top of page

Begzad Baliu: SHTATË POEZI PËR SHËN GRUAN



E SHKRUAR MË 14 SHKURT


Vëre kokën në gjoksin tim dhe pusho

Harro dhembjen qetëso zemrën dhe beso

Beso njëherë se në jetë ka lumturi

Dëshirëplotë mbahu dhe qëndro në qetësi

Veje kokën në gjoksin tim dhe ëndërro

Belkëputur brezëhumbur më pushto

fluturo dhe dallgëzohu në lumturi

Agullohu vegullohu rrëshqit në zemër me qetësi

Veje kokën në gjoksin tim më shtrëngo

Aureolë vullkani ku zjarri vlon me ashpërsi

Shtrëngohu fort mbahu dhe qëndro gjer në mbarësi

Deri sa gjiri qumësht të pikoj

1994

SIRENË E DETIT TË SHQETËSUAR

(Për ditëlindjen tënde, grua)

Më del nga fundi i detit më del

Sirenë e llastuar më çmend

Në shpirt më hyn a nga fundi i botës më nxjerr

Je grua a mike: më çmend.

Je ti që lind a vdes në njëherë

Dhe prehrin ma mbushe me fëmijë

Je grua që ballin ma përkëdhel

Je mike kur jemi një të dy.

Mbi detin e shqetësuar mbahemi si një të dy

Sa ëndrra të trishtuara jetojmë, bota se di

Jam Odiseu miku juaj që mund valët sa brigjet e di

Je Sirena ime që pret agimin tonë në përjetësi.

Prishtinë, më 4 prill 2015

ÇAMËRIA IME

(Fragmente)

1.

Ti vjen nga fundi i detit si vjen historia

Përmbytjet e epokave nuk më frikësojnë

Nuk je Bajlozi i zi

Nuk jam Gjergj Elez Alia

Çamëria ime

Një natë e gjatë po gdhinë

Ëndrra ëndrrën zë

Dimri dimrin ngrinë.

2.

Në këtë botë të ashpër

Të gjithë lindin e zgjohen

Mëngjeseve me shpresë

Netëve me trishtim

Jam Kosovë e fitoreve

Në fund të shekullit që shkoi

Je Çamëria e përlindur e shekullit XXI.

3.

Je ara më e pëlleshme në fshatin me furtunë

Ke gjetur lavërtarin më të mirë

Që di të hedh farën në brazë

Çamëria ime

Jam kostari që pret furtunat mbi lumin Bunë

Çamëria ime

Jam lavërtari që përulet mbi brazdën e pëlleshme për çdo kokërr grurë.

Do rritësh ti djem të ashpër

Si fishkëllima e kosës mbi barin zhur

Do rritësh ti vajza të ndrojtura

Si ndruhesha unë kur përulesha mbi gjunjët e tu.

4.

Çamëria ime

Bota thotë je grua e dhunuar

Unë di një fëmijë që luan në prag të detit në qetësi

Ti vjen si valë e harlisur dhe trazon rërën e kështjellës së tij

Unë shoh fytyrën time në guacën që hapet para këmbëve të tij.

Ti je syri që nuk u hap nga vajzat e rëna nga Guri i Filatit

Për Enin e Filatit me sytë e zi

Ti je gjiri i nënës që nuk u shter

Për gojën e vajzës së sapolindur në agimin e vitit 1945.

5.

Çamëri!

Ti vjen nga valë e detit trishtim

Sa shpejt – sa ngadalë-mallëngjim!

Ti vjen dhe shpirtin tim ndriçon

Ti vjen dhe trupin tim pushton!

Ti vjen si valë me drithërimë

Ti del nga thellësia e detit

Psherëtinë!

Refren:

Kur vjen dhe shpirtin tim ndriçon

Pse vjen dhe trupin tim pushton!

Çamëria ime të dua

Bota më thotë ti do një fatkeqësi

Çamëria ime qofsha vdekja

Çamëria ime ti je një pavdekësi!

Durrës, 25-27 janar 2013

PËR GRATË E NJË KONFERENCE SHKENCORE

Ajo rri me duar në gji

Ne gjoks ka vënë kartelën

“NN, prof. asc., Universiteti i Arizonës”

E ne qëndrimin e saj shoh Gjylen e Alisë

tek përkunde djepin ne fund të dhomës

Ajo rri kujtueshëm në fund të radhës

Në gjoks mban shënimin e varur

“AA – prof. dr. në Universitetin e Oxsfordit”

E në kujtesën e saj shoh gruan e Artanit të vrarë

Në fund të luftës së Kosovës

Ajo flet ne Foltore radhe e pa radhe

Dhe fjalët i ngre në shprehje krenarie

Në gjoks ka vënë tiketën “AB-prof nga Munihu”

E në pamjen e saj shoh nusen e Ademit

Tek ekzaltohej para grave në dasmën e fshatit

Ato rrinë ulur, flasin, meditojnë

Andej e këndej salle

Unë i shoh me botën e fëmijërisë dhe tretem larg ndër malle

Dhe shoh se si në sytë e mi shfaqen gratë e fshatit

Gratë e fëmijërisë sime që këtu më ngjajnë në shkencëtare.

*

Tek rrudhin gojën e mbyllin sytë përgjumur

Tek flasin me drojë

E gishtat trokasin me kujdes

Më zgjojnë kujtimet e fëmijërisë

Kujtimet për gratë e fshatit tek thonë

Marr e zotit çka thamë, këtu qenka një djalë!

Budapest, 10. 3. 2011, në Konferencën e CEU për Gruan.

LUTJE

Shën Mëri

Mbrëmë kam parë në TV një fëmijë

brenda një shtëpie që e shtynte vala e Cunamit

Është Eni

Lutu për të!

Shën Mëri

Sot kam parë në gazetën ditore një fëmijë

të shtrirë për bukën e gojës mes refugjatëve të Afrikës

Është Eni

Lutu për të!

Shën Mëri

Mbrëmë kam parë në TV një fëmijë në Indi

 me duar të shtrira drejt Nënës Tereze

Është Eni

Lutu për të!

Shën Mëri

Mbrëmë kam parë në ëndërr Enin

që përpiqej të më thoshte një fjalë

Është Eni

Lutu për të!

Shën Mëri

Mbrëmë kam parë në TV babanë e një fëmije tek lutej në portën e Parajsës

Është babai i Enit

Lutu për të!

Budapest, më 12-13. 3. 2011

PA TITULL

Jam ulur në metronë e kuqe te Budapestit

Treni përshkon tunelin me shpejtësi

Burra e gra rendin duke u shtyrë

Secili ka stacionin e tij.

Përballë është ulur një grua

Në prehër mban një djalë me sy të zi

Ajo e shtrëngon në prehër vogëlushin

Unë përballë me sy e përpij

Ja shtyp hundën lehtas

Dhe flokët ngjyrë gruri ia përziej

-Ka kohë, nuk e ka përkëdhelur dorë e një burri,-

thotë gruaja me sy te mjegulluar

Është djalë dhe pret dorën e ngrohte të tij.

Budapest, më 12. 3. 2011

DITA KUR E TRADHTOVA KOSOVËN

Kush ikte nga Kosova është tradhtar!

Kështu klithej dikur në rininë time

Iknin në këmbë, autobusë, me trena

Iknin në Askund në mendjen time

Sot ika unë nga Kosova për pak ditë

Dhe shpirti më dhemb si në rini

Ndonëse nuk ika me kalë si Moisi Golemi

Ika drejt qiellit si shpirti i tij

Prishtinë-Frankfurt-Uashington DC, 20-21 tetor 2015

12 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page