top of page

Besim Sahatçiu


Besim Sahatçiu

në kujtesën e bashkëshortes

dhe të djemve të vet

(Mbresa)

Në prill 2012 pata privilegjin të takohem e të zhvilloj një bisedë me zonjën Besa, bashkëshorten e të ndjerit Besim Sahatçiu. I shkova për vizitë në shtëpi, në Prishtinë. Më shoqëroi i biri, Besniku. Na priti me ngrohtësi duke më kujtuar fisnikërinë tradicionale shqiptare. Hijeshisë fizike, gati-gati të pacënuar nga vitet e nga vuajtjet, i shtohej një bukuri shpirtërore e rrallë, ku feksnin fjala e kursyer dhe e saktë, modestia dhe çiltërsia. Më befasoi në mënyrë të veçantë gjuha e pastër që mund t’ia kenë zili të gjithë shkrimtarët e shkencëtarët. Kjo femër e pajisur me edukatë aristokratike dhe me arsim themelfortë, vërtet me zor, ama i mbajti si burrëreshë emocionet që i ringjalli evokimi i viteve të jetës pranë njeriut të saj të dashur, që mungonte tashmë. Me fjalë të peshuara mirë, zonja Besa ia bëri të ndjerit Besim portretin në mënyrë të përkryer: bashkëshort shembullor, prind i dhembshur, njeri i drejtë, punëtor i palodhur, shpirtgjerë, i pjekur, i çiltër, përparimtar, atdhetar, intelektual e artist evropian, me ambicje të theksuar për të kapur majat e artit të kulluar e modern, pa dëmtuar e pa ia ngrënë hakun kurrkujt.

Në verën e vitit 2008 pata kaluar një javë në Londër, si i ftuar nga miku im, profesori Akil Koci. Ndër të tjera, shkuam të dy në seksionin shqiptar të BBC-së, ku u takuam e kuvenduam me pjesëtarët e tij, të gjithë të përgatitur më së miri, ashtu siç e kërkon një radiostacion kaq i fuqishëm, figurativisht e realisht.

Falë gazetares së re e me perspektivë Irena Luto, bijë e dy miqve të mi, Timo e Vjollca Luto, gjithaq të njohur në fushën e gazetarisë radiofonike e televizive, pata fatin të dëgjoj live zërin e dy vëllezërve Faik e Ragip Luta. Me të parin, në prani të Irenës e të Akilit, “e zgjatëm muhabetin” edhe përtej caqeve të profesionit të mirëfilltë të tij, me ç’rast u bëra dëshmitar i horizontit të gjerë kulturor e i thesarit atdhetar që mbart në qenien e vet modeste ky bir i Kosovës. Kënaqësi jo të pakët më fali edhe takimi me botuesin e hulumtuesin e talentuar e të përkushtuar Bejtullah Destani, të cilin e pata njohur disa muaj më parë në një veprimtari shkencore në Zagreb.

Prekëse ishin për mua çastet e takimit me të birin e mikut tim të vjetër, shkrimtarit Vath Koreshi, Dastidin, atëkohë sekretar i parë i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin britanik. Evokuam talentin e virtytet njerëzore të Vathit. Gjithashtu përmendëm edhe agronomin e njohur Thanas Piu, vjehrri i Dastidit, të cilin e kam njohur në fillimvitet ’60 kur studionim sëbashku në Bukuresht. Dastidi ia përcolli pa vonesë të falat e mia Thanasit, për të cilat ky më falenderoi disa muaj më vonë, më 1 shtator 2008, kur e takova gjatë punimeve që Albshkenca zhvilloi ato ditë në Tiranë. Në atë 1 shtator, profesori Akil Koci kremtonte 72-vjetorin e lindjes së vet, çka organizatorët e asaj veprimtarie shkencore mbarëshqiptare ia uruan në një mënyrë krejt origjinale: ia promovuan librin e sapodalë nga shtypi, me titull “Vibracione të shpirtit shqiptar” (vëllimi I), të cilin e pata redaktuar dhe pajisur me një pasthënie.

Por le të kthehemi sërish në ditët kur ndodhesha në Londër. Në orët e pragkthimit në Bukuresht, Akili më dhuroi një dulcis in fundo të vërtetë, duke më njohur me Besnik Sahatçiun. I hijshëm e shtatlartë, fjalëkursyer e buzagaz, i matur e i shtruar, i mençur e bujar, atdhetar e intelektual evropian, ky mesoburrë, me flokët e zbardhur para kohe, më bëri të them me vete: ”Dëbora në maja malesh bie, jo në fushë”. I entusiazmuar nga atmosfera e ngrohtë që m’u krijua në restaurantin luksoz e po aq serioz, të cilin Besniku e administron bashkë me dy pjesëtarë të “triumviratit”: Bekimin, vëllain, dhe Besim Sylajn, - lokal ky, që është shndrruar në një mjedis ku mblidhen herëpashere shqiptarë nga Përkëtej dhe Përtej Drinit, për të qarë hallet e sidomos për të zhvilluar veprimtari kulturore e atdhetare, - fillova të flas “pa protokoll”, sikur të ndodhesha në gjirin e familjes sime. Pra, po lëshoja të pjekura e të papjekura, të njoma e të thata, siç thotë populli.

Besniku, Bekimi dhe Besimi, që na e kishin shtruar sofrën tashmë me të gjitha të mirat, jo vetëm nuk ma ndërprenë “vrullin” qoftë edhe një herë të vetme, por edhe gojën e kishin shndrruar në një vesh të tretë. Domethënia e atij dëgjimi aq të vëmendshëm, tamam sy e veshë, siç thotë një fjalë tjetër e urtë e jona, ishte dëshmi e respektit për mikun, i cili, - le të më lejohet një shaka, - është budalla, sepse nuk dihet kur vjen e çfarë kërkon. Pra, respekti për mikun e për më të moshuarin, kishte mbetur i pacënuar në këtë skaj të Londrës me emrin Miçam, ashtu siç na e patën lënë të parët tanë gjatë historisë shumëshekullore.

Pasi “u ngopa” jo vetëm me gjellët e shijshme, por edhe i “ngopa” gjithë ata burra me “konferencën e shtypit” që u mbajta, e ndjeva për detyrë t’u lutesha të më flisnin edhe ata diçka për jetën e punën e tyre.

Nga goja e Besnikut dhe e Bekimit, e cila “u çel” vetëm pas këmbënguljes sime, mësova se kishin ardhur në Londër qysh më 1990. Besniku, ky dyzetvjeçar i pajisur me energji të brendshme të pashtershme, që ka kryer Fakultetin për anglisht në Prishtinë dhe është njëherazi absolvent i Fakultetit të Ekonomisë, në po atë qytet, i ka ngjitur shkallët e karrierës në lëmin e biznesit me mund, kompetencë e ndershmëri, duke u çapitur në pajtim me edukatën dhe porositë e vyera të prindërve të vet: e ëma, Besa, pinjolle e një dere të njohur nga Peja, ku edhe pat kryer shkollën e mesme, dhe i ati, Besimi, regjisori i shquar i botës mbarëshqiptare.

Familja e Besnikut ka një frymëmarrje të shëndetshme intelektuale, që rrezaton në fusha të ndryshme. E shoqja, Vera, është mjeke; djali, Doni, është nxënës; vajza e madhe, Elena, merret me biznes, ndërsa vajza e vogël, Rita, mban gjallë dhe e çon më tej dëshirën e zjarrtë-amanét të gjysh Besimit, duke shkëlqyer në muzikë si këngëtare me të ardhme të sigurtë. Portreti artistik i kësaj vajze gjendet “i vizatuar” me ngjyra të gjalla në faqet e gazetës VIP, qysh më 4 maj 2008, përmes artikullit me titull “Rita Ora, shqiptarja në duet me Craig David-in”, në të cilin thuhet: “Rita Ora Sahatçiu, një këngëtare kosovare pak e njohur, pritet të jetë befasia më e re në mesin e yjeve shqiptare, e cila për albumin e saj është duke punuar së bashku me kompozitorët e yllit britanik të muzikës Craig David. Albumi do të dalë në vitin 2009”. “Nuk dua të ngutem, dua të dalë sa më mirë që mundet” u shpreh atëhere Rita 17-vjeçare për emisionin ‘Projekti Londër’ të BBC-së.

Duke lexuar me vëmendjen e duhur thëniet e Ritës, bindesh në çast se ke para syve një vajzë të pjekur para kohe, që trashëgon dhe ruan me pasion e vendosmëri të admirueshme traditat e kombit tonë të fisëm: durimin a mosngutjen për të dalë sa më parë para publikut për bujë kalimtare (në një kohë që, sikurse dihet, bashkëmoshatarët e bashkëmoshataret e saj mezi presin t’i djegin etapat për t’u vendosur në qëndër të interesit mediatik); individualitetin identitar, pa imituar apo kopjuar të tjerët ose stilin e tyre, qoftë edhe kur këta janë të famshëm, si Craig David-i; korrektësinë dhe ndershmërinë, duke vlerësuar vetëm e vetëm anët pozitive profesionale, por jo edhe sjelljen e papëlqyeshme të ndonjë aristeje, edhe kur kjo është e njohur për talentin që zotëron, sikurse është rasti i këngëtares Amy Winehouse.

Bekimi, djali tjetër i Besimit, merret me biznes, fushë në të cilën shkëlqen për shkathtësi, aftësi dhe ndershmëri. Gati-gati përlotet kur kujton çastet kur i ati nxehej që ta bindte për të mësuar sa më shumë. „Isha ende i papjekur në atë moshë të njomë dhe nuk i kuptoja sa e si duhej këshillat e qortimet e tim eti. Por, në një farë mënyre, - më mirë vonë se kurrë, - dëshirën e të ndjerit babë ia plotësova tani që im bir shquhet për rezultate të larta në mësime. Por edhe ime shoqe ka ecur me vrull në udhën e shkencës. Së shpejti do të mbrojë doktoratën” u shpreh atëhere me krenari të ligjshme Bekimi.

Gjatë fjalës së tyre, Besniku dhe Bekimi shfaqën mendime të matura, optimiste dhe bindëse për të tashmen e të ardhmen e bashkësisë shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar, e cila, nga disa qindra pjesëtarë në fillimvitet ’90, tani numuron mbi pesëdhjetëmijë bashkëkombës. Duke shtruar nevojën e një organizimi e bashkërendimi sa më të efektshëm të aksioneve dhe pikësynimeve të bashkësisë sonë, Besniku dhe Bekimi shprehen me siguri të plotë se integrimi gjithnjë e më i mirë i shqiptarëve në të gjitha sferat e jetës angleze, do të japë fryte dhe do të ushtrojë ndikim të ndjeshëm jo vetëm në ekonomi e në kulturë, por edhe në politikën e këtij vendi, çka do të ketë rrjedhoja pozitive konkrete në konceptimin e zbatimin e një politike gjithnjë e më dashamirëse të qarqeve drejtuese britanike, por edhe të atyre shkencore, ndaj Kosovës e Shqipërisë.

Duke vlerësuar ndihmesën që japin personalitete shqiptare në fusha të ndryshme, - çka e këqyrin si kontribut në fuqizimin e lidhjeve shqiptaro-angleze dhe në afirmimin e mëtejshëm të vlerave intelektuale kombëtare, - Besniku dhe Bekimi e venë theksin në domosdoshmërinë e përvehtësimit me themel të gjuhës amtare nga fëmijët shqiptarë, fillimisht në familje e më pas në shkolla e kurse, rrjeti i të cilëve duhet të vijë duke u zgjeruar pandërprerje. “Gjuha shqipe është sinonimi i kombit, i identitetit tonë. Gjuha është edhe pasuria më e çmuar që e kemi ruajtur dhe e kemi pasuruar brez pas brezi” theksojnë me emocion Besniku dhe Bekimi. Në këtë aspekt, ata shprehen se janë të gatshëm të ndihmojnë edhe financiarisht, aq sa i lejojnë mundësitë, por, sipas tyre, “violina e parë”, si në çdo aksion të përmasave të tilla, duhet të jenë Tirana dhe Prishtina zyrtare.

Duke e vijuar ligjërimin në të njëjtën hullì, Besniku dhe Bekimi venë në dukje se ekziston tashmë një përvojë e mirë, që e ka zanafillën qysh në dhjetëvjetshin e fundit të shekullit të kaluar, kur mërgimtarët jepnin ndihma materiale e monetare për arsimin në Kosovë. “Tani që Kosova është shtet, mundësitë janë pakrahasimisht më të mëdha dhe gjithçka duhet kanalizuar përmes ambasadës së porsaçelur këtu, në Londër”, nënvizon më tej Besniku.

Kur pohova me kënaqësi se nga mënyra dhe rrjedhshmëria e parashtrimit të problemeve prej tyre, krijova një përfytyrim të qartë e të saktë për gjendjen e sotme dhe të ardhmen e bashkësisë shqiptare në Angli, Besniku dhe Bekimi vunë në dukje me modesti se për to ua pat hapur horizontin i ati i ndjerë. “Sa herë që takoheshim në Prishtinë apo këtu, në Londër, çështjet që kanë lidhje me kombin i trajtonte me zell të veçantë. Unë dhe im vëlla, Bekimi, ia përpinim çdo fjalë, çdo ide e mendim”, shtoi Besniku. Dhe, ndërsa një lot i nxehtë i rrëshqiti në faqe, e zgjoi kujtesën në ditën kur pat zhvilluar bisedën e fundit me të atin. Vetëm disa ditë para se të ndrronte jetë, ky kish nxjerrë nga goja frazat-amanét: “Ta doni njëri-tjetrin, se jeni vëllezër. Si vëllezër t’i trajtoni të gjithë shqiptarët, se të gjithë kemi të njëjtën nënë e babë: shqipen dhe atdheun. Të silleni mirë me të huajt, me të cilët ju lidh puna në mërgim, që t’u tregoni se jemi racë e kulturuar dhe e qytetëruar”.

Kur u largova atëhere nga Londra, takimet me Besnikun dhe me Bekimin nuk po më shqiteshin nga mendja. Në rastin e atit të tyre, Besimit, po përjetoja një ndjenjë si ato që të krijon ndarja përgjithmonë prej një njeriu të dashur, qoftë farefis, qoftë mik a shok i afërt, me të cilin ke ndarë të mira e të këqia, ke qarë halle e ke marrë vendime me rëndësi jetike për vete e për familjen. Më dukej, pra, sikur me vdekjen e Besim Sahatçiut kisha humbur një njeri të shtrenjtë. Herë-herë më vinte të besoja se, po ta kisha njohur, do të kisha përfituar nga përvoja, nga kultura, nga horizonti i gjerë, mjaft që të shtrohesha të paktën një herë të vetme në kuvend me të. Sakaq qeshja me vete që fantazia kalonte nëpër monopate të tilla të denja për një tregim a novelë të mirëfilltë, me personazhe të krijuar, jo realë, diku afër rrëfenjave fantastiko-shkencore. Pastaj sërish u kthehesha mbresave, dialogoja me vetveten, si për të përligjur ato arsyetime të çuditshme: “Përderisa gjëra të tilla më vijnë në mendje, me siguri që kanë një farë baze”. Dhe vazhdoja t’i bluaja parreshtur, të jepja e merrja me këto përsiatje.

Në Bukuresht më kapluan punët e përditshme. Ndër gjërat e ngutshme, në ballë fare doli detyra që m’u ngarkua nga universiteti i kryeqytetit rumun për të shkruar një tekst historie tejet të vëllimshëm, me afro pesëqind faqe.


Besim Sahatçiu

Megjithëse vapa filloi të shtrëngonte fort, desha s’desha, me hir me pahir, u ngula në karrike me orë të zgjatura. Në atë valë tensioni krejt të pazakontë, përmes e-mail-it, nga Londra më erdhi një mesazh nga mikpritësi im, profesori Akil Koci, i cili më lutej t’ia redaktoja librin e tij, ku kishte përfshirë pesëmbëdhjetë artikuj studimorë kushtuar artistësh, kompozitorësh e muzikologësh të njohur nga të gjitha trevat shqiptare. U mata t’i përgjigjesha negativisht, por një gjë e tillë, mendova, nuk do të tingëllonte aspak mirë. Për më tepër, gjatë qëndrimit në Londër, Akili kish lënë çdo punë të vetën dhe ishte vënë me mish e me shpirt në dispozicionin tim, vetëm e vetëm që të m’i përmbushte të gjitha dëshirat e tekat. “Pavarësisht se jam kaq i ngarkuar, duhet të gjej një rrugëzgjidhje. Të shtoj numurin e orëve të punës në kompjuter dhe t’ia përmbush kërkesën mikut” po i imponoheasha vetes. Sakaq, rilexova mesazhin dhe mendova t’i hedh një sy krejt materialit që duhej redaktuar.

Një drithmë kënaqësie e lehtësimi ma përshkoi krejt qënien kur pashë se një nga esetë ishte për Besim Sahatçiun. E përpiva me sy me një frymë. Më pëlqeu. Akili ia kishte dalë mbanë t’i bënte një përshkrim të përkryer figurës së këtij pionieri të regjisurës së mirëfilltë e profesioniste të Kosovës.

Pa e vrarë mendjen më gjatë, iu përgjigja pozitivisht kërkesës së Akilit duke e lutur që të më jepte afat disa ditë më shumë. Kur e përfundova redaktimin e krejt librit, i propozova që kriteri i rreshtimit alfabetik të personaliteteve të bëhej sipas gërmës së emrit, jo të mbiemrit të secilit. Synimi im ishte i qartë: eseja kushtuar Besim Sahatçiut të dilte në vend të parë, duke çelur librin.

Nga ai çast m’u kujtua sërish biseda me Besnikun dhe Bekimin, të bijtë e Besimit. Por nuk u ndala me kaq. Vendosa të shkruaja, jo thjesht një artikull, por një libër të plotë për regjisorin e madh, pikërisht siç më pat sugjeruar Akili.

Tanimë mezi prisja të rikthehesha në Londër për t’u dokumentuar në lidhje me jetën e veprimtarinë artistike të Besimit. Kjo ndodhi në fund të tetorit 2008. Bashkë me Akilin, i cili u gëzua pa masë kur u njoh me projektin tim, i drejtuam hapat për në Londrën jugore, në Miçam. Atje Besniku dhe Bekimi më pritën me të njëjtën ngrohtësi, ashtu si herën e parë dhe, sigurisht, u treguan të gatshëm të më ndihmonin me ç’të mundnin për ta çuar deri në fund nismën time. Më në fund ia dola mbanë: shkrova monografinë kushtuar Besim Sahatçiut, regjiorit të parë profesionist të Kosovës, i shkolluar në Zagreb e Beograd. Libri im u botua dhe u promovua me sukses në Prishtinë në vitin 2013.

46 views2 comments

2 Comments


kadritarelli
Jul 09, 2022

Urime dhe mirenjohje, qe po e risillni ne kujtese artistin e madh te skenes dardane.

Like

Minush Hoxha
Minush Hoxha
Jul 09, 2022

Se ç,i paska dalë hakut z. Kyçyku, regjisorit Besim, familjes së tij dhe jo më pak e me më pak përkushtim kompozitorit Akil Koci. Besimin e kisha jaran dhe bashkëpartiak të PSDK në të cilën ishim anëtarë të Këshillit Drejtues në v.90, kurse me Akilin këndonim në Korrin profesionist të Radio Prishtines në v.60-ta. Portretet që ka dhënë autori-natyrisht më një fjalor lavdërimi-vërtetë që i përgjigjen këtyre dy personave-në veçanti Besimit dhe familjes së tij, e aty bashkëshortes së Besimit-Beses. Ky përkujtim mbërthyes i jetes së tyre, patjetër që begaton analin e kultures kosovare-shqiptare, në veçanti se Besimi me Ekrem Kryeziun, ishin regjisorët e parë filmik dhe ate të suksesshëm në Kosovë kurse Akil emër i pyrgut të kultures muzikore…

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page