
Për librin e 28-të të Halil Ramës “Dibra dhe dibranët në panteonin e vlerave
Nga Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj - Mjeshtër i Madh
· Prodhimtaria historike e letrare e Halil Ramës është e dukshme. Krijimtaria e tij letrare është e hershme në aspektin e letrave, duke dhënë kontribut me vlera në gjinitë letrare dhe në publicistikë. Në këtë libër ai paraqet një dimension me rëndësi të madhe në historinë e letrave, por edhe për faktin se i flet lexuesit të çdo kohe për atdhedashurinë dhe kulturën dibrane e shqiptare. Në rolin e një analisti, ai ka operuar me parametra historik, patriotik, estetik, artistik e kumtor dhe ka pëlqyer stilin e ligjërimit publicistik.
Me dibranët jam njohur më herët, kur më 14 dhjetor 1967, brenda një dite u hap kanali Selitë-Fushë-Alie-Kandër, 17 km i gjatë dhe grupi polifonik i Smokthinës, Vlorë i ka kënduar këngë “O moj Dibra, heroinë”. Kënga është kjo: “O moj Dibra, heroinë/ ngrite peshë Shqipërinë/ iniciativën që more/ me një vepër madhështore/ goditja e përqëndruar/ është një zjarr që s’ka të shuar”. (Kënga gjendet në YouTube me këtë titull).
Në vitet ’70 të shekullit XX, kur isha me studimet ushtarake u njoha me Bardhyl Hoxhën nga Dibra, i cili më vonë u bë gjeneral i ushtrisë shqiptare. Me dibranët dhe historinë e saj u njoha gjerësisht nga vlonjati Ibrahim Shyti që kishte lidhje të ngushtë me “shërbëtorin e kombit” Josif Bageri nga Dibra e Madhe. Më tej kjo lidhje e njohje mori zhvillim me veteranin Pali Carapuli, i cili më dorëzoi për recensë historikun e Dibrës në LANÇ. Me fillimin e shekullit të Ri, krijova lidhje me Bujar Karoshin, i cili drejton “Botimet M&B”, si dhe botimin e gazetës “Rruga e Arbërit”, ku kam botuar disa shkrime.
Lidhja vijoi me djemtë e talentuar të Dibrës Heroike, Fatos Daci e Sakip Cami. Kështu në vijimësi kam shkuar në Peshkopi dhe kam referuar për Skënderbeun, për betejat e tij në Dibër, për luftën e Dibrës të vitit 1921, për luftimet e kryera gjatë LANÇ, për dëshmorët etj. Në disa libra të autorëve dibranë më është dhënë mundësia për të bërë recensa e për të diskutuar në promovime të librave.
Njohja vijoi me Akademik Shaban Sinani, me prof. Adem Bonguri, me komentatorin sportiv Dëfrim Methasani, Eduart Ramçi, Hysen Uka, me regjizoren Donika Mustafaj, me botuesen Miranda Karoshi, me gjeneralen Manushaqe Shehu, me poetin Demir Rusi, me Zabit Lleshin, me ministren e Arsimit Tefta Cami, me prof. Shpëtim Cami… e mjaft dibranë të tjerë, deri në njohjen me Halil Ramën.

Libri i Mjeshtrit të Madh Halil Rama “Dibra dhe dibranët në pantetonin e vlerave” është një studim i thelluar dhe në kohë, që shpalos portretin e mjaft njerëzve të pazakontë të trevës së lavdishme dibrane. Janë portretizime që vijnë, si nga historia, ashtu dhe njohja e gjatë e autorit me personazhet historikë.
Autori nuk i ka zgjedhur rastësisht këta dibranë, por ka qenë diçka e brendshme që i ka sjellë tek ai. Mundet të jenë fije të fatit apo të brengave të tij, për vlerat e tyre luftarake, patriotike, historike, artistike e letrare. Mjeshtri Halil Rama ka gjetur në qoshen e përjetshme dhe të pakontestueshme dibrane njerëz që qëndrojnë në panteonin dibran dhe brenda tyre një filozofi si mbartës e si lëvrues modest i portretit historik, por dhe i vlerave të shumta dibrane.
Të shkruash për figura historike dhe që kanë lënë gjurmë në memorien kombëtare, është një sipërmarrje e vështirë, plot rreziqe, me risk, pasi pesha specifike e tyre është e madhe. Halil Rama është nga shkrimtarët lëvrues e gërmues për të vënë në dukje, dukuritë më të mira dibrane dhe shqiptare. E gjithë vepra e tij, ndonëse e shkruar në fundshekullin XX dhe në këtë çerekshekulli të shekullit XXI, ka fituar vlera të përjetshme në historinë e Dibrës.
Duke bërë disa viza për të vizatuar portretin e Halil Ramës, si njeri, si shkrues i letrave dhe si shkrimtar, kam parasysh një thënie të Bielinskit se “asgjë nuk mund të pohohet mbi bazën e tekave personale, të ndjenjave spontane, as të bindjeve individuale, gjyqi i takon arsyes dhe jo personit dhe personi duhet të gjykohet në emër të arsyes mbarënjerëzore”.
Lexuesi, ashtu si dhe unë do të jetë i lutur ta kundrojë këtë ese të gjatë, jo si një përsiatje të mirëfilltë në rrafshin e gjykimit historik, teoriko dhe estetik, por si një “çjerrje” për rivlerësimin e disa figurave dibrane. Shumë prej tyre, edhe pse janë të hipotekuar në korpusin e madh të letrave shqipe, kanë mbetur disi të mënjanuar. Autori e ka ndjerë këtë përgjegjësi morale dhe qytetare, dhe ja ka dhënë lexuesit të kurdokohshëm të lexojë, të rivlerësojë e të shijojë veprën e tyre si shenjë historike e atdhetare, por dhe estetike.
Mjeshtri Halil Rama në rolin e një analisti, ka operuar me parametra historik, patriotik, estetik, artistik e kumtor dhe ka pëlqyer stilin e ligjërimit publicistik.
Prodhimtaria historike e letrare e Halil Ramës është e dukshme. Krijimtaria e tij letrare është e hershme në aspektin e letrave, duke dhënë kontribut me vlera në gjinitë letrare dhe në publicistikë. Në këtë libër ai paraqet një dimension me rëndësi të madhe në historinë e letrave, por edhe për faktin se i flet lexuesit të çdo kohe për atdhedashurinë dhe kulturën dibrane e shqiptare.
Qëllimi i këtij libri dhe i autorit nuk është të analizojë të gjithë veprimtarinë e dibranëve, as të ndalet në ndonjë nga veprat e tyre të shumta, por për të prurë në këtë kohë individë që në jetë kanë shpalosur dituri, patriotizëm dhe qëndresë. Është koha të kthejmë sytë nga patrotizmi, që është një vlerë e përhershme e dibranit dhe shqiptarit në shekuj. Halil Rama në këtë kohë të trazuar ka ditur dhe gjetur pozicionin e duhur, duke bërë luftën e tij me penë.
Libri është ndarë në gjashtë kapituj.
Në kapitullin e parë na ka sjellë personalitete të krenarisë kombëtare, duke bërë një portretizim të mjaft figurave që kanë zënë vend në kështjellën shqiptare dhe të tjerë që i janë bashkuar kësaj kështjelle. Ai ka analizuar rrethanat, figurën dhe gjurmët e tyre të lënë në jetë, duke na i sjellë për të biseduar dhe marrë vendime për të ardhmen.
Nëpërmjet një studimi të tillë, me pak faqe autori dritëson ngjarje, bëma dhe një qëndresë epike të mjaft figurave patriotike dibranëve si Dine Hoxha filozof popullor; Ahmet Fetah Cami, atdhetari në dy luftëra botërore; Emin Cibaku dëshmor i rënë në betejen e Kolesjanit; Harun Domi, patriotit që pruri abetaren në Kalis e Kala të Dodës dhe Edip Daci, ushtaraku që refuzoi betimin fashist.
Më tej autori sjell një galeri të madhe dibrane; Hamit Koçi, intelektualit patriot i Vajkalit; Artan Cuku, dëshmor i demokracisë; Adem Islam Hoxha nga Çidhna që ra më 2 gusht 1949. Prof. Shpëtim Cami, “koherent me ato çka thotë e bën” për librin “Koherencë”; Dinastia e vëllezërve Keta nga Bulqiza, kampionë bote në kikboks; Defrim Methasani, ikonë e gazetarisë sportive, dokumentarit televiziv dhe moderuesit të mjaft eventeve.
Mjeshtëri Hali Rama ka vijuar me një përshkrim të mjaft figurave dibrane që kanë bërë emër në historinë shqiptare.
Në përshkrimin e figurave të tilla autori me plot meritë ka derdhur talentin e tij, duke gdhendur deri në detaje çdo figurë të Dibrës, për t’i dhënë më tej shkëlqimin dritës dibrane dhe ja ka arritur.
Në kreun e dytë përshkruan personalitete të arsimit dhe kulturës me Lutfi Hanku, mësuesi e shkrimtari disident; Muharrem Xhediku, kompozitori i tangos shqiptare; Hazis Ndreu, ezopi i Dibrës; Liri Rasha, pasaporta artistike e Dibrës; Qerim Sula, zëri i lavdisë shekullore dhe ikonë e këngës dibrane; poeti i këngës, Naim Plaku; Muharrem Gjoka, promovues i vlerave etnokulturore; Lahim Kola, muzikanti i talentuar; Osman Miha për arsimin profesional në Bulqizë; Skënder Murrja, për 40 vjet mësues dhe drejtor shembullor i disa shkollave dhe Dritan Jashari me këngën “kjo është Dibra maja-maja”.
Në kreun e tretë me objekt “për ushtrinë shqiptare” nis me gjeneralin e lavdishëm Dali Ndreu, strategu që drejtoi luftën për çlirimin e Tiranës; Ismail Shulku, nderimi për ish-komandantin e frontit verilindor; Manushaqe Shehu, e vetmja grua shqiptare me gradën madhore “gjeneralmajor”; Selman Rama, skëndebegasi nga Muhurri që u bë oficer marine; Hamdi Doda, gjenerali nga Muhurri që ka përfaqësuar Shqipërinë në NATO dhe Klodian Tanushi, portreti në bronx i dëshmorit.
Kreu i katërt përfaqësohet me elitën mjekësore shqiptare duke nisur me Dr. Mehdi Cani, misionar i mjekësisë shqiptare; Prof. Dr. Petrit Bara, personalitet i shquar i mjekësisë; Prof. asc. Islam Dauti, intelektuali i shquar me përmasa mbarëkombëtare; Prof. Asoc. Dr. Ali Tonuzi, më i vlerësuari nga pacientët dhe elita mjekësore; Dr. Ajet Xhafa, kirurugu urolog duarartë nga Bulqiza, në spitalin amerikan të Prishtinës.
Në kreun e pestë përshkruhen disa nga librat e autorëve dibranë të shkruar për historinë e Dibrës, ku një vëmendje i kanë kushtuar figurës së Skënderbeut. Kështu autorët Naim Berisha që ka shkruar për Berishët e Muhurrit si rast unikal në historinë skënderbegiane; Besnik S. Kebej, origjina dibrane e Skënderbeut; Fatos Daci, Skënderbeu ka lindur në Sinë të Dibrës.
Më tej vijon me Prof. Saimir Shatku, për “Atdhetarët Shatku”, më Prof. Dr. Fatmir Terziu, Toponimia e Gollobordës, diskursi i dygjuhësisë dhe derivati i origjinës; me Sakip Cami, ngjarje dhe figura të shquara historike të komunitetit të bashkisë së Bulqizës (1839 – 1939); Hysen Dervishi, “luftëtari i lirisë” për patriotin dibran Rrahman Dervishi; Haki Pernezha dhe Rruzhdi Bitri, “toponimia e Çidhnës”; Faik Bruçi, “fisi Bruçi i Lukanit të Dibrës”; Kamber Faruku, “kur po shkriheshin akujt”. Autori ka bërë një përshkrim të rëndësishëm lidhur me botimin e këtyre librave me vlera për mjaft aspekte të jetës dibrane, por dhe të shoqërisë shqiptare.
Në kreun e gjashtë trajton “Dibra dhe dibranët në reportazhe të autorit”, ku vend zënë: Bulqiza në një film të Ylli Pepos, aty ku banorët shkelin mbi nëntokën më të pasur në Europë; Përurimi i memorialit, eksodi masiv, mijëra familje dibrane në këmbë drejt Tiranës; “Sarina 2002”, lider në arsimin jopublik shqiptar; Festë në fshatin e martirizuar, Viçishti, fshati aty ku ka më shumë heronj se dëshmorë; Dita e Maqellarës… Diaspora dibrane, festë në Dibër të Madhe dhe Fuqia e fjalës së shkruar në ruajtjen e identitetit kulturor.
Libri është një prurje e re për Dibrën, e cila në histori ka bërë që zëri i bijve të saj të dëgjohet në Shqipëri. Libri vjen si një pikënisje për të gjithë patriotët që kanë bërë dhe shkruar histori në jetën shqiptare. Në këtë madhështi të figurave dibrane, Halil Rama, vjen si një zë i veçantë dhe me përmasa, që lartëson dhe i jep dinjitet figurave dibrane, ku fama e tyre është dëgjuar në kontinentin Europian dhe më gjerë.
Libri i Halil Ramës është shkruar thjeshtë, me zemër, me një gjuhë që përcjell mesazhe nën petkun e një mendimi filozofik dhe historik të epër, me dashuri e përkushtim për Dibrën e për Atdheun dhe shpirtin e tyre liridashës. Për të gjitha këto ese dhe përshkrime mjeshtërisht prej Halil Ramës, duhet t’i jemi mirënjohës për vlerat krijuese të tij.
Historia e një kombi është e gdhendur në veprat dhe sakrificat e bijëve e bijave të tij më të përkushtuar, por prurjen në jetë dhe plotë dritë të këtyre figurave të shquara dibrane, e ka bërë Mjeshtëri i Madh, Halil Rama, i cili zë një vend të veçantë në historinë e kombit shqiptar.





Tiranë, më 6 mars 2025.
Comments