
QARKULLIMET POSTARE NË KAMPET FASHISTE ITALIANE GJATË LUFTËS DYTË BOTËRORE.
Besnik FISHTA
Qëllimin ekspansionist për krijimin e “Italisë madhe” fashizmi italian e ndërmori që para fillimit të Luftës së Dytë Botërore me sulmin ndaj Abisininë e më 7 prill 1939, sulmoi edhe Shqipërinë. Në logjikën fashiste, objektivi ishte që Italia të rifitonte hegjemoninë në Mesdhe, të cilën e pat humbur që nga rënia e Perandorisë Romane (Fig.1 dhe 2).


Fig. 2 “Shqipëria e madhe” nën protektoratin fashist (Burimi: Wikipedia).
Por italianët e kuptuan shpejt se popullsia në këto vende nuk do të pajtohej me këto aneksime. Me veprime urgjente do të duhej të izolonin kundërshtarët politikë, kryesisht grupe të tilla si nacionalistët, komunistët dhe hebrejtë. Këtij qëllimi do t’i shërbente edhe ndërtimi me shpejtësi i kampeve të internimit brenda territoreve të pushtuara. Sipas projektit fashist këto kampe do të shërbenin edhe si pikë tranziti për një moment të dytë për internimin akoma më të largët përtej Adriatikut. Porto Romano, vetëm 5 km në veri të qytetit të Durrësit, nga regjimi fashist italian konsiderohej si territori më strategjik, pasi aty do të ishte e pamundur çdo përpjekje për t’u arratisur nga brenda apo tentativë e armatosur për të liruar të internuarit nga jashtë. Kampi fashist në Porto Romano kufizohej nga ana perëndimore me detin me një mur 3 metër të lartë dhe gjatësi 250 metra. Në pjesën ku kampi kufizohej nga rruga e cila e lidhte me Durrësin u rrethua me gardhe me tela me gjemba. Në pjesët e tjera arratisja ishte e pamundur, pasi kodra kishte një pjerësi të fortë që përfundonte në det. Brenda territorit u ndërtuan fortifikime dhe kulla të larta vrojtimi të pajisura me mitraloza e me projektorë ndriçimi për gjithë natën. Gjithçka brenda kampit vrojtohej nga OVRA-s, spiunazhi italian, që kishte agjentët e tij, madje edhe në radhët e të internuarve. Ende sot, në atë vend gjenden pamje rudimentare si mure të lartë, kulla rojesh, fortifikime, kapanone, qeli etj. Ato qëndrojne si dëshmi e ekzistencës së atij që historia e njeh si kampin më të madh shumëkombësh ballkanik me mbi 1200 të internuar shqiptarë (përfshirë dhe ata të territorit kosovar), malazezë, serbë, boshnjakë, kroatë, maqedonas dhe grekë. Nëpërmjet publicistikës, librave, kujtimeve e deri dhe filmave artistike është treguar ferri i vërtetë i këtij kampi famëkeq fashist (Fig 3, 4, 5 dhe 6). Kampi Porto Romano u mbyll me 25 gusht 1943, në prag të kapitullimit të Italisë fashiste.

Fig. 3 Roman i shkruar nga një ish i internuar i Kampit Porto Romano, pasqyrë e jetës së internuarve në kamp.



Fig. 6 Dorëshkrime të kujtimeve nga ish i internuari Idris Fishta.
Sot, ky vend i mbuluar nga shkurret dhe e ferrat është lënë në harresë. Këtu të vetmit vizitorë janë zogjtë apo edhe kafshët e tjera të egra. Megjithëse i vlerësuar si monument me rëndësi të veçantë i Rezistences Antifashiste Ballkanike, mungesa e vëmendjes së institucioneve që lidhen me trashëgiminë historike është e dukshme (Fig. 7). Në të kundërt të kësaj situate, aty mund të ruhej e restaurohej një panoramë tjetër, me ndjeshmëri historike dhe efekt edukativ, patriotik dhe mjaft i kërkuar për udhërrëfyesit turistikë.

Fig. 7 Pamje e pjesshme e ish Kampit të Përqëndrimit Porto Romano, Durrës.
Të dhënat e mësipërme historike, që lidhen me kampet fashiste të internimit, gjejnë pasqyrim të drejtëpërdrejtë dhe të saktë, edhe nëpërmjet dokumentacionit që ofron historia postare. Duhet pohuar që në studimet e filatelisë shqiptare, pavarësisht zhvillimeve të vrullshme të saj gjatë viteve të fundit, nuk është prekur deri më tani, qoftë edhe perciptazi kjo tematikë. Pavarësisht ekzistencës së një regjimi të egër fashist, ligjet italiane të kohës “i lejonin” komunikimet postare në kampet e përqendrimit. Lejohej pa kufizim qarkullimi i letrave dhe kartëpostareve vetëm brenda territoreve të Perandorisë së shpallur fashiste si në Itali, Shqipëri, Etiopi, Tunizi, Libi, Mbretërinë e Malit të Zi dhe pjesërisht në Kroaci. Kjo liri në qarkullimin e letrave ishte shprehur si garanci për robërit dhe të internuarit e luftës, të parashikuara nga Konventa e Gjenevës e vitit 1929, por që do të shpërfillej në mënyrë brutale në shumicën e herës nga fuqitë fashiste.

Në rastin e territoreve shqiptare, për Kampin e Përqëndrimit Fashist të Porto Romanos kemi një korrespondencë të ruajtur shumë mirë me Karta postare dhe Karta letër të qarkulluara gjatë vitit 1943 (Fig.8 dhe 9). Hulumtimi i kësaj korrespondence natyrisht shoqërohet me ndjesi emocionale që lindin nëpërmjet historive familjare të lidhura me to. Por veçmas kësaj janë dhe emocionet e kënaqësisë së interesit studimor dhe interpretues të veçorive filatelike të tyre.

Duke marrë në studim dhe vlerësuar veçoritë në këto karta postare dhe karta letër, fillimisht bëjmë një ndarje në dy grupe. Kjo ndarje do të përcaktojë dhe disa ndryshime thelbësore mes tyre.
Në grupin e parë do të veçojmë kartat postare që kanë qarkulluar në kahen nga të internuarit për në destinacione jashtë kampit të përqëndrimit. Mesa njihet deri më tani, këto duket se janë jashtëzakonisht të rralla dhe të papara në koleksione apo në ekspozime të ndryshme. Këto karta postare të prodhuara në Itali ishin të dedikuara të përdoren vetëm nga forcat ushtarake dhe kishin përshkrimin: ”Cartoline postale per le forze armate”. Çdo njëra prej tyre shoqërohej në pjesën e sipërme të kartës me një shprehje fashiste propagandistike të Musolinit. Ky tip kartash qarkullonte vetëm nëpërmjet postës ushtarake dhe, në asnjë rast nuk ka afrankim me një pullë poste. Vula e postës ushtarake ishte rrethore në mesin e së cilës shënohej data e vulës dhe, buzë perimetrit rrethor të saj shkruhej “Posta Militare 402”.

Posta ushtarake me numër 402 filloi si zyrë për shërbimet territoriale në repartet ushtarake të Marinës dhe Aviacionit italian në zonën e Durrësit që më 10.04.1939 dhe u mbyll me kapitullimin e Italisë fashiste, duke shërbyer në të gjitha njësitë ushtarake të kësaj zone. Kartat postare të të internuarve, çdo rast, merrnin vulën e çensurës së vetë kampit të përqëndrimit. Kjo vulë me konture drejtkëndëshi kishte brenda saj përshkrimin: ”Verificato per censura campo ”O” P.M. 402”. Simboli "O" nënkuptonte shkronjën e parë të fjalës italisht “Ostaggio”,e cila në gjuhën shqipe është e barasvlefshme me fjalën “Peng”. Simbolet e shkronjave P. M. janë shkurtime të shprehjes italisht “Posta Militare”. Të gjitha vulat janë me ngjyrë të zezë (Fig.10 dhe 11).

Në tipin e dytë përfshihen karta postare jo ushtarake dhe karta letër, të cilat kanë qarkulluar vetëm në kahen nga jashtë kampit për brenda tij, dhe me përshkrim të të dhënave të tyre në gjuhën shqipe (Fig.12).
Edhe këto karta postare kanë rrallësi të lartë, me qenë se një e vetme është parë deri më tani (Koleksioni V. Xhitoni) në ekspozimet tona. Afrankimi i tyre kryhej nëpërmjet postës civile. Vlera e kartë postares ishte 10 qindarka (Fig.13).


Edhe në rastin e Kartave letër, vlera e pullës është 15 qindarka në përputhje me afrankimin e këtij artikulli postar brenda vendit. Ky tip dallohet nga tipi i parë, sepse ato marrin dy vula çensure. Së pari vulën e çensurës civile sipas shënimit “Verificato per censura” dhe, më pas në momentin e hyrjes në kampin e përqëndrimit, marrin vulën e dytë, atë të censurës ushtarake të vetë kampit (Fig.14). Veçmas vulosjes së dyfishte nga censura, në kartë postare kemi dhe një vulë te vogël rrethore brenda së cilës vendosej numri i censurës civile (Fig.15). Nr. 2 i takon censurës së Prefekturës Durrës. Ngjyra e vulave ndryshon duke qenë më së shumti e zezë dhe më rallë blu.



Në përfundim duhet të nënvizohet që studimi i kësaj tematike të historisë sonë postare është e nevojshme të zgjerohet, sepse lindin disa pyetje që e nxisin kërkim të mëtejshëm. Këto pyetje mund të jenë:
1. A ekziston një qarkullim i tillë produktesh filatelike edhe në të tjera kampe fashiste italiane brenda territorit shqiptar?
2. A ka një qarkullim postar të ngjashëm edhe në kampet gjermane të internimit?
Këto dhe pyetje të tjera dhe, sidomos gjetja e analiza e dokumentacionit arkivor përkatës do të bënte të mundur të arrihet të plotësohet pjesa e munguar e historisë sonë postare, që lidhet me qarkullimet postare në kampet fashiste të përqendrimit.
Shënim.
1. Çdo e dhënë më sipër, në lidhje me kampin fashist Porto Romano dhe rrethanat përkatëse historike mbështeten në dorëshkrimet e të internuarit Idris Fishta.
2. Ilustrimet me foto janë pjesë e koleksioneve të artikullshkruesit.
Ekskluziv për www.fjalaelire.com Londër
Shkrimi i Filatelistit, Besnik Fishta , me teme:
Qarkullimet Postare ne kampet fashiste gjate Luftes Dyte, boterore trajton nje teme te pa njohur deri sot,.Duke qene se i ati i Besnikut, nje nga filatelistet me te medhej shqiptare,Idriz Fishta ka qene vete protogonist i ngjarjeve dhe i internuar ne keto kampe , ai ka ruajtur ka ruajtur mrekullisht ,korospondencat postare , kartat postare dhe vulat postare te vitit 1943, keto dekumenta origjinale ja rrite rendesine historike ketij shkrimi dhe eshte nje kontribut i vecante per Filatelin Shqiptare.
Urime per shkrimin dhe suksese e arritje te tjera ,kolegu jone Besnik Fishta.
Nga
Hysen S.Dizdari
Studjes i Filatelise Shqiptare