top of page

Begzad Baliu: SHAMIZEZA - NËNA IME



(Nga rrëfimet e nënës sime)

Nuk i kishte mbushur as të 16-tat kur para syve të saj Brigada Maqedono-Kosovare, në fshatin Marec - Lagjja e Kllokoqëve, pushkatoi familjarët e saj (pleq të paralizuar, nuse që me duart e tyre mbështillnin trupat e burrave e të baballarëve të tyre), djem që nuk u fshehën në mal nga frika se do të përdhunohen gratë e fëmijët e mbetur në shtëpi.

Dy ditë më vonë u mblodhën gratë dhe vajzat (më e madhja nëna ime), dhe në shpat të Lamës, më shumë me dorë se me lopata, më shumë me gishta se me shati, bënë ca gropa. I varrosën të gjithë dhe i mbuluan më shumë me borë e thera se sa me dhe. Në të vërtetë, i varrosën “me gjak e lot”!

Pesë ditë më vonë erdhi lajmi se Balës, mjeshtër i njohur i fshatit Makresh, ia kishin pushkatuar vëllain, ndërsa gruas së tij të tre vëllezërit dhe asaj, nga dhimbja e madhe, i kishte “plasur zemra”, prandaj burrat vendosën, që të më nisin për nuse të tij.

Ma lyen fytyrën me hi, që të dukem si një grua plakë, ma hodhën një shami të zezë mbi kokë, më hipën në një sajë të mbuluar me një çilim, “qysh nuk e kishin shkund pak, bre”, që e tërhiqnin jo kuajt e dasmës po dy buaj të zi, se bora ishte deri në gju. U nisëm në të rënë të territ, me gjashtë burra të armatosur dhe “këtu po praptohemi e aty po shkrepin pushkët e shkieve”, “këtu po na nalin partizantë e po më marin në Brigadë, e aty po na kap plumbi i ndonjë shkau në pritë”. Mbrrimë në Makresh, drejt në “shpi t’plakut”. Na thanë të mos e dhezim llamen, as fitilaqin, se “Tusha e Pllavicës po gjuen në dritë të llames gjithë natën nëpër katunde të shqiptarëve”.

Gjithë natën në sytë e mi të mbyllur, me zor, nuk mu hoqën flakërimet e zjarrit të mashinkës së partizanëve, që korrnin burrat dhe gratë e fshatit te Lama e Sadikut.

Herët në mëngjes, Plaku ma solli një kafe dhe një cigare në tabak. Për herë të parë po ia shihja fytyrën në mes territ e dritës. E kisha parë edhe më herët në Kllokoq, po e kisha parë si mjeshtër druri, jo si burrë; dhe ndoshta më kishte parë edhe ai mua, po më kishte parë si fëmijë, jo si grua të tij. Unë, diku në të gjashtëmbëdhjetat, e ai plotë 20 vjet më shumë: hundëshkabë, i pashëm, flokë e mustaqe të bardha.... Unë një grusht njeri, e ai një bjeshkë.

-Dheze nja me kafe, -tha plaku, - se zor e ke pas me nejt e zor e ka pas me ardh. Po kalojmë ditë të vështira dhe çudi që jemi gjallë.

Nuk e dheza, se më erdhi turp, ndërsa kafen e elbit e piva duke përcjellë jo vetëm lëvizjet, po edhe frymëmarrjen e tij.

Menjëherë pas luftës u kërkua që gratë t’i heqin ferexhet dhe kur të gjithë prisnin që plaku ta kundërshtonte se e kishte gruan shumë të re, ju tha: unë këtë po e bëj i pari! “Kur Hasani e la qitapin e Mejtepit dhe e mori Ditarin e Mësuesit, pse gruaja ime të mos e heq ferexhën”.

Ferexhën e zezë e hoqa, po shaminë e zezë nuk e hoqa gjatë. Prej pesë fëmijëve që lindëm ndërmjet vitit 1945-1956, vetëm një jetoi. Ishte kohë e “zisë së bukës”, “otkupit”, “mbledhjes së armëve”... Pastaj erdhi mosha dhe koha e vdekjeve të natyrshme të prindërve, vëllezërve, motrave dhe shaminë e zezë e mbaja për nder...

Nëna ime mbante Shëngjergj e Shënmitër, Ramazan e Bajram. Edhe babai, si mjeshtër i thinjur, kujdesej të mos pikte Mejtepi, që në vitin 1948 u bë xhami, si dhe shkolla e fshatit, që u ndërtua po atë vit.

Një ditë motra e madhe, Dada Naxhë, ia solli një shami të bardhë, “të bardhë si bora”, të thurur me të kaltër, me gjilpërë. Nëna e palosi me kujdes, e vuri mbi gju dhe na tha: keni harruar se vdekja vjen edhe për mua, si për të tjerët. Naxha ja di rendin...

-Vendose në kokë, - i thash nënës, - mos e ruaj, se do ta ruajmë ne pastaj si kujtim pas vdekjes!

- Jo, - tha nëna ime, - po e ruaj që të më mbuloni në varr me këtë shami të bardhë. Jetën e pata shumë të vështirë. Plaku i jetoi tri Serbi, e unë dy. Jetën e pata të zezë, si vetë shaminë që e mbajta. Tani që ju po i jetoni ditët e bardha, dua të më mbuloni në varr me këtë shami të bardhë. Mos e dhëntë zoti që fëmijët a mbesat e mija t’i mbulojnë sytë e tyre me shami!

Qofsh e bekuar nëna ime!

Në këto ditë diskutimi, për apo kundër shamisë, ne kujtojmë porosinë tënde dhe mbajmë premtimin që të kemi dhënë!

11 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page