top of page

Besnik Fishta:  Andrea Skanjeti, hartues i katalogut tё parё shqiptar tё pullave                                                            


Besnik Fishta, studiues i filatelise.    

     

 “Artisti i Popullit” Andrea Skanjeti njihet nё Shkodёr pёr krijimtarinё e tij nё njё numёr jo tё zakonshёm shkrimesh. Nё Enciklopedinё Wikipedia nё internet, ndёr tё tjera, pёr veprimtarinё e pёrgjithshme artistike tё tij, pёrmblidhet:

                                                           

Nё krijimtari teatrale:

22 drama, komedi, melodrama, skeçe estrade etj.

27 pjesё teatrale të pёrkthyera e të adaptuara.

8 pjesё për teatër kukullash.

Nё regjisurё:

Rreth 75 pjesë teatrale shqiptare dhe të huaja të vëna në skenë, nga të cilat 20 me aktorët e teatrit “Migjeni” të Shkodrës.

20 platforma regjisoriale.

30 pjesë teatrale me grupe diletante të klubeve dhe shoqërive të ndryshme, të Shtëpisë së Kulturës Shkodër, qendrat e punës, Shtëpinë e Pionierit, shkollat etj.

 

 Krijimtaria nё prozё:

Rreth 45 tregime dhe novela, shumica të botuara në revistat e kohës, kryesisht para dhe gjatë luftës.

Libri “100 vjet teatёr nё Shkodёr 1879-1979”, botuar në vitin 2002.

Libri “4000 vjet nga urtësia botërore”, anekdota, botuar në vitin 2006.

Fjalori Italisht-Shqip (i pabotuar).



Kёto tё dhёna mё kthyen prapa nё kohё, pasi konstatova mungesёn e njё kontributi tё panjohur pёr publikun nё veprimtarinё krijuese tё Skanjetit. Ai ishte i pari personalitet nё Shqiperi qё hartoi “Katalogun e Pullave Postare Shqiptare”, sipas tё gjitha kritereve shkencore dhe didaktike qё kёrkohen nё kёtё lloj veprash. Vepёr kjo e lёnё nё dorёshkrim dhe, pёr fat tё keq, e pabotuar.

Unё kisha dёgjuar pёr kёtё katalog qё nё moshё tё re, nё vitet 70-tё. Nё bisedat qё im atё bёnte me shokёt e tij filatelistё, pёrmendej ky fakt. Mё pas nuk e harrova asnjёherё kёtё dёshmi  dhe nё kёto vitet e fundit mё tundonte dёshira tё zbuloja nёse pas pothuaj 50 vitesh do tё mund tё ekzistonte kjo vepёr unike nё llojin e saj. Interesimi, kёrkimi dhe intuita mё ofruan rezultat pozitiv, duke gjetur vendin ku ky mjeshtёr kishte menduar ta linte. Nё Arkivin Qendror tё Shtetit nё Tiranё, pas njё kёrkimi me pikёsynim dhe durim, arrita ta kem para syve tё mi kёtё libёr qё unё e vlersoj tё jashtёzakonshёm. Sё bashku me librin edhe njё autobiografi e gjatё. Qё tё dyja nё original, tё shkruara me makinё shkrimi dhe tё firmosura nga vetё mjeshtri Andrea Skanjeti. Aty nё sallёn e studimit nё Arkivin Qendror tё Shtetit, me emocion dhe kureshtje tё veçantё shletova faqet e kёtij libri. Mё ra nё sy gjenialiteti i kёtij njeriu. Ishte njё libёr i jashtёzakonshёm, i shkruar me njё profesionalizёm  maximalisht tё admirueshёm, qё po tё mos isha i njohur pёr autorёsinё dhe natyrisht dhe gjuhёn tonё shqipe tё shkruar, do tё mendoja se kam nё duar produktin e njё autori tё huaj,specialist i fushes filatelike. Pata kaluar nё duar dhe konsultuar katalogё tё ndryshёm, tё tillё si  katalogu i famshёm gjerman “Michel”, ai italian “Sasson”, ai anglez “Stanley Gibbons”, por dhe shumё i preferuari pёr kolekionistёt shqiptarё, ai francez, “Yvert et Tellier”. Pothuaj çdo vit filatelistёt shkodranё porositnin  katalogё tё rinj tё pullave. Ky ishte pasioni i tyre. Madje mund tё themi se me kёtё pasion, nё ato kohё ato u bёnё “fatlum dhe tё priveligjuar”, pasi arrinin atё qё tё tjerёt e lakmonin, kontaktin me botёn pёrtej kufijve. Pikёrisht ato pulla poste tё vogla, me plot ngjyra, herё me kafshё e bimё, herё me sport dhe herё tё tjera me piktura e figura nga mё tё ndryshmet, pёrbёnin produktin e vetёm tё asaj bote tё huaj dhe qё nё veçanti pёr ne tё rinjtё ishte iluzore dhe mjaft enigmatike.Pulla dhe imazhet e saj per shume dekada nuk munden te kuptoheshin,te percilleshin tek te tjeret nga filatelistet shqiptare ne ikona idelogjike dhe propogadistike.Prandaj dhe çuditёrisht dhe duhet thёnё dhe fatmirёsisht, diktatura, me instrumentet e saj tё censurёs, nuk arriti asnjёherё tё pengonte mbushjen me pulla tё çdo shteti e kontinenti tё albumeve tё bukura tё filatelistёve. Kjo pёr gjithё Shqipёrinё dhe veçanёrisht nё Shkodёr.

Çfarё e bёn tё veçantё kёtё libёr? Sё pari, pёr tё krijuar dhe shkruar njё katalog tё pullave postare shqiptare, nё çdo ndёrmarrje tё tillё, patjetёr duhej tё plotёsoheshin disa cilёsi, tё cilat duhet tё ishin prezente tё gjitha sё bashku njёherёsh. Dhe te Skanjeti cilёsi tё tilla ekzistonin, sepse, sё pari,  Skanjeti  kishte njё koleksion vetjak shumё tё mirё dhe tё plotё tё pullave shqiptare, i mbledhur me pasion dhe i studiuar nga ai vetё nё mёnyrё tё imtёsishme. Natyrisht, ky koleksion, por edhe ata tё kolegёve tё tij koleksionistё ishin domosdoshmёri pёr tё dalluar dhe pёr tё evidentuar çdo tё dhёnё teknike tё çdo emetimi shqiptar tё pullave. Sё dyti, ai, sipas tё dhёnave, zotёronte vullnetin, seriozitetin, kulturёn e shumanshme dhe sidomos njohjen e disa gjuhёve tё huaja. Kёto vlera, pёr arritjen e njё qёllimi tё tillё, kёrkohen nё studime tё kёtij lloji nё nivele optimale. Pёr tё kuptuar madhёshtinё e kёtij punimi, duhet tё analizojmё mundёsitё qё ofronte shoqёria shqiptare pёr njё vepёr tё tillё jo tё zakonshme. Sё pari, duke vёshtruar zhvillimin e sotёm dhe duke e krahasuar me kushtet kur shkruhej libri, diferencat janё tё mёdha nё aspektin material e teknik. Studiuesit sot zotёrojnё mjetet audiovizive tё informimit, lundrimin dhe kёrkimin nё internet, literaturё tё pakufizuar, qё hyn nё vend ose qё mund tё porositet jashtё vendit, pajisjet ndihmёse, si kompjuterёt  dhe programet e tyre tё shumta, printerat dhe skanerёt etj. Sot tё tillё katalogё punohen nga grupe profesionistёsh  ose zyra e kompani tё specializuara dhe qё kanё eksperienca deri nё 150-vjeçare. Dhe, sё dyti, pёr sa i pёrket hapёsirёs sociale-politike po ashtu, ndryshimi ёshtё akoma mё i thellё. Mjafton tё pёrmendim argumentin mё thelbёsor. Sot jo thjesht nuk ka imponim pёr frymё tё caktuar ideologjike, por sot, nё procesin e krijimit, kemi prezencёn absolute tё lirisё sё mendimit e tё shprehjes, tё kёrkimit dhe tё punёs sё konsultuar nё grup.

Struktura e katalogut nё plot 111 faqe ёshtё e plotё, e menduar mirё dhe tёrheqёse. Ka dy pjesё kryesore. Pjesa e parё me titull “Njoftime” pёrmban njohuri tё domosdoshme dhe themelore pёr çdo koleksionist tё pullave postare ose dhe admirues tё tyre. Nё 15 faqe, pёrveç tё treguarit tё çelёsit tё pёrdorimit tё katalogut, pёrkufizohen, formulohen, shpjegohen dhe interpretohet leksiku filatelik. Pёr herё tё parё nё literaturёn shqiptare filetelike shtjellohen koncepte tё tilla si: tipat e koleksioneve, tipat e emetimeve, sistemet e prodhimit, klubet filatelike, vulat e vulosjet, para dhe pasvulosjet, mbishtypjet, filigrama, dhёmbёzat e jodhёmbёzat, pullat e pjesёtuara, gabimet nё pulla, pullat e rralla, datat e qarkullimit, tirazhet, falsifikimet dhe llojet e saj etj., etj. Mendoj qё nёpёrmjet kёsaj pjese tё parё Skanjeti, veç tё tjerave, arrin tё plotёsojё edhe njё pikёsynim tё tij, t’i japё katalogut tё tij imazh shqiptar, duke e treguar qartё qё nuk ёshtё njё imitacion i katalogёve tё huaj. Kjo i jep librit tё tij njё vlerё qё dhe sot, pas pothuaj 60 viteve, mbart tё dhёna tejet interesante pёr komunitetin  filatelik, por dhe dashamirёt e tij.

Nё pjesёn e dytё tё katalogut jepen tё gjitha tё dhёnat teknike tё pullave Kjo pjesё ka disa nёnpjesё. Nё nёnpjesёn e parё pasqyrohen tё tёra emetimet zyrtare tё Postёs Shqiptare, duke u pasqyruar data e emetimit, tirazhi, ngjyrat, çmimi nominal, falsifikimet e mundshme etj. Interesante ёshtё qё krahas renditjes sё tij, Skanjeti vendos dhe renditjen e dy katalogёve tё huaj mё tё pёrdorur nё atё kohё, “Michel” dhe “Yvert et Tellier”. Kjo pёrbёn dhe njё tjetёr individualitet tё katalogut tё tij. Mё pas, nё nёnpjesё tё tjera trajtohen tё ndara, Pullat Taksё; Emisionet e qyteteve tё ndryshme (me jetё tё shkurtёr), si: Shqipёria Mesme (Posta Esadit), Shkodёr, Tepelenё (Posta ushtarake), Vlorё, Elbasan dhe taksat e tyre. Veçori e Katalogut “Skanjeti” ёshtё katalogimi i pullave tё shteteve tё huaja qё qarkulluan nё Shqipёri me mbishtypje tё ndryshme, si ALBANIA, DURAZZO (nё Durrёs), SCUTARI (nё Shkodёr), VALONA (nё Vlorё), SASENO (nё Ishullin e Sazanit). Nё nёnpjesёn e fundit pёrshkruan dhe pullat jozyrtare tё Modianos, emisionin e Elbasanit, emisionin e Vlorёs, tё shtypur nё Greqi, dhe tё Repuplikёs sё Mirditёs tё vitit 1921, duke evidentuar nё çdo rast karakteristikat konkrete tё emisioneve. Duke nёnvizuar, sё fundi, se tё gjitha kёto emetime jozyrtare nuk kanё fare vlera filatelike.

A do tё ishte me interes tё botohet sot vepra nё dorёshkrim e Andrea Skanjetit?

Po! Sepse, sё pari ajo ёshtё dёshmi e rallё e pёrpjekjeve, nё njё kohё dhe nё momente tashmё tё njohura si tё vёshtira. Ajo pasqyron njё formё tё qёndresёs intelektuale dhe qytetare pёr tё ruajtur kontaktet, qoftё dhe tё jodrejtpёrdrejta, me kulturёn perёndimore, duke mёnjanuar me zgjuarёsi presionin e fuqishёm shtetёror pёr izolimin kulturor tё vendit. Ështё e njohur qё fushave tё ndryshme tё artit dhe tё kulturёs, si letёrsia, kinematografia, muzika, teatri, piktura etj. u ishte ndёrprerё çdo lidhje me botёn e jashtme. Filatelia dhe zhvillimi i saj mundёn ta shmangin  me sukses kёtё izolim.

Sё dyti, grupet e interesuara tё koleksionistёve dhe filatelistёve do tё kuptojnё qё nё vitet 60-tё e 70-tё, nё veçanti nё Shkodёr, ishte formuar njё traditё e konsoliduar nё koleksionimin e pullave postare, e cila brezit mё pas i shёrbeu si pёrvojё, dhe duke pasur fatin tё mos fillojё nga zero nё kёtё fushё tё rёndёsishme tё kulturёs sonё. Ato vite nё Shkodёr, Klubi Filatelik pati krijuar njё anёtarёsi nё numёr tё madh, aktiviteti i tё cilёve qe mjaft i gjerё dhe i organizuar, me veprimtari konkrete tё larmishme, me ekspozita e sesione shkencore filatelike periodike, nё njё mёnyrё tё ngjashme me ato qё bёheshin nё vendet europiane.

Se treti, koleksionistёt, edhe sot pas kaq shumё vitesh, te ky katalog do tё gjenin tё pasqyruara koncepte, formulime, njohuri nga kultura filatelike, tё patrajtuara nё botime deri mё sot, ose edhe pёrgjigje pёr shumё nga pyetjet qё mund t’u lindin nga universi i koleksionizmit.

Sё fundi, botimi i “Katalogut tё parё tё Pullave tё Postёs” me njё financim modest, pёr bibliotekat e Shkodrёs, veçanёrisht tё bibliotekёs “Marin Barleti”, dhe pёr institucionet, veçanёrisht tё Muzeu Historik tё qytetit, do tё krijonte mundёsinё qё tё kenё nё inventarin e tyre kёtё libёr krejtёsisht tё veçantё, tё lёnё trashёgim nga njё personalitet i shquar dhe me cilёsitё mё tё larta qytetare shkodrane, siç ishte Andrea Skanjeti.





 

                               

              

108 views1 comment

1 comentario


Invitado
24 jul

.

Me gusta

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page