top of page

Besim Cengu: BALADA E RRUSHE REXHËS!


SERVET BYTYÇI: BALADA E RRUSHE REXHËS!




/Folklori Shqiptar dhe kënga burimore baritore me larminë dhe koloritin e pasur të saj, padyshim që përbën një nga vlerat më të pasura të trashëgimisë sonë kulturore. Këtu do të sjellim në vëmendjen tuaj një nga perlat e kësaj muzike, e cila në vetvete përbën një kulm të parivalizueshëm, të paarritshëm dhe të paprekshëm, kurorën e zemrës djaloshare këngën e RRUSHE REXHËS!/

Mungesa e informacionit rreth kësaj kënge ma bën pak të vështirë, por vetë melosi i saj, dhe ndjenja e fuqishme që kënga përcjell, e lehtësojnë fuqishëm nga ana tjetër. Në krahasim me popujt dhe kulturat e lashta siç janë ajo greke me Afërditën, romake me Venusin, India me Lakshmin etj, në psikologjinë e popullit tonë nuk kishte figura të vetme mitologjike, si simbol i bukurisë.

Si ballkanase, ajo ngjan me Mioritën (Mioricën) e Rumanisë, por me një ndryshim. Këtu prona nuk vihet në diskutim, pasi populli ynë është aq krenar, saqë edhe në primitivitetin e tij, ai di të nderojë. Instikti më thotë që ndoshta edhe në baladat sllave, të kenë një ngjashmëri të tillë (thjesht hipotezë e nxitur nga ky instikt). Populli ynë kishte krijuar zanat e malit, të cilat kanë një rol dhe efekt mjaft estetik, e të ndjeshëm, sa njerëzor aq dhe hyjnor, që pasqyrojnë ndjenjat e popullit tonë. Zanat dhe orët, janë gjithmonë grupime (nganjëherë edhe individuale si Ora e Shalës, Zana e Veleçikut etj., që përmend Fishta etj.), që dalin, vallëzojnë e argëtohen natën nën dritën e mrekullueshme të hënës. I japin jetës dhe plotësojnë shpirtin e popullit me një fuqi magjike, që vetëm drita e hënës mund të përqojë, duke shfrytëzuar qetësinë, dhe freskinë e natës e shoqëruar me pyjet e larta, gurgullimën e gurrave e përrojeve ku ato rrinin, pinin e laheshin.

Në pamundësi të një figure të tillë të vetme, të një zane me emër, Rrushe Rexha, për mendimin tim, e plotëson dhe zë vend me zanat e malit. Nuk kam informacion, se ku ka ekzistuar ky person real me histori reale, por atëe unë do e quaj banoren e përjetshme të bjeshkëve. Rrushe Rexha gjendet kudo në këngët e popullit, dhe, asaj i kanë kënduar një numër jashtëzakonisht i madh rapsodësh, dhe besoj ky numër do të rritet, duke shprehur atë si simbol të bukurisëe e dëlirësisë femërore në sinkron me bukurinë e bjeshkëve me ujë të kristaltë, qiej të hapur e maja të thepisura krenare. Ajo mund të gjendet në Malësi, në Bjeshkë të Shalës, të Dukagjinit, të Pashtrikut, të Rugovës, apo mbi Pejë e Junik. Kushedi, ndoshta ajo ka qenë edhe hisetare e bjeshkëve të Hasit e Bytyçit, në Dobërdol e Sylbicë, pasi këto bjeshkë përmenden për vajzat e bukura e plot azgani femërore, sikurse kënga na thotë: /Dy të mirat n’atë mahallë/ në cilën bjeshkë po duen me dalë?/ cila bjeshkë asht ma e mira/ Dobërdoli a Koshutica,/ Dobërdoli e Koshutica/ vjamë ma t’mirë po djegë Sylbica/ bahen çikat sa s’po i nxen kmisha…/

Sidoqoftë, më mirë se banorët e Bjeshkëve të Namuna, ajo nuk mundet të jetë askund. Për vetë simbolikën, por edhe trashëgiminë që përcjell ky emër. Ajo nuk është një Afërditë (Afroditi) që ulet në fronin e perëndisë në Olimp, e rrethuar nga pëllumbat e bardhë, simbole të dashurisë, të cilët i ulen në prehër duar, krahë e kokë. Ajo nuk është as Venusi i dashurisë romake. Ajo është një malësore e thjeshtë, një çobaneshë e mësuar të mjelë dhentë, të dije si nxihet (gatuhet apo mblidhet) djathi, si kositet e mblidhet bari.

E rritur me ajrin e pastër, ajo është në gjendje të ngarkojë kalin e të bëjë dru në mal tamam si një djalë dhe e barabartë me burrat më të fortë. Bukuria e saj është shtangtuese, sytë e bukur bojëqielli që të mpijnë, trupi i gjatë e i drejtë, qafa e gjatë, më e gjata ndër gjithë shoqet dhe flokët e mëndafshta. Ndonëse burrat e gëzonin lirinë (e vetëpërmbajtur), ajo e sfidon kohën dhe dashurisë për djalin që do. Nuk i fshihet. E rritur në një ambjent, ku gratë nuk kishin zë, ajo i bën sfidë kohës, del mbi kohën dhe e akuzon atë me dashurinë që ajo përcjell. Personazhi i saj nuk është si Erosi mitik grek, por është personazh real. Zekë Hajdini, apo edhe Hajdari, një djalë i ri, mjeshtër i drurit …. Tapazan, të lasha mallkue,/ a din gja kush të ka marue?/ Zekë Hajdini, ni djalë drangue/ tuj dhenë (gdhendë) drrasa tuj folë me mue…/


Zekë Hajdini vritet nga rrethi familjar i heroinës sonë.


Si personazh real, ajo nuk vritet as vret veten, por jeton. Dy pëllumba të dashuruar nuk jetojnë dot pa njëri tjetrin, por Rrushe Rexha jeton dhe e vajton për gjithë jetën të dashurin e saj. Ajo nuk pranon një dashuri të dytë, por vishet në tirq e xhamadan, si burrat e tjerë. Ajo jeton si një akuzë ndaj kohës dhe një frymëzim e shëmbëlltyrë e dashurisë, e përkushtimit njerëzor me vlera hyjnore.


Lexim të këndshëm!


BALADA E RRUSHES SË REXHËS


Rrushja e Rexhës në fund t’livadhit

po pisket si zanë prej malit

n’gryk po i merr lisat e malit

mshehu (fshehu) Zekë mas Trapazanit!!


Qou, bre Zekë, he qofsh-o-i zi

se shumë pushka, o asht mush për ty,

me vra Zekën o q’at djalë të ri

me ja prishë o q’at bukuri.


Zekë Hajdini o ni zog sokoli

pak pa dekë, o ni fjalë ma foli

ju nër vorre mos mē qoni.


Nër qali (akacie) vorrin ma boni

N’ër qeli oh more n’ër bojli

le të vijë Rrushja te m’qajë përm’i.


Qajë moj Rrushe, ti qaj’ me men

emnin Zekës ti mos ja përmen

kah jem kanë verës me dhen

kah jem kanë kah kem kërkue

hije më hije, ooo krue më krue.


Trapazan u lasha mallkue

A e din hiç o kush të ka marue?

Zekë Hajdini ni djalë drangue,

tuj dhenë drrasa tuj folë me mue.


Rrushe Rexha ngjitet përpjetë

hajd’i shoqe ju ma shpejt

Hajd’i shoqe t’ua kallëxojë nji dert

n’ër qali na u ka bo ni therrë *


Na e ka vra Sadria Zekën.

Na e ka vra Sadria Zekën

Ohooo more zoti madh ooo

Ani oooo aj e vraftë veten, ahiii!


Siç e thamë më sipër, është kënduar dhe studiues të ndryshëm kanë shkruar për Rrushe Rexhën, ndër të tjerë Tahir Kolgjini ose “Hafuz Tahiri ” siç e ka njohur populli. Ndër të gjitha këngët e kënduara për të, më bukur se Hamide Sadiku ose Hamide Maxhupja nuk e këndon njeri besoj.

*) Therra simbolizon varrin e Zekës së vrarë.

Servet Bytyçi

____________________________________

Shënim i shkurtë për analizën profesionale dhe emocionale të Servet Bytyçit për baladën e Rrushe Rexhës


Shkruar nga Besim CENGU


Nuk munda pa shkruar edhe për figurën artistike simpatike të Rrushe Rexhës, në vëllimin me balada të kthyera në prozë “Rizgjimi i baladave”, që botohet së shpejti.

Këtë baladë e dëgjova të interpretuar në rreth 40 variante, dhe, pothuajse po kaq tekstesh nga autorë të njohur dhe më pak të njohur, por edhe të ndryshëm sipas zonave e krahinave, rapsodëve dhe grupeve rapsodësh të përpunuar, që i takojnë niveleve të ndryshme artistike.

Të gjitha përpjekjet meritojnë lavdrime e cilësime dashamirësie.

Edhe tani, që po i shkruaj këto dy fjalë përkushtuese për këtë baladë, jam i emocionuar nga gjenialiteti krijues dhe interpretues.

Hulumtova pothuajse të gjithë shkrimet rreth kësaj figure të melosot tonë, por shkrimin më gjithëpërfshirës dhe kontruktiv, më të kompletuar dhe emocional për Rrushen e Rexhes, e gjeta te miku im i afërt, Servet Bytyqi, që jeton e vepron në Londër.

Ai më ka sadisfaksionuar me njohjen dhe analizën e thukët e tepër dinjitoze të kësaj figure artistike popullore.

Prandaj nuk do të flas më tej, veçse e falenderoj me shumë respekt, për t’ia lënë rradhën shkrimit të tij të vlefshëm të shkruar prej tij më vitin 2016.

19 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page