i autorit, jep të kuptohet se edhe autori edhe librat e tij, kanë një vlerë, një seriozitet dhe një shembull për të tjerët se nuk duhet prezantuar një autor që nuk është i njohur, i lexueshëm nga lexuesit, por edhe i trajtuar qoftë negativisht nga kritika letrare, e të tillë kemi shumë. Tjetra është se autori, Idrizi, këtë projekt nuk e ka nisur me teke, apo me huqe, si disa të tjerë: “Këtë e fus në antologjinë time, këtë jo”, pavarësisht meritave që i ka, e ato “Antologji” janë vetëm shtëpiake apo edhe të mëhallave, dhe nuk i bëjnë nder as autorit, e lëre më letërsisë sonë, e autori i këtyre katër vëllimeve presitigjioze dhe kapitale, ka gjurmuar vetëm vlera në prezantimin e protagonistëve të librit.

Për ta bërë një libër të tillë, tre apo edhe katër vëllimsh, duhet punë, sakrificë, mund dhe durim, e këto të gjitha autori i ka pasur parasyshë dhe i ka tejkaluar me suksesin më të madh.

Në dy vëllimet paraprake, autori ka përfshirë, kuptohet sipas sistemit alfabetik krijues me nam, të dëshmuar, të cilët kanë dhënë dhe po japin kontributin e tyre në letërsi dhe në kulturë. Në këta tre vëllime, autori ka tubuar shkrimtarë të periudhës nga Lufta e Dytë Botërore e deri më sot, por duke e parë se letërsisë sonë i mungojnë portretet e tubuara nga periudha para Rilindjes Kombëtare, Rilindjes Kombëtare e deri te Lufta e Dytë Botërore, autori është duke e bërë gati edhe vëllimin e katërt të librit voluminoz, encikloipedik, duke futur emra të mëdhenj e të njohur të asaj periudhe, siç janë: Marin Barleti, Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani, Andrea Bogdani etj., e duke vazhduar me letrarët bejtexhinjë, si: Nezim Frakulla, Sulejman Naibi, Dalip e Shahin Frashëri, Hasan Zyko Kamberi, Muhamet Kyçyku Çami, Zenel Bastari, Tahir Gjakova, Murat Kyçyku Çami etj. Për të kaluar mandej te kokat elitare të Rilindjes, si: Sami Frashëri, Naum (Panajot Bredhi) Veqilharxhi, Naim Frashëri, Konstandin Kristoforidhi, Zef Skiroi, Jeronim De Rada, Andon Zako Çajupi, Gavrill Dara i Riu, Vangjel Meksi, Pashko Vasa, Asdreni, Zef Serembe, Ndre Mjeda, Risto Siliqi, Mihal Grameno, Jani Vreto, Andon Zako Çajupi, Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani; Pandeli Sotiri, Migjeni, Josif Bageri, At Shtjefën Gjeçovi, At Gjergj Fishta, Patër Anton Harapi, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Said Najdeni, Rexhep Voka, Vejsel Guta, Fan Stelian Noli, Faik Konica, Haki Stërmilli e të tjerë, të cilët janë bazamenti i letërsisë sonë.

Kjo punë kapitale e autorit, padyshin se do të lë gjurmë në letërsinë tonë, është një enciklopedi e rrallë katër vëllimshe me të cilën do të pasurohet letërsia jonë, bibliotekat tona dhe lexuesit në përgjithësi.

Ky kriter, që autori ju ka përmbajtur, i ka dhënë shumë vlerë librit, ndërsa shkrimtarët e prezantuar në këto vëllime, i kanë dhënë art të posaçëm letërsisë sonë kombëtare.

Preshevë, 16.11.2024

31 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page