Thoma Kacori dhe katër titujt e romanit për Skënderbeun: nga dorëshkrimi i vitit 1974 i dërguar në Prishtinë, deri te botimi i tij në Tetovë, më 2005.
Thoma Kacori (Shtik - Kolonjë, Shqipëri, 1922 – Sofje, 2008), ishte filolog, ligjërues, përkthyes dhe në botën letrare shqiptare, i njohur më shumë si shkrimtar i temave historike dhe kombëtare. Ai ka botuar vëllimet me tregime: Jetë me brenga, Tiranë, 1957; Ditë që s’harrohen, Tiranë, 1958; Tregime të jugut, Prishtinë, 1970; Tregime të moçme shqiptare, Tetovë, 2005; është autor i përmbledhjes 100 Fabula, Shkup, 1996 etj. Më shumë se sa me tregimet dhe fabulat e poezitë, dhe madje më shumë se sa me Fjalorët, librat për mësimin e gjuhës shqipe e studimet historiko-gjuhësore Thoma Kacori, ishte i njohur me romanin e tij: Për mëmëdhenë, I, II, botuar në Tiranë, më 1961-63 dhe Prishtinë, 1970. Në vitin 1989 në Tiranë botoi romanin Bijtë e shtrëngatës, ndërsa në prag të vdekjes Kryetrimi i Arbërisë - Skënderbeu, Tetovë, 2005.
Teksti im këtu ka një karakter tjetër, dëshmues, për veprën e tij letrare, përkatësisht për romanin Kryetrimi i Arbërisë - Skënderbeu, Tetovë, 2005.
Sikur mësoj nga Arkivi i shtëpisë botuese “Rilindja” në Prishtinë, ky roman ka përfunduar së shkruari në vitin 1974. Dëshmi është “kopja e parë e origjinalit” dërguar Redaksisë së botimeve “Rilindja” në Prishtinë, me një tekst përcjellës: “Ju lutem të shqyrtoni romanin tim “Vitet e zulmës së madhe” që përshkruan kohën e Skënderbeut dhe të bashkëluftëtarëve të tij (Prishtinë, 28. VIII 1974). Thoma Kacori. Shënim: Në veprat e botuara në gjuhën shqipe mbiemri i Thoma Kacorit është shënuar me rr, ndërsa në dorëshkrim e ka me r.
Si edhe romani i tij “Për mëmëdhenë”, i cili e ka nëntitullin (Besa e Resul Çelimares), që në gjuhën bullgare botohet me titull “Velikata besa” (Besa e madhe) edhe ky roman, që deri në botimin përfundimtar ka katër tituj, fillimisht kishte titullin dhe nëntitullin. Në faqen e parë të dorëshkrimit është vendosur titulli “Vitet e zulmës së madhe” (roman), në faqen e dytë është i plotësuar “Vitet e zulmës së madhe (Skënderbeu)”, ndërsa në faqen e tretë edhe përkushtimi: “Këtë roman ua kushtoj prindërve të mij / aç të dashur Pepo dhe Kristo Kacori”. / Autori.
Për historianët e letërsisë dhe biografët e Thoma Kacorit është me interes një dëshmi që del nga Arkivi personal i Profesor Hasan Mekulit, i cili dy herë kishte provuar t’i botonte, por pa sukses dy fragmente të këtij dorëshkrimi. Herën e parë kishte përgatitur një fragment mjaft të gjatë të këtij dorëshkrimi për revistën autoritative të kohës “Jeta e re”, nr. 5/1977. Fjala është për kapitullin XXVI -, f. 452-534., ndërsa herën tjetër një fragment më të shkurtër prej 11 faqesh, me titull Th. Kacori, “Dasma” dhe shënimin “Fragment nga romani i pabotuar “Skënderbeu”. Sikur mund të shihet prej “Bibliografisë së Jetës së re” (1945-1989), ky fragment as ndonjë fragment i Thoma Kacorit nuk janë botuar ndonjëherë te revista “Jeta e re”, ndonëse në Prishtinë dhe Shkup janë botuar veprat e tij: Për mëmëdhenë: Besa e Resul Çelimarës: roman, me kopertinën e Skënder Hoxhës dhe me Pasthënie të kritikut Ali Aliu, Prishtinë, “Rilindja”, 1970, 491 f.; Tregime të jugut, (zgjodhi dhe redaktoi Ramiz Kelmendi), “Rilindja”, 1971, f. 165 f.; dhe Fabula, 1973, Shkup, “Flaka e Vëllazërimit”, f. 41.
Pas titullit të parë dhe të dytë të autorit “Vitet e zulmës së madhe” dhe “Vitet e zulmës së madhe”(Skënderbeu), si dhe titullit të tretë “Skënderbeu” të Hasan Mekulit për revistën “Jeta e re” nr. 5/1977, në vitin 2005 romani u botua në Tetovë me titull “Kryetrimi i Arbërisë - Skënderbeu”.
(Nga një studim më i hapur për romanet e shkrimtarit Thoma Kacori: (Nga arkivi personal))
Comments