
Në sallën e bibliotekës „Qemal Baholli“ të Elbasanit, nën drejtimin e vetë drejtoreshës Manjola Hatellari, u promovua libri bibliografik “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në veprat e autorëve shqiptarë 1480-2023”, i autorit Hysen S. Dizdari. Ky libër është i rrallë në llojin e vet, pasi sipas autorit është i vetmi libër bibliografik kushtuar veprave të autorëve shqiptarë për heroin tonë kombëtar, Skënderbeun. Kjo bibliografi përbëhet nga afërsisht 300 tituj të librave historikë, letrarë e artistikë, bibliografi, albume, katalogë të ndryshëm, etj. të shkruar në gjuhën shqipe dhe të huaj nga autorë me etni dhe origjinë shqiptare. Studiuesi dhe koleksionuesi Dizdari jo vetëm që i ka shfletuar këto libra, por i ka dhe pjesë të bibliotekës së tij personale, disa prej të cilëve dhe kopje unike apo botimet e para të tyre, gjë që tregon për pasionin e tij për të koleksionuar vlera por edhe për faktin se sa shumë ai e njeh dhe e ka studiuar figurën e Skënderbeut dhe gjurmët që ai ka lënë në historiografinë shqiptare e më gjerë.

Të pranishmit në sallë e përgëzuan autorin për punën e tij 30-vjeçare të konkretizuar në këtë libër i cili do u shërbejë nxënësve, studentëve dhe studiuesve shqiptarë e të huaj që janë të interesuar të njohin historinë e vërtetë të shkruar nga autorë shqiptarë të cilët kanë lënë vepra monumentale për Skënderbeun, si: Dhimtër Frangu, Gjon Muzaka, Marin Barleti, Frang Bardhi e shumë të tjerë.
Eshte shkruar bukur,duke tregu realisht organizimin e mire dhe vlerat e librit e te autorit. Fotot e pasqyrojne mire promovimin. Besnik Fishta.