top of page

Bernard Zotaj: Bajram Curri, komandant i talentuar i përgatitur në beteja



Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj


Bajram Curri ishte udhëheqës popullor, ushtarak, senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 27 mars 1920 deri më 20 dhjetor 1920. Dëshmor i Atdheut, Hero i Popullit shqiptar nga Malësia e Gjakovës. Bajram Curri e filloi veprimtarinë ushtarake si kapiten në Prizren, major në Prishtinë, e së mbrami kolonel (allajbeg) në Shkup, ku kishte në dorë xhandarmërinë e Vilajetit të Kosovës.

Bajram Curri kapet fort pas “besë së lidhur ndërfisnore dhe popullore përpara luftës së shtatorit të vitit 1878”. Malësia e Gjakovës e nis në luftë më shumë për të marrë pagëzimin, po Bajram Curri i prin luftës përkrah Sulejman Vokshit e Riza Kryeziut, përkrah Jakup Ferrit e Haxhi Zekës, që ka për të qenë emblema e tij për shumë kohë. Betejat në Pepiç e Velikë, në Nevshak-Velika ishin ndeshje të vogla për luftëtarët e regjur, që prisnin luftën vendimtare të 5 janarit 1881. Në këtë përpjekje fitimplote për shqiptarët Bajram Curri u njoh për së afërmi me Haxhi Zekën. Ndiqte luftën, ndiqte njerëzit e luftës. Ata ishin të ndryshëm. Haxhi Zeka nuk ngjante me Isuf Sokolin, Abdulla Hoti ishte natyrë e shtruar dhe e qetë, Beqo Qoshja ishte gjaknxehtë, Ali pashë Gucia ishte pasha... Megjithatë të gjithë këta burra puqeshin në një pikë: ia dinin luftës dhe e kishin çuar bukur mirë gjer atëherë... Ende nuk orientohej mirë, ende mbështetej te të tjerët, shihte si e çmonin luftën Haxhi Zeka me shokë, si e sillnin kuvendin, si e jepnin fjalën e besën. Ashtu bënte edhe ai.

Isa Boletini e kishte bërë për vete. Kishte parë Kosovën te Boletini. Të rëndë, pa mburrje, të vuajtur, pa nxjerrë klithma, trimërie pa shitur trimëri... Do të vijë një kohë që Bajram Curri do të përdorë një ekivalent të bujarisë, trimërisë dhe fisnikërisë. Do të thotë “Qofshi si Boletini!”. Ai u bë një nga organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Pejës të viteve 1899-1900, ku u shqua si udhëheqës i lëvizjes antiimperialiste në Kosovë. U bë prijësi kryesor i Mbledhjes së Ferizajt, të korrikut 1908, ku përkrahu kërkesën për vendosjen e kushtetutës. Në vendimet e Ferizajt, Bajram Curri ishte mbështetësi kryesor i mendimeve dhe propozimeve të Hasan Prishtinës. Një mbështetje po kaq të madhe pati edhe nga Isa Boletini. Hasan Prishina në kujtimet e tij shkruan: “në këtë rast, me të vërtetë asht për t’u përmendë  mundi e zelli i Bajram beg Currit”.

Bajram Curri ndihmoi kryengritjen e armatosur të Malësisë së Mbishkodrës të vitit 1911, ku i bëri një qëndresë të fortë ushtrive osmane në Qafën e Morinës. Në maj të vitit 1912 u bashkua me vendimet e mbledhjes së Junikut, mori pjesë në Kryengritjen e Përgjithshme të armatosur, u shqua si një nga komandantët e talentuar popullorë që theu ushtritë turke në Qafën e Prushit në korrikun e 1912, dhe në fushën e Kosovës. Së bashku me Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Idriz Seferin dhe Riza bej Gjakova në krye të forcave kryengritëse hyri në Shkup. Në Manastir, Bajram Curri njeh plot burra të dëgjuar, të Shqipërisë së Jugut, po Sali Butkën dhe Bajo Topullin i ndan veç. Flet për ta kur kthehet në Prishtinë. Ai alamet Bajo Topulli, mësues në Idadije, dhe ai Sali shtatshkurtë, luftëtarë i regjur!

Bajram Curri me Isa Boletinin dhe të tjerë ngulën këmbë, që edhe shqiptarët duhej të përkrahnin lëvizjen xhonturke dhe të kërkonin kushtetutën. Pushka e tij u zbraz herë mbi batalionet e ekspeditave ndëshkimore, të cilat me zjarr e hekur kërkonin nënshtrimin dhe taksa e ushtarë për sulltanin, herë mbi elemente vendas që dilnin kundër rrymës së përgjithshme të kohës, duke bërë kauzë të përbashkët për pushtuesit. Krisma e saj ishte mjaft shqetësuese edhe për shtetet shoviniste fqinje dhe aleatët e tyre të mëdhenj, që lakmonin ose bënin pazarllëqe në kurriz të trojeve shqiptare. Lëvizja e pareshtur popullore, deri në atë shpërthim të fuqishëm, që çoi në Shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912, janë të lidhura shpesh me emrin e Bajram Currit. Në vitin 1912, atdhetari i vjetër u bë ndër drejtuesit kryesore të kryengritjes së përgjithshme antiosmane. Kjo kryengritje, më e madhja, më e organizuara dhe më e pjekura politikisht ndër kryengritjet e periudhës së fundit të Rilindjes, i dha atij mundësinë si prijës popullor ndër më karizmatikët, që të shfaqë më së miri aftësitë organizative, ushtarake e politike. Kuvendi i Junikut dhe betejat nga Qafa e Prushit deri në çlirimin e Shkupit dëshmuan vlerat e gjithanshme të “tribunit të vegjëlisë”.

Bajram Curri me forcat e tij hyn në Shkup me muzikë e flamuj, duke krijuar kështu një ndjenjë të gëzuar që ngjallte besim për të ardhshmen. Njerëzit e tij u derdhën menjëherë në dyert e klubit të oficerëve ku ishin thurur gjithnjë planet antishqiptare të xhonturqve dhe u thirrën atyre që ishin brenda: “Deri tash kje e jueja e sod e masandej asht e Shqypnisë”.

Në situatën e vështirë gjatë viteve të Luftës Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, kur Bajram Curri u rreshtua përkrah mbrojtësve më të flaktë të pavarësisë dhe kundërshtarëve të papajtueshëm të copëtimit të trojeve shqiptare. Në këtë kuadër, gjithnjë në krye të forcave popullore, u përlesh me ushtritë pushtuese serbo-malazeze, në Plavë e në Guci, në Krasniqe e në Gash. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” më pas e pati nder ta zgjidhte atë anëtar të vetin dhe t’i ngarkonte detyrën e përfaqësuesit në Konferencën e Paqes për mbrojtjen e çështjes shqiptare. Kryengritësit shqiptar u përgjakën me trupat serbe duke luftuar në tërheqje. Humbjet qenë të mëdha nga të dy palët. Bajram Curri me luftëtarët e vet u tërhoqën në drejtim të Qafës së Morinës. Aty bëri qëndresën e fundit.

Në vitin 1913 ishte një nga drejtuesit e kryengritjes së armatosur popullore në Kosovë kundër zgjedhës serbomalazeze. Në vitin 1914 mori pjesë në luftën kundër veprimeve antikombëtare e separatiste të Revoltës së Shqipërisë së Mesme në Durrës. Me të hyrë ushtritë austriake në Gjakovë më 1916, shkon në terren ku interesohet për rendin dhe qetësinë dhe për zhvillimin arsimor. Kambanat e luftës botërore arrijnë edhe në Shqipëri po me atë forcaë që bien në frontet e madha... Bajram Curri me Hasan Prishtinën organizojnë qëndresën e popullit në malësi. Ata e ndjejnë nevojën e Isa Boletinit. Ata u kërkojnë Fuqive të Mëdha me anë të një letre dërguar përfaqësuesëve të tyre në Shkodër, që të ndërhyjnë pranë Beogradit dhe Cetinës për të respektuar vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër. Letrën e firmos i pari Hasan Prishtina dhe i dyti Bajram Curri.

Bajram Curri rri maleve. Herë qëndron në Dragobi, herë hidhet në Nikaj e Mërtur e ndodh që kalon edhe në Krumë. Pushteti i malazezve shtrihet me egërsi në të gjithë Malësinë e Gjakovës, po malet mbeten si gjithnjë pa asnjë pushtet. Bajram Curri gjatë pushtimit austro-hungarez “rrin në shtëpi të vet në Gjakovë” pa asnjë detyrë zyrtare. Megjithëse në kushte të ndryshme dhe larg njeri tjetrit, “Hoxha Kadriu, Hasan Prishtina dhe Bajram Curri qenë një treshe e pandalshme, që e plotësuan njeri-tjetrin... bile, ndër disa periudha, të caktueme historike e politike të vendit tonë sa që mund të interpretohen pa njeri-tjetrin”.

Në vitin 1918 u zgjodh anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe u bë një nga udhëheqësit kryesorë të tij. Në Kongresin e Lushnjës u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar dhe më 27 maj 1920, Këshilli Kombëtar e zgjodhi ministër pa portofol Bajram Currin detyrë të mbajtur deri më 28 shtator 1920. Më tej vijoi punën si këshilltar i Këshillit Kombëtar. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës gjeti tek ai i një mbështetje të fuqishme dhe prijësin që i duhej për të shpartalluar çdo pengesë në rrugën e sigurimit dhe konsolidimit të pavarësisë së vendit. E thërrisnin të ishte aty ku situata ishte më kritike, dhe ai me atdhetarizmin dhe aftësitë e tij e normalizonte. Kështu ai nisi operacionin kundër bandave esadiste, të hapur në ballë të gjerë në gjysmë harku dhe e mbajti të fshehtë planin që kishte hartuar deh vetëm në mesnatë të 4 qershorit 1920 u tha trupave për të nisur sulmin.

Goditi e shpartalloi esadistët në Shqipërinë e Mesme në prag të fillimit të Luftës së Vlorës. U përgatit të nisej për Vlorë, zgjodhi edhe trimat që do të merrte me vete, po lajmet për një përqëndrim të ri trupash në Gjakovë e vonuan disa ditë. Kur e pyetën se kush do t’i qeverisë tokat e tjera shqiptare që kanë ndër mend të çlirojë, Bajram Curri thotë prerë, qeveria e Vlorës. Mandej pa u çlodhur ende, vrapoi në Koplik për të sprapsur intervencionin jugosllav. Në konfliktin e Koplikut 1920, qeveria shqiptare dërgoi forca të emigrantëve kosovarë me në krye Bajram Currin, si dhe mjaft vullnetarë nga Shqipëria e Mesme. Më 30 tetor 1920 Bajram Curri dorëhiqet si deputet. Si ministër pa protofol në qeverinë e Tiranës, zgjedhur nga Kongresi i Lushnjës, tregoi se burrat e ndershëm të popullit e gjejnë veten për t’i shërbyer Shqipërisë. Më tej caktimi i tij si komandant i përgjithshëm i operacionit kundëresadist, tregon për përvojën e gjatë të luftës, si dhe popullaritetin që gëzonte në popull. Ai merr fuqi të plota nga qeveria e Tiranës mbi Forcat e Armatosura, madje sa të zgjasë operacioni, “do të ketë tagër t’i jap urdhër edhe gjindarmërisë”. Ai komandoi njësi të rregullta ushtarake dhe vulnetare, gjithsej deri në 3.000 mijë trupa.

Taktika dhe strategjia e tij prej prijësi popullor, nuk i lë agjë mangut artit ushtarak të përparuar të kohës, sado që përpjestimet e betejave janë të vogla. Bajram Curri ishte i përgatitur për beteja të mëdha. Sulejman Delvina e vlerëson lart shërbimin e Bajram Currit, duke e falënderuar “për veprimet nalta dhe patriotike”, e “s’ka për t’i harruar kurrë kombi shqiptar”. Bajram Curri dhe Luigj Gurakuqi kanë ndikim të madh mbi njeri-tjetrin. Curri ishte për Gurakuqin nderi, burrëria, besa “baba”... ndërsa Gurakuqi ishte për Currin “Luigji, prisi ynë i diturisë” dhe “Luigji asht djal i jem”!

Në mars 1921 Këshilli i Lartë kishte dekretuar emërimin e Bajram Currit “kolonel rezervë me rrogë të përmuajshme”, që e linte pa asnjë fuqi... por, Bajram Curri kishte ndikim në popull. Në dhjetor 1921 u caktua Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura në qeverinë disa ditore të Hasan Prishtinës.

Një vit më vonë, asgjësoi në Mirditë komplotin e agjenturës së Pashiçit, të kryesuar nga kapedani separatist i krahinës. Më pas, i pakënaqur nga politika e diktatit të qeverisë mori pjesë në lëvizjen e marsit 1922, kurse në 24 maj shpërtheu në Krumë kryengritjen e armatosur në favor të opozitës liberale, e cila u kurorëzua me fitoren e Qershorit.

U vendos në Krasniqe nga ku vazhdoi luftën në gjirin e malësorëve të Veriut ndaj masave të çpopullimit që kishin ndërmarrë serbo-malazezët. Mori pjesë në Lëvizjen e Marsit të vitit 1922 kundër Ahmet Zogut, bashkë me Elez Isuf Ndreun dhe M. Krujën me emrin “Lidhja e Shenjtë”. Krijoi një zonë të lirë në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) nga ku kërcënonte qeverinë e Tiranës dhe bashkëpunoi me çetën e Azem Galicës që luftonte në Kosovë për çlirim kombëtar.

Ishte ndër udhëheqësit kryesorë të forcave demokratike revolucionare që shpartalluan repartet zogiste dhe i hap rrugën fitores së Lëvizjes së Qershorit 1924. Në vjeshtë të vitit 1924 shkoi në Gjenevë për të paraqitur para Lidhjes së Kombeve çështjen e të drejtave të popullsisë shqiptare të Kosovës të shtypur egërsisht nga serbomëdhenjtë. E vazhdoi luftën kundër reaksionit të brendshëm dhe shovinistëve serbë edhe pas shtypjes së Lëvizjes së Qershorit.

Lajmi i ndërhyrjes së huaj ngjalli protesta energjike nga ana e popullit, organizatave demokratike dhe qeverisë. Më 18 dhjetor 1924 Fan Noli ju drejtua Italisë, Anglisë, Francës dhe sekretarit të Lidhjes Kombeve Enrik Drumontit me një note. Populli protestoi dhe kërkoi armë për të luftuar kundër ndërhyrjes. Tirana kërkoi armë dhe Zija Dibrën, si komandant operacioni. Luma kërkoi armë dhe oficera për të drejtuar rezervistët, ndërsa Bajram Curri nuk kërkoi tjetër veçse një top. “Plaku i maleve” qe pushka e parë dhe e prapme e Revolucionit.

Lajmi i ndërhyrjes së huaj ngjalli protesta energjike nga ana e popullit, organizatave demokratike dhe qeverisë. Më 18 dhjetor 1924 Fan Noli ju drejtua Italisë, Anglisë, Francës dhe sekretarit të Lidhjes Kombeve Enrik Drumontit me një note.

Nuk mori rrugën e mërgimit, kur Ahmet Zogu pasi kishte siguruar përkrahje ndërkombëtare me ndihmën e trupave të huaja, përmbysi qeverinë e Fan Nolit. Me armë në dorë iu ngjit përsëri bjeshkëve të Krasniqes, kreu aksione në Gash e Bytyç, por edhe në Has udhëzoi luftëtarët kosovarë t’i qëndronin dhunës dhe politikës serbe të spastrimit etnik të Kosovës dhe përgatitej për të rifilluar në pranverën e vitit 1925 një kryengritje të re, që do t’i sillte vendit një regjim liberal demokratik, kurse Kosovës, shpresën për t’u çliruar e bashkuar me Shqipërinë.

Osmanët i bënë atentatë, austriaket e internuan, qarqet shoviniste serbe i premtuan një pasuri të tërë vetëm të hiqte dorë me çdo kusht ta shtinin në dorë, “gjallë ose vdekur”, sepse ekzistenca e tij donte të thoshte qëndresën kryengritje, shpërthim për liri, pavarësi e bashkim kombëtar, për emancipimin politik e demokraci. Por “dragoi” nuk ishte i tillë që të përshtatej, dhe siç është shprehur vet, “me shpëtue nji shpirt të korit veten, të tradhtojë atdheun”.

Në interes të çlirimit kombëtar, Bajram Curri hyri në kontakt edhe me përfaqësues të lëvizjes çlirimtare të kombeve të tjerë të Ballkanit, duke kontribuar kështu në ngritjen e urave të mirëkuptimit, të miqësisë e bashkëpunimit ndërballkanik. Bindja se popujt e vegjël e të robëruar duhet të çlirohen e të vëllazërohen, e shoqëroi atë përgjatë gjithë jetës.

Populli e deshi për prijës, ia dha pa hezitim “votën”, duke e ndjekur pas jo vetëm në fitoret e bujshme, por edhe në kohë të vështira. Bajram Curri ka qenë shumë besnik, patriot i palëkundur për çështjen kombëtare, antiserb përsa i përket problemit të Kosovës dhe të vizeve të tjera kombëtare të mbetura jashtë kufijve të shettit shqiptar, dhe një mbështetës i shtresës së varfër të popullsisë.

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page