top of page

Besnik Gjonbrataj: ME BIÇIKLETË KINË - KALLARAT - VLORË 



FJALË E DHËNË, PREMTIM I MBAJTUR. GENTIAN QEJVANAJ PËRFUNDON AVENTURËN ME BIÇIKLETË KINË - KALLARAT - VLORË


Nga Besnik Gjonbrataj

 

KUSH ËSHTË GENTIAN QEJVANAJ


Gentian Qejvanaj ka lindur në Vlorë në 31 gusht 1987 nga prindërit e tij Memo Qejvanaj dhe Zamira Isufi. Memua babai i Gentianit rrjedh nga një familje e thjeshtë dhe bujare kallaratase, i cili në një moshë të re u nda nga jeta duke punuar në sektorin e naftës dhe la pas dy fëmijë në moshë të mitur, Fatjon dhe Gentian Qejvanaj. Në kohën e ndryshimit të sistemit mamaja e Gentianit i mori dy fëmijët e mitur dhe emigroi në Itali. Me sakrifica dhe përkushtim ajo i rriti edukoi dhe shkolloi dy djemtë e saj që u diplomuan në shkollat e larta Italiane.

Gentiani u diplomua në Itali për Shkenca Politike, ka kryer masterin në Bruksel. Gjithashtu ka punuar një vit në Parlamentin Evropian. Mbasi mbaroi masterin ai shkoi në Kinë ku vazhdoi të studionte dhe të diplomohej me PhD (doktoraturë) në çështjet publike me një studim krahasues midis Shqipërisë dhe Kinës.

Gentit nuk i mjaftoi karriera akademike, por vazhdoi të merret me aktivitete sociale dhe sportive që zhvillohen në Kinë, ku doli fitimtar dhe mori çmimin e parë në disa maratona kineze, si edhe lartësoi flamurin shqiptar në çiklizëm. Ai vazhdon të promovojë Shqipërinë dhe kulturën shqiptare në Kinë, duke u përpjekur të jetë një urë lidhëse midis dy vendeve.

FJALË E DHËNË PARA NJË VITI, MË 12 GUSHT 2023

Gentian Qejvanaj duke marrë pjesë në "Takimin e Brezave" në Kallarat më 12 gusht 2023, deklaroi se në takimin e vitit tjetër 2024 do të realizojë aventurën më të gjatë të jetës time, atë ardhjes me biçikletë nga Kina në Kallarat.

Gentian Qejvanaj, i ndodhur prej disa ditësh në Kallarat (pasi prej 10 vitesh jeton në Kinë), ardhur me mjetin e tij të preferuar, biçikletën, mori pjesë për herë të parë në takimin e brezave në vendlindjen e babait të tij Memo Qejvanaj.

Personalisht nuk isha në dijeni se Genti ndodhej pikërisht në këtë takim. Po ta shifja, edhe pse nuk isha takuar me të asnjëherë, me siguri do ta njihja, pasi e kam ndjekur nëpërmjet videove të tij në Youtube, por duke qenë pjesëmarrje e madhe, si asnjëherë tjetër, jo me të gjithë arrita të përshëndetesha e të takohesha. Duke qenë se isha duke ndjekur prezantimin e moderatores, në kohën që poetesha Lela Qejvanaj në fjalën e saj përshëndetëse përmendi faktin që në këtë takim brezash kanë ardhur shumë emigrantë nga jashtë e duke përmendur Kinën - mendja më shkoi te Gentiani. Sapo Lela përfundoi fjalën e saj - i them, ku është Gentiani? Me të përkrahu i afrohem tavolinës së madhe ku ishte vendosur fisi Qejvanaj dhe menjëherë dallova portretin e Gentianit, veshur sportiv. Pa u përshëndetur e pa u prezantuar fare me të, ngaqë moderatorja Anila ishte duke pritur këngëtaren Maya dhe ishte krijuar një pauzë, ku ishte mundësia më e mirë që Genti të bënte një prezantim e përshëndetje, e marrë  Gentin për krahu dhe i afrohem Anilës e i them: "Genti është një djalë me origjinë nga Kallarati, sportist në Kinë dhe do të jap një mesazh pjesëmarrësve". Dakord - tha Anila - mikrofoni është për të. Kështu ndodh edhe në spektakle më të mëdha, kur del diçka jashtë skenarit, por që janë shumë herë më të bukura se ato të planifikuara.

Genti mori në dorë mikrofonin dhe në fjalën e tij, pasi u prezantua me një shqipe të kuptueshme, falënderoi organizatorët për këtë event shumë të bukur, përshëndeti të gjithë kallaratasit dhe në fund dha fjalën se, në takimin e vitit tjetër do vij në Kallarat me biçikletë nga Kina. Duartrokitje të mëdha nga pjesëmarrësit ushtuan sheshin.

Genti, megjithëse është diplomuar për Shkenca Politike në Itali, ka punuar në Parlamentin Evropian, ka kryer Doktoratë në Kinë për Çështjet Publike me një studim krahasues midis Shqipërisë dhe Kinës, pasioni i tij mbetet "aventura" nëpërmjet  çiklizmit, ecjeve të gjata në terrene të vështira, si dhe ndihma ndaj njerëzve në nevojë. Kudo synon të jetë i pari e të ngrejë flamurin kombëtar shqiptar.

Kam kohë, që nëpërmjet disa videove, e shoh Gentianin në Kinë si pjesëmarrës dhe fitues në shumë gara me biçikletë ku valëvit flamurin tonë kombëtar, në ngjitje malore sportive e plot aktivitete të tjera. Pasioni i tij është të ecë me biçikletë, të vrapojë në distanca të gjata, duke dhënë mesazhin e vëllazërimit midis njerëzve dhe popujve dhe ndihmën ndaj njerëzve në nevojë, sidomos fëmijëve, në mënyrë  të veçantë gjatë pandemisë COVID-19.

Gentiani ka shkuar vullnetarisht në Madagaskar, të Afrikës për të ndihmuar fëmijët më të varfër, duke u mundur të përcjellë një mesazh paqeje në Afrikë dhe Kinë gjatë kohës së vështirë të coronaviruesit.

Para disa vitesh Gentiani së bashku me 5 kinezë ishte në Berat, Vlorë e Sarandë, pa anashkaluar edhe Kallaratin vendlindjen e babait të tij, Memo Qejvanaj, njeriut të urtë e punëtor, për të promovuar turizmin dhe bukuritë natyrore të Shqipërisë.

Gentiani shquhet për aventurat e tij, por me një domethënie e mesazh të qartë të miqësojë njerëzit e popujt midis tyre, të promovojë vlerat dhe të ndihmojë njerëzit e varfër, veçanërisht fëmijët.

Aventura e re e Gentianit do të jetë maratona me biçikletë KINË - SHQPËRI, të cilën e deklaroi në takim dhe kërkon mbështetjen e të gjithëve.

Personalisht, por besoj se shpreh edhe mendimin e gjithë kallaratasve, le ta falënderojmë Gentin për pasionin që ka e ta mbështesim në punën e tij dhe gjithçka që bën nëpërmjet sportit duke njohur Shqipërinë në Kinën e largët dhe në vende të tjera e duke valëvitur flamurin kombëtar kuq e zi, për të cilën na bën krenar edhe ne si fshat. Atje në Kinën e largët, kur ngrihet flamuri ynë kombëtar, është njëlloj sikur është ngritur flamuri i shoqatës që identifikon Kallaratin.

Gentit, i urojmë suksese dhe e mbështesim në aventurën e re të tij vitin e ardhshëm me biçikletë Kinë - Shqipëri e ta përfundojë atë në Kallarat.

FJALË E MBAJTUR PAS NJË VITI, 5 GUSHT 2024

PRITJA NË KALLARAT, ORGANIZUAR NGA SHOQATA "KALLARATI"

Ashtu siç e kishte parashikuar vetë "aventurieri" Gentian Qejvanaj më 5 gusht 2024, ora 16:00 mbërriti në Kallarat, pasi një ditë më parë ai kishte kaluar pikën e kufirit në Qafë Botë, ku u prit nga vëllai i tij Fatjoni. Gentiani u ndie i lehtësuar e plot emocione që më në fund pas gjithë atij udhëtimi të gjatë midis dy kontinenteve dhe shumë shteteve, shkeli me biçikletë tokën shqiptare.  Më tej ai vijoi udhëtimin drejt Kallaratit, ku në hyrje të Kallaratit, në kufirin me Kuçin kishin dalë familjarët, të afërm dhe bashkëfshatarë të tij.

Udhëtimi vijoi drejt qendrës së fshatit, në Morrez, aty në sheshin kryesor të Kallaratit aty ku një vit më parë dha fjalën për këtë udhëtim aventuresk, të cilën më në fund e bëri realitet.

Qendra e fshatit ishte zbukuruar me flamuj, parulla, ku binte në sy një banderolë e madhe me foton e tij dhe biçikletën. Për të pritur birin e tyre, edhe pse kohë e nxehtë e temperatura të larta, kishin dalë shumë bashkëfshatarë, banorë të Kallaratit, por edhe të ardhur nga fshatrat fqinjë dhe qyteti i Vlorës.

Duartrokitje, brohoritje për Gentianin, takime të përzemërta, përqafime, lot e gëzim nga familjarët e tij.

Kryetari i shoqatës “Kallarati” z. Kastriot Karabolli, kryeredaktori i gazetës Kallarati z. Lefter Hysaj, etj i uruan Gentianit mirëseardhjen në Kallarat dhe e përgëzuan për mbajtjen e fjalës së dhënë një vit më parë për përshkrimin e rrugës së gjatë Kinë - Kallarat me biçikletë, si dhe për mesazhet e përcjella prej tij në mediat e ndryshme ku kryefjala ishte fjala "Kallarati".

Në fjalën e tij Gentiani falënderoi pjesëmarrësit, familjen, të afërmit, bashkëfshatarët, si dhe kryesinë e Shoqatës "Kallarati", për mbështetjen morale dhënë gjatë gjithë udhëtimit, si dhe pritjen mjaft të ngrohtë e mbresëlënëse organizuar në qendër të fshatit. Shpërblimi im ndaj jush - u shpreh Gentiani - do të jetë ndërmarrja e aventurave të tjera duke i rritur vlerat Kallaratit e Vlorës, në çdo vend të botës ku unë shkel.

Pas një qëndrimi të shkurtër në Kallarat Gentiani vijoi udhëtimin me biçikletë drejt Vlorës edhe 50 kilometrat e fundit, ku në orën 19:00, bashkia e Vlorës kishte organizuar një pritje zyrtare para Pallatit të Sportit Flamurtari ".

 

PRITJA NË VLORË, ORGANIZUAR NGA BASHKIA

Në mbrëmjen e datës 5 gushtit 2024, ora 19:00 çiklisti Gentian Qejvanaj mbërriti në Vlorë në qytetin e tij të lindjes.

Aventura e Gentianit, e nisur më 30 qershor nga Kina me biçikletë, e pasi kaloi në shtetet: Kyrzigistan, Tajikistan, Uzbwkistam, Azerbaijan, Gerogie, Tuerky e Grecy rreth 3600 km, përfundoi në Vlorë.

Në Vlorë, para Pallatit të Sportit “Flamurtari”, bashkia e Vlorës, sektori i sportit kishte përgatitur një pritje simbolike dhe shumë domethënëse. Në hyrje të Vlorës Gentiani u prit nga një grup çiklistësh të Vlorës, të cilët e shoqëruan atë drejt Pallatit të Sportit. Mbërritja e tij me biçikletë u prit me duartrokitje të forta nga pjesëmarrësit. Merrnin pjesë mjaft qytetarë të zakonshëm vlonjatë, njerëz të sportit, bashkëfshatarë kallaratas me banim në Vlorë, por edhe të ardhur enkas nga Kallarati, si dhe familjarë e të afërm të Gentianit.

Merrnin pjesë gjithashtu nënkryetari i bashkisë së Vlorës z. Klevis Taso, drejtoresha e sportit po të bashkisë znj. Elona Merkaj, si dhe kryetari i shoqatës "Kallarati" z. Kastriot Karabolli.

Nënkryetari i bashkisë z. Klevis Taso pasi përshëndeti të pranishmit, i uroi Gentianit mirëseardhjen në qytetin e tij të lindjes, Vlorën, si dhe vlerësoi sakrificën e madhe bërë me biçikletë nga Kina në Shqipëri. Në fund në emër të kryetarit të bashkisë z. Ermal Dredha iu dorëzua  "Certifikata e Mirënjohjes" si dhe flamuri i qytetit evropian të sportit për vitin 2024.

Vetë Gentiani, duke marrë certifikatën falënderoi pjesëmarrësit e qytetarët vlonjatë për mikpritjen, si dhe falënderoi bashkinë e Vlorës për pritjen dhe vlerësim e bërë.

"Faleminderit Vloraaa, kam 10 vjet që jetoj në Kinë dhe jam Shqiptar. Është një lidhje nga ana shpirtërore, tani më bën krenar dhe do jetë një kujtim, familjes time që në fillim nuk më besonin e pastaj filluan të kuptonin që nuk ishte vetëm për veten time, por edhe për të gjithë shqiptarët, Vlora e vlonjatëve nuk është vetëm një vend për bregdet por edhe një vend për aventura si kjo”, - tha  Gentian Qejvanaj.

Në fund të aktivitetit zonja Lela Qejvanaj në emër të familjes falënderoi pjesëmarrësit për pritjen e ngrohtë të realizuar

Pas përfundimit të aktivitetit u bënë voto dhe u shtrua një koktejl.

Duke i bërë disa pyetje të shpejta Gentiani do të përgjigjej:

A të shkoi ndonjëherë në mendje ta ndërprerje aventurën?

"Jo, asnjëherë nuk kam menduar të dorëzohem edhe pse kam marrë shpime në të dy rrotat e biçikletës disa herë, edhe pse më kapi një stuhi mbi 3500 metra mbi nivelin e detit, edhe pse temperaturat ishin të larta në disa zona. Fjalën e dhënë para Kallaratit, dëshiroja ta bëja realitet dhe më në fund e bëra.

 

 

 

Si u ndjeve kur hyrë në kufirin shqiptar?

Kalimi i kufirit shqiptar në Qafë Botë, ishte shumë domethënës, sepse po hyja në atdheun tim për të cilin mora këtë aventurë, por pas kalimit të kaq shumë kufijve ishte vetëm një më shumë, por ky ishte i fundit.

Po kur takove nënën tënde Zamirën?

Vëllai i madh Fatjoni, i cili jeton në Suedi kishte dalë në kufi, kurse mamaja Zamira më priste në Kallarat. U gëzova shumë kur pashë mamin, sepse ajo si gjithë nënat ishte në merak të madh dhe kishte një muaj që më ndiqte e nuk vinte gjumë në sy, aq më tepër që babai më është ndarë nga jeta vite më parë. Kështu që isha i lumtur që e pashë dhe nuk e ndanim njëri tjetrin nga përqafimi me mall.

Si e konsideron pritjen në qendër të fshatit të Kallaratit dhe në Vlorë?

Mirëpritja si në Kallarat, ashtu edhe në Vlorë ishte e mahnitshme. U befasova vërtet kur pashë se kaq shumë njerëz ishin të lidhur dhe të interesuar për aventurën time në përputhje me rrethanat. Gjej rastin të falënderoj shoqatën "Kallarati" dhe bashkinë e Vlorës.

Aventurat tuaja të ardhshme, apo me kaq deri këtu?

Ndjej sikur kjo aventurë nuk po ndalon këtu, mund të ketë diçka që do të ndodhë vitin e ardhshëm ose ndoshta edhe më herët.  Do t'ju mbaj të informuar dhe shpresoj shumë që mund ta bëj këtë aventurë herën tjetër me ndonjë shqiptar tjetër që mund të frymëzohet nga përvoja ime.

Mesazhi juaj për të rinjtë në aspektin e marrjes me sport?

Ushtroni çdo lloj sporti se është jetë, aq më tepër ecjet e gjata dhe me çiklizëm, por aventurat e mia nuk jua rekomandoj.

 

Përgatiti: Besnik Gjonbrataj

38 views0 comments

Kommentare


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page