(Esse për Vorrin e Ashikut)
Nga Besim R CENGU
Sagë dashurie e histori dramatike zemërdridhëse dhe emocionale me nota edhe më elegjiake se te balada e Hasan Agës, Rrushe Rexhës, apo N’drras t’vekit kush po kan…është legjenda e Vorrit të Ashikut.
Tragjedianët e lashtë grekë Eskili, Europidi dhe Sofokliu, por më vonë edhe Shekspiri, ia kanë zili brendisë së baladës shqiptare me konflikte të mprehta si maja e shigjetës apo tehu i thikës, të ngarkuar përplot sa dashuri të skajshme, konflikte individësh e fate njerëzish, aq edhe dhimbje përtejnjerëzore që të shpien deri në kulme befasuese që vetëm në këto kryevepra të ndjeshme ndodh…
Është e lashtë, se sikur të përmendej se tragjedia ka ndodh nga gryka e pushkës, ajo do të kishte kufizim kohor relarivisht të ri, porse përdorimi i harkut dhe majës së shigjetës, e shtyn ngjarjen dhe legjendën tutje në errësirën e shekujve shumë shumë më përpara se të qe shpikë arma e zjarrit.
Balada e Vorrit të Ashikut është një histori e denjë për një e bëmat tejklasike kalorsiake. Çdo tragjedi dashurie gjithnjë ushqen pikëllim të thellë dhe zemërthyerje deri në thërmim jetësh të reja që nuk e kanë shijuar bukurinë hyjnore. Koha nuk ia ka privuar njeriut që të ushqehet me gjithë forcën e pasionit prej zjarrit të këtij ndalimi, që nga zanafilla e mosbindjes biblike të Evës dhe Adamit e në pambarimësi nëpër ngarendjen epoka pas epokave, shekuj pas shekujve deri më sot.
Historia që rri e mbyllur te "Vorri i Ashikut" është një sagë e dy të rinjëve që të rrënqeth, një e vërtetë që kumbon deri në kupë të qiellit si jehonë e ardhur prej kohërave pelasgjike, e më pas ilire, që ngop ëndjen tonë për t'u përkundur në prehrin e këtij tragjizmi tipik të një civilizimi që zë fill ndoshta që kur ka nis jeta njerëzore në Tokë.
Të gjithë ne si krijesa prej këtij populli dhe pjellë e kësaj mendësie mund të ishim pjesë e skenës së tragjedisë njerëzore, sepse zemra gjithnjë priret të na ushqejë me dashuri të ndaluara, ëndërra të vrara apo të plagosura deri në vdekje, me dashuri fatkeqe e fate të kobshme të kthyera përmbys, me dashuri që shuhen prej zjarrit që i djeg deri në substancë të shpirtit.
Pikërisht kjo baladë nuk përgjithëson thjeshtë psikologjinë e njeriut të lashtë ballkanas (posaçërisht shqiptar), por bëhet universale deri në kufijtë e asaj ç’ka i përket fillim e mbarim të gjithë produktit shpirtëror të njerëzimin.
“Vorri i ashikut” në fokusin e hulumtuesve dhe përkimet
Brenda rreth dhjetë viteve të gjysmës së shekullit të XIX (1850-1860), albanologu i shquar gjerman Johan von Hahn, pat bërë disa ekspedita nëpër trevat shqiptare për të hulumtur rreth gjuhës shqipe, traditave, zakoneve, dokeve, dhe praktikave jetësore. Në vitin 1863 studiuesi i njohur gjerman kaloi nëpër Shqipërinë e Mesme dhe në atë të Veriut. Shënimet e tij kanë vlerë të madhe për njohjen e gjendjes së shqiptarëve në këtë cep të Perandorisë otomane që kishte marrë rrokopujën, por edhe për situatën dhe pozicionin e të gjuhës dhe praktikave jetësore të një prej popujve më të vjetër në Ballkan e Europë.
Gjatë udhëtimit prej Durrësi për në Tiranë, ai shkruan në shënimet e tij:
“… Këtu, (te Vorri i Ashikut) është varrosur një djalë i ri së bashku me të dashurën e tij, të cilën e kishte grabitur, mbasi ajo rridhte nga një fis me të cilin ai ishte në armiqësi.
I ndjekur dhe i rrethuar, duke parë që nuk kishte asnjë rrugëdalje, ai vrau më parë vajzën dhe mandej veten. Kur u afruan ndjekësit, djali rronte akoma, dhe, iu lut atyre që t’i varrosnin të dy së bashku me vajzën në të njëjtin varr. Kërkesa e tij u plotësua.
Ne do të kishim pasur dëshirë të mësonim hollësira të tjera lidhur me kohën e kësaj ngjarjeje, emrat e dashnorëve dhe të fiseve të tyre, mirëpo jehona e kësaj ndodhie ishte shuar me kohë. Ndaj për pyetjet e bëra lidhur me të unë mora këtë përgjigje: “më tepër se kaq nuk na është treguar nga ana e baballarëve tanë, për këtë arsye, as ata nuk duhet të kenë ditur më tepër.”
Hahni shikohet qartë se nga njëra ana i ka bërë përshtypje kjo ngjarje e rrëfyer në këto vendbanime, por nga ana tjetër shihet edhe prirja për t’i dhënë ngjarjes nota dhe ngjyrë ballkanike ku lidhen konflikti me praktikat e armiqësive dhe gjakmarrjes, dmth, gjakmarrja që përmendet edhe nga Homeri.
Megjithatë vetë fakti që legjendja ka tërhequr vëmendjen e këtij albanologu të shquar tregon rëndësi.
Më shumë se tridhjetë vjet më vonë, më vitin 1911, Simon Shuteriqi, i frymëzuar nga kjo histori e rrallë, botoi një “romancë të bukur” me titullin “Vorri i Ashikut”.
Shuteriqi thotë: “- Ku kemi për të pushuem?”, - pyesin të lodhun e të kapitun udhëtarët që shkojnë prej Tirane në Durrës, a prej Durrësi në Tiranë. - Ke “Vorri i Ashikut”, - përgjigjen menjiherë kalorët. E me të vërtetë, kësaj udhe që thamë, ndodhet prej kohësh, në hijen e nji rrapi shumë të vjetër, nji vorr i madh, që i thohet “Vorri i Ashikut”. Vendi, aty përqark, asht që ta ketë anda shpirti, gjithë bar të njomë. Nga len ka nji han, nga perendon nji teqe, nga anë e veriut ara që s’kanë të mbaruem e nga an’e jugës udhën… E ç’vend asht ky pra, që rrinë e shplodhen e marrin frymë njerëzit nji copë herë, e si do të ketë qenë puna e këtij vorri të gjatë këtu?”
Dhe pastaj, faqe pas faqesh, nis e shpalos historinë e legjendës me të njëjtin emër që rrëfehet prej dhjetëra e dhjetëra brezash në zonën e Ndroqit.
Vajza quhej Bukurie dhe ishte bija e Selman Agës, një burrë i pasur dhe i njohur në krahinë, ndërsa djali, Faqebardhi, nga një familje e varfër në fshatin Bozanxhije, i pashëm dhe që njihej për trimëri.
Janë shumë interesante, sidomos detajet që jep autori për marrëdhëniet midis tyre: dita kur djali e shpëton vajzën nga vdekja e sigurt në valët e rrëmbyera të Erzenit, takimet e mëpastajme të tyre natën me hënë nëpër kopshtijet e fshatit, apo buzë lumit.
Por kjo dashuri e sinqertë do të fikej një ditë tragjikisht. Selman Aga nuk pranoi që vajza e tij të lidhte jetën me Faqebardhin. I rënë në këtë dëshpërim, djali shigjeton mbi trupin e vajzës në ditën e martesës së saj me një tjetër dhe më pas mbi veten e tij, duke mbetur të dy të vdekur dhe më pas të varrosur, pikërisht në vendin që edhe sot mban emrin “Vorri i Ashikut”…
Historiani i shquar Pr. Dr. Kristo Frashëri ka shkruar për historinë e Vorrit të Ashikut, duke u nisur nga një tregim i shkruar nga një tiranas në greqisht, të cilin e ka botuar në vitin 1885 me titull “Vorri i Ashikëve”.
Tregim i një historie tipike shqiptare. “Vorri i Dashnorëve, - shkruan ai, - ndodhet në rrugën që të shpie nga Durrësi në Tiranë. Është një shesh i vogël i gjelbëruar; në mes të tij ndodhet… vorri, mbi të cilin lëshon hije një rrap madhështor. Pranë vorrit, ndodhet nga lindja një han përdhes, nga perëndimi një teqe bektashiane, nga veriu një fushë e gjerë, kurse nga jugu rruga publike“.
Kristo Frashëri, qëndroi disa ditë në fshatrat rreth e rrotull dhe pasuroi historinë e dashnorëve me doket e zakonet e banorëve të kësaj treve.
Muharrem Dardha, një nga ata që më së shumti ka shkruar dhe hulumtuar rreth sagës së Vorrit të Ashikut, jep varjantin e të moshuarës Fatime Shabanagaj (Dardha), tani e ndjerë që e ka treguar kështu historinë e “Vorrit të Ashikut”:
“… baba na tregonte historinë e “Vorrit të Ashikut”: Në Lagjen e Pazarit të Nroqit ishte një gocë si yll, që quhesh Bukurie. Ishte e bija e Selman Agës. Ajo kishte ra në sevda me nji djalë fort të hijshëm, por i vorfën, Faqebardhin.
Thonë se ka qenë nga Bozanxhijasi (fshat i Durrësit që kufizohet me Ndroqin). Të dy të rinjtë u dojshin me zemër dhe i kishin dhanë besën njani-tjetrit se mund t’i ndante vetëm vdekja. Dhe kshu ngjau vërtetë. Kur agai mori vesh lidhjen e gocës së vet më Faqebardhin, e fejoi të shkretën larg, në nji derë të pasun në nahinë e Shijakut. Pas ksaj, me ngut preu ditën e martesës dhe bani dasmën.
Taman në kte ditë, mu aty ku ashtë vorri, Bardhi zuni pusi. Thonë që aty ka pas shumë pemë dhe nji krua me ujë të ftoftë akull. Krushqit do të kalojshin se s’ban aty, sepse ishte vendi ku u merrte kthesa për të kalu në vaun ma të gjanë e ma të cekët të Erzenit, Vau i Çizmelive.
Krushqit dhe nusja me duvak banë nji pushim të shkurtën për me u fresku ca me ujin e kroit. Por gzimi u kthy shpejt në mort. Faqebardhi, që priste i fshehun mes pemëve, doli dhe shtjeu mu në zemrën e gocës së vorfën, e cila u kput si nji mollë e bukur dhe ra përdhe. Të gjithë sa qenë aty ngrinë në vend. Pastaj djali iu avit Bukuries, që po jepte shpirt dhe, pasi i mylli sytë, shtjeu mu në zemrën e tij. I pari krushqve shpejt kishte marrë nji vendim: Të dy ashikët t’i varrosnin bashkë në nji vorr, aty ku kishin dhanë shpirt. Me lot e dhimje të dy të rinjtë i mbulun në një vorr. Ma vonë, vorri u rregullu me gurë të mdhenj dhe dikush, aty afër mbolli nji çinor (rrap) të butë. Çinori u rrit dhe me degët e tij bani nji hije që tërhiqte udhëtarët që kalojshin aty pari…”.
I frymëzuar nga kjo histori e rrallë edhe Riza Lahi ka shkruar romanin “Vorri i Ashikut”, i cili sipas vlerësimit të Muharrem Dardhës, “pavarësisht se në subjektin e tij kapërcen kohën dhe ngjarjet e rrëfyera rreth kësaj legjende, duke i sjellë ato në një vështrim tjetër dhe të përqasur me realitetin e ditëve tona, ka vënë një tjetër gurë në Altarin e Dashurisë Njerëzore. Ai duke marrë nektarin e kësaj historie dashurie tragjike të përcjellë në shekuj, ka realizuar një linjë tjetër dashurie, e cila vjen si një kumt dhe plot dramacitet për lexuesin e sotëm dhe të nesërm…”
Histori të kësaj natyre, e ngjashme me “Vorrin e Ashikut” sipas Rruzhdi Matës në librin e tij “Shtjefën Gjeçovi, jeta dhe veprat” (1982, fq. 167-168) ka shkruar se edhe Shqefën Gjeçovi në vitin 1902 nën pseudonimin Lkeni i Hasit treginin me titullin fillimisht “Besë e dashtni” e më pas “Mnera e Prezës”, të cilën e ka përpunuar edhe rreth njëzet vjet me vonë me ilustrime, ku vihet re qartë ndikimi që ka pasur fati i Bukurijes dhe Fatbardhit të legjendës në fjalë, vetëm se ngjarjet i ka zhvendosur nga Ndroqi në Prezë.
Universaliteti i kësaj sage dashurie dhe roli i fonemës “o” të gjuhës tonë
Mirëpo zakonisht subjektet klasike i ngjajnë njëra tjetrit. Unë kam lexuar një krijim të mrekullueshëm te poetit gjenial rus Mihail Lermontov me titull “Ashiku Kherib”, që të habit me subjektin e situatat e ngjashme si te “Vorri i Ashikut”, apo të tregimit të famshëm të Maksim Gorkit nga “Përrallat e Italisë” me titullin “Hani dhe i biri” ku për ta patur vetëm për vete të dashurën e zemrës, Hani plak, nuk zgjedh t’ia dhurojë djalit të vet për meritat e tij të dëshmuara në luftë, por ia “fali” Detit të Zi, duke e detyruar të dashurën e zemrës të hidhet nga shkëmbi i thepisur i një mali në Krime.
Subjekti i sagës të “Vorrit të Ashikut” është mitik se “vendit ku është ky “vorr” për shkak të vetë mpleksjes së situatave e bën atë vend të shenjtë me të gjithë elementet që e shoqërojnë.
Ma së pari, në të gjitha variantet e tregimit nuk shqiptohet “varr” por “vorr”. Substancialisht është me tepër rëndësi ky fakt, si në rastin “vatër” që shqiptohet “votër”, “them”, “thom”. Fonema “o” është e lashtë sa vetë gjuha të cilën e flasim, dmth, sa vetë jeta jonë dhe përdorimi i saj është i pranishëm rëndom në gjuhën shqipe. E kjo flet shumë! Në pellazgjishte dhe më pastaj në ilirishte, arbërishte e në fund gjuhën shpipe, fonema “o” dhe jo “a”, që për mua është shumë e vonë, ndoshta prej Mesjetës e këndej, janë një prej gurëve të cepit të kullës së gjuhës shqipe. “Votër” dhe “vorr” ku o-ja e zeshme e theksuar, janë ne fakt dy shtëpitë e njeriut (njerëzimit), njëra fjalë ka të bëjë me kuptimin e fillesën së jetës mbi tokë, ku ngjizet njeriu, rritet e kultivohet, dhe tjetra ka të bëjë me kuptimin e shtëpsë së përjetshme në mbretërinë e nëntokës, aty ku “kallet” dhe pushon përjetësisht shpirti i njeriut me të gjithë kompleksitetet e veta. Kjo është edhe logjika e përdorimit të “o-së”, zëmadhe bazamentale e ardhur nga shpirti pellazg, si te shtëpia e lindjes ashtu edhe te shtëpia e pushimit të përjetshëm.
Subjekti i sagës te “Vorri i Ashikut” është universal se universale është ndjenja e dashurisë dhe se vetëm për dashurinë njeriu sakrifikon jetën.
Subjekti i sagës te “Vorri i Ashikut” është baza e legjendës ngritur mbi një situatë të një jete fatale nga ku në fakt zë fill dhe merr rrugëtimin civilizimi i përbotshëm që prej Epit të Gilgameshit e deri te Eskili dhe Europidi, në mesjetë te Shekspiri, e mandej, në ditët e sotme.
Struktura e legjendës është madhështore, që jo vetëm krahasohet, por në disa kulme e tejkalon artistikisht përshkrimin e skenave homerike apo situatave dramatike të tragjedive të Greqisë së lashtë.
“Vorri i Ashikut” si subjekt e ngërthim i ngjarjes dhe situatave është “Romeo dhe Zhuljeta” shqiptare e përmasave dhe konflikteve më të mprehta dhe më dramatike.
Ndërmjet Tiranës dhe Durrësit, më konkretisht midis Ndroqit dhe Zhurit, hesht ky vorr dhe e kyq gojën duke fshehur brenda mister, trishtim, dashuri e dhimbje, por nga ana tjetër grish studiuesit dhe artistët që ta hapin derën dhe zgjidhin gjuhën e faktit. Për shekuj ky vorr, mundohet të thotë të vërtetën, e të dëshmojë ndodhinë famëmadhe e gjëmëmadhe, duke u shndërruar kësisoj në një emblemat e historive të dashurisë, të cilat vetëm në epokën e civilizimeve të lashta i kemi dëgjuar.
Si pjesë e të gjithë legjendave apo romancave, duke mos qenë përjashtim apo rastësi në këto treva, kjo histori e denjë, ka buruar prej muzave të lashta që jehojnë nga thellësia e shekujve.
Commenti