top of page

Begzad Baliu: RRETH NJË DORËSHKRIMI ...




RRETH NJË DORËSHKRIMI TË PËRKTHIMIT NË GJUHËN SERBOKROATE TË VEPRËS “KËNGËT E MILOSAOS” TË JERONIM DE RADËS NGA ESAT MEKULI

Shkruan: Begzad Baliu


Rreth tri vjet më parë kam publikuar një njoftim për lexuesit tonë në fb se në kërkim e sipër kam zbuluar një referencë, e cila bënte të njohur se shkrimtari dhe përkthyesi më i mirë nga gjuha shqipe në gjuhën serbokroate dhe anasjelltas Esad Mekuli (1916-1993), kishte lënë në dorëshkrim veprën e Jeronim de Radës Këngët e Milosaos (Pesme Milosau). Le të kujtojmë këtu se Esad Mekuli ka përkthyer bardët e letërsisë serbe, malazeze, kroate e boshnjake (Mazhuraniqin, Njegoshin, Karaxhiqin, Kërlezhën e shumë të tjerë) në gjuhën shqipe, si dhe në gjuhët e tyre ka përkthyer shkrimtarët tanë: Ismail Kadarenë, Rexhep Qosjen, Hevzi Sulejmanin, Enver Gjerqekun, Azem Shkrelin etj.

Mbështetur në dokumentet e kohës, botimi është propozuar dhe paraqitur si projekt i Programit të punës shkencore të Sektorit të Arteve të Shoqatës së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, të datës 18. 10. 1976, projekti i parë i Akademisë së ardhshme, i nënshkruar nga sekretari i Sektorit të Arteve Prof. dr. Rexhep Qosja, ku ishin përfshirë edhe veprat dhe studimet për Pjetër Bogdanin, Tahir efendi Boshnjakun, Hilmi Maliqin, Haxhi Imer Lutfi Paqarizin, Hivzi Sulejmanin dhe Esad Mekulin.

Në pikën tre të programit ishte planifikuar përkthimi i poemës liriko-epike të Jeronim de Radës, “Milosao”. “Vepra në fjalë e De Radës, - thuhet në arsyetimin e shkurtër - është një prej veprave më të rëndësishme të periudhës së romantizmit në letërsinë shqipe. Konsiderohet se fillimet e romantizmit shqiptar mund të përcillen historikisht në praktikën letrare duke filluar prej kësaj vepre. Në qoftë se kihet parasysh se ajo është botuar në vjetin 1836 atëherë është e qartë edhe rëndësia e saj historike letrare. Me botimin kritik të përkthimit të kësaj vepre në gjuhën serbokroate do t'i ofrohet opinionit jugosllav një vepër e rëndësishme dhe një mundësi që historianit të studimeve komparative të letërsive ballkanike sadokudo ta kenë parasysh edhe letërsinë shqipe. Vepra do të botohet edhe me një parathënie, në të cilën do të flitej më gjerësisht mbi romantizmin shqiptar po ashtu si edhe për vetë veprën e përkthyer”.

Sikur mund të shihet prej Programit, ky është i vetmi projekt i planifikuar jashtë trashëgimisë historiko-kulturore të Kosovës dhe i vetmi projekt, i cili ishte planifikuar të botohet në gjuhën serbokroate. Në këtë Program pune gjithashtu nuk theksohen emrat e autorëve të projekteve apo bartësit e tyre, e në këtë rast as përkthyesit. Vetëm më vonë do të kuptohet se përkthyesi i kësaj vepreje ishte caktuar Esad Mekuli, por asnjëherë nuk do të kuptohet kush do të bënte përgatitjen e botimit kritik të saj, kur dihet se një përgatitje të tillë, brenda Akademisë, mund ta bënte vetëm Profesor Idriz Ajeti. Profesor Ajeti dhe shkrimtari Enver Gjerqeku, në fund dalin recensentë.

Në vitin 1980, në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës diskutohet Plani botues i punës së Seksionit të Gjuhësisë, Letërsisë dhe të Arteve për vitin 1980 dhe për periudhën 1981-1985. Në krye të planit për vitin 1980 del titulli Akademik Esad Mekuli: “Këngët e Milosaos”.

Në fund të vitit 1986, Seksioni i Gjuhës dhe Arteve propozon disa aktivitete të tij për vitin 1987, ndër të cilat edhe “botimin e veprave të Jeronim de Radës”, që në esencë është botimi i veprës së De Radës “Këngët e Milosaos”, por me gjasë shënimi u mbajt gabim nga sekretari i Seksionit Akad. Svetomir Arsiq.

Nga një Procesverbal i mbledhjes së seksionit të Gjuhës, Letërsisë dhe të Arteve të Akademisë, i mbajtur më 12. 11. 1987, në të cilin mungon Esad Mekuli, mësojmë se në “lidhje me realizimin e detyrës për botimin kritik të “Këngëve të Milosaos” të Jeronim de Radës në gjuhën serbokroate, u konkludua të bisedohet me bartësin e kësaj detyre”.

Për herë të fundit përkthimi i veprës së De Radës “Këngët e Milosaos” është diskutuar në vitin 1989 në Seksionin e Gjuhësisë, Letërsisë dhe Arteve. Në këtë takim bëhet Propozimi i Programit të punës, në të cilin, në pikën katër thuhet se. “Akademiku Esad Mekuli, ka përgatitur përkthimin e “Këngëve të Milosaos” të Jeronim De Radës, në gjuhën serbokroate. Pritet të kryhet parathënia e këtij botimi. Duhet të sigurohen mjete financiare për këtë botim”.

Po këtë është vit është shkruar edhe recensioni i Akademikëve Idriz Ajeti e Enver Gjerqeku për Bashkësinë Vetëqeverisëse të Interesit për Shkencë dhe Kulturë, të cilës i kërkohej mbështetja financiare e botimit të kësaj vepreje, megjithëse prej gjendjes në të cilën gjendet dorëshkrimi i ruajtur në familjen e Esad Mekulit edhe pas vdekjes, më 1993, mund të flitet për një përkthim dhe pjesërisht shqipërim, por ende nuk mund të flitet për një dorëshkrim, i cili plotëson kërkesat për një botim akademik. Sikur mund të shihet prej tri faqeve të skanuara, dorëshkrimi është ruajtur në dy nivele: në plan të parë është teksti i shkruar me makinë. Në plan të dytë është versioni i redaktuar me laps grafit dhe në plan të tretë redaktimi, plotësimi, dhe madje rikëndimi me laps kimik. Për një botim të ardhshëm duhet bashkuar këto tri gjendje dhe përmbyllur versioni përfundimtar.

Le të shpresojmë se do të realizohet ky botim ashtu sikur ishte planifikuar në vitin e largët 1976.



(Hyrje nga një studim më i gjatë)

 Prishtinë, maj 2024

17 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page