![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_7e131badcf0a43e0b7f9f4b88efa7b83~mv2.jpg/v1/fill/w_402,h_463,al_c,q_80,enc_auto/a48dbc_7e131badcf0a43e0b7f9f4b88efa7b83~mv2.jpg)
Bektashi, lindi në fshatin Sasaj të Sarandës, më 15 prill 1933 dhe në moshë shumë të re
mbeti jetim nga i ati Nazifi. Bektashi ishte nip i babait tonë dhe përkujdesja dajo-nip
ishte, e ndërsjelltë, në çdo kohë kur kishin nevojë për njëri-tjetrin, sepse edhe i vogli
rritet e burrërohet, bëhet i zoti i vetes. Nga ana tjetër edhe i moshuari me kalimin e
viteve bëhet i pamundur për punët e ndryshme fizike. Bektashi ishte një zanatçi i
mirë. Ai shumë gjëra i kishte mësuar vetë, në mënyrë autodidakte. Rregullonte
samarë, bënte bishta për veglat e punës (sopatë, kósor, bel, kazmë, lopatë, varè,
![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_5d81cb7865b5454e82cc4b059edfcc25~mv2.png/v1/fill/w_599,h_847,al_c,q_90,enc_auto/a48dbc_5d81cb7865b5454e82cc4b059edfcc25~mv2.png)
çekiç etj). Ai ishte mjeshtër në ndërtimin dhe mbulimin e stallave të bagëtive, në
bërjen e krevatëve të drunjtë e mindereve, froneve, stolave etj. Në fshat i thërrisnin
edhe «Begdash», kurse Arif Shahja, ardhur në Sasaj në kohën e fermës, nga fshatrat
e Tepelenës, i thërriste «Bejtash»! Mbaj mënd që nga fëmijëria e deri vonë pak kohë
para vitit 1990, kur u ndërrua sistemi politik në Shqipëri, orenditë tona prej druri në
shtëpi, ishin dhuratë e duarartit, nipit tonë, Bektash Çelit. Megjithëse me arsim 8-
vjeçar, u vleresua për dijet dhe kapacitetin e tij mendor, të cilin e kishte rritur duke
lexuar libra e gazeta, duke u marrë me rininë dhe duke ngritur njohuritë e tij
nëpërmjet kurseve të kualifikimit. Me krijimin e N.B. Lukovës, më 1972, ate do ta
gjejmë si furmitor në degën e planit të ndërmarrjes e më pas si brigadjer në sektorin
Piqeras- Sasaj. Ishte një komunist i ndershëm dhe jo i prapaskenave, si disa të tjerë
në fshat. Gjatë kohës së vjeljes së ullinjve shumë punëtorë kishin vënë dorë mbi
pasurinë e përbashkët socialiste, duke marrë disa kilogramë ullinj e çuar në shtëpi. U
bënë shumë letra anonime e, më në fund, operativi i degës së brëndshme të
Sarandës, Xhafer Abdullaj, ushtroi terror, veçanërisht mbi gratë, duke u bazuar në
spiunllëqet e disa palo burrave, që sot hanë dhe, kanë vdekur.
Ky ishte një veprim skandaloz i pushtetit në rreth dhe i organeve të tij. Bregdetasi
është rritur me ullinj dhe vaji i ullirit ka qënë ushqimi kryesor i tij. Shteti i asaj kohe le të
nxirrte ullinj në dyqan dhe njerëzit do t’i blenin e do hanin, por… të punosh gjithë
dimrin në shi e erë e në të ftohtë e të mos kesh një kokërr ulli për të hëngrur
bukën?! Ky është një turp i madh që nuk do t’u shlyhet kurrë atyre që e bënë!
Bektashi do të ndeshej edhe me njerëzit e tij, kundër veseve të dembelizmit,
mashtrimit, për të përfituar në kurriz të shoqërisë, deri sa ata do ta thërrisnin edhe
me nofkën «brigadier titist!». Pse? Sepse donin më shumë para të pamerituara, pa
djersë. Për punën e ullinjve, Bektashi ka luajtur rol ekuilibrues.
Bektashi vet nga natyra ishte liberal, por edhe liberalizmi e ka një kufi. Për babanë
tonë, (Dajo siç e thërriste ai), pa e thirrur kurrë në emër, ishte një shënjë vlerësimi
dhe respekti, në shkallën më sipërore nga ana e tij. E nderonin njëri-tjetrin në
darkëra e drekëra, në dasma e davete, festa etj, në zgjidhje mosmarrëveshjesh e deri
në pajtim kur ishin çift i ri e, si gjithë të tjerët, që kishin probleme të jetës së
përditshme. Por edhe nëna jonë të gjithë njerëzit e burrit i respektonte njësoj. Dhe
ky respekt i ndërsjelltë vazhdoi deri në fund të jetës së tyre. Jam edhe unë, si të
tjerët, një dëshmitar i gjallë i të gjitha këtyre sjelljeve dhe respekteve. Por nëna jonë
ashtu si edhe babai, kishte prirje për improvizim vargjesh aty për aty, pra ishte edhe
ajo bejtexheshë. Bektashi, kur erdhi në Greqi, për vizitë tek djemtë, natyrisht erdhi
edhe tek nëna jonë, tek «dajkja», siç i thoshte ai. Me këtë rast, si dhe në respekt të
dashurisë së treguar nga Bektashi për nënën tonë dhe anasjelltas, gjatë gjithë jetës
dhe halleve të saj, nëna jonë thuri edhe një «këngë» për nipin e burrit, por edhe të
saj, duke përjetësuar në të dashurinë dhe respektin reciprok, për një periudhë të
gjatë kohe.
Po japim më poshtë, tekstin e plotë të «këngës» së nënës sonë kushtuar Bektash
Çelit:
O Bektash, o nuri djalë,
Malli shumë më ka marrë,
Për ju edhe për vatanë!
• • •
Bektash, nur i dajkes-ë,
Bashkë me Etemin-ë,
Të tre me Zenelin-ë.
• • •
Ju kish lezet ai zë,
Kur ia marrit këngës-ë,
Në odë të Dajkos-ë,
Jeshe nip i derës-ë,
Jetim' ishit rritur-ë
• • •
Vallë, a do piqemi,
Të rrim', të llafosemi?!
U' do mbetem në Greqi,
Se më ra fati i zi,
Në të shkretën pleqëri!
• • •
Bektashi, sëbashku me Nerënxën (Nelen), rritën edukuan dhe martuan tre djem. Të
dy janë larguar nga kjo jetë, të gëzuar, sepse i lanë pas, të gëzuar, plot fëmijë e
mbesa. Bektashi vuajti nga një sëmundje e rëndë në mushkëri. Duhani që në moshë
të re, kishte bërë punën e vet. Bile, kaq shumë e pinte saqë, edhe kur punonte , e
ngjiste në buzë dhe nuk e hiqte asnjëherë nga buza, deri sa mbaronte fare dhe pastaj
e pështynte në tokë. Cigarja në buzë ishte një karakteristikë e veçantë e tij që e
bënte më njerëzor dhe të besueshëm gjatë bisedës, por i jepte edhe një ngjyrim të
veçantë pamjes së tij të jashtme. Cigarja «ecte» pas çdo fjale, duke bërë « në vend
numuro» në buzët e tij. Këtë veti, përveç Bektashit e kishte edhe mësuesi ynë, Rakip
Memi, kur rregullonte sahatët. E ndjeva jo vetëm si detyrim, por edhe si përmbushje
të ndjesive të mia, të shkruaja për këtë njeri, edhe si të afërt, pasi bashkëjetuam një
kohë relativisht të gjatë dhe hëngrëm e pimë me njëri-tjetrin. Shpreh këtu kujtimin,
nderimin dhe respektin, jo vetëm për Bektashin, por edhe për njerëzit e tij të afërt,
të cilët janë të gjithë aty, në Parajsën Qiellore. Dua të kujtoj nënën e tij, hallën tonë,
Bidenë, një grua e zonja, e zgjuar, Luftijen (Lufen), motrën e tij të dashur, të mirë,
vëllanë tjetër, Xhevairin, një nga oficerët e talentuar madhorë, mbaruar në Riga të
Letonisë (ish-BJ), më 1959 dhe erdhi në Shqipëri me gradën major i artilerisë
bregdetare. I paharruar qoftë kujtimi i tyre.
Komentarze