Besnik Q. Rama: TË SHPIESH NXËNËSIN NË REALITETE TË NDRYSHME
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 days ago
- 2 min read

Në shenjë falënderimi, po ndaj me ju reflektimin e lexueses Afërdita për librin tim “Të jesh Mësues” (me lejen dhe mirëkuptimin e saj)
TË SHPIESH NXËNËSIN NË REALITETE TË NDRYSHME
Të jesh mësues, është gjëja më e bukur, por të jesh mësues në diasporë është magji, e veçanërisht, është magji të jesh mësues i gjuhës shqipe, sepse fati të ka ngarkuar bekimin e fëmijëve me dashurinë për gjuhën e nënës, me dëshirën për të shprehur edhe pasthirrmën në gjuhën e nënës, për të shprehur lirshëm dhimbje e gëzime që me asnjë gjuhë tjetër të botës, sado fuqi shprehëse të ketë ajo, s’mund të arrijë t’i shprehë si me gjuhën hyjnore shqipe.

Libri “Të jesh Mësues” të bën të udhëtosh pas në kohë dhe, në labirintet e saj, të dëgjosh zëra të fortë të qindra e mijëra fëmijëve, që askush tjetër, por vetëm një mësues ka fatin t’i ruajë në skutat e memories, deri në pafundësi… Por për një sekondë ke ndalur e hesht… Nuk e di pse.
Autori përmes këtij libri ta shuan heshtjen e të fton për t’u ringritur e për të vazhduar përpara, edhe nëse ke vendosur të punosh si mësimdhënës, tani të nxit ta ushtrosh me pasion e vullnet, në mënyrë dinjitoze misionin e misionarit të dijes, por edhe më shumë se kaq… Koha të ngatërron në strumbullarin e saj, por autori të këshillon të kapërcesh sfidën e të vraposh me nxënësit e për nxënësit, që ndoshta edhe në gjumin e natës ëndrra i ka munduar kushedi sa e sa herë, nga ajo që kanë përjetuar nga vështirësitë e përballura, për t’u bërë të suksesshëm, që në bankat e shkollës, por me rënien e ziles që të fton për mësim, kërkojnë një dorë të stërzgjatur t’u hidhet në supin e njomë e të përthithen në zjarrin e dijes. Po jo vetëm kaq. Me mendimet, sugjerimet e shembujt e dhënë në libër, autori të këshillon se si ta shpiesh nxënësin në realitete të ndryshme. Le ta ngatërrojë udhën, duket sikur thotë ai, se gjen një udhë të re, më të shkurtër se ajo që ti i mësove. E nuk do të ndalet më, por do të vrapojë i sigurt, duke kujtuar vazhdimisht se sa fatlum ishte, që të kishte pikërisht Ty mësues!
Comments